KU GABON MUSTAFA NANO

nga Edion Petriti

Me interes e kam ndjekur debatin e zhvilluar në media, në lidhje me kombësinë e Vojsavës, së ëmës së Skënderbeut. Më sjell ndërmend ato debatet e zjarrta të murgjve benediktinë, françeskanë dhe domenikanë të Umberto Ekos, që ziheshin për varfërinë e Krishtit dhe dishepujve: teshat që ata mbanin, ishin të tyret, apo i kishin sa për “usus facti”? Atëherë, ky ishte një problem i madh. Të njëjtin hall kemi sot edhe ne me Vojsavën. E kemi tonën, apo thjesht sa për “usus facti”, sa për përdorim? Meqë shumë vetë janë përzier në këtë debat, thashë të përzihesha edhe unë, ndoshta për arsyen se i bën mirë dhe debatit publik, që për çështje që i përkasin sidomos identitetit, për çka na farkëton e na bën bashkë si komb, e që janë shumë të ndjeshme, të përzihen edhe njerëz që diçka marrin vesh nga këto çështje.

Kur ulemi të merremi me historinë, gjëja e parë që na shfaqet përpara, është problemi dokumentar. Besoj se “A mund ta dokumentosh?” ose “A mund ta vërtetosh?” është një pyetje që sa e sa profesorë historie e ngrenë nëpër auditorë për të ulur gjakrat e për t’u treguar vendin e nxënësit (pra atij që “nxë”) sa e sa studentëve të zellshëm, që nuk dinë asgjë e që bëjnë mëtime rokoko nga më fantastiket. Nuk dua të zgjatem pastaj mbi “relativitetin e burimeve” – kur dy ose më shumë burime për një arsye ose një tjetër nuk bien dakord, e që duhen pajtuar/skartuar me anë të kritikës dokumentare.

Le të merremi njëherë me Barletin. Barleti ka dy dëshmi për Vojsavën, një të drejtpërdrejtë dhe një të tërthortë: uxori Voisauae nomen erat, non indignam eo uiro tum pater nobilissimus Tribalorum princeps, tum forma moresque etc. Që në shqip do të thotë: Emri i bashkëshortes ishte Vojsava, jo e padenjë për atë burrë, qoftë nga pamja, qoftë nga sjelljet; i ati i saj ishte një princ shumë fisnik i triballëve (Barleti, libri I, f. 2). Se çfarë ishin këta triballë, Barleti e shpjegon vetë, më vonë, kur flet për Dibrën e Epërme, të banuar nga bullgarët, ose triballët (Bulgari, siue Tribali habitant, fol. 61 v.) Nga gjithë sa më sipër, marrim vesh që i ati i Vojsavës ishte princ fisnik i triballëve, ose bullgarëve të atyre anëve dhe jo domosdoshmërisht qe vetë sllav, pasi sundimi nuk presupozon medoemos kombësinë. Mund të kesh një kombësi tjetër dhe të sundosh mbi triballët, p.sh. mund të jesh grek, vllah, arbër ose sllav, pa përmendur turqit që ishin shfaqur në ato kohë në teatrin e Ballkanit perëndimor. Për shembull, Teodor Spandounes shkruan se “Karlo Toko mbretëroi në Janinë për njëmbëdhjetë vjet, duke sunduar mbi arbrit sipas stilit italian, me një rreptësi me të cilën ata nuk ishin mësuar”. Kemi një princ të huaj që sundon mbi një popullsi arbrish; vetë fakti se Toko sundonte mbi ta, nuk e bën arbër me patjetër: «Regnò dunque il detto Carlo Tocco in Sanina, anni undici, et uolendo signoreggiare al modo Italiano, gli Albanesi, mostrando loro grande & disusata asprezza nel gouerno suo» etc. (Spandugino: I Comentari, Firenze, 1551, fq. 26-27).

Ëndrra e Vojsavës, vizatim për një botim gjermanisht të Historisë së Barletit, 1533

Kemi më pas edhe dëshmitë e Muzakës: E la madre de detto Signor Scanderbeg, moglie del detto Signor Giovanni, hebbe nome Signora Voisava Tripalda e venne da bona parte. Dhe mëma e të sipërthënit zotit Skënderbé, gruaja e të sipërthënit zotit Gjon, e kishte emrin zonja Vojsava Tripalda dhe vinte nga soj i mirë. (Muzaka, botuar nga Hopf, në “Chroniques”, Berlin, 1873, f. 301). Duhet theksuar se kjo “Tripalda” nuk duhet ngatërruar me Tripaldën në Itali (Tripalda ose Atripalda, në Kampanjë, ku një Alfons qe markezi i Atripaldës etc. etc.).

Tani, duket qartë se kjo “Tribalda” ose “Tripalda” – një sendërgjim i Muzakës, i etur për t’i dhënë me patjetër Vojsavës një mbiemër, është më shumë një “shques” sesa një mbiemër. I këtij mendimi është edhe medievalisti William Miller; përndryshe, do kishim një familje mesjetare me mbiemrin Tribalda, për të cilën nuk dimë pothuajse asgjë, e që nuk shfaqet gjëkundi nëpër dokumenta. Po Muzaka shkruan: [I]l Signor Gio: Castrioto, padre del Signor Scanderbego, hebbe per moglie la Signora Visava Tribalda (sic!), con la quale fece quattro figli mascoli e cinque figlie femmine. Zoti Gjon Kastrioti, i ati i zotit Skandërbej, pati për grua zonjën Visava Tribalda (sic!), me të cilën bëri katër djem dhe pesë vajza (Muzaka, f. 295).

Aq më tepër që Pollogu i triballëve në atë kohë, po t’i vemë veshin po Barletit, shtrihej nga malet e Mokrës e deri në Shkup dhe ndoshta nuk përfaqëson luginën e sotme të Pollogut në Maqedoni. “Barbari tash qe ndalur në një farë vendi fushor të po atij Pollogu, për të pritur ardhjen e mëngjesit. Nga një anë ishte mali ynë Mokré, nga ana tjetër një kështjellë e turqve, e quajtur Shkup, ku mbaronte fusha… (Consederat barbarus in campestri loco quodam ipsius pologi lucem expectaturus, Mocreus ab una parte mons noster, ab altera oppidum turcarum, Scopiam dicunt, terminabant planiciem; Barleti, libri 7, fol. 90v).

Veç kësaj, kemi dëshminë gjenealogjike të Andrea Angelos, botuar po te Muzaka (Hopf, f. 308), por e një date të mëvonshme, 1550: Dominicus alias Moncinus [genuit] Voisava Ivani uxorem ose: Domeniku alias Monçino lindi Vojsavën, të shoqen e Ivanit (nga e cila lindi pastaj Skënderbeu etc. etc.). Tani ky “Dominik alias Moncinus” në gjenealogji kish edhe një të afërm, me emrin Gjin (Ginos, po aty). Ndaj dhe ka pak gjasë që kjo familje të jetë serbe, pasi ka në përbërje 1. Një fisnik me emrin Gjin (Ginos), i cili është emër arbëror etnik, dmth. që e mbanin vetëm arbrit; dhe 2. Një tjetër katolik me emrin Dominik. Ka më shumë gjasë që ky Dominik të ishte arbër i fesë katolike, i sërës së Gjonit, me të cilin kish lidhur krushqi.

Brenda kësaj gjenealogjie kemi edhe një frazë enigmatike, “cai minste”, të cilën Hopfi e shoqëron me një pikëpyetje të madhe nga pas, e që unë dyshoj, siç më sugjeron V. Kamsi (Studime Filologjike, 1976; II, 207-210), që mund të interpretohet si “ngaj m’inshte” – dmth. Dominik Monçino, “nga më ishte” Vojsava, e shoqja e Ivanit. Pra, sipas Andrea Angelos, që citon Muzaka, gjyshi i Skënderbeut nga ana e nënës e kishte emrin Domenik alias Monçino.

Tani, ky problemi i burimeve është si të thuash edhe vetë burimi i problemeve, po të bëjmë lojëra fjalësh kështu sipas mënyrës hegeliane. Vetë Andrea Angelo vinte nga një familje nga Drishti, të famshme në histori për falsifikimet e saj – mjafton të përmendim këtu urdhrin “konstantinian” të kalorësisë. Vetë Oliver Schmitt në librin e vet mbi heroin, shkruan se: “Engjëjt kishin prurë prej vendit të prejardhjes, Drishtit, një tufë me dorëshkrime dhe dokumente origjinale, si dhe falsifikime, një tërësi e vështirë për t’u ftilluar. … Natyrisht, jo të gjitha dokumentet janë të falsifikuara: disa dëshmojnë pozicionin e vërtetë që ka pasur kjo familje si patricë me ndikim të fortë në Drisht”. (Skënderbeu, Tiranë, 2008, fq. 483).

Sipas mendimit tim, kjo e dhënë te Muzaka është gjenuine e nuk duhet hedhur poshtë, për faktin se informacione të tilla që kishin të bënin me Skënderbeun dhe familjen e tij në atë kohë ishin dijeni e të gjithëve, aq më tepër që në Itali ishin strehuar shumë shqiptarë; dhe me Kastriotët nëpër këmbë në Spanjë a Itali, as Engjëjt nuk do kuturisnin dot të gënjenin. Në histori nuk ecet me rregull treshi: meqenëse Vojsava ishte e bija e princit të triballëve; dhe se triballët ishin serbët e Brankoviqëve, i bie që Vojsava ishte e bija e Gërgur Brankoviqit. Kjo është një tezë e pambështetur në dokumente. E thënë shkurt, është një spekullim.

16 Komente

  1. Une jam nen pershtypjen se debati mediatik nga morri fillesen shkrimi juaj nuk eshte I fokusuar sic duhet tek ajo qe ka shkruar Nano. Nuk e di nese e keni lexuar vete librin…

    Shprehja nga nisen tere akuzat dhe debatet per autorin ndodhet ne kapitullin e trete, ku ai mundohet te argumentoje se shqiptaret nuk qene kurdohere ne armiqesi as me greket dhe as me serbet, dhe se gjendja e sotme nuk ka shume justifikim ne histori.
    Nano thote se “pretendimi historiografik “per nje meni te mocme.. nuk provohet nga kronika e historise” dhe se” ne ate kohe nuk kishte atebote urrejtje dhe paragjykime te natyres etnikeqe jane shpikje moderne”.
    Dhe per te provuar kete sjell shembujt e studimeve te bera nga shume personalitete shqiptare ne Greqi (sholla Zosimea ne Athine) apo hipotezat e nje krijimit te nje konfederate Shqiperi-Greqi.
    E njejta gje tentohet edhe me Serbine, ku Nano, sjell si argumente pervec marteses se nenes se Skenderbeut edhe ate te djalit te Gjergj Topise qe u martua me serbe, apo te Vuk Brankoviqit qe u martua me shqiptare. Nano thote “duket nje bote shptare e serbizuar, apo nje bote serbe e shqiptarizuar”

    Pra, jam nen pershtypjen se ai nuk ka marre persiper te vere vulen mbi etnine e Vojsaven-thjesht ka marre si te vertete nje nga hipotezat (gjithmone per mendimin tim, me te besueshme edhe pse nuk ka te dhena se ajo eshte shqiptare sikurse eshte vete Gjoni) mbi etnise se Vojsaves. Konteksti e justifikon kete permendje, sikurse nuk besoj se ka ndonje pretendim nga ana e autorit per te sjelle ndonje “zbulim” qe te certikoje ate qe e marre nga te tjere.

    1. “…kur ai mundohet te argumentoje,se shqiptaret nuk kane qene kurdohere ne armiqesi as me greket as me serbet…”- pikerisht kjo,dhe jo origjina e diskutueshme(qe e pranon edhe vete), eshte e paverteta e vertete e librit te M.Nanos.
      Ka pafund dokumente,qe deshmojne per armiqesi etnike mes arberve e grekerve,mes arberve e serbeve.
      Ne keto dokumente flitet per despote greke,te kohes se Bizantit,qe benin masakra ndaj popullsise arbere.I benin si greke,ndaj nje popullsie jo greke,te huaj,te percaktuar mire,si arbere.Masakra te tmerrshme;me gjymtime,prerje veshesh,hundesh,buzesh;cka tregon per nje urrejtje tipike nga ato qe e kane burimin tek nje meri e gjate,shume e gjate.Meri te tilla bazohen vetem ne ndryshimet kulturore,mes etnive te ndryshme.Iliret dhe helenet,arberit dhe grekerit kane pasur perhere ndryshime te thella kulturore,pavaresisht gjithe c’thuhet per fqinjet me te lashte ne gadishull.
      Po keshtu,po ne keto kohe,pak me vone mbase,kemi masakra qe despotet serbe benin ne Kosoven e sotme;masakra per territor,per dominim territori.Edhe dhuna qe perdorej per te ndryshuar religjionin nga katolik ne pravosllav,cka detyroi edhe papen atekohe t’u bente ultimatume despoteve serbe,ishte per territor;territor qe banohej nga popullsi shqiptare(ilire,dardane,arbere,shqiptare,kosovare s’ka rendesi;emrin le t’ua vene si te duan;e njejta popullsi eshte).
      M.Nano,duket se ka parasysh vetem kohen Osmane,te ashtuquajturen pax ottomana.

      1. Timur,
        une e kuptoj qe paskeni nje mendim ndryshe nga ai qe eshte shkruar ne librin ne analize.
        Fakti qe flisni per masakra, urrejtje, ndryshime kulturore qe ju nenvizoni, dhe besoj se keni te drejte, jane vetem njera ane e medaljes.

        Ana tjeter eshte lidhja qe ka ekzistuar me keta dy fqinje, qe eshte subjekti i librit qe duhet ta lexoni.

        1. @Christ

          Ajo medalja qe permend zotrote, ngado qe ta kthesh, duket se i ka te dyja anet te zhgarravitura njelloj…

          Fokusimi i autorit te shkrimit, dhe kjo eshte mjaft e lehte per t’u konstatuar, mendoj se eshte ndryshe nga preokupimi juaj i vertete. Ka dy gjera qe nuk qendrojne ne komentin, dhe ato kane te bejne…

          1. – me reklamen qe ju po mundoheni t’i beni “leximit te librit” (e keni permendur te pakten dy here),
          2. – me mosperfilljen tuaj per argumentat bindese qe ka sjelle zoti Petriti, nga deshira per ta futur “kungullin” nen sqetull.

          Deri me sot kemi lexuar nje mal shkrimesh e komentesh ne lidhje me “sensacionin” e boshllekut veror, te iniciuar nga “flamurtari i te vertetave historike” te shtate shekujve me pare.

          Ndaj ajo qe do te doja te theksoja eshte, se ne qoftese ka patur autore, te cilet jane fokusuar vertet ke sjellja e argumentave dhe indicjeve, nder me konkretet dhe me racionalet ky mendoj se eshte dhe autori i ketij shkrimi.

          Nese preokupimi juaj ne prapaskene eshte reklamimi i mallit permes ngjalljes se interesit per leximin (ne fakt per blerjen) e librit, zoti Petriti eshte perqendruar ke analiza e thenieve tashme te njohura bibliografike. Ai ne asnje pasazh te shkrimit, ne asnje shprehje te vetme, nuk ka ngritur asnje “akuze per autorin”, por eshte marre vetem me subjektin, dmth. me trajtimin objektiv te supozimit apo doktrines, se Voisava na paskesh qene me origjine sllave. Wow, surpriza e shekullit…

          Mjaft objektiv autori eshte treguar edhe persa i perket teorise mbi “relativitetin e burimeve”, duke lene te kuptohet, se me “faktet historike” eshte spekuluar ne te gjitha koherat.

          Dikur me pak, e sot me perhapjen e internetit dhe historianeve “unknown” akoma me shume. Sa per krahasim, sillni pak ndermend perhapjen e vrullshme te “fake-news”.

          Pershendetje

        2. Argumenti ”lexo librin” ne pamje te pare duket si i pathyeshem, mirepo autori vete ka dale lart e poshte me interpretime dhe me argumentime, keshtu qe mund te merremi lirisht me te, persa kohe qe ai mendon se i mjafton media per te argumentuar nje interpretim.
          Kjo dihet qe eshte nje qasje antishkencore, sepse kush prodhon nje liber shkencor, as i shkon fare ne mendje qe te merret me mediat, por pret me zemer te ngrire se çdo thone koleget neper konferenca shkencore apo revista te specializuara .

          Prandaj perderisa autori mendon se e ka argumentimin aq te forte sa ta shpalle e mbroje mediatikisht, normalisht argumentin lexo librin nuk mund ta perdore dot.

          Mesa thua ti qe e ke lexuar, ai argumenton se me dy-tre martesa te perziera mund te mbrosh tezen se mes dy etnive gjerat shkojne fjolle. Mire autorit qe ne rast se e ke percjelle ketu drejt, si thote populli i jane shperndare dhite, ose i kane ikur bletet nga kosherja, por ti dukesh njeri me logjike te ekuilibruar, si mund te perhapesh gjera te tilla fare te pakuptimta, si kjo shprehja, ”duket nje bote shqiptare e serbizuar apo nje bote serbe e shqiptarizuar”.

          Keto jane broçkulla safi, aq me teper kur vete brenda botes shqiptare princat vriteshin e priteshin per ndonje fshat,pyll apo lume, e neper malesi per nje kope dhensh vriteshin dy kope njerezish.
          Si kaluan Kastriotet nga zoter te dy fshatrave ne kontrollin e nje territori prej Dibres ne bregdet, perpos duke kaluar nepermjet nje dhune te perkryer dhe sistemi martesor qe legjitimonte fitoret ne lufte.

          Ajo ishte bote kaotike, luftarake, njerezish qe e kishin mendjen tek lufta, brenda nje gjenerate nje principate mund te trefishohej apo pergjysmohej. Lufta ishte me gjithekend, vete Skenderbeu brenda 4 viteve te para, perpos luftes me turqit gjeti kohen te luftonte me venedikasit, te konfliktohej me Brankoviçet dhe me Dukagjinasit.

          Muçi dhe ti tani, paraqesni nje bote idiliake, aq vellazerore saqe shqiptaret me serbet e kishin mendjen tek ahengu, tek shkembimet kulturore, tek nje koshence siperore humane.

          Historiografia shqiptare e di shume mire se çfare rrumpalle luftarake ishte jo vetem bota ballkanike, por edhe ajo arberore dhe ne kuptimin brendaarberor i japin merita per perpjekjet e tij ne krijimin e nje shteti te perqendruar arberor, duke nenshtruar me te mire e te keq feudalet e tjere shqiptare, me qellim optimizimin e burimeve ne luften kunder turqve.
          Ky eshte fakti historik me rendesi, ky eshte modeli modern i shteformimit, s’ka me feude e feudale, bejlere e pashallare, ka nje shtet, ka nje mbret apo president, qe perfaqeson unitetin e shtetit dhe kombit.

          Nga ana tjeter, prej vitit 610 kur bizantinet, braktisen perfundimit kufirin danubian duke i lene rruge te lire sllaveve deri ne 1493 kur turqit pushtuan perfundimisht Ballkanin deri ne Save e Danub, territoret e Ballkanit Perendimor apo Ilirik, kane pasur vetem 200 vjet paqe te vazhdueshme, nga fillimi i shekullit 11 (vitit 1018), kur Bizanti pushtoi Bullgarine deri ne fund te shek 12 apo edhe viti 1204 kur latinet pushtuan Kostandinopojen.

          Ne 900 vjet nga dyndjet sllave deri ne pushtimin turk, vetem 200 vjet pax romana/bizantina. 700 vjet te tjera i perkasin nje bote me mentalitet luftarak, paqja ishte koha mes dy lufterave dhe nuk eshte se ishte shume e zgjatur, aq sa u duhej paleve te rikrijonin ushtrite dhe rezervat financiare. Nqs zgjaste mes dy paleve ishte e sigurte qe njera prej paleve ishte duke bere lufte me nje te trete.

          Kur arberit dalin ne skene ne Toskeri, ishin te papermbajtshem, kur shkuan emigrante ekonomike ne Greqi shume shpejt i lane lopatat per shpatat dhe i ke ne gjithe konfliktet, te gjithe te organizuar ne ”fara”, ku s’hynte dot i huaji, sepse s’ishte gjak per te qene i ”fares”.
          Ambicia politike ishte ne kulm dhe ishte koha kur politika kalonte nga shpata dhe shpata kalonte nga ”fara”.
          Greket u shpetuan prej turqve, lere ça broçkullisin lart e poshte per armiqesine greko-turke, lufterat kunder turqve ne Greqi i kane bere kryesisht arvanitasit prej shek 15 deri ne shek 19.
          Greket jane shpetuar prej turqve se do ishin nen kontrollin arvanitas dhe dalengadale do asimiloheshin prej elites luftarake arvanitase. Po ashtu ne Epir s’do ngelte asnje ishull grek, perkundrazi gjate pushtimit turk u fuqizua helenizimi i shqiptareve, ne ndonje rast edhe me bekimin e bejlereve dhe pashallareve shqiptare, si rasti i Ali Pashes dhe Kozma Etolasit.

          Bota ballkanike ka qene gjithçka tjeter perpos nje idili nderetnik, sepse s’ka pasur as ndonje idil etnik, jo me nderetnik.

          Paqja afatgjate nuk vendoset mbi baza mashtrimi historik, por mbi drejtesine, reciprocitetin, ekuilibrin e forcave dhe nje synim madhor te perbashket.
          Sot nuk ekziston asnje prej ketyre elementeve, prandaj secili duhet te punoje ne drejtimin qe mendon se mund te jape kontribut. Me siguri mashtrimi historik dhe futja e opinioneve shoviniste te Beogradit ne hapesiren shqiptare, nuk ndihmon fare.

          Duke na detyruar te germojme ne histori, Muçi ben te kunderten, na sjell ne fokus epoka kaotike, ku me i forti fiton gjithnje dhe konkluzioni me i lehte per t’u arritur eshte duhet te jemi te forte, se ne kete bote s’ka gjuhe tjeter. Me gjithe ato sharje qe ka marre Muçi gjithandej, me shume ka ndihmuar unitetin e shqiptareve kunder serbeve, sesa ne ”vellazerine” serbo-shqiptare. Pastaj qe do i gjeje disa qindra veta qe do ia blejne librin, kete nuk e ve ne dyshim.

          1. Hyllin,
            Leximi i komentit tim dhe i komenteve te shtypit mbi vepren ne fjale nuk ta zevendeson dot leximin e vete vepres. Ndaj na kurse.
            Por ajo qe shkruan “Me gjithe ato sharje qe ka marre Muçi gjithandej, me shume ka ndihmuar unitetin e shqiptareve kunder serbeve, sesa ne ”vellazerine” serbo-shqiptare”-eshte interesante. Interesante, ne kuptimin se si dikush qe nuk e ka lexuar kete liber qe sjell ne vemendje nje lidhje ndryshe te neglizhuar nga mainstreami, hidhet serisht ne prehrin e “epokes kaotike” , “ku i forti fiton gjithnje”. Kush eshte i forti, Hyllin – Hitleri apo Milloshevici??

            1. Kot replike boshe, terheq konstatimin e mesiperm se ne ndryshim nga Muçi dukesh me logjike te ekuilibruar.

            2. Christ,
              ne vend te Mucit zgjidh Hyllinin se do jesh i fituar per veten tende.

              Lexo librin , thote, po per cfare? Per te mesuar se Muci paska filluar te lexoje ca gjera ,qe te tjere i dijne prej dekadash? Apo per logjiken ‘analitike’ prej filoqylisti?

              NJe liber bleva njehere prej Mucit, Pax Albanica. Ka shkruar nje liber te tere per fene burri botes dhe nuk e kishte kuptuar akoma thelbin e indiferences fetare tek shqiptaret.

              U be mode kjo pune tani me teza e hipoteza, antiteza, kunderteza,….,si kerpudhat pas shiut.
              Po tezat e Cabejt ku?

            3. Flm Fatma,
              une po rri me zgjedhjen time qe te lexoj edhe gjera te cilat nuk te pelqejne. Ndderkaq ti enjoy Hyllinin. Gjithe te mirat.

            4. Librin e Muçit ende nuk e kam lexuar, por do ta lexoj sapo të më bjerë në dorë.

              Kam përshtypjen se ka të paktën një keqkuptim, në komentet e tanishme rreth atij libri: është eseistikë, jo historiografi. Mbështetet në fakte historike të njohura dhe i rimerr e i rikombinon, për të parashtruar disa mendime që ka autori dhe i gjykon si me vlerë për t’u publikuar.

              Eseistika ka vendin e vet në kulturë dhe duhet gjykuar me kriteret përkatëse.

            5. Nuk ka asnje keqkuptim,ne ate kuptim qe e thoni ju,zotni Vehbiu.
              Eshte vete Mustafa Nano qe,edhe po te duam,nuk na le ta keqkuptojme.
              Ne te gjitha intervistat “pas-skandal”,qe ka dhene ai,shprehet se eshte i bindur qe po thote te verteta historike.
              Shkurt,ai nuk flet,te pakten per kete rast,si publicist,por si historian;me kompetence madje.
              Ja,ju vete,keni thene e thoni shume e shume gjera,ku e ku me te “guximshme”,se Mustafa Nano;por ato nuk acarojne,sepse keni kujdesin te thoni perhere,qe nuk jeni i kesaj fushe apo asaj fushe,porqe i thoni nga kendveshtrimi i publicistit…jane pikerisht keto fjale magjike,qe qetesojne shpirtrat.

  2. Me kete pergjigje sinqerisht ma prete hovin per te replikuar me tej me ju. Jeni tejmase preciz me “argumentime”, keshtu qe mundesia per debat te metejshem me duket praktikisht zere.

  3. Nuk besoj se ka nevoje per dokumentim historik armiqesia serbo-shqiptare apo greko-shqiptare. Eshte ne Eposin e Kreshnikeve, eshte ne gojedhenat dhe historite qe kane kapercyer shekujt, qe pavaresisht hiperbolizimeve, perçojne thelbin e gjësë: bashke ekzistenca e popujve ballkanike ka qene gjithnje problematike, dhe nese ka pasur krushqi mes princerve e familjeve te medha feudale kjo nuk ndryshon thelbin e gjësë.

  4. Një nga miqtë e mi në FB, më shkruan në lidhje me këtë çështje: «Nuk di nga buron ky mentaliteti që historinë e shkruajnë vetëm “baballarët” e historisë. Për më tepër, kur e kemi mbushur ende barkun e mendjes me historinë e tyre: klasore, ideologjike, partiake, propagandistike!» Dhe unë i thashë: Ky mentalitet buron nga fakti që historia nuk është një “passe-temps national”, një hobby masiv e kombëtar siç e kuptojnë shqiptarët, por një instrument delikat të cilit i duhemi qasur me kujdes dhe respekt, qoftë edhe për faktin se lënda me të cilën merret disiplina e historisë, janë kryesisht njerëzit që tashmë kanë vdekur. Si të tillë, do ish e kotë të silleshim me ta siç bëjmë me të gjallët, të cilët ca i duam, ca s’i duam, ca i shpëlqejmë dhe ca i kemi inat. Në histori, opinionet nuk kanë asnjë vlerë; në histori kanë vlerë burimet dokumentare dhe ato arkeologjike. Më kujtohet një anekdotë me Bart Ehrmanin dhe profesorin e tij të kritikës së teksteve biblike. I thotë njëherë Ehrmani: Profesor, kam arritur të pajtoj një mospërputhje tek Ungjilli i shën Markut (më duket ka të bëjë me çështjen e Abiatharit dhe Ahimelekut – shën Marku duket se ngatërron njërin me tjetrin). Dhe Ehrmani ja shtjellon gjerë e gjatë çështjen, duke arritur në përfundimin se në të vërtetë, Abiathari ISHTE Ahimeleku, pra i biri i vet. Dhe profesori i historisë i thotë: Bart, kam përshtypjen se nuk është ashtu si thua. Thjesht Shën Marku ka bërë një gabim!
    E përmenda si kuriozitet këtë fakt për të thënë se në histori çdo gjë mbështetet mbi burimet dokumentare, burime të cilat jo gjithmonë janë të thjeshta e të pangatërruara.

Lini një Përgjigje te Ardian VehbiuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin