DY SKAJET E PREJARDHJES

Shqiptarët rrjedhin nga ilirët, shqiptarët nuk rrjedhin nga ilirët: ja një arrë gungë e albanologjisë. Për shumë kombëtaristë, zgjidhja e kësaj nyjeje ka rëndësi jo sepse ilirët përfaqësojnë ndonjë diçka veçanërisht të vyer, në krahasim bie fjala me trakët; por ngaqë shqiptarët sot jetojnë në ato troje ku jetonin ilirët dje, pra vërtetimi i birësisë ose i prejardhjes do të ishte edhe konfirmim i autoktonisë. Kjo e fundit ende ngre peshë si argument, në tryezat ku debatohen konfliktet ndërballkanike, edhe pse në vetvete naiv. Por vetë koncepti “ilirët” është problematik, sepse për këta fise a popuj dihet relativisht pak; dhe sidomos ngaqë këta nuk e shkruan gjuhën e tyre. Po të kish dokumente të ilirishtes së shkruar, mund të krahasohej kjo gjuhë me shqipen[1]; përndryshe, prej ilirëve kanë mbetur veç një numër i madh emrash të njerëzve, si dhe emra qytetesh, toponimesh gjithfarësh dhe fisesh. Këto mbetje i kanë lejuar studiuesit t’ua njohin ilirëve përkatësinë në popujt indo-europianë; por nuk kanë ndihmuar shumë për të sqaruar lidhjet e tyre me shqiptarët e sotëm; ose më saktë, lidhjet e dialekteve të ilirishtes me shqipen e sotme.

Në fakt, brenda trinomit indo-europianishte <-> ilirishte <-> shqipe, dija zotëron të dhëna të plota për shqipen dhe të dhëna të mjaftueshme për indo-europianishten; ndërsa ilirishtja mbetet një madhësi abstrakte, një place-holder, një e panjohur që në fakt veç e ndërlikon natyrën e prejardhjes së shqipes, sa kohë që është pranuar karakteri indo-europian i kësaj të fundit. Kjo, ngaqë për të rindërtuar indo-europianishten janë përdorur të dhëna nga të gjitha gjuhët e sotme indo-europiane; dhe kjo indo-europianishte me natyrë gati matematike, ose formulaike, është përdorur dhe përdoret për të shpjeguar fjalë dhe forma të shqipes. Ilirishtja – e supozuar dhe hipotetike – nuk hyn gjëkundi në këto ekuacione, meqë nuk ndihmon për asgjë; dhe nuk ndihmon për asgjë, ngaqë për ilirishten si gjuhë nuk dihet pothuajse asgjë, megjithë përpjekjet titanike të disa optimistëve për t’i dhënë një sistem fonetik dhe një sistem leksikor rudimentar. Aq më tepër që çdo linguist do të sqarojë se emrat e njerëzve dhe të vendeve nuk janë material i përshtatshëm për rindërtime dhe krahasime gjuhësore, sa kohë që kuptimi i tyre nuk dihet (çfarë nuk përjashton që këto të kenë pasur kuptim në dialektin ilir përkatës, ose në një gjuhë nga e cila ka huazuar ky dialekt). Një krahasim nga shqipja e sotme do të mjaftojë për ta sqaruar këtë: emra lumenjsh, si Ishmi, Erzeni, Shkumbini, Semani janë fjalë të shqipes dhe u referohen “objekteve” gjeografike specifike, por nuk kanë ndonjë kuptim në vetvete; sepse nuk është se një lumë duhet të plotësojë kushte të caktuara ose të ketë tipare të caktuara, për t’u quajtur Ishëm dhe jo Erzen – në të vërtetë, emra të tillë shënjojnë objekte unike. Prandaj edhe emrat ilirë, të njerëzve dhe ato gjeografike, nuk ndihmojnë shumë, meqë dijetarët nuk mund të jenë të sigurt as edhe që këto janë ilirë, dhe jo të huazuar nga një gjuhë tjetër.

Në këto rrethana, të pyesësh nëse shqiptarët rrjedhin apo jo nga ilirët nuk do të kishte shumë kuptim, sepse pyetje të tilla pretendojnë të shpjegojnë historikisht diçka të njohur – si shqiptarët ose shqipen – nga diçka e panjohur, si ilirët dhe ilirishtja (le të pranojmë që kjo të ketë qenë një gjuhë e ndarë në dialekte). Më logjike do të ishte, përkundrazi, që të pyesnim nëse ilirët rrjedhin prej shqiptarëve dhe ilirishtja prej shqipes; duke pasur këtu parasysh, me “rrjedhin”, jo birësi kronologjike, por prejardhje konceptuale; sepse, po ta bëjmë këtë, mund të nisemi nga madhësi të mirënjohura, siç janë shqiptarët dhe shqipja, dhe t’i përdorim këto për të ndriçuar ose kuptuar më mirë madhësi të panjohura, siç janë ilirët dhe ilirishtja. Edhe ilirologët, ose ata dijetarë që janë munduar të kuptojnë diçka më shumë për ilirët dhe ilirishten, e kanë krahasuar këtë të fundit me gjuhë të tjera indo-europiane të lashtësisë (ose edhe me vetë indo-europianishten e rindërtuar), ose me shqipen; duke u nisur nga dy hipoteza bazë, prej të cilave ajo e përkatësisë indo-europiane të ilirishtes është më e mbështetur se ajo e lidhjeve ekskluzive të shqipes me ilirishten; por rëndësi ka që, metodologjikisht, të dy hipotezat kërkojnë që t’i afrohen së panjohurës nëpërmjet së njohurës, ose të paktën të njohurës, sikurse është edhe më e udhës.

Përndryshe të dhëna për ilirët si popull/popuj i gjen edhe në historianët e lashtësisë, pa çka se këto nuk ndihmojnë shumë për të ndriçuar ato aspekte të birësisë që na interesojnë ne sot. Pa harruar pastaj edhe atë që vazhdimësia e supozuar iliro-shqiptare ka dy anë: atë gjenetike dhe atë gjuhësore; dhe që shqiptarët e sotëm mund të jenë gjenetikisht të ndryshëm nga ilirët e lashtësisë, por shqipja të jetë forma moderne e një dialekti ilir; ose e kundërta, që shqiptarët të jenë vijues gjenetikë të ilirëve, por shqipja të mos ketë lidhje me ilirishten. Vijueshmëria gjenetike nuk garanton edhe vijueshmëri gjuhësore dhe anasjelltas. Po të lexosh përfundimet që nxjerrin studimet e sotme të gjenetikës së popullatave, i bie që gjuha shqipe të jetë më indo-europiane se shqiptarët; në kuptimin që popullsia para-indoeuropiane e viseve ku jetojnë sot shqiptarët të jetë ruajtur deri-diku gjenetikisht, gjithë duke adoptuar gjuhën e ardhësve indo-europianë.


[1] Po lë jashtë këtyre përsiatjeve mbishkrimet e mesapishtes në Italinë e Jugut; sepse nuk dihet mirë se sa ilirë kanë qenë mesapët; dhe se këto mbishkrime janë zakonisht të shkurtra dhe nuk përmbajnë aq material gjuhësor përtej antroponimeve, sa të mund të rindërtohet mesapishtja vetë kënaqshëm.

22 Komente

  1. Shqiptaret ‘rrjedhin’ nga Iliret me duket nje teori e vone. Rilindasit preferonin ‘pellazgjite’. Kesaj i them ‘arre gunge’ une.

    1. Jam i sigurtë se do të ketë shumë kombëtaristë që të jenë gati t’i pranojnë, vetes dhe të tjerëve, se shqiptarët e sotëm “rrjedhin” edhe nga ilirët, edhe nga pellazgët. Madje nëse mund të futim në kazan edhe Albaninë e Kaukazit, pse jo? (Ç’të keqe ka? – Do të thoshin ca super-pragmatistë). Por këtu po përpiqem ta mbaj muhabetin në një nivel pak më racional; pa folur pastaj që kjo e pellazgëve nuk e ndryshon fare tezën e shkrimit tim më lart, ose nevojën për të lëvizur nga e njohura tek e panjohura (siç bën dija), dhe jo nga e panjohura tek e njohura (siç bëjnë mistikët dhe të marrët).

  2. Qe shqiptaret rrjedhin gjenetikisht nga iliret, ose me mire shumica derrmuese, kjo me zbulimet gjenetike te ketij 20 vjeçari te fundit nuk ha diskutim fare, jane nje konfirmim i plote i argumentit te antopologjise fizike. Por kjo nuk se zgjidh ndonje gje te madhe perderisa edhe jugosllavet ne pergjithesi jane gjenetikisht pasardhes, ashtu sikunder e argumentonte serisht antropologjia fizike.
    Autoktonia gjenetike eshte e garantuar, flas per autoktonine historike, pastaj se ç’ka ndodhur ne epoken e majmumit kjo eshte çeshtje tjeter, autoktonia ne histori, ka kuptim brenda historise, apo maksimumi sa jemi ne gjendje te rindertojme arkeologjikisht e mitikisht parahistorine. C’eshte e verteta as arkeologjikisht e as mitikisht nuk shkohet dot pertej shek 15-14 p.l.k, keshtu qe ne rastin me te mire flasim per autoktoni historike dhe parahistorike me vlere diku tek 3400-3500 vjet.

    Ceshtja gjuhesore ka ngecur dhe nuk di te kete ndonje risi ne iliristike perderisa s’merret me njeri, perpos si hobi apo percjellje e dijes aktuale, keshtu qe nuk di çfare te them ne lidhje me qasjet e nevojshme, se kur nuk ka njerez qe merren seriozisht me ate pune, nuk me rezulton se nje qasje x apo y do te sillte ndonje rezultat.
    Jemi ne meshire te arkeologjise, po u gjet gjekundi ndonje mbishkrim dygjuhesh, atehere gjerat do fillojne te levizin, perndryshe gjuhesia s’mund te luaje ndonje rol, se fjalet i kane shtrydhur sa i kane nxjerre ujet e zi.

    Interesante gjithsesi, por jo ne funksion te drejtperdrejte te vijueshmerise iliro-shqiptare, eshte çeshtja e prejardhjes se vete ilirishtes dhe persa kohe qe shqipja nuk mund te mos i perkase grupit ballkanik,( le te vere te gjitha pikepyetjet e rastit gjuhesia, kemi ujkun nuk na duhen gjurmet),atehere edhe vete shqipes.

    Teza dominante (dhe persa kohe nuk e dime) do levizjen e pare indoeuropiane drejt Ballkanit diku tek 3000 vjet p.l.k, qe solli edhe shkaterrimin e kultures preindoeuropiane. Nga shekujt 20-19 p.l.k deri shek 13-12 pati dyndje te popujve te tjere indoeuropiane, ata historike, ilire,greke, trake e frigje. Me vone dihen sepse historike, dyndjet kelte, me vone sarmate e gjermanike per te perfunduar me indoeuropianet e fundit te rendesishem, sllavet. Gjate mesjetes se vone kemi edhe arixhinjte qe jane indoeuropiane por keta nuk jane faktore historike.

    Cfare realisht nuk jemi fare ne gjendje te percaktojme gjuhesisht eshte vala indoeuropiane qe prodhoi ilirishten, persa kohe qe kesaj s’i kane bere derman dot as ne ndarjen kentum-satem, nuk i kane dhene dot fjalen e fundit.. Thuhet e pranohet se vala indoeuropianizuese e shek 14-13 perbehej nga ilirishtja, mirepo per aq sa dime, mund te kete qene edhe nje vale e meparshme dhe vala e shekujve 14-13 te kete pesuar asimilim. Per aq sa dime rreth ilirishtes spekullim me te njejten vlere mund te jete edhe qe vala e pare ne absolut indoeuropianizuese qe ndodhi 3 mije vjet p.l.k, mund te jete perfaqesuar nga ilirishtja (apo protoilirishtja, pak rendesi ka, thelbi eshte i njejti).
    Ilirishtja ka favorin e nje populli te hershem historik ne Europe, privilegj arkeologjik dhe afersi me Greqine, rrjedhimisht edhe mitik e historik.

    Ketu kalohet tek hipoteza e dyte, ajo e Renfrew qe Ballkanin e quan vendin ku u maturuan gjuhet indoeuropiane qe u perhapen ne Europe, qe praktikisht lidh ilirishten me popullaten me heret akoma. Kjo hipoteze dihet qe nuk pelqehet nga gjuhetaret se u prish terezitjen kohore te protoindoeupianishtes, por qe ka argumenta te mire edhe gjuhesore, sidomos persa i perket agrikultures.

    Sidoqofte pak rendesi ka, edhe hipoteza e Gimbutas edhe hipoteza e Renfrew, bien dakort ne rolin shume te rendesishem te Ballkanit ne prehistorine e indoeuropianeve, te dyja nuk e quajne si vendlindjen indueuropiane, por prania masive e elementeve indoeuropiane ne arkeologjine e zones e ben Ballkanin zone te privilegjuar, qe duhet marre parasysh si hapesira e pare ku indoeuropianet kane levizur, pra atdheu nuk mund te jete kurrsesi shume larg Ballkanit.

    Ne kete kuptim, merr rendesi te dores se pare vjetersia e fjaleve te shqipes, pavaresisht se xha xhait nuk i pelqen koncepti, gjuhesia e krahasuar bazohet tek vjetersia e gjuheve per t’i renditur nga pikepamja kohore, psh karakteri kentum i tokarishtes, krijoi probleme te medha, derisa e tereziten nga pikepamja kohore si gjuhe qe duhej te shkonte patjeter diku tek 2 mije vjet p.l.k, perndryshe tokarishtja nuk duhej te ekzistonte fare.

    Pra sot per sot, sherbimin me te madh çeshtjes se prejardhjes mund t’ia beje fonetika historike e shqipes, si e vetmja forme e njohjes qe mund te mbushe gapin mes shqipes se kohes se huazimit te latinizmave dhe burimit indoeuropian (apo protoindoeuropian, thelbi ai eshte), sepse ne rast te nje vjetersie te madhe atehere fare mire shqipja mund te jete krijuar ose shkeputur nga trungu indoeuropian ne fazen ballkanike qe parashikojne te dyja hipotezat kryesore (por edhe nja dy hipoteza te tjera te parendesishme per nga pesha).

    M’andej, ilire, trake, maqedonas, epirote, dako-meze, frigje, panone, pajone e thashetheme te tjera, kane rendesi te dores se dyte apo te trete. Nje shqipe qe shkeputet nga indoeuropianishtja ne Ballkan, ka vlere per te gjithe te interesuarit e çeshtjes, per te mos thene qe do hapte skenare te jashtezakonshem ne indoeuropianistike.

  3. Nje hipoteze interesante, dmth qe leviz ujerat se pastaj puna e vertetesise eshte çeshtje e koklavitur.

    http://rstb.royalsocietypublishing.org/content/366/1567/1090

    Gjendet nje skeme nga mesi i artikullit, ku jane futur gjithe gjuhet indoeuropiane qe fliten sot ne bote, dhe sa per variabilitet jane shtuar hititishtja dhe tokarishtja qe jane gjuhe te vdekura.
    Po te shihet mire skema atehere lezeti me kripe del shqipja e cila per pak ua merr greqishtes dhe armenishtes (te mbledhura bashke ne nje grup) si gjuha me vjeter e gjalle. Me te vjetrat dalin hititishtja dhe tokarishtja, por nga gjithe gjuhet e gjalla del shqipja.

    Nuk e solla per te thene qe kjo eshte e verteta ”e re” e indoeuropianistikes, qe shqipja eshte gjuha me e vjeter etj, sepse metoda e ndjekur ka pasur kritika serioze, por se ne çdo kohe, çdo perpjekje ne indoeuropianistike kalon doemos nga anet tona dhe ”hedh uje” ne mullirin tone.
    Ndersa ne mbajme syte nga qielli dhe vazhdojme me pertacine tone studimore, bota studion dhe na thote vendin qe na takon.

  4. Sa gjase ka ajo qe prof. Çabej shpresonte se ndonje tekst i vogel apo fraze e veçante mund te gjendet diku “ne keto troje”?
    A eshte e mundur qe duke u gjendur prane universit romak dikush, nje savant ilir (duhet te kete patur ndonj dreqi ta haje) per efekt mimetizmi te jete vene te transkiptoje tingujt e ilirishtes qe kishte mesuar nga e ema (para se te nisej emigrant) me alfabetin latin?

    1. Retorike thua ti, po halli eshte cfare thone mesapet te cilet kane lene nje thes me mbishkrime te shkurtera. Shqipja e shkruar nis me formulen e pagezimit, nje tek fjali, nga nje kryepeshkop e burre shteti si Pal Engelli, jo nga Gjin Gjoni, nipi i Gjoke Gjeke Gjonit, qe punonte karrocier ne Pishkash te Librazhdit.
      Edhe ate shyqyr qe mbijetoi diku ne arkivat e Milanos dhe asokohe kishte pasion per te germuar neper arkiva, se te ngelej per brezin e sotem, ehe.
      Do te kerkosh me shprese mos gjen diçka, germo ne Shkoder, ne Finiq apo gjej Damastionin, jo kot merresh me Durresin romak e Apolonine romake, se dihet qe ndonje statuje romake ose qyp do dale dhe u bere arkeolog me emer. Te te jape leje shteti ty Lyssd te germosh ne Apoloni, une jam i sigurte qe do gjesh edhe statuja edhe qypa. Mbase do thyesh ndonje statuje e qyp, se nuk je profesionist, por ndonje qyp e statuje sakllam do e nxjerresh.

  5. Qypi mund te dale sakllam, por eshte problemi i deshifrimit te asaj frazes te fundi i tij. Eshte pune me e nderlikuar se sa duket. Nuk kam ketu parasysh vetem nje unaze me nje mbishkrim qe supozohej trak dhe qe e gjithe ajka e linguistikes boterore shkuli leshte e kokes per ta deshifruar, por ne rastin puna “tone” ndelikohet edhe me shume. Dua te sjell si shembull nje liber shume interesant te Shuteriqit per shkrimet shqipe gjate shek 19. (afersisht titulli). Jane shkrime e shenime nga me abrakadabresket (po jo pa vlere si deshmi te shqipes), shenime nallbanesh, tregtaresh shumice e pakice gjetur ne shtepi te ndryshme, shkresa njohje borxhesh, kontrata komshinjsh, deshmi martese, kontrata dheniesh vijash te ujit etj, etj. Por ne nje bisede qe kam patur me Shuteriqin, ai me tha se ka gjetur shume me teper, por problemi eshte se ne kushtet e moskumunikimit midis njerezve, ndodhte qe shume syresh shkruanin per hesap te tyre dhe kjo (mbaje mend hyllin) secili shkruante me alfabetin qe fabrikonte vet, me forma germash nga me te habiteshmet, por qe sot (dy shekuj per vdekjes se autorit te tyre) u duhet shkuar te varri per t’i pyetur per tingullin e germave te tyre se nuk ka zot qe t’i deshifroje. Pra le te shenojme ketu deshiren e tyre per te moshkruar turqisht apo greqisht e megjitathate kjo nuk mjafton…

    Tani le te zhvendosemi nja dy mijevjeçare e gjysme ne kohe dhe te kerkojme deshmi te shkruara e te unifikuara te ilirishtes (se nje gjuhe e shkruar ka vlere si mjet komuniukimi masiv (dhe jo si magji sekrete e nje individi apo e shume individeve), me shenja per te cilat kane rene te nje mendje te gjithe.

    Prandaj permenda me siper efektin e mimetizmit ose pasqyre te latinishtes. Kjo eshte e vetmja mundesi (sipas mendimi tim modest) per te shpresuar per ndonje fjali te ilirishtes te pakten me nja tre fjale, nje emer, mbiemer dhe nje folje ne nje pozicion te caktuar, te cilat do te jemi ne gjendje ti kuptojme. Nje deshmi psh qe filanin e vrava se me pa shtrember.
    E theme kete sepse, megjithe perçarjet e luftrave midis tyre kishte nje vektor ku faleshin te gjithe fiset ilire, Roma dhe kultura e saj qe sot njihet nga ne.
    (Mos harro se egjiptjançja u be e mundur vetem kur u gjet guri i Rozetes, nje tekst i kohes se Ptolomejve, qe ishte ne egjiptjançe dhe ne greqisht. Shans i arte!
    Se po qe se gjenden tekste te ilirishtes me alfabet prodhim shtepiak i secilit, e kujt i hyn ne pune kjo?

    1. Lyss, besoj se jemi dakort qe duhet mbishkrim dygjuhesh, pasi te njejten gje, nevojen e mbishkrimin dygjuhesh pahnxorra edhe une, per vete faktin qe mesapishtja me mbishkrimet e deritashme, ka nevoje vetem per nje mbishkrim dygjuhesh qe te zberthehet, mjafton edhe nje fjali e shkurter.

      Ne sot e marrim te mireqene qe arberit ne mesjete flisnin shqip ose me mire, qe para pushtimit turk flisnin shqip. Mirepo s’kemi asnje prove te drejteperdrejte, perpos ‘Formules se Pagezimit”. Nqs nuk do te ishte gjetur ajo fjali, do te na ngelnin thjesht emra njerezish e vendesh e ndonje pohim tek tuk qe lidh ekzistencen e arberve me nje gjuhe arberore.

      Problematikat qe hasim ne prejardhjen ilire jane pergjithesisht te njejtat, pothuajse identike qe do hasim per arberit mesjetare te periudhes paraturke, hiq formulen ne fjale.
      Ca kemi si elemente gjuhesore ne per gjuhen mesjetare te arberve, ta zeme mbiemrin Gropa te Andrea Gropes, themi se eshte shqip, qe te mos e bejme grope muhabetin, mirepo nqs e izolojme çeshtjen nga shkrimi i mevonshem, çdo gjuhetar i planetit do te thoshte Gropa, mund te jete shqip, por mund te jete edhe baltisht, sllavisht a ku di une (po ia fus kot, se nuk ia di etimologjine fjales grope).

      Ne te njejten logjike te kesaj hipoteze abstrakte, Gjin Bua Shpata, themi se shpata eshte shqip, por dikush mund te thoshte kemi italishten Spada e Gjini mund te dilte edhe italian, persa i perket gjuhesise.
      Ndonje tjeter do i futej argumentimit te vendbanimeve, Berati eshte Belgrado, Muzaka nga muzhik, keshtu Muzakajt kane qene sllave e popullata sllave, e keshtu nje thes me emra sllave vendbanimesh, poshte e perpjete Arberise.

      M’andej nqs gjithnje ne kete hipoteze ku injorojme ekzistencen e shqipes se shkruar, ka shume me teper ngjashmeri shqipja me vendbanimet dhe emrat e kohes ilire sesa me vendbanimet dhe emrat e kohes arberore, ne kuptimin qe gjen disa fenomene fonetike te llahtarshme per shqipen nder emertesat sllave ne Arberi sesa nder emertesat ilire ne Iliri. Ca shembuj te shpejte, te cilet gjithsesi i jane nenshtruar nje proçesi shqiperizimi fonetik nga vete popullata, Muzhencka, Verzhezha, Gostencka, Kakruk, Zhapokika etj

      Dua te them nepermjet kesaj hipoteze abstrakte, se çfare e shpeton vijueshmerine arberoro-shqiptare eshte vetem konfirmimi i plote gjuhesor qe vjen prej faktit qe shqipja u shkrua gjate pushtimit turk, perndryshe ka me shume argumenta gjuhesore kunder vijueshmerise arberoro-shqiptare sesa iliro-shqiptare.
      Keta kontestojne edhe kulturen e Komanit e cila zgjatet deri 50-100 vjet para se arberit te dalin ne dokumente historike, po aty ku ka qene kultura e Komanit. Mirepo duke e kontestuar, ti e percakton automatikisht qe arberit kane ardhur aty ne gjysmen e dyte te shek 10, pra jo vetem qe nuk zgjidh gje, po nderton automatikisht nje hipoteze e cila nuk ka asnje prove te asnje natyre te mundshme.

      Prandaj Lyss, them se nevojitet ai mbishkrimi dygjuhesh, qofte edhe ne Mesapi, perndryshe çdo gjuhetar ne kete planet, ndihet i legjitimuar ta nxjerre prejardhjen shqiptare edhe nga Kina, duke u mbeshtetur tek ngjashmerite e shqipes me tokarishten, sepse e verteta eshte qe prejardhja e shqipes eshte kthyer prej kohesh ne nje zbavitje gjuhetaresh, te cilet ndertojne skenare te lezetshem fantahistorike, qe mund t’u sherbejne me shume skenaristeve te ”Game of Thrones”, sesa historianeve.

      1. Ke bere nje interpretim brilant Hyllin !

        Se vertete , c’na ben te besojme se arberit parabuzukiane jane stergjysherit e shqiptareve ?
        Nuk ka ndonje prove gjuhesore. Por eshte prova gjeografike-historike se te dy palet kane okupuar te njejtin territor dhe nuk ka ndonje rekord historik per nje dyndje shqiptaresh.

        Por kush ka provuar nje dyndje arberish ne cilendo kohe qe te argumentohet teza e mosvazhdimesise iliro-arbere?
        Se po te kishte atehere ne, shqiptaret,nuk do te thoshnim Drin por Drim, jo Bune por Bojane, jo Shkup por Skopje,…Ku do te gjenim nje ‘mal’ per Dimal, ne cilen etni ne bote, nje ‘ujk’ per Ulqinin, nje ‘balle’ per Ballshin,..?

        Prova e vijimesise iliro-shqiptare merret nga kompleksi i disiplinave albanologjike. Ta kufizosh vetem ne argumentin gjuhesor, kur eshte e ditur mungesa prej ilirishtes,dhe akoma me keq te neglizhozh edhe ato pak prova, fjale qe jane, eshte nje marifet i daleboje. Me keto gogla akrobatesh mund te luajne vetem fillestaret si Mucua. Ne rastin me te mire..

        Ne Kuvendin e Studimeve Ilire me 1974, prof. Cabej e perfundon referatin kryesor me :

        ” Rezultati i kerkimit tone eshte ky, qe shqipja eshte formuar ne pergjithesi ne treven e sotme gjuhesore me perfshirje edhe te bregdetit, qe kjo treve nuk ka pesuar ndonje ndryshim qenesor gjate koheve.”

        Kush vuan te rrezoje vazhdimesine duhet te rrexoje Cabejn, te gjitha argumentat, nje per nje. Po deri me sot nuk ka dale akoma ndonje trim, as brenda , as jashte . Avaze si te Mucos jane sa per gallate.

        Dhe ta leme me kaq. Fjalet e teperta jane fukarrallek.

        ps- Hyllin, chapeau ! Edhe per Komanin.

  6. Le te marrin me naivin nder argumentet,qe perdorin kombetaristet:emrat e njerezve.
    Emrat ilire jane te perhapur gjeresisht tek shqiptaret.Ky eshte argumenti ne naivitetin e tij te kulluar.Fakti qe emrat ilire perdoren vetem nga shqiptaret,dhe vetem nga ata,eshte denaivizues.
    Pyetja naive “pse vetem shqiptaret perdorin emra ilire?!”,nuk eshte edhe aq naive.
    Ose ,pyetja tjeter naive “pse disa nga fqinjet tane,qe pretendojne edhe ata origjinen ilire,nuk perdorin emra ilire?!”,edhe kjo nuk eshte aq naive.
    A eshte e vertete,qe emrat ilire perdoren nga shqiptaret,sepse,ata(emrat) jane familjare me gjuhen e tyre dhe nuk perdoren nga fqinjet,sepse,jane te huaj per gjuhet e tyre?!
    Nje pyetje,edhe kjo,shume naive,por e pashmangshme.E per me shume,e drejte.
    Imagjinoni pak,edhe me naivi argument i kombetaristeve,ka njefare peshe ne debatin per prejardhjen e shqiptareve nga iliret!
    Kam pershtypjen se “antikombetaristet”, ne “misionin” c’mitizues,e teprojne aq shume me kunderargumentat,sa po te vesh re me kujdes,dalin,edhe pa dashjen e tyre,ne nje konkluzion tejet te cuditshem,ku shqiptaret ka me shume gjasa te kene nje origjine tjeter,sesa ilire!
    Ne fakt,te gjitha te dhenat,ato te dhena qe kemi,sado te pakta a te mjegullta qofshin ato,te gjitha paperjashtim,flasin per prejardhje te shqiptareve nga iliret.
    Asnje e dhene,asnje hic,per prejardhje te ndryshme.
    Atehere,si ka mundesi qe,kunder pakesise apo pamjaftueshmerise po te doni te argumenteve pro-ilire,te perdoret argumenti i hic-te-dhenave per ndonje prejardhje tjeter ?!

    1. Nuk besoj se përhapja e emrave ilirë ndër shqiptarët sot mund të përdoret si argument për të provuar ose edhe vetëm mbështetur hipotezën e prejardhjes ilire të shqiptarëve. Këtë lloj gabimi logjik e quajnë “begging the question” – kur premisa e argumentit adoptohet si përfundim. Konsiderohet si gabim logjik elementar.

      Emrat ilirë u përhapën në shqiptarët ngaqë u rekomanduan prej elitave kombëtariste, të cilat donin t’u jepnin shqiptarëve një identitet të përbashkët, të çliruar nga dasitë fetare. Një Ndue nuk mund të jetë mysliman, ndërsa një Ilir mund të jetë me prejardhje edhe të krishterë, edhe myslimane.

      Ata që i përdorën emrat ilirë (përfshi këtu edhe prindët e mi), e bënë sepse i besuan me shpirt këtij programi dhe atyre që e çonin përpara. Emri i përveçëm tregon përkatësi, dhe shumë shqiptarë parapëlqyen përkatësinë në një të kaluar etnike të përbashkët – edhe pse të imagjinuar; ndaj përkatësisë tjetër që i ofronte feja. Ndërkohë që mbiemri shprehte dhe ende shpreh përkatësinë familjare dhe fisnore.

      Është çështje sociologjike dhe kulturore, nuk ka të bëjë me qëmtimin e origjinave. Ata që i rekomanduan emrat nuk e bënë këtë sepse e kishin zbuluar vetë origjinën, por sepse u duhej një origjinë çfarëdo, dhe kjo nga ilirët ishte edhe më e përshtatshmja, për mitin që kërkonin të çonin përpara, përveçse edhe e mbështetur me argumente historike dhe arkeologjike.

      Paradoksalisht, të njëjtin rol “bashkues” luajnë sot emrat e huaj si Kevin ose Lavinia – meqë tregojnë një gatishmëri për të ndjekur modën ose “fenë kulturore” të momentit, por sërish pa iu referuar përkatësisë fetare tradicionale, e cila i grupon shqiptarët ndryshe.

  7. Padyshim qe eshte gabim logjik elementar.
    E megjithate,duke patur parasysh gjithe c’ka thoni per arsyet e perdorimit te ketyre emrave,me te cilat padyshim qe jam dakord,prapeseprape,ato(emrat) edhe po te mos ishin perdorur per keto arsye,do te ishin shume te natyrshem te perdoreshin nga shqiptaret,se nga cdo popull tjeter perreth.
    E ketu nuk po permend emra ilire,qe jane kaq kuptimplote ne shqip (si prsh Bardhyl,e qe s’jane pak) por emra qe nuk kane asnjelloj shpjegimi ne shqip,e megjithate tingellojne natyrshem,me natyrshem se ne cdo gjuhe tjeter,e sidomos,me natyrshem se ne gjuhet e fqinjeve tane.
    Natyrisht,qe kjo qe them une,perseri mund te konsiderohet si “nje gabim logjik elementar” por,nga ana tjeter, kam bindjen qe edhe nje gjuhetar i nivelit me te larte e di qe, edhe sikur keto emra te mos perdoreshin per kaq kohe sa t’i benin shqiptaret familjare me to,prapeseprape,ne shqip dhe vetem ne gjuhen shqipe,do te tingellonin me natyrshem se ne cdo gjuhe tjeter.
    Gjithsesi,ajo qe doja te thoja une,ishte qe edhe nje “argument” i tille kaq naiv e foshnjarak madje, eshte dicka ne krahasim me hic-mos-gjene e tezave anti-ilire.

    1. Një pjesë e madhe e këtyre emrave janë përshtatur nga filologët, linguistët, arkeologët dhe edukatorët, që të mund të tingëllonin mirë shqip. Kur zgjidhen emra të tillë, ka rëndësi edhe eufonia, ose tingëllimi i këndshëm.

      Për shembull, emri im Ardian, është i përshtatur nga emri origjinal Ardiaei ose Vardiaei që del në dokumentet e lashtësisë (këto dokumente janë në greqishten e vjetër ose në latinishte; në fakt askush nuk e di si tingëllonte tamam ky emër në gjuhën e fisit në fjalë).

      Edhe Bardylis/Bardulos është shqipëruar në Bardhyl meqë është marrë si e mirëqenë etimologjia që e lidh me mbiemrin i bardhë/e bardhë (përndryshe edhe Ardiaei do të kish përfunduar në Ardhian). Ajo y-ja e Bardhyl duket sikur vazhdon y-në te Bardylis; në një kohë që e njëjta y e lashtë, që del tek Illyrii, ka përfunduar në i- tek shqipja Ilir. Nuk ka shumë vlerë të kërkosh rregullsi në këto përshtatje, sepse janë bërë me eufoninë dhe estetikën në mendje.

      Ti sërish gabon, sepse je futur të diskutosh në një çështje ku të mungon përgatitja teknike. Gabimet që bën nuk kanë natyrë ideologjike, por psikologjike.

  8. Natyrisht,qe me mungon pergatitja teknike.Plotesisht,bile.
    E megjithate,kam bindjen e patundur,qe pyetjet e mia naive jane te llojit mbretlakuriqese ,ne aspektin e natyrshmerise se emrave ilire ne gjuhen shqipe.
    Te me gjeje dikush nje gjuhe tjeter ne bote,ku emrat ilire te kene te njejten natyrshmeri tingellimi (ja nje tregues i mungeses se pergatitjes teknike,meqe ra fjala) sa ne gjuhen shqipe,dhe une do te heq dore me turp nga kembengulja ne pyetjet naive.

    1. Problemi nuk është se ty të mungon përgatitja teknike, por sepse ndihesh i titulluar (në mos moralisht i obliguar) të japësh mendime edhe kur të mungon përgatitja teknike. Është arroganca jote që më detyron ta zgjat muhabetin, jo padija.

  9. Pyetjet e mia naive, i quajta mbretlakuriqese.Jo me kot.
    Imagjinoni sikur pas konstatimit te vajzes se vogel,mbreti apo dikush i autorizuar prej tij, t’i thoshte :c’jane keto idiotesira qe thua… ti je e vogel…ku e di ti se mund te kete rroba ,qe te vegjlit si ti nuk i shohin sepse,sepse jeni te vegjel e nuk keni asnje lloj pergatitje ne fushen e veshembathjes?!
    Mund te imagjinojme me lehtesi vajzen e vogel,te beje prape te njejtin konstatim,mbase pak me e ndrojtur,per shkak te ndoca qortimeve apo cilesimeve te tjera edhe me te hidhura…
    Dhe me te vertete,a ka ndonje gjuhe ne bote valle,ku emrat ilire te tingellojne kaq natyrshem sa ne gjuhen shqipe?!

    1. Që të mos harroj: tani je duke lëvruar arat e një tjetër gabimi logjik – të njohur edhe si selection bias. Emrat ilirë që përdoren sot nga shqiptarët janë përzgjedhur, prej të diturve, ngaqë tingëllojnë bukur; që këtej ti nxjerr përfundimin që emrat ilirë tingëllojnë bukur në shqip. Por ja të përmend unë ca emra ilirë që s’do të guxonte kush t’i përdorte: Longarus, Galaurus, Grabus, Epulon, Etuta, Plassus, Glavus, Temus, Teutana, Verzo, Kalas, Cilles, Clevatus, Aplus, Darmocus, Oeplus, Opiavus, Raecus, Suioca, Aplis, Apludus, Baezo, Barcinus, Beuzas, Bubant, Carvius, Cursulavia, Dasto, Diteius, Lavo, Paius, Panes, Panentius, Pladomenus, Prevo, Samuntius, Scaeva, Scenobarbus, Stataria, Stennas, Testimos, Tritaneria, Suttis, Tudania, Vendes, Dasmenus, Scerulaedus, Plannius…

      1. Dakord.Ne pamje te pare ashtu duket vertet.Mirepo,duke patur parasysh qe ilirishtja nuk ishte nje gjuhe e shkruar,dhe gjithe c’njohim prej saj vjen prej nje gjuhe tjeter,kryesisht latinishtes(shume prej emrave ketu kane prapashtesat e njohura te latinishtes);duke patur parasysh edhe se ne ate kohe,si sot dhe ne te gjitha koherat, nje pjese e emrave te perdorur nga iliret(ashtu si per shqiptaret sot) mund te ishin edhe te huaj,si latine e greke por edhe te popujve te tjere nga veriu;duke patur parasysh,fundja,qe kampioni i perzgjedhur per t’u perdorur si emra nga shqiptaret eshte aq i madh sa mund te zhvleresoje gabimin logjik qe thoni ju – dhe vetem duke patur parasysh keto,nuk cifloset naiviteti i pyetjeve te mia,ne thelbin e tyre; dhe as lumturia ime e vogel per kete.

  10. Pershendetje , me falni se nuk e kisha verejtur me pare kete artikulle, gjithesesi nqs me lejohet te shpreh mendimin tim , duke u fokusuar tek ceshtja antroponimike , dhe duke marre shkas nga komenti i parafundit ..Atehere , ceshtja e antroponimise se ashtuquajtur “Ilire” eshte sa komplekse aq edhe frustruese , kjo sepse “Shkenca” pluskon ne ujerat e padijes , relativiteti i te dhenave , spekullimet patetike (Alfoldy,Katicic,Papazoglou,Levaja, Miovcevic,Jankovic etj biles edhe te “tanet” ..megjithese profesionalitetit te pamohueshem , nuk i shpetojne dot tundimit te arbitraritetit ..), duhet te kemi te qarte nje fakt te thjeshte se proto-shqiptaret( proto-albanoidet e E.Hamp , une kategorikishte nuk guxoj ti cilesoj si ilir..) te palatinizuar akoma, flisnin nje gjuhe qe ne do te kishim veshtire ta kuptonim , Latinishja tronditi thelle boshtin gjuhesore te proto-albanoideve , ne mos gabofsha si perqindje mund te vertitet aty tek 35-40% e leksikut .., dua thjeshte te ritheksoje konstatimin e N.Malcolm , si mundet nje popull te mos kete as fjalen *shpirt , te tijin pra edhe fjale kaq themelore ne i kemi humbur per shkake te kesaj dukurie shteruese\sosese te mbivendosjeses\zevendesimit\shtresezimit te huazimeve sistematike e te pareshtura !!Pra ne nuk e dime , dhe mendoj qe nuk do ta marrim vesh kurre kuptimin e termave si Sceno,Etuta,Laedus,Baezo,Barbi,Longarus( packa se per Longinus egziston interpretimi Latin) etj etj dmth Greket dhe sidoms Latinet ne mase te madhe kishin emra me kuptime koncize , gati gati edhe me etimologji vulgare si Flavius( verdhe), Rubius(kuqe),Albinus(bardhe), Primus(i pari),Nonus(i nenti) , Decimus( i dhjeti ) , deri edhe tek Cornutus( Brinoc,i brinezuar.. qe ne italishten moderne do te vriste nje cikez veshin ..) ,pastaj duhet te qemtojme me kujdes emrat e “mirfillte ilir” ,Statarius,Testimos etj me gjase jane Latin,Suioca,Darmocus,Suioca etj jane Liburne madje hasen edhe tek Veneti ,ne mos gaboj ..nderkohe , eshte bere gati gati “Fakt i kryer” , origjina e diskutueshme jo-ilire e ketyre fiseve te fundit !!Te tjeret , ca i dime kuptimin (ose pandehim se i dime..), dhe ca te tjereve jo , ajo qe me terheq vemendjen eshte ,kush tingellon me Shqip ky apo ai , pra nje kriter nje cikez subjektive dallues ,gjithesesi per te konkretizuar ndopak idete , Dassas Lica, Dassi Loni, Lecus Licca,Aurelio Balibardi , Ballaio\ Baluus \Ballasio , Pladomen Bardus,Litus Zuni (τσούνη ..) etj etj na tigellojne relativishte e cuditerishte shqip apo jo ?! Po te tjeret … ne paleo-biologji \mikrobiologji , gjenetika krahasuese eshte metodika me efikase ne Hulumtimin Shkencore , si thoni ta provojme kete mynyre edhe ne studimet antroponimike . Pra nga ta filloje .. emri “Ilir” me rrenjen Beuz\Buz, haset nder Delmat,Japod,Azal etj ne trajtat Beuzas\Buzetius\Buzturios ..ne lidhje me emrin Verzo\Verzon\Verzull duke ditur qe mungon qofte etimologjia qofte perqasja antroponimike me fondin latin , me lejoni ju lutem nje “Delirium” perkitazi me hamendesimet ( eshte bere edhe ne mode keshtu qe , nuk di i bej pershtypje njeriu ..) fjala Verdhe , etimologjikishte pandehet se derivon nga Latinishtja Vulgare Virdis , po nderkohe ne Latinisht ky term ka nje kuptim krejt ndryshe , jo verdhe por blerte\gjelber\jeshile , nderkohe keto tre fjalet e fundit ne shqipe e para eshte “safi” shqipe, e dyta vjen nga Galbinus Latinishte , ndersa per te treten te “falenderojme” Turqit.. A mundet te bejme je nderlidhje te mundshme , une besoje se po. Guxoj akoma , ne analogji me rastin e mesiperme per fjalen bishë ; qe pandehet se vjen nga Latinishtja Vulgare bistia ,( emri “Ilir” Bisius Scenobarbi).Emri Bubant 🙂 , po publikoj nje pasazh nga nje Artikull i Pr.Pellumb Xhufi (Në fakt, pjesa dërrmuese e emrave të regjistruar aty i përket antroponimisë tipike shqiptare: Gjin, Mark, Martin, Dedë, Gjokë, Pal, Belush, Kurtes, Nikë, Gjon, Laskë, Kondo, Muzhak, Dimo, Kuka, Gegë, Buban…Lekë, etj. etj.), pastaj nga erdhen keto emra Deda-Dida-Doda , sllavisht nuk jane (deda dmth gjysh..), ath ca i bie te jene , apo Prek-Prenk-Preng ( qe mendohet qe vjen nga Princ…??) ,apo Lale-Lalush-Lalosh( qe me te drejt mendohet se vjen nga fjala Vlla..kjo eshte nje nga hipotezat !!), apo Leka-Lekush-Lekaq ose Lik-Lika-Likaj ( qe ne rastin Leka mendohet qe vjen nga emri Aleksander , bashke me emrin tjeter Lesh-Llesh..), apo emri Trosh-Troshan qe Pr.Skender Riza, Selami Pulaha,Skender Gashi,Muhamet Ternava i kane evidentuar si ne Krisobullat serbe shek 13\14-te si edhe ne Defteret Osman ..apo Trash-Trashi-Trashaj …Nqs une ju them qe pikerishte keta emra i hasim nder “Ilir” , do me qortoni per spekullim… Didus, Dedus\Dedalus, Preconis\Preculis,Lalos\Lalusi,Lecca\Leccani, Licca\Liccaeus, Trosius, Trassi\Trassani …

  11. ..Atehere per te vazhduar me listen e mesiperme ne lidhje me emrat qe nuk tingellojne Shqip, Plassus qe mund te perkoj me Plashi\Pleshi , pervec se eshte i perhapur si toponim , Katundesh -Malesh etj haset edhe si Patronim\Antroponim nder Arberoret e Mesjetes Gege-Toske , si mbiemer tek “Farat” e Stradioteve por edhe si emer ; Plaše Franka..Kalas-Calli etj pervec kuptimit te rendomte qe ka , cuditerishte haset jo vetem si mbiemer ( rasti i Ahmet Proniarit qe emerin si te krishter e kishte Gini de Lica de Cali |Gjine Like Kali| po tek Pr.Xhufi , ose Gjon Kali nga Malakasa etj etj ) por edhe si emer ..Kalosi Mirali,Kali Maži.!! Po ashtu Glava ( qe supozohet te jete nga Sllavishtja ;Balle … me aq sa di une Sllave ne Iliri para dymije vjetesh nuk kishte ..); Glava Staseni vllai i Gjon Stasenit..Po ashtu Scaeva , i perhapur si emer e si mbiemer ..Skeva Paloni !! Ceka me siper emrin Buza nder “Ilir” , ne jemi mesuar ta degjojme vetem si mbiemer , ne Mesjet ishte ndryshe ..Buza Mengeše..arberoret kane pasur goxha emra jo-konvencionale ne Mesjet ;Mengjeshe,Mengula ( nga ku vije Toponimet Mengulat e Menkulas..), ose rasti i Arberorit me emrin Floka Helmi..Lekures Caushi..Malakas Muzaka ..apo Bac,Gac,Bib,Tush,Gjesh etj etj Besoj koncepti kush eshte Atroponim “Normale”, dhe kendveshtrimi i tingellimit bukur apo jo ,te emrave te parardhesve tane duhet te ndryshoje nje cikez !!

  12. Miredita ,ne rradhe te pare me falni per keto devijimet nga temat, thjeshte besoje se ndonjehere disa gjera duhen , dhe nevojiten te thuhen !! Doja vetem te shtoja disa gjera qe harrova nga mbreme , te mos me ngelnin merak e “peng” , nqs me lejohet gjithashtu edhe me “lajthitjet” e mia interpretative, dhe per kete kerkoj ndjese e mirekuptime , ( si parantez , me lejoni te rrefej nje episod , historiani serb Bogumil Hrabak , me gjithe respektin per te ndjerin ..,bashke me shoke si D.Bogdanovic etj praktikishte sherbyen deri ne fund te 1980 , si nje tip pararoje ideologjike qe qofte dhe terthorazi , frymezoje\nderseu hovin e qarqeve ultranacionaliste serbe…kjo rryme radikale parapriu katrahurat e Ballkanit … ai u shpreh, saktesishte me 1990 , ne lidhje me Akademiket Shqiptare \sidomos te Kosoves\ qe vuajne nga “Delirium Nationalisticum”..tingellon si tragji-komike kur e gjykon ne retrospektive… kur Dramat e te kaluares sherbejne si ndergjegjesim e leksione morali per Akademiket , ne lidhje edhe me pergjegjesine e jashtezakonshme qe mbartin para popujve te tyre dhe jo vetem .. !!). Gjithesesi , arkeologu Duje Rendić-Miočević( qe nga gjuhesia nuk ja thoshte fare ..) , ka bere nje pune te shkelqyer me zbulimet e shumta , ketu dua te vecoje , posacerishte ato te Risanit ne Malin e Zi ( ketu konsiston nje nga “deliriumet” e mia, ky toponim “ilir” haset ne greqishte si Ῥίζων\Rhizon, ndersa Latinishte Resinum – Risinnum , une propozoje qe kemi te bejme me nje fjale me rrenje proto-shqipe (https://en.wiktionary.org/wiki/rr%C3%ABz%C3%AB ) , si analogji mund te permend rastet e Rrëzanj\ Ρύζιαν dhe Rrënjasë\ Ρηνιάσ , te dy jane vendbanime te dokumentuara qe ne mesjete, e ndodhen ne Cameri ( Thesproti & Preveze) , gjithashtu paksa me ne veri te Risanit , ndodhet qyteti ilir me toponimin karakteristik Bigeste , qe sipas te madhit Zariotit Kroato-Arbëneshit Aleksandar Stipcevic etimologjikishte mund te shpjegohet me termin proto-shqipe ;bigë https://en.wiktionary.org/wiki/big%C3%AB , ..) pra ketu dua te permende edhe nje fakte kersheror , qe per mua eshte thjeshte mbreslenese … ne germimet ne Risan u zbulua nje antroponimi Ilir i shek te II pas Krishtit , “iliri” LICCA BARDI , tekstualishte ..nderkohe duke “vozitur” neper Defteret Osmane , has tek studimet nga Osmanologia serbe Tatjana Katic , ne lidhje me “Sanxhakun e Prizerenit” te fundshekullit te XVI , ku pershkruante procesin e islamizimit te shternguar te Arbënoreve te Krishter … dhe jep disa raste, psh Ahmed Lika , Hasan Lika dhe Mahmud Lika bijte e Arbënorit LIKA BARDI …tekstualishte !!! Kemi 14 shekuj largesi kohore , ne nje zone gjeografike pak a shume e peraferte . Prandaj ju lutem te gjitheve , me bindni qe kjo eshte thjeshte nje rastesi e rendomte e asgje me shume …

Lini një Përgjigje te Ardian VehbiuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin