RAMALOG II

Zhvendosja e luftës së korrupsionit nga zyrat e shtetit tek faqja e Facebook të kryeministrit ishte një kalim i natyrshëm i fushëbetejës së korrupsionit nga zyrat shtetërore në botën virtuale. E me këtë veprim u injoruan shumë nisma të shtetit dhe shoqërisë civile të paguara nga organizatat ndërkombëtare si Stopkorrupsionit.al, SMS Citizen Feedback apo lidhjet direkte telefonike nëpër faqet e internetit të institucioneve qendrore si ministritë apo agjencitë ligjzbatuese.

Institucioni i denoncimit, së bashku me populizmin penal, kanë lindur së bashku me dhunën e institucionalizuar, por institucioni  i denoncimit në Shqipëri është kthyer në një tjetër instrument shantazhi dhe në shërbim të personalizimit të pushtetit politik, jo në luftën kundër korrupsionit. Prandaj kërkohet vigjilencë sa herë dëgjojmë njerëz që trumpetojnë të luftojnë korrupsionin. Jo vetëm për shkak të zhgënjimit me qeveritë e ndryshme që e kanë kalëruar ligjërimin e luftës kundër korrupsionit për tu zhytur më keq në këtë llum, por edhe se pas këtij ligjërimi fshihen agjenda të tjera, që nuk kanë të bëjnë me interesin e përgjithshëm.

Në studimin e tij, (A Discourse Analysis of Corruption, Southeast European Studies, Ashgate 2016), Blendi Kajsiu flet për një dukuri që ai e cilëson “paradoksi i korrupsionit”, ku me gjithë përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit (disa herë të karakterizuara si të suksesshme nga ndërkombëtarët), korrupsioni në Shqipëri prej periudhës 1998 deri në 2005 shenjoi veç rritje. Sipas Kajsiut, ligjërimi mbizotërues për luftën ndaj korrupsionit shërbeu vetëm për legjitimimin e rendit neoliberal në Shqipëri. Ky ligjërim, i mbështetur bujarisht me instrumente financiare nga organizatat ndërkombëtare, i shërbeu privatizimit dhe të tjerave nismave neoliberale duke i dhënë më shumë përparësi zbatimit të parimeve neoliberale si ekonomia e lirë, konkurrenca apo reduktimi i rolit të shtetit, sesa instrumenteve të zgjedhur dhe pasojave që vinin prej tyre.

Nëse kryeministri beson në strukturat e shtetit të tij, atij nuk do i duhej të lëshonte thirrjen për të korruptuarit apo publikuar emrat e tyre. Për këtë mjafton të shikonte statistikat e ofruara nga njësitë përgjegjëse për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Anti-Korrupsionin 2015-2020. Një kryeministër që vepron jashtë instancave shtetërore dhe programit politik që ka firmosur vetë në 2015 për të tërhequr denoncime, është duke rritur kapitalin shantazhues. Me këtë nismë në Facebook ai sfidon jo vetëm strukturat e shtetit, por edhe nënvlerëson rolin e tij si shtetbërës.

Një pjesë e këtyre faqeve të internetit apo aplikacioneve në telefon (Komisiarit Digjital), dalin shpejt jashtë mode (p.sh. për vitin 2017 Stopkorrupsioni.al nuk ka asnjë të dhënë). Faqja e ankesës në Ministrinë e Drejtësisë, e cila vetëm gjatë periudhës shtator-korrik 2014 kishte mbledhur mbi 750 ankesa, është zhdukur nga interneti (por një listë e gjeni këtu). Denoncimet  e qytetarëve i shërbyen kryeministrit për të legjitimuar reformën në drejtësi. Shumëkush e ka harruar këtë fakt që u bë problematik për shkak të shkeljeve të ligjit të mbrojtjes së të dhënave personale. Ndërsa, një tjetër nismë e ngjashme tregon se asgjë nuk ndodh. Nga raportimet e Stopkorrupsionit.al në total del që prej 16 220 denoncimeve ose ankesave vetëm 95 janë dërguar për ndjekje penale (0.6%), dhe 6911 (42%) janë shënjuar si të zgjidhura. Kurse, statusi ku kryeministri u kërkon qytetarëve të denoncojnë rastet e korrupsionit apo ankesat e tyre ka tërhequr që prej datës 3 korrik 2017 deri në datë 22 korrik rreth 2300 komente dhe nënkomente, shumë më pak se denoncimet në faqen përkatëse.

Shperndarja e denoncimeve ne portalin StopKorrupsionit.al per vitin 2016

Kryeministrit nuk i duhej një status për të marrë vesh se sektorët më problematikë, me ankesa konkrete të qytetarëve janë drejtësia, arsimi, rendi dhe administrata për regjistrimin e pronës. Edhe qytetarët në Facebook të tilla ankesa raportuan, sikur edhe më parë në faqen e denoncimeve në Ministrinë e Drejtësisë (shih p.sh. shtëllungën e fjalëve në komentet ndaj statusit të kryministrit mbi denoncimin e rasteve korruptive).

Reja e fjalëve në denoncimet e Ministrisë së Drejtësisë dhe në statusin e Facebook të Edi Ramës, 2014 & 2017

Patjetër që kjo lëvizje populiste nuk është e ndershme as kundrejt shoqërisë civile që merret me çështjet e korrupsionit dhe vazhdimisht sinjalizon raste të tilla në qeveri, siç janë qendra Respublica dhe OpenData.al. P.sh. baza e të dhënave të OpenData, Open Procurement, ka sinjalizuar mbi 700 raste kur tenderat janë zhvilluar në mungesë konkurrence, mungesë gare, vendosja e afateve shumë të shkurtra për aplikim dhe shtesë në vlerë të kontratës pa përfunduar faza e parë.

Procedura te dyshimta prokurimi sipas qarkut, 2016-17 (Opendata.al)

Së fundmi, vlen të përmendet se kjo fushatë virtuale e Ramës, lojë e nisur nga Berisha me qytetarin digjital, ka rezultuar e suksesshme. Madje edhe për Berishën. Të dy këta arrijnë të tërheqin më shumë reagime nga lexuesit sesa p.sh. Veliaj dhe Basha. Për shumëkënd statuset e tyre në Facebook janë burime të besueshme të informacionit, jo vetëm se atyre u referohen edhe mediat, por edhe se aty komentohet dhe diskutohet me të ngjashëm ose të kundërt.

Trendi i statuseve ne Facebook (Rama, Berisha, Basha e Veliaj 2013-2017)

Shperndarja e pelqimeve në Facebook (Rama, Berisha, Basha e Veliaj, 2013-17).

Për Ramën instrumenti i denoncimit është përdorur edhe për të rritur popularitetin e tij në Facebook. P.sh. nga një analizë e thjeshtë statistikore (regresion me disa fjale të shpeshta) mbi fjalë që mund të sjellin shumë pëlqime, gjatë periudhës janar-korrik 2017 për 1000 postime, rezulton se, seria e tij Amarcord ul numrin e pëlqimeve me gati 7000 pëlqime (rezultati sinjifikant). Kjo duke marrë parasysh se çdo status i Ramës nis me rreth 4000 pëlqime sikur të shkruante edhe thjeshtë mbi motin. Po kështu edhe përmendja e ERTV e ul popullaritetin e postimeve me rreth 1500, sikur edhe përmendja e Partisë Socialiste me rreth 2400. Për një analizë më bindëse duhen më shumë të dhëna. Sidoqoftë, nga reagimet mund që Facebook ti ketë shërbyer Ramës për të personalizuar marrëdhënien e tij me “tifozët”, por jo për ta edukuar me kulturë publikun (ndoshta qëllimi i serisë Amarcord), dhe as për ta joshur atë tek Partia Socialiste apo bindur atë se po bën po shtet (fjala shtet  zvogëlon pëlqimet me 400, jo sinjifikant).

Studiuesit e korrupsionit duhet të vëzhgojnë ligjërimin mbi korrupsionin edhe në Facebook, e jo vetëm në dokumentet zyrtarë. Raprezaljet e fundit, dhe justifikimi i disa reformave sikur ajo e drejtësisë apo në administratë, dëshmojnë se ligjërimi populist dhe me këto instrumente do të përdoret edhe në të ardhmen.


Bazën e të dhënave (corpus) mbi statuset e Facebook dhe komentet për secilin rast i gjeni si më poshtë:

  1. Statuset e Edi Ramës, 2013-2017.
  2. Statuset e Sali Berishës, 2013-2017.
  3. Statuset e Lulzim Bashës, 2013-2017.
  4. Statuset e Erion Velisë, 2013-2017.
  5. Komentet mbi statusin e Ramës për korrupsionin.
  6. Të dhëna numerike mbi statuset e të mësipërme.

Për ata që duan të studiojnë më tej me metodat e përpunimit të teksteve janë dy artikuj të një studiuesi shqiptar (Marenglen Biba) dhe dy kolegeve të tij mbi text mining për dokumente në gjuhën shqipe, të cilët nuk më duken transparentë me metodat e tyre, sa kohë që nuk i publikojnë algorithmet gjëkundi. Gjithashtu është e vështirë të gjesh ndonjë algorithm të gatshëm në gjuhë shqipe për pastrimin e teksteve, veç njërit në Github.

 

1 Koment

  1. Nuk e di nese mund t’i jepet autoresia politike K.Spahiut, po hap televizorin, del rama, hap gazetat Rama, hap facebook-un, Rama, hap frigoriferin del prape Rama.
    As mund te kunderpergjigjesh dot me batuten e gishtit te lenduar, me dhemb gjithe trupi ketu, ketu, ketu dhe ketu, sepse ai njeri mund te hape ndonje firme per prodhimin e bulmetit, vetem qe te dale edhe ne frigorifer.

    Pertej komunikimit politik, batutave dhe psikologjisjes, ai ka nje arme te forte ne duar, faktin qe Shqiperia eshte trup aq i semure, sa kudo ta vere gishtin, me siguri kap njerez qe per ligjin shqiptar duhet te jene prapa hekurave ose ne rastin me te mire te pushuar nga puna me nje gjobe te majme ndeshkuese.

    Ketu lind edhe problemi me problemin Rama, tek veshtiresia e te gjeturit te asaj fijes se njome qe digjet me te thatin. Une do doja shume qe qofte edhe njeri nga te piketuarit te ishte i njome, te dilte ne shesh e ta bente per dy leke ne gjyq.

    Per te njejten arsye, gjithçka do i kthehet ne bumerang kur ai te vendose njerez te tjere, qe do jene si te paret sepse s’ka per te ndryshuar asnje kriter, pasi ky stan kete bulmet ka, piramida ne maje te se ciles ai qendron, eshte ndertuar ne menyre te atille, qe nuk mund te funksionoje dot ndryshe.

    Sistemi eshte i pakorrigjueshem, hyri ne fazen e pakorrigjueshmerise ne 2005, kur hapen universitete-byrektore dhe u be teresisht i pakorrigjueshem, me ligjin e fundit per arsimin, ose me sakte me triumfin e plote te kriterit elitist ne shoqeri. Tashme cdo format meritokracie do te kaloje domosdoshmerisht nga eksperienca e cila logjikisht gjendet ne duart e atyre qe kane qene te lidhur me politiken, nepermjet, partive, miqve dhe lekut. Ne kushtet e nje arsimi qe jep diploma mbi te njejtet kritere, pashmangshem sistemi do te riprodhoje te njejtet njerez qe kane qene deri me sot, te cilet nuk mund te harrojne asnjehere se per cilen arsye gjenden atje.

    Ne nje sistem te pakorrigjueshem, çdo fjale i humbet kuptimi, madje edhe opozites i humb kuptimi, dmth e ka drejtesine e kritikes ne xhep, por s’ka alternative sepse s’ta lejon pakorrigjueshmeria e sistemit. Me nje batute sistemi ka hyre ne moshen e trete, ku njeriu eshte bere i pakorrigjueshem. Ne moshen e pare e korrigjon lehte njeriun, ne moshen e dyte fillohen e hasen probleme te medha, por eshte ende i korrigjueshem, ne moshen e trete lere mos u merr kot se eshte humbje kohe.

    Rilindja e Rames dhe Republika e Re e Bashes, jane konceptet qe duhen realisht ne rastet e pakorrigjueshmerise, dihet tashme qe jane thjesht shashka, por ama zgjidhja ajo eshte, Rilindja dhe rrjedhimisht Republika e Re. Keta na e thone qarte qe nuk jane ata qe na duhen, por ne s’kemi veshe t’i degjojme.

    Une e mirekuptoj Ramen, sikunder mirekuptoj çdo hajdut te ketij planeti, te cilin nuk e kane futur asnjehere ne burg, perderisa s’te kapin se ia di hilet sistemit, vazhdo mo vlla, faji eshte yni qe s’te kapim dot.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin