NJË SHPJEGIM I FATIT

Artemisia Gentileschi, Giuditta che decapita Oloferne (1612-1613).

Një narrativë epike shumë-planëshe, një serial televiziv i nyjtuar në linja të pasura dhe personazhe gjithfarësh, fabula të ndërlikuara që ndërveprojnë mes tyre dhe që herë gërshetohen herë pengojnë njëra-tjetrën, me ngjarje që rrokin në vete shekuj dhe kontinente, oqeane dhe epoka. Një regji mjeshtërore, sipërane, që e mban gjithçka në kontroll me dorë të hekurt, pse e ka një plan në mendje edhe për personazhin më të papërfillshëm, sikurse e ka një përfundim në mendje edhe për linjën më dytësore, më periferike. Por befas diçka ndodh, jo me personazhet por me serialin vetë; një përmbysje në krye të punëve ose një grindje mes aktorëve që kërkojnë të paguhen më shumë ose një zvogëlim dramatik i fondeve ose një vendim i producentëve për ta zgjatur narrativën edhe një sezon tjetër, ose përkundrazi, për ta shkurtuar. Befas diçka ndodh – dhe ne shikuesit e përjetojmë këtë si dyndje të entropisë ose masakër në ekran, ku personazhet që deri më tash i ndiqnim si “tonat” dhe mezi ç’prisnim të merrnim vesh se ku do të shkonin më pas, fillojnë të vriten në mënyra nga më të përbindshmet: prerje kokash, gozhdime në kryq, helmime, amputime të egra, shtrydhje të kafkës, shqyerje prej qenve; deri edhe të thirren në vëmendje, nga gjysmë-harresa ku i kish lënë narrativa, për t’u ekzekutuar. Hap pas hapi, seriali nis të na mësojë me këtë, të na ambientojë me idenë se çdo skenë, edhe më paqësorja, edhe më idilikja, edhe më relaksuesja, e fsheh në vete gjasën e një vdekjeje të menjëhershme, si shigjeta që e përshkon heroin tënd të preferuar tej për tej, pasi të ketë udhëtuar në ajër e padukshme për disa episode radhazi; dhe ia ndal këtij jo vetëm zemrën, por edhe ia pret fjalën në gojë, pikërisht kur ai nuk po thoshte asgjë. Ne presim që vdekja tani t’ia behë në çdo çast, të bjerë nga qielli ose të ngrihet nga dheu; mors ex machina; edhe një tërmet ose meteorit do të kishin qenë më të parashikueshëm. Revoltohemi me autorët dhe producentët e serialit, arsyetojmë se kjo e tyrja është një mënyrë mizore për të shkurtuar linja ose për të hequr qafe personazhe që u kanë mbetur në mes të rrugës, me gisht në gojë, ose aktorë me të cilët e kanë prishur kontratën a që nuk duan t’i kenë më në set; një keqmenaxhim i produksionit i përthyer, në rrafshin narrativ, si varg makabër vdekjesh dhe vrasjesh, që veç e thyejnë madje e masakrojnë sintaksën e rrëfimit. Pastaj qetësohemi dhe themi me vete: ja një shembull i trishtuar si arti imiton jetën; a nuk janë vallë edhe në jetë të gjitha vdekjet, për të mos thënë vrasjet, të papërligjura nga pikëpamja narrative? Dhe a nuk ishte vallë kjo arsyeja, që në krye, që na bënte ta pëlqenim serialin; ose dëshira për t’iu vjedhur, për t’iu fshehur, për t’iu shmangur sado pak arbitraritetit të fatit?

4 Komente

  1. Ky do të ishte një shpjegim i artit, si metaforë e fatit, më shumë sesa i fatit. Për mua, shpjegimi më i thukët i fatit është thënia e Profetit Muhammed ku përcjell fjalën e Zotit në vetë të parë: “Unë jam siç më kujton robi im.” Me fjalë të tjera, fati është ajo çka ne e pohojmë si fat dhe në këtë kuptim, fati është reflektim edhe i artit siç projektohet nga brendia ose shpirti njerëzor.
    Personalisht mund të them se ajo çka e konsideroj si një shkallë pjekurie tek vetja është vetëdija për një koherencë të pagabueshme mes brendisë sime dhe asaj që më ndodh nga jashtë, deri në pikën ku gjithçkaje që më ndodh mund t’i jap kuptim në raport me atë që kam në zemër e anasjelltas dhe këtë lloj koherence mund ta shoh edhe tek të tjerët për aq sa i njoh. Qe një botë e cila nisi të më hapej përmes depresionit, çka sigurisht nënkupton traumë dhe vuajtje, por të paktën po aq e fortë sa vuajtja ishte edhe mahnitja që përjetova përballë gjendjes sime dhe perceptimit të botës si reflektim i një dështimi moral. Narrativa e realitetit u thye siç thyhet një xham duke u shpërbërë në copëza të cilat arrija t’i mbaja lidhur vetëm me anë të një racionaliteti të sforcuar, por nga ana tjetër nuk mund të mos vija re i mrekulluar supernarrativën që lidhte qenien time morale me format që merrte realiteti i jashtëm – mund të them se atëherë kam nisur ta kuptoj vërtet artin modern, si perceptim i botës pa Zot – dhe gjendjen psikologjike që këto më shkaktonin, pasi isha unë ai që e kisha thyer integritetin e botës duke shkelur mbi çka e konsideroja të shenjtë. Paradoksi është se pikërisht kjo gjë më bëri ta ndjeja praninë e Zotit si kurrë më parë, çka unë e kuptoj si mëshirën e Tij, ashtu si edhe mundësinë e riintegrimit, proces që, duhet thënë, është i ngadalshëm.
    Përtej përvojës personale do të thoja se një gjë është e sigurt: Jo për çdokënd “të gjitha vdekjet janë të papërligjura nga pikëpamja narrative” dhe jo për çdokënd fati është arbitrar, apo absurd. Madje do të arsyetoja se edhe pse njeriu mund ta pohojë këtë, nuk mund të jetojë me këtë pohim, përndryshe nuk do të mund ta përballonte dot as fizionominë e vet në pasqyrë.

    1. Te një roman që po lexoja tani së fundi (“The 7th Function of Language”, nga Laurent Binet), njëri prej personazheve, i befasuar më se një herë nga ngjarjet e çuditshme që i ndodhin, fillon të dyshojë se mos ai nuk është njeri “real”, por thjesht personazh i një romani dhe bota që ka përreth fryt i imagjinatës i një shkrimtari jo dhe aq të mirë. Në rrafsh më të gjerë, kjo bashkëtingëllon me hipotezën se universi ynë është, në fakt, realitet i simuluar (hologram, etj.), ose – për ta vulgarizuar – ne jemi pjesë e një video-loje në kompjuterin e një fëmije hiper-galaktik. Problemi ka vlerë edhe po të shtrohet thjesht si filozofik, ose si një pyetje që kushdo mund t’ia bëjë vetes: po të ishe personazh i një romani, si do të doje që të ishte autori? Instinktivisht, unë kam gjithnjë një farë refuzimi për ata autorë që i keqtrajtojnë personazhet e tyre, ose që nuk i lënë në logjikën e tyre; dhe aq më tepër për ata autorë – ose komisione skenaristësh ose borde të financës – që vendosin t’i heqin qafe personazhet, nëpërmjet aksidentesh ose vdekjesh të papërligjura, nga ana narrative. E pranoj vetëvrasjen e Ana Kareninës, si përfundim të pashmangshëm të romanit të Tolstojt; por nuk e pranoj dot një vetëvrasje të një personazhi çfarëdo që i hidhet trenit përpara, vetëm e vetëm për t’i kujtuar lexuesit se trenat mund edhe të vrasin.

      1. Meqë ra fjala për trenat, më pati mbetur dikur në mendje se aksidenti i parë fatal hekurudhor ndodhi pikërisht gjatë demonstrimit të lokomotivës me avull si shpikje e re, kur përfaqësuesi i qeverisë, në entuziazëm e sipër vajti ta përgëzonte shpikësin dhe nuk e vuri re lokomotivën që po i afrohej… Me këtë rast e verifikova këtë histori në Wikipedia dhe pashë se në fakt bëhet fjalë për vdekjen e William Huskisson, në rrethana paksa më të ndryshme. Për mua, dhe besoj edhe për shumëkënd, si versioni imagjinar (ose potencial), si ai real, bartin një lloj humori dhe përçojnë një ndjesi mistike të fatit, që lidhet pikërisht me faktin që trenat vrasin, demonstruar mbi promovuesit e tyre teknoentuziastë e progresdashës, por të verbër ndaj vrazhdësisë e brutalitetit të makinës dhe efekteve të saj të mundshme mbi tokën dhe njerëzimin.

        Siç e shpjegova në komentin e parë, personalisht kam arritur ta përjetoj fatin si diçka mistike, si një rend a ligjësi metafizike që komunikon me rendin tokësor, konkretisht me qëndrimet dhe sjelljet njerëzore. Thënë ndryshe, është komunikimi më intim i Zotit me njeriun, komunikim që merr karakterin që i atribuon njeriu. Sa më i plotë është bërë ky përjetim tek unë, aq më pak interes më kanë ngjallur narrativat artistike të çfarëdollojshme, ose me fjalë të tjera gjithnjë e më tepër realiteti (jo vetëm ai vetjak) më duket shumë më fantastik, befasues, tërheqës, kuptimplotë e i bukur se çfarëdo narrative dhe nga ana tjetër mendoj se një narrativë është e suksesshme për aq sa arrin ta përçojë mistikën ose kuptimësinë e thellë të realitetit. Fjala vjen, interpretimi më i bukur që kam dëgjuar për Luftën e Trojës është se filloi për një grua që la burrin për t’u arratisur me jaranin dhe mbaroi për një grua që thurte ditën e çthurte natën në pritjen më të devotshme për burrin e saj. Jo rastësisht romani i fundit që kam lexuar dhe përtypur (para gati dy vjetësh) ka qenë Point Counter Point i Huxley-it, jo vetëm mjaft i suksesshëm si narrativë (ma solli menjëherë ndërmend përshkrimi i serialit imagjinar në shkrim dhe në fakt është përshtatur si serial), por që nyjëtohet pikërisht rreth mistikës së fatit, qoftë edhe me përsiatje eksplicite mbi të.

        Kurse sa për arsyet banale për të cilat autori sakrifikon personazhet, do ta vrisja mendjen më mirë për motivet banale për të cilat njeriu tradhton veten.

  2. Fenomenin ne fjale e hasim me shpesh se ç’kujtojme, mjaft qe kushdo te kujtoje sa here ka perdorur, ka degjuar apo lexuar shprehjen, ”iku per lesh”, madje ekziston shprehja kercenuese, ”rri urte, qepe, se do ikesh per lesh”. Ikja per lesh perdoret lirisht edhe per fenomene te tjere nga vrasja apo vdekja, psh iku biznesi per lesh, iku makina per lesh, iku televizori per lesh etj.

    Kur nuk gjejme dot nje shkak racional, kur nuk zbatohet perpjestueshmeria mes shkakut dhe pasojes, atehere gjithçka rrjedhimisht iken per lesh.

    Ky eshte nje fakt qe tregon se realiteti konceptohet gjeresisht si racional, ç’eshte reale eshte racionale, keshtu qe ne momentin kur ndodh diçka qe e ndan realen nga racionalja, atehere kete çeshtje e shpjegon vetem leshi, si simbol i irracionales, papergjegjshmerise, fatit etj ne varesi te kontekstit.

    Nuk besoj se shqiptaret kane zevendesuar pergjate shekullit 20, Zotin apo Dreqin me leshin, megjithese çdo gje mund te jete, nuk kam lexuar ndonje studim ne kete drejtim.
    Interesante do te ishte te dihej psh nqs ne epoken e njerezve fetare, realiteti konceptohej si shume me racional se çe konceptojme tani, dmth a luanin vertet Zoti apo Dreqi,Shejtani,Djalli, rol ne racionalizimin e plote te realitetit, apo edhe atehere realiteti shfaqte po kaq dritehije sa sot.

    Persa i perket serialeve televizive, ata kane krijuar nje sistem çorap, ka kohe qe nuk nis asnje serial po qe se nuk konfirmohet sezoni i dyte, vetem sezoni i pare eshte humbje kohe dhe nervash. Aty eshte veshtire te flasesh per nje bote racionale ku dikush apo diçka ikesh per lesh, aty heret a vone 90% ikin per lesh. Po ky mund te jete edhe faji yne , i ndjekesve, qe pretendojme edhe sasine edhe cilesine.

Lini një Përgjigje te hyllinAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin