PËR POEZINË E FATOS ARAPIT (I)

Nga Erlind Sulko

Të gjitha përgjithësimet janë të pasakta. Por disa përgjithësime të pasakta kanë qëllime të sakta: ato vënë në dukje diçka që përndryshe do të shpërfillej. Disa përgjithësime janë të domosdoshme. Prandaj, kritika letrare ka nevojë për përgjithësime të pasakta për të vënë rrregull dhe t’i japë një trajtë të caktuar asaj që përndryshe do ishte një rrokopujë e pakuptueshme letrare.

Në librin “Albanian Literature: A Short History,” Robert Elsie e pagëzon me të drejtë letërsinë bashkohore shqiptare vetëm me dy fjalë: Liria dhe Kaosi. Për t’i dhënë kuptim lirisë dhe për ta tejkaluar këtë pështjellim të stërmadh, letërsia shqiptare sot ka nevojë për trajta përgjithësuese.

Përgjithësimi më pak i pasaktë për poezinë shqiptare është ky: poezia shqiptare është një premtim i papërmbushur.

Shumica e poetëve më të mirë shqiptarë kanë pikërisht këtë gjë të përbashkët: në poezitë e tyre të shkëlqyera shikon një premtim për diçka që do t’i përmbushë gjithë poezitë e tyre, vargjet e tyre premtojnë një plotësim përfundimtar të veprës së e tyre. Por, ky premtim askurrë nuk përmbushet.

Poezia e Jeronim De Radës asnjëherë nuk arriti ta përmbushë premtimin që jepte vepra e tij e hershme Këngët e Milosaos: Këngët e Serafina Topisë e shikoj vetëm si një zhvillim të motiveve, simboleve, figurave dhe qasjeve të paraqitura më parë edhe tek Këngët e Milosaos. Ndërkohë, vepra Skënderbeu i Pafan është vepër e dobët në krahasim me Këngët e Milosaos dhe Këngët e Serafina Topisë.

Naim Frashëri ende ngelet si një nga poetët më të mëdhenj të gjuhës shqipe vetëm për shkak të një vepre jashtëzakonisht të bukur, por të shkurtër: Bagëti e Bujqësi. Gjithëçka, tjetër që ai ka shkruar është ose një përsëritje më e dobët e Bagëti e Bujqësi ose thjesht diçka tmerrsisht e keqe dhe e palexueshme, si vepra e tij Istori e Skënderbeut.

Vepra poetike e Gjergj Fishtës, pavarësisht se sot ngrihet në qiell për arsye politike, nuk mund të futet as tek më të mirat në letërsinë e gjuhës shqipe. Fishta është një njeri me një rëndësi të madhe historike dhe kombëtare, por kjo gjë nuk e bën edhe poet të madh. Edhe premtimi i tij për të krijuar një epikë të madhe shqiptare, nëpërmjet Lahuta e Malcis, dështoi në një vepër me vlera gjuhësore, por gati asnjë letrare. Fatkeqësisht, Lahuta e Malcis është një vepër e mërzitshme historike, tejmbushur me thirrje për luftë,- gjë që, mbase, ka kuptim historik nëse e shikon nëpërmjet rrethanave ku ndodheshin shqiptarët në atë kohë, por s’ka kuptim brenda rrjedhës së letërsisë.

Një premtim i paplotësuar është edhe vepra e Migjenit,- megjithëse ato pak poezi që ai la, futen tek majat e poezisë shqiptare. Poezia e Migjenit asnjëherë nuk u përmbush dot pasi u nda nga jeta tepër i ri. I njëjti përcaktim vlen edhe për poezin e Lasgush Poradecit: ai asnjëherë nuk i tejkaloi dot lirikat e tij të ëmbla djaloshare. Mund të vazhdoj kështu edhe me shumë poet të tjerë, por po e lë me kaq.

Siç u mundova të rrëfej, një dënim, një fat i zi, një vdekje e parakohshme e ka pllakosur poezinë shqiptare: ajo gati përherë thyen fatin që parathotë. Në këtë kuptim, poezia shqiptare është një parathënie e papërmbushur, një veprim i pakryer, një vështrim drejt një shtegu të madh e hyjnor ku askush nuk arriti të udhëtonte.

Poezinë e Fatos Arapit e shikoj si një përjashtim, një çlirim nga kjo parathënie e errët që ndjek nga pas poezinë shqiptare. Jo sepse Fatos Arapi nuk ka poezi të dobëta. Ka shumë të tilla. Por, poezia e Fatos Arapit është një nga ato pak përjashtimet, sepse në ndryshim nga shumë poetë shqiptarë, ai ka një mori të madhe poezish të përkryera. Dhe një poet vlerësohet për poezitë e tij të përkryera, e jo për poezitë e tij të dobëta. Edhe Walt Whitman ka plot poezi të dobëta, siç ka edhe Pablo Neruda. Do ishte një gabim letrar nëse ne do ta vlerësonim gjithë krijimtarinë e tyre duke u bazuar tek veprat e tyre të dobëta. E njëjta gjë vlen edhe për poezinë e Fatos Arapit. Mendoj se vepra poetike e Fatos Arapit arriti të përmbushë vetveten, vargjet e tij arritën të piqen deri në përsosmëri. Gjuha në poezinë e Fatos Arapit arriti të rritej deri në kulmin e përkryerjes së saj dhe na la si dhuratë hyjnore neve, lexuesve mosmirënjohës, një mori të madhe poezish të pavdekshme.

Por, madhështinë e poezisë së Fatos Arapit, nuk e shikoj thjesht tek fakti se arriti të krijojë një mori poezish të mrekullueshme. Më shumë se kaq, vlerën më të madhe të veprës poetike të Fatos Arapit e shikoj tek mundësia që shfaq poezia e tij për t’u ngjizur përfundimisht në një trajtë të përkryer, të caktuar dhe të njëjtësuar. Fjalën trajtë, këtu, jam duke e përdorur në kuptimin e fjalës “mythos” tek Poetika e Aristotelit: një ngjizje, një trajtë e plotësuar, një bashkim organik që lejon veprën të jetë e njëjtësuar. Aristoteli e përdor këtë koncept të mythos vetëm për të përsiatur vepra që janë qartësisht të ndara me një fillim e fund: një epikë e caktuar ose një dramë.

Parimet letrare që Aristoteli zhvilloj tek libri Poetika nuk duhet as të ndiqen verbërisht e as të braktisen tërësisht. Mendoj, se zgjidhja e duhur është që ne t’i zhvillojmë, ndryshojmë dhe përshtasim parimet letrare të Aristotelit,- edhe aty ku ai nuk mundi t’i çonte. Dhe gjëja më frytëdhënëse tani për tani për kritikën letrare mendoj se do ishte pikërisht një zhvillim i konceptit të mythos në letërsi. Në rastin konkret, konceptin e bashkimit organik ose mythos e hasim edhe tek të gjithë poetët e mëdhenj lirikë, megjithëse në një lloj trajte bashkimi ndryshe. Në një vepër si drama, me një krye dhe fund të përcaktuar qartazi, kemi një bashkim organik nëpërmjet zhvillimit linear ose vijëdrejtë. Ndërkohë, që në poezitë e shpërndara lirike kemi një bashkim organik nëpërmjet zhvillimit përsëritës: një zhvillim që bashkon nëpërmjet riardhjes së përhershme, një ripërsëritje që tregon duke u shfaqur në rrethana të reja. Në poezinë e Fatos Arapit shikoj pikërisht këtë mundësi e të pasurit të një bashkimi organik në poezitë e shpërndara lirike nëpërmjet përsëritjes së një trajte të njëjtësuar.

Trajta e njëjtësuar që hasim në poezitë e Fatos Arapit është kjo: poezia si një bashkëbisedim me gjithësinë, një bashkëbisedim i drejtpërdrejtë, i fshehtë dhe i thellë me gjithçka që na rrethon. Poezia e Fatos Arapit është një bashkëbisedim intim me botën. Siç edhe jam munduar ta tregoj në një shkrim të mëparshëm, poezitë e shpërndara lirike të Frederik Rreshpes mund t’i njëjtësojmë dhe kuptojmë si një udhëtim i vazhdueshëm zhgënjimesh dhe vdekjesh së njëpasnjëshme. Ndërkohë, poezitë e shpërndara lirike të Fatos Arapit mund t’i njëjtësojmë dhe kuptojmë si një udhëtim i pareshtur bashkëbisedimesh të drejtpërdrejta dhe të fshehta me gjithësinë. Në pjesën e mëposhtme të shkrimit do mundohem pikërisht të paraqes ndalesat gjatë këtij udhëtimi bashkëbisedimesh në poezinë e Fatos Arapit.

Një nga bashkbisedimet më të rëndësishme dhe më të hershme në poezinë e Fatos Arapit është bashkbisedimi me dashurinë. Ky bashkëbisedim nis që në zanafillën e vetë veprës së Fatos Arapit, në veprën e tij të parë Shtigje Poetike, botuar në 1962. Ja një poezi nga ky libër:

TI DO VISH

Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se unë ty të pres
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet mbrëmjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet pritjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetmisë
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di që unë po të mundnja,
rreth vetvetes rruzullin do vërtitnja
si një portokall’ në dorën time-
të rrjedhë koha shpejt
e ti të vish…

Në këtë poezi, kemi pikërisht një bashkëbisedim me dashurinë,- ku e dashuruara ka marrë trajtën e dikujt që s’po vjen, pavarësisht përmallimit të tejskajshëm të rrëfyesit. E dashura nuk vjen edhe nëse ai do mund të ndryshonte vetë rrjedhën e kohës duke rrutulluar botën si një portokalle në dorën e tij,- dhe nuk mund të mos theksoj këtu bukurinë e vargjeve dhe shfaqjes që ato përcjellin. Siç e shikojmë në këtë poezi por do e hasim edhe në poezitë e tjera të Fatos Arapit, ky bashkëbisedim poetik është përherë i drejtëpërdrejtë. Vetë kjo poezi fillon me një pyetje që i drejtohet drejtpërdrejt të dashurës: Ti do vish, e dashur, si s’do vish?

Ky bashkëbisedim për dashurinë rishfaqet sërish në librin Poema dhe Vjersha botuar në 1966.

MBI SUPIN E KOHËS SIME

Mbi supin e kohës sime
kryet pështeta.
S’dremita. Nuk fjeta.
Mbi supin e kohës sime,
si mbi supin e Asaj,-
rashë në mendime.

Kjo poezi është një bashkëbisedim për dashurinë, por jo më drejtuar Tjetrit ose Asaj, por drejtuar nga vetvetja. Këtu rrëfimtari i rrëfen vetvetes. Edhe kryet ai i mbështet mbi supin e kohës së tij, e jo mbi supet e Asaj,- megjithëse rrjedha e kohës së tij e kujton pikërisht për atë ku ai do të ishte. Rrëfimtari bie në rrjedhën e mendimeve të vetvetes. Kjo zhytje brenda kohës së brendshme është në thelb një rënie në kujtimet e tij,- dhe këtu nuk duhet të anashkalohet lidhja që bëhet midis kujtesës dhe kohës. Pavarësisht, nëse koha në vetvete mund të vazhdojë ose jo pa kujtesën tonë, një gjë është e sigurtë: përjetimi jonë i kohës nuk mund të vazhdojë pa kujtesën. Pa kujtesë nuk ka një rrjedhje të brendshme të ngjarjeve e si pasojë nuk mund të ketë as ndonjë përfytyrim të kohës, se vetë koha nuk është asgjë më shumë se sa mënyra se si rrjedh diçka.

Kemi sërish një rikthim tek bashkëbisedimi me dashurinë në veprën Duke Dalë Prej Ëndrrës, botuar në 1989, me poezinë “Ti do t’më dashurosh patjetër”.

TI DO T’MË DASHUROSH PATJETËR

Ky qiell i prillit pa ty ësht’ i vjetër.
Shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër. –
Ti do t’më dashurosh patjetër!
Në sytë e tu mijra diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër? –
Ti do t’më dashurosh patjetër!
Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen. –
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:
Ti do t’më dashurosh patjetër.

Poezitë e dashurisë janë më të vështirat për t’u përsiatur, pasi ato shpesh s’kanë asgjë për të shkoqitur: ato zakonisht shprehin vetëm një thjeshtësi ndjenjash të hijshme.  Dhe thjeshtësia e dashurisë shpesh kriset dhe thyhet nga kritika letrare të lodhshme. Poezitë e dashurisë nuk janë për t’u menduar, por për t’u jetuar. Pavarësisht kësaj, mund të them se në këtë poezi shohim sërish një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me Atë. Rrëfimtari i drejton Asaj një pyetje: Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?

Gjithashtu, dua të them se në poezinë e mësipërme të Fatos Arapit dashuria shfaqet si një mënyrë për të tejkaluar vetveten, jetën dhe vdekjen. Njeriu përjeton dashuri të ndryshme në jetën e tij: dashuria si bashkim vllazëror me tjetrin (philia), dashuria si flijim për tjetrin (agape) apo dashuria si njëjtësim me tjetrin (eros). Në rastin e kësaj poezie kemi pikërisht një dashuri erotike, ku vetë rrëfimtari vdes, tejkalon vetveten, jetën dhe vdekjen, për t’u njëjtësuar me tjetrin. Dashuria erotike përherë kërkon vdekjen e unit, pasi uni duhet të braktiset si shkëmbim për njëjtësimin e ri. Siç i mëshon edhe George Bataille në librin e tij të njohur Erotizmi: nga dashuria erotike përherë humb vetvetja.

Në librin Ku Shkoni Ju Statuja, botuar në vitin 1990, prapë rishfaqet bashkëbisedimi me dashurinë, por sërish në një trajtë tjetër. E kam fjalën për poezinë “Penelopës”.

PENELOPËS

Nuk ka mbaruar endja e pëlhurës, Penelopë.
Ende nuk është kthyer nga Troja Odiseu.
Ishujve të kohës endet…
Po vuri këmbën mbi bregun e thatë
me vdekje dhëndurësh do ta mbjellë Itakën.
Vazhdo të endësh, Penelopë.
Rrahja e avlëmendit tënd
është krismë e përjetshme e valëve të Jonit.
Ti mos u mërzit, mos u lodh duke pritur, o grua.
Kemi nevojë për një ëndërr malli në sy,
dhe vetë ajo, Dashuria, ka nevojë për pafajsinë tonë.
Mos më moho, Penelopë.

Në këtë poezi, e përfshehta Ajo, Asaj që Arapi shpesh i drejothet në poezitë e tij, ajo Tjetra e dashuruar, merr një trajë të përcaktuar: ajo shndërrohet në Penelopën. Bashkëbisedimi me dashurinë tani merr trajtën e një bashkëbisedimi me Penelopën. Penelopa është gruaja e Odises, e cila pavarësisht mungesës së gjatë të Odises në Itakë dhe trysnisë së mëtonjsve të tjerë që duan të martohen me të për të marrë pushtetin, ende i ngel besnike dashurisë për Odiseun dhe beson në rikthimin e tij. Në librin Odiseja, tregohet se Penelopa për të larguar mëtonjësit, i thotë atyre se do martohet me një nga ata kur ajo ta ketë përfunduar endjen e një pëlhure për Laertin, atin e Odises. Por Penelopa e end këtë pëlhurë gjatë ditës dhe e [tjerr gjatë natës. Vargu i parë i kësaj poezie të Arapit, rrëfimtari i kërkon së dashurës të presë, të durojë një përsëritje të pafund: se ai, Odiseu, do të kthehet. Tjeri këtu merr trajtën e Penelopës, ndërkohë rrëfimtari është një bashkëbisedues i paqartë: mbase, një shërbëtore e Penelopës, mbase i ati ose biri i Odiseut. Ose mbase vetë Odiseu që flet për veten e tij në fillim në vetën e tretë, por që më pas i drejtohet Penelopës në vetën e parë që mos ta mohoj. Pavarësisht kësaj, udhëtimi i Odises në këtë poezi është vetë koha. Odiseu ende nuk është kthyer në Itakë sepse ka humbur nëpër ishujt e kohës. Prandaj, ajo që e ndanë Penelopën nga Odiseja është vetë koha. Nuk dua të lë pa përmendur edhe këto dy vargje të shkëlqyera:

“Po vuri këmbën mbi bregun e thatë
me vdekje dhëndurësh do ta mbjellë Itakën.”

Siç dihet edhe nga libri Odiseja, mbasi kthehet në Itakë, Odiseu i vret mëtonjësit e gruas dhe pushtetit. Por, ajo që është e bukur në këto dy vargje është mënyra se si kjo ngjarja ritregohet poetikisht: sa të prekë këmba e Odises bregun e Itakës, do ta mbjellë atë vend jo me jetë, por me vdekje. Por edhe më e rëndësishme në këtë poezi është se vetë rrëfimtari thotë se kjo largësi kohore midis Penelopës e vetë atij është e nevojshme. Rrëfimtari nuk thotë se ne kemi nevojë për njëri-tjetrin, nuk thotë se ai është i etur për dashuri, por se ne të gjithë kemi nevojë për një ëndërr malli. Kështu shprehet paradoksi më i madh i dashurisë: ne e duam Tjetrin më fortë pikërisht kur Tjetri nuk është pranë nesh. Kur qëllimi i dashurisë arrihet, atëhere dashuria përmbushet dhe ngel vetëm zbrazëtira. Prandaj, ne kemi nevojë jo për përmbushjen e dashurisë, por për një dashuri të përjetshme që s’do përmbushet asnjëherë: një ëndërr malli në sy. Ky është edhe flijimi që të dashuruarit i bëjnë Dashurisë: ata pranojnë të duan tjetrin me kusht se do pranojnë zbrazëtinë brenda vetes. Se nëse vetvetja është e përmbushur, atëhere s’ka as nevojë për t’u bashkuar me Tjetrin. Pranimi i këtij paradoksi të dashurisë është edhe arsyej pse Dashuria ka nevojë për pafajsinë tonë.

Në veprën poetike të Fatos Arapit kemi sërish një rikthim tek bashkëbisedimi me dashurinë në librin Më duhet një gjysëm ëndrre, botuar në vitin 1999. Në këtë libër, bashkëbisedimi me dashurinë arrin majën e praruar me anë të dy poezive: “E paëndërrta ime” dhe “Mos eja në ëndërr.”

E PAËNDËRRTA IME

Më duhet një gjysëm ëndrre,
e paëndërrta ime.
Vë kokën në gjoksin tënd
e aty përplasem
te koka e një tjetri.
Më duhet një gjysëm ëndrre.
Shigjetat e orës së dorës
tutje i shtyjnë kalimtarët,
në ditë të rrëpirta tiranase.
Shpirtra joshpirtra që shkojnë…
Bri meje dikush flet me vete,
pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.
Dikush, prej zhgënjimi të egër,
mbërthen kryqe të reja.
I hedh një gjysëm leku
dhe blej kryqin tim.
Tani që ta ngre
më duhet një gjysëm ëndrre,
e paëndërrta ime.

Në këtë poezi, Tjetri i dashuruar, nga Penelopa, shndërrohet në të paëndërrtën. Duket sikur kjo poezi fillon pikërisht aty ku mbaroi poezia “Penelopës”: më duhet një ëndërr. Por, tani zëri i rrëfimtarit është më i dëshpëruar: ai nuk beson më se do mund ta gjejë edhe një ëndërr që lind etjen e amshuar për dashuri. Ai kërkon vetëm një gjysëm ëndrre. Kërkon një ëndërr, jo për t’u përmbushur, por vetëm sa për të mbijetuar. Asgjë nuk e shpeh më mirë këtë bjerrje të rrokakrejtshme të shpresës se sa të kërkosh një gjysëm ëndrre nga e paëndërrta. Rrëfimtari këtu kërkon të pamundurën: kërkon ëndrrën nga e paëndërrta. Rrëfimtari do të qendrojë e të prehet tek Ajo, por vetëm përplaset tek një tjetër. Rrëfimtari nuk ka më një vend ku të qendrojë: çdo gjë e përplas me një gjë tjetër. Prandaj, dhe ai lutet se i duhet një gjysmë ëndrre për të mbijetuar.

Por, shiko si përcaktohen kalimtarët tiranas: “shpirtra joshpirtra që shkojnë”. Ky përcaktim i kalimtarëve tiranas, nëpërmjet vetëkundërshtimit të vetëvetes, sendërgjon mjeshtërisht mjedisin shpirtëror të kësaj poezie: njerëz që ikin drejt diçkaje që as vetë nuk e dinë, kërkimi i një gjysmë ëndrre nga e paëndërrta, njerëz që shtyhen nga shigjetat e orës e jo nga vetëvetja, dikush mbështetet tek gjoksi i asaj por përnfudon tek koka e një tjetri, besimi në në rrëfimin të çfarëdoshëm, lënie dhe rimarrje kryqesh.

Përfaqësia e kryqit këtu ka një rëndësi të madhe. Sigurisht, kryqi këtu lidhet me kuptimin që kryqi ka në botëkuptimin e krishterë. Me pak fjalë, kryqi përfaqëson vuajtjen e hyjnishme. Kryqi është flijimi i Perëndsisë për njeriun. Krishti u detyrua të mbaj kryqin e tij para se të kryqëzohej. Mbas vdekjes së Krishtit, edhe vetë besimtarët mbajnë kryqin e tyre. Mbajtja e kryqit në këtë kuptim është pranimi i vuajtjes dhe flijimit hyjnor. Në poezinë e mësipërme të Arapit, dikush i zhgënjyer mbërthen kryqe të reja, mbërthen vuajtje dhe flijime të tjera, mbërthen një fe tjetër. Edhe rrëfimtari merr kryqin e tij: gjëja më e çuditshme është se atij i duhet ta blejë atë. Pavarësisht kësaj, tani atij i duhet ta mbajë këtë kryq, t’i durojë këto vuajtje hyjnore e të vazhdojë në këtë flijim. Prandaj, dhe atij i duhet një gjysmë ëndrre që të mbijetojë nga kjo vuajtje dhe flijim.

Ndërkohë në të njëjtin libër, botuar në 1999, gjejmë edhe poezinë “Mos eja ne ëndërr,” e cila pavarësisht ngjashmërisë me poezinë “E paëndërrta ime,” përçon një kuptim të kundërt me të.

MOS EJA NË ËNDËRR

Mos eja në ëndërr, e paëndërrta ime.
Nuk jam Safua me zemër të brishtë. –
Ngopur me vdekjen e dashurisë
gjer në grykë, jam!
Edhe në gjumin e vdekjes
trembem nga britma ime
për ty.
Mos eja në ëndërr, e paëndërrta ime.
Mos e bëj shakanë e mbrëmshme.
Si ta duroj ditën,
që më sheh me sy ëndrre?

Sërish, këtu kemi një bashkëbisedim me dashurinë, ku rrëfimtari së dashurës i drejtohet si “e paëndërrta.” Por, ndryshimi i madh këtu është se rrëfimtari nuk i kërkon më Asaj një gjysmë ëndrre, por pikërisht që Ajo mos t’i vijë më në ëndërr. Ëndrra është shndërruar në një ankth. Shohim zhgënjimin e plotë të rrëfimtarit nga dashuria: ai nuk kërkon më as një gjysmë ëndrre malli për të mbijetuar. Ai është i ngopur me vdekjen e dashurisë. Dhe kështu përfundon bashkëbisedimi me dashurinë në veprën poetike të Fatos Arapit.

13 Komente

  1. Përshëndetje Erlind,

    Personalisht e gjej të vështirë ta shoh objektivisht një poezi. Është një formë e letërsisë që më mahnit pikërisht prej pamundësisë që kam për ta analizuar objektivisht, ose sadopak akademikisht. Kësisoj kam arritur në konsensus me veten: poezia nuk shkruhet për t’u analizuar por për t’u ndjerë. Kur lexoj një poezi më duhet një lloj kimie midis meje dhe poezisë, të ketë një enzimë në poezi që nxit shpirtin tim të ëndërroj. Prandaj nuk mund të bie dakord me përgjithësimin e bërë në fillim të shkrimit; nuk mund ta konsideroj veprën letrare poetike në Shqipëri një premtin të papërmbushur, sepse kjo do të thotë që unë të zhytem në poezi duke pritur realizimin e një premtimi. Të paturit një pritshmëri është një qasje shumë pragmatiste për dicka aq romantike sa poezia. Gjithashtu ngjizja në trajtë të njëjtësuar nuk më duket një vecori intrinsike e veprës, por një produkt i reaksionit kimik midis veprës dhe lexuesit që sjell një lidhje midis autorit dhe lexuesit. Vecoria që ju keni dalluar në veprën e Arapit vjen nga reaksioni kimik midis teje dhe veprës që ka sjellë një lidhje intime midis teje dhe autorit, dhe në mendjen tuaj keni bërë bashkimin organik të veprës së tij nën atë vecori. Një vecori të tillë unifikuese ose njëjtësuese unë gjej në cdo autor me të cilin krijoj një lidhje intime, ku përfshihet Migjeni. Revolta e shtypur e shpirtit të Migjenit është ajo që bënë ngjizjen e veprës së tij në syrin tim. Pra mendoj se ngjizjen njëtësuese të veprës e bëjmë ne, nuk është karakteristikë e veprës por vetëm pasqyrë e lidhjes sonë me veprën dhe autorin kështu nuk mund të merret si tregues universal i vlerës së një vepre.

    Përtej mendimit tim, ishte shkrim shumë interesant dhe një vështrim kritik që nxit debat të domosdoshëm për letërsinë shqiptare. Më shijoi shumë, përgëzime.

    1. Përshëndetje Migjeni,

      Si fillim desha të falenderoja shumë për përgjigjen. Jeni nga ata komentuesit e paktë të cilët merren me tekstin dhe nuk i vëjnë vetvetes për qëllim që të vjellin vrerë dhe fyerje personale kundër autorit. Kemi nevojë më shumë për këtë frymë bashkëbisedimi që ngjall përgjigja jote. Pavarësisht kësaj, nuk do të thotë se kam të njëjtin mendim si ti. Prandaj, do mundohem të sqarohem.

      Normalisht, analiza jonë duhet të filloj që me përkufizimin e fjalës “objektive.” Çfarë do të thotë të shohësh objektivisht një poezi? E shikoj të pamundur të kundrosh një poezi objektivisht, se një vështrim objektiv është një vështrim nga askund: një vështrim që është i vërtetë pavarësisht vështruesit. Por ndërkohë ne përherë e vështrojmë diçka nga diku, nga një moment i caktuar historik, nga një traditë e caktuar kulturore apo një gjuhë. Prandaj, jam i një mendimi se nuk mund të ketë një vështrim tërësisht objektiv. Por, kjo nuk do të thotë se poezia është tërësisht subjektive dhe është vetëm për t’u ndjerë. Mendoj se këtu gabohesh. Poezia nuk i përket askujt: ajo shpreh gjuhën, shpreh frymën, shpreh hapësirën ndarëse apo bashkuese që ndodhet mes njerëzve. Edhe kur poezia shpreh vetveten: ajo shpreh vetveten në raport me gjuhën dhe shoqërinë. Dhe si e tillë, poezia është përtej individit. Poezia shpreh aspektin objektiv të subjektit: gjendjen e përgjithshme shoqërore, gjuhësore, kulturore dhe shpirtërore.

      Gjithashtu, në përgjigjen tënde bëre një hedhje nga natyra subjektive e poezisë tek përgjithësimi se poezia shqiptare është një premtim i papërmbushur. Kam përshtypje se kjo lidhje e ngushtë midis këtyre dy mendimeve duhet të sqarohet, pasi nuk e kuptoj se si ato lidhin njëra tjetrën. Por, pastaj e cilëson si qasje pragmatike? Pse është pragmatike? Kuptimi i diçkaje nuk do të thotë sesbën pragmatizëm. Dhe për më tepër, cili është kundërshtimi që ti shtron? Diçka mund të jetë edhe pragmatike edhe e vërtetë, në fund të fundit.

      Ti thua: ” Prandaj nuk mund të bie dakord me përgjithësimin e bërë në fillim të shkrimit; nuk mund ta konsideroj veprën letrare poetike në Shqipëri një premtin të papërmbushur, sepse kjo do të thotë që unë të zhytem në poezi duke pritur realizimin e një premtimi.”
      Po nuk u zhyte në poezi, atëhere nuk ke për ta kuptuar atë asnjëherë. Zhytja në çështjen që hulumton është parakusht i çfarëdo llojë dije. Si thotë edhe Hegeli: nëse do të mësosh notin, duhet të futesh në ujë e të lagesh.

      Ti thua:”Gjithashtu ngjizja në trajtë të njëjtësuar nuk më duket një vecori intrinsike e veprës, por një produkt i reaksionit kimik midis veprës dhe lexuesit që sjell një lidhje midis autorit dhe lexuesit. Vecoria që ju keni dalluar në veprën e Arapit vjen nga reaksioni kimik midis teje dhe veprës që ka sjellë një lidhje intime midis teje dhe autorit, dhe në mendjen tuaj keni bërë bashkimin organik të veprës së tij nën atë vecori…. Pra mendoj se ngjizjen njëtësuese të veprës e bëjmë ne, nuk është karakteristikë e veprës por vetëm pasqyrë e lidhjes sonë me veprën dhe autorin kështu nuk mund të merret si tregues universal i vlerës së një vepre.”
      Siç edhe kam shkruarë më sipër, mendimi im është se poezia nuk është as objektive e as subjektive: është diçka në mes. Edhe ti vetë e pranon atë kur thua se trajta është produkt i një marrdhënie midis autorit dhe veprës. Por, nuk e si se përse pastaj thua se trajtën e krijojmë vetëm ne. Jo. Trajta nuk është as në vepër e as tek ne. Trajta është në marrdhënien që ne kemi me veprën. Fjala kyçe këtu është marrdhënia. Dhe çdo marrdhënie është një ndërveprim, një marrje dhe dhënie.

      Gjithsesi, të falenderoj jashtëmase për përgjigjen konstruktive. Ishte kënaqsi të përgjigjesha. Të uroj gjithë të mirat!

      Përzemërsisht,

      Erlind Sulko

      1. Erlind të falenderoj për fjalët e ngrohta.

        E kuptoj sesi komenti im I mëparshëm mund të të ketë konfuzuar pak, sepse nuk ka një rrjedh logjike lehtësisht të ndjekshme midis mendimeve që kam shkruar, kjo për shkak të një kokolepsje mendimesh që m’u krijua pasi lexova shkrimin. Më lërë të ta shkoqis pak më mirë.

        Në fillim të shkrimit ju vini poezinë shqiptare në një rrafsh krahasues duke bërë përgjithësimin në fjalë, të cilin më pas, duke dhënë shëmbullin e Fatos Arapit që është përjashtimi I vetëm nga ky përgjithësim, e detajoni duke sqaruar elementin në veprën e Arapit që e bënë të plotë. Prandaj te komenti im ka një kapërcim logjik nga natyra subjektive e poezisë tek trajta e njëjtësuar e saj, sepse janë për pjesë të ndryshme të shkrimit. Kur fola për natyrën subjektive të poezisë doja të theksoja mendimin tim se një rrafsh krahasues për poezinë është vështirë të ekzistojë, të paktën në terma universale, vetëm në terma personale. Këtu shkoj në pjesën e dytë të komentit ku sqaroj lidhjen intime, atë që ti e theksove me të drejtë që është “marrëdhënie”, e cila përcakton rrafshin krahasues personal. Shpresoj të ta bëjë pak më të qartë komentim tim ky sqarim, ndonëse duket që e ke kuptuar thelbin.

        “Prandaj nuk mund të bie dakord me përgjithësimin e bërë në fillim të shkrimit; nuk mund ta konsideroj veprën letrare poetike në Shqipëri një premtin të papërmbushur, sepse kjo do të thotë që unë të zhytem në poezi duke pritur realizimin e një premtimi. Të paturit një pritshmëri është një qasje shumë pragmatiste për dicka aq romantike sa poezia.” Ky fragment i komentit tim të mëparshëm duket që të ka ngritur shumë pytje. Ajo që kam dashur të them lidhet me paragrafin e mëparshëm, me faktin që nuk më duket një përgjithësim ose një deklaratë me vend, sepse për mendimin tim nuk përputhet me natyrën e poezisë. Vepra e Lasgushit, ose e Camajt, ose e Migjenit nuk mund të quhen premtime të paplotësuara sepse nuk ka pse të ekzistojë një premtim në rradhë të parë (këtu lind edhe karakteri pragmatist i pritjes së realizimit të një premtimi dhe natyra romantike e poezisë, që ngrihet mbi pragmatizma të tilla). Mund të ketë një karakter paksa ekzistencialist vepra poetike, thjesht është, pa patur nevojë për shtojca për të justifikuar ekzistencën e saj. Mund të bëhët hiqet një paralelizëm me jetën njerëzore: qoftë me qëllim (premtim), qoftë pa qëllim, ajo në rradhë të parë është, dhe si e tillë duhet parë. Fakti që përmend Hegelin më shtyn të mendoj se ndoshta i përkasim shkollrave të ndryshme të mendimit filozofik…

        Përsa i përket trajtës së unifikuar, nuk kam thënë se e bëjmë vetëm ne, por e bëjmë ne. Ka një dallim të rëndësishëm këtu. Dallimi është se kur them “e bëjmë ne” e kam fjalën se e bëjmë ne (uni) si pasqyrë e marrëdhënies intime me autorin. Pra uniteti ose trajta e njëjësuar e veprës në fund të fundit përcaktohet nga ne, por jo vetëm nga ne; nga ne parë lidhur me autorin. Terma “subjektiv” dhe “objektiv” nuk më pëlqen ti fus në debate zakonisht, sepse ke të drejtë që nuk ekziston objektivizëm i plote, as në shkencë e jo e jo në letërsi. Më lejo t’i zëvëndësoj me “personal” dhe “universal”. Nuk mund të ketë një vlerësim universal të poezisë sepse cdo vlerësim i poezisë bëhet vetëm në terma personale. Kështu besoj bënë më shumë sens teza e komentit tim. Gjithsesi, them se debati bluhet në një ndryshim filozofik rreth poezisë dhe natyrës e qëllimit të saj, dhe dihet se të tilla debate janë pa fund a pa fillim. Rëndësi ka vetëm të bëhen, dhe sidomos për letërsinë shqiptare, ku kritika mungon thuajse tërësisht, në cdo nivel!

        Të uroj gjithë të mirat!

        1. Përshëndetje Migjeni,

          Të falenderoj sërish për përgjigjen. Si fillim dua të them se nuk mendoj se poezia e Fatos Arapit është përjashtimi i vetëm. Në shkrim them se është “një përjashtim. ” Mbase duhet ta kisha bërë më të qartë këtë gjë, pasi edhe një komentues tjetër e kishte kuptuar sikur shkrimi thotë se Fatos Arapi është përjashtimi i vetëm. Një përjashtim tjetër është poezia e Frederik Rreshpes, të cilën e përmend në këtë shkrim, por së cilës edhe i kam kushtuar në vetvete një shkrim të gjatë. Shkrimi im për poezinë e Frederik Rreshpes është botuar tek Peizazhet me titullin “Biri i Hënës.” Ta rekomandoj ta lexosh nëse të intereson kritika letrare, poezia e Frederik Rreshpes apo poezia shqiptare në përgjithësi.

          Gjithashtu si ti, mendoj se zevëndësimi i termave “subjektiv” dhe “objektiv” me “personal” dhe “universal” është më i vlefshëm. Ke kapur një problem tepër të ndjeshëm në kritikën letrare sot kur shtron pyetjen nëse një rrafsh krahasues në poezi mund të ekzistoj në terma universal apo vetëm personal. Mendimi jot është se ky rrafsh krahasues mund të ekistoj vetëm në terma personal. Ndërkohë, mendimi im, është i ngjashëm me atë që thash edhe për qenien e poezisë subjektive apo objektive. Ky rrafsh krahasues është edhe universal edhe personal, ose as universal dhe as personal. Nuk mendoj se një rrafsh krahasues mund të jetë tërësisht personal: pasi ky rrafsh krahasues krijohet pas një bashkëbisedimi me vepra të shumëta, me shkrimtarë, me kritikë letrarë, me kulturën ku ti jeton e shumëçka tjetër. Në këtë kuptim çdo rrafsh krahasues është përtej personales, por që nuk arrinë universalen. Krijimi i çdo rrafshi krahasues është si zoti K. tek Kështjella e Kafkës: niset drejt universales, megjithëse nuk do ta arrijë atë asnjëherë. Siç e shikon, nuk po na ndahet ajo e mesmja Hegeliane.

          Dhe po, Hegeli bashkë me Schelling, Novalis, vllezërit Schlegel dhe figura të tjera të romantizmit gjerman kanë pasur një ndikim shumë të madh në mendimin tim. Ligjërimet e Hegelit mbi artin është libri më i madhërishëm që kam lexuar ndonjëherë mbi artin dhe letërsinë. Fatkeqësisht, ende i pa përkthyer në shqip. Do isha i interesuar ta dija se nga ça shkolle filozofike vjen ti.

          Dhe po, mendoj se në kritikë letrare do ketë përherë kundërshtime dhe debate. Shumi mirë që është kështu. Përndryshe bie në plogështinë e kritikës letrare në Shqipëri. Profesorët e letërsisë merren me analiza të mërzitshme të politikës së përditshme, ndërkohë që analistët e mërzitshëm politik merren me kritika letrare. Artistët merren me kryeministrin, ndërkohë që kryeministri merret me art. Gjithçka kthyer përmbys.

          Gjithsesi, të falenderoj shumë për këtë bashkëbisedim. Mbarësi dhe gjithë të mirat!

          Përzemërsisht,

          Erlind Sulko

  2. Autori ka ngritur nje teze – premtimin e papermbushur- te cilen e pergjitheson si tipar te letersise- pozacerisht poezise shqiptare. Po cfare eshte vete “premtimi” , ne termat estetike dhe nga pikpamja e teorise se letersise?
    Nga shtjellimi ne vijim lihet te kuptohet se “premtimi” i referohet here cilesise se poezise ( De Rada, Naimi) dhe here pamundesise fizike per te shprehur gjithe “premtimet” , frymezimet apo motivet poetike ne nje cikel te plote( Migjeni pra- ose Uragani nderprere).
    Dikur ne recencat per autore te rinj thuhej se “eshte premtues” si potencial poetik cilesor.
    Pas ketij konfuzioni konceptual , duket sikur autori shkrimit , me tezen e tij te “premtimit” te cilin e shikon te permbushur vetem nga F.Arapi,pra pas kesaj teze qendron koncepti ” letersise qellimore” ku autorit i vishet nje qellim / premtim te cilin ai e shpalos nga teksti ne tekst.
    Me duket i habitshem konstatimi se ” edhe Lasgush Poradeci nuk i tejkaloi lirikat djaloshare” dhe, rrjedhimisht, nuk permbushi premtimin! Premtimin per cilesi ne rritje- lihet te kuptohet .Ose Premtimin si Mision , nisur nga koncepti poetit si Profet dhe Misionar?
    Po dihet qe Lasgushi e mbylli krijimtarine e tij pikerisht me ato dy vellimet poetike ne vitet 30′ kur ishte jo me djalosh por mesoburre. Cfare shkruajti me pas mbeten ca xixellima te fundme te nje vatre ne shuarje.
    Nga ana tjeter, Lasgushi konsiderohet themelues i poezise moderne shqip, i lirikes dhe asaj dashurore posacerisht. Deri me ate kohe mbizoteronte letersia dhe poezia me teze patriotike. Lasgushi nga Atdheu cvendoset tek njeriu, bota e tij e brendshme, i kendon tallazeve te dashurise dhe kuptimit filozofik te jetes.
    Si e tille, poezia e tij ra ne konflikt me “horizontin prites” te kohes, me shijet dhe pritshmerite e lexonjesit i cili ishte meduar me poezi plot ta ta to ty ty ty , sic shprehej Konica per Naimin dhe poezine e Rilindjes. Prandaj Lasgushit ju versul edhe Kris Maloki i cili nuk shikonte” asgje shqiptare” ne vjersherimin e tij. Bash kjo kritike rrefente se poezia e Lasgushit kishte rrokur motive universale , duke kapercyer provincializmin e kohes.
    Autori thote:
    Trajta e njëjtësuar që hasim në poezitë e Fatos Arapit është kjo: poezia si një bashkëbisedim me gjithësinë, një bashkëbisedim i drejtpërdrejtë, i fshehtë dhe i thellë me gjithçka që na rrethon. Poezia e Fatos Arapit është një bashkëbisedim intim me botën.”
    Une kete do ta thoja pike e presje per Lasgushin dhe autori eshte i ftuar te argumentoje se perse poezia e Lasgushit nuk eshte “premtim i permbushur” (si cilesi poetike, si trajte e njejtesuar, si qasje shteruese e nje motivi te riperseritur ne kendveshtrime te ndryshme- pra le te marri si kriter ke te doje autori nga keto ).
    Per poetet me te mire lirike ( Bodler, Neruda, Esenin, Poe, Aragon, Ungareti, Montale etj.) mund te thuhet pa hezitim se poezia e tyre “eshte nje bashkebisedim intim me boten”.
    Keshtu , ajo cfare autori vecon si tipar dallues, pervecues tek poezia e Arapit, nuk eshte gje tjeter vecse nje tipar universal, nje parakusht i cdo poeti qe meton te hyje ne panteonin e te medhenjve.
    Lasgushi dhe Arapi kane shkruar ne kohe te ndryshme, me estetika dhe qasje te ndryshme per dashurine. Lasgushi kremton bukurine, misterin dhe llaftarine e dashurise. Arapi vuan ankthin e pritjes nga dashuria e penguar ne kohen e koleres.
    Lasgushi eshte me formalist ne gjuhen poetike. Arapi risjell frymen e poezise popullore te dashurise me nje qasje me moderne.
    Te dy jane ” premtime te permbushura” ne horizontin e pritjes te lexuesve. Madje , poezia e tyre dashurore, duke qene cilesore, “krijon” lexues te rinj te cilet receptojne tekstet ne kontekste te reja dhe horizonte te reja pritshmerise. Lexuesi si receprues ” prodhon” dometheniet nga teksti dhe teksti, si bashkebisedim unikal intim me boten , “prodhon” lexuesin/receptuesin e ri . Kete fat e kane vetem poetet cilesore, ata qe tejkalojne kohen e shkrimit te poezise.
    Duke thene keto, shkrimin e gjej interesant, intrigues dhe nxites te debatit per poezine shqipe.

    1. Përshëndetje Pika.s,

      Shkrimi këtu nuk ka për qëllim të zhvilloj ndonjë koncept estetik dhe letrarë të premtimit, megjithëse kjo në vetevete do ishte një ndërmarrja tepër e shkëlqyer. Shprehjen premtim i papërmbushur këtu po e përdor me kuptimin që edhe e kam sqaruar në shkrim: kur diçka të jep shpresë për të tejkaluar vetveten, për të arritur përktyerjen e vetvetes, por që kjo shpresë asnjëherë nuk përmbushet.

      Dhe jo, premtimi nuk i referohet një herë cilësisë së poezisë e më pas pamundësisë fizike. Më duket se e ke keqkuptuar. Cilësia e poezisë apo pamundësia fizike janë arsyet pse poezia e tyre është një premtim i papërmbushur, jo vetë premtimi.

      Dhe shkrimi asnjëherë nuk thotë që Fatos Arapi është i vetmi përjashtim, por një nga përjashtimet. Të lutem lexoje me kujdes shkrimin, para se të dalësh në përfundime se kjo qeka një konfuzion konceptual. Një përjashtim tjetër i rëndësishëm është poezia e Frederik Rreshpes, të cilën edhe e përmend në këtë shkrim.

      Ti thua: ” Ose Premtimin si Mision , nisur nga koncepti poetit si Profet dhe Misionar?” Nuk e kuptoj se çdo të thuash me këtë. Ku është kundërshtimi i juaj këtu?

      Sërish të lutem mos e keqkupto shkrimin. Nuk jam kundër poezive të Lasgush Poradecit e as Migjenit e as të tjerëve. Lasgush Poradeci është një shkrimtar të cilin e vlerësoj shumë. Thjesht mendoj se një nga cilësitë e poezisë së tij është se ai asnjëherë nuk i tejkaloj dot poezitë e tij të hershme të dashurisë. Do ishte sikur Gëte të mos shkruante më pasi shkruajti Vuajtjet e Djaloshit Verter. Përshëmbull, Faustin e Gëtes e shikoj si përmbushjen përfundimtare të gjithë krijimtarisë së Gëtes. Shumë pak shkrimtar e arrijnë këtë gjë.

      Tani ka një ndryshim midis të konceptuarit të veprimtarisë së dikujt si bashkëbisedim metaforikisht apo bashkëbisedim i njëmendtë. Po, veprën e Poradecit mund ta marrim metaforikisht si bashkëbisedim, por e vërteta është se ai ka shumë poezi të rrëfyera në vetën e tretë, të rrëfyera nga jashtë, përshkrime objektive: si Gjeniu i Anijes apo Dremit Liqeri. Ndërkohë ke edhe poezi vetërrëfyese, ku rrëfimi drejtohet tërësisht nga vetvetja: si Vdekja e Nositit. Vdekja e Nositit gjithçka mund të jetë, përveç një bashkëbisedimi. Është një rrëfim tërësisht vetjak: shpreh vetëm vetveten.

      Dhe jo, nuk mendoj se poetët e mëdhenj botëror dallohen nga një bashkëbisedim intim me botën. Sërish je duke e përdorur fjalën bashkëbisedim në një kuptim tepër të gjërë. Poezia e Bodler është një poezi jashtëmase simboliste tek Lulet e së Keqes: poezitë përshkruajnë një objekt të caktuar në vetën e tretë, si macja, kapaku i tenxheres apo Albatrosi. Poetët simbolist ishin kryekëput kundër një bashkëbisedimi të drejtpërdrejtë. Ata pikërisht deshën fshehnin, jo të zbulonin. Nuk po i marr tani të gjithë poetët me rradhë që përmende, por edhe për Esenin dhe Poen e ke gabim. Poezia e tyre nuk është një bashkëbisedim i drejtëpërdrejtë. Mbase, poezia e Nerudës, në disa vepra. Por, edhe Neruda ka shkruajtur kaq shumë e ka eksperimentuar aq shumë, saqë varet për cilën periudhë të Nerudës po flet.

      Ndërkohë, që poezinë e Fatos Arapit e shikoj si një bashkëbisedim të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë dhe intim. Poezia e Arapit është e mbushur me thirrje të drejtpërdrejta apo pyetje ndaj bashkëbiseduesit. Këtu nuk kemi të bëjmë me një bashkëbisedim metaforik, por me një bashkëbisedim të mirëfilltë. Gjithashtu, kije parasysh se kjo është vetëm pjesa e parë e shkrimit. Kam përshtypjen se në pjesën e dytë të shkrimit, poezia e Arapit si një bashkëbisedim i vazhdueshëm dë vihet edhe më shumë në qendër të vëmendjes. Dashuria është vetëm një nga bashkëbisedimet në veprën poetike të Arapit.

      Të uroj gjithë të mirat.

      Përzemërsisht,

      Erlind Sulko

  3. Z. Erlind,
    Kjo qe po bejme ketu eshte nje bashkebisedim rreth shkrimi tuaj, nje shkembim mendimesh dhe asesi nuk e mendoj si nje “shah- mat”. Eshte favor per komentuesit kur autori nderhyn, replikon, sqaron, kundershton etj. Sepse normalisht, kjo mundesi ne nje medium tjeter nuk ekziston. Autori ka “vdekur” ( metaforikisht e, sipas Barthes) dhe perballe kemi tekstin.
    Dhe nuk perjashtoj te lindin keqkuptime. Sikurse me duhet te them se keqkuptimet mund te vijne jo vetem nga leximi (im) i pavemendshem, por edhe kur “kuptimet”, nocionet, konceptet me te cilat operohet nuk qartesohen.
    Kjo ndodhi edhe me tezen tuaj apo konceptin e ” premtimit te papermbushur”. Nga komenti juaj kuptova se behet fjale per nje veper te perkryer, per nje finalitet cilesisht me te larte te krijimtarise se x autori ne kronologjine e tij krijuese ( Rasti Getes qe ju sillni si ilustrim).
    Dhe mbi kete kriter ju dalloni Arapin, nder te tjere ( ku une do shtoja ata qe ju perjashtoni nga kjo fatlumturi- Serembe, Migjeni, Poradeci, Camaj, Kadare, Agolli, Reshpja, Hatibi ).
    Nga sa kuptoj ju krijimtarine poetike te nje autori e kqyrni ne rrjedhen e jetes biologjike- si rasti Poradecit kur thoni se ” ai ne krijimet e mevonshme, nuk kaperceu nivelin e lirikave djaloshare”. Nderkohe ka te tjere qe mendojne se Kanadeva eshte nje nga majat e krijimtarise se tij. Ka poete qe shkelqejne ne rinine e tyre dhe ne muzgun e jetes zbehen ( ka qe bejne kete vleresim per Kadarene, sidomos ne proze). Ka te tjere te cilet me kalimin e viteve e perkryejne poetiken e tyre. Pra pjekuria moshore vjen dhe si pjekuri poetike. Ketu do dalloja Camaj i cili, sipas kritikes, Palimpset e ka te perkryer.
    Ka te tjere qe shkelqejne vetem me nje liber- Buze te ngrime n gas- Zef Zorba.
    Pra ai qe ju shpallni si kriter per te vene rregull ne kaos nuk verifikohet ne praktike.
    Nga ana tjeter , ju shpreheni se edhe Arapi ka poezi te dobta por vlera e tij duhet kqyrur nga poezite me te perkryera.
    Poezi perla kane te gjithe autoret e lartpernendur. Si poetin me njetrajtesi me te forte cilesore do vecoja Reshpjen.
    Sa per termin “bashkebisedim intim” , po , une e perdor ne kuptimin qe cdo poet , kur shkruan “hap zemren” me lexuesin dhe ne kete sens, poezia e pare ne total eshte bashkebisedim i autorit me lexuesit per shqetsimet, vizionet, ndjeshmerite e tij per boten qe e rethon. Eshte nje bashkebisedim metaforik, ok, intim, edhe kur nuk flet per jeten intime posacerisht.Sic ben Lasgushi, kur flet per kozmogonine, vdekjen, liqerin, peisazhet etj.
    Kurse ju “bashkebisedim” e perdorni per menyren e procedimit poetik, kur heroi lirik, subjekti apo folesi ne poezi shprehet ne vete te pare apo te dyte.
    Nuk po zgjatem per ceshtjet e cekura per simbolistet ( Lasgushi eshte edhe simbolist , sikurse dhe Migjeni).
    ” Lundrova” ne pjesen e pare. Te shohim pjesen e dyte te “lumit” dhe ku do derdhet…
    Miqesisht,
    Pika.s

    1. Përshëndetje Pika.s,

      Faleminderit për përgjigjen. Nuk jam asnjëherë kundër bashkëbisedimeve në fushën e kritikës letrare, kështuqë më bëhet qefi që shkruat.

      Sërish, siç edhe e përmenda në përgjigjen e kaluar nuk mendoj se poezia e Fatos Arapit është përjashtimi i vetëm. Një përjashtim tjetër është poezia e Frederik Rreshpes, së cilës i kam kushtur edhe një shkrim të gjatë botuar tek Peizazhet nën titullin “Biri i Hënës.”

      Mbase më duhet të theksoj sërish fjalin e parë me të cilën fillok ky shkrim: “Të gjitha përgjithësimet janë të pasakta.” Nuk e mohoj që, mbase, përgjithësimi im është i pasaktë, por çdo përgjithësim është gjithashtu i pasaktë. Kjo është dëshira ime për të krijuar një rregull letrarë të paqenë. Mbase kemi pikëpamje të ndryshme letrare. Dhe s’ka asgjë të keqe këtu. Jo gjithkush duhet të pëlqej të njëjtën gjë. Përshëmbull, pavarësisht vlerësimit të madh që kam për disa romane të Kadares, mendoj se poezitë e tij janë mjaft mesatare, në mos më keq se aq. Dhe nuk mendoj se Kamadeva e Lasgushit është përmbushja e poezive të tij: Lasgushi ka poezi mjaft më të mira se ajo.

      Nuk e kam thënë askund që vepra e një autori duhet të ketë një zhvilim krahë për krahë me jetën e tij biologjike. Nuk e di pse thua që ky është mendimi im. Dhe asnjëherë nuk e kam mohuar që disa shkrimtar mund të shkruajnë dhe të shkëlqejnë vetëm me një vepër. kështuqë, nuk e kuptoj se si kjo që thua e kundështon tezën time. Po e përsëris: mendimi im është se një nga përgjithësimet më pak të pasakta për poezinë shqiptare është se poezia shqiptare ka cilësinë e një premtimi të papërmbushur, Tani kjo papërmbushje mund të vijë nga arsye të ndryshme: jetë e shkurtër, rrethana të jetës, pamundësi të shkruarit apo diçka tjetër. Arsyeja nuk ka rëndësi.

      Gjithsesi, të falenderoj për dëshirën që ke për të bashkëbiseduar. Mendoj se na duhen më shumë bashkëbisedime të tilla, në veçanti në fushën e kritikës letrare e cila në këto 25 vjetë është politizuar kryekëput nga partitë politike. Edhe kritikën letrare e kanë gllabëruar. Nuk e di se ç’ka ngelur më. Kënaqsi të bisedoja me ty. Të uroj mbarësi dhe gjithë të mirat!

      Përzemërsisht,

      Erlind Sulko

  4. Erlind, mua prizmi i permbushesise, qe keni trajtuar ju me duket interesant. Ne fakt e pare nga ky kendveshtrim mund te thuhet se eshte njefare rregullsie qe e karakterizon poezine shqipe. Une do te fusja ne kete liste edhe Hatibin, i cili edhe pse me disa specifika te tjera eshte ilustrues i mire i teorise suaj. Jam kurioz te di si e shihni Agollin ne kete prizem.

    Se dyti, me aq sa e njoh poezine e Arapit, une nuk mendoj se ky eshte perjashtim. Sepse duke lexuar edhe poezite qe sollet ju ketu per ilustrim, mua nuk me duket se Arapi ka kapur ndonje pike shkelqimi apo maje ne poezi. Duke lexuar artikullin tuaj me perforcohet bindja se Arapi ka qene me shume koherent sesa i permbushur. Dhe faktin qe eshte koherent une e konsideroj si plus por vetem kaq. Poete koherente shqipja ka pasur disa (Poradeci, Rreshpja, Spahiu, Podrimja e deri diku Agolli). Por mua nuk me duket se koherenca domosdoshmerisht verteton idene e permbushesise. Mendimi im personal ky per Arapin gjithsesi.

    1. Përshëndetje Eris,

      Faleminderit shumë për komentin. Arsyeja pse nuk e futa poezinë e Hatibit në këtë përcaktim është sepse ai është ende gjallë dhe shëndoshë. Mbase është duke punuar për ndonjë vëllim të ri me poezi që do na habisi. Nuk e di. Disa nga poezitë e tij të hershmet më kanë pëlqyer shumë, por poezitë e tij mëvonshme më janë dukur tmerrsisht shumë të këqija. Gati të palexueshme.

      Gjithsesi, kam dashur prej kohësh të lexoj veprën e plotë poetike të deritanishme të Hatibit, por e kam pas të pamundur pasi librat e tij nuk gjenden askund. Nuk janë ribotuar. Dhe pastaj shtëpitë botuese ankohen se nuk shesin libra. Nuk kanë për t’i shituar librat, nëse librat nuk gjenden askund. Kjo gjë ndodh tërë kohën me autorët shqiptar.

      As unë nuk mendoj se poezitë që kam sjellur si shëmbull janë më të mirat të Arapit, përveç poezis “E Paëndërrta ime” e cila më pëlqen tejmase. Ai ka plotë poezi më të mira se këto. Por ato poezi që solla, janë poezitë e tij më përfaqsuese dhe më të mira në lidhje me temën e dashurisë. Dhe në pjesën e parë të shkrimit u mora vetëm me bashkëbisedimin mbi dashurinë në veprën e Arapit. Siç edhe ja u theksova komentuesve të mëparshm, kjo është vetëm pjesa e parë e shkrimit. Në pjesën e dytë të shkrimit do merrem me bashkëbisedime të tjera në veprën e Arapit dhe sigurisht do jap shembuj të tjerë.

      Mbarësi dhe gjithë të mirat.

      Përzemërsisht,

      Erlind Sulko

      1. P.S. Për sa i përket Agollit, nuk mund të them se është një nga poetët e mi të parapëlqyer. Nuk më pëlqejnë poezitë satirike, në përgjithësi. Agolli ka tek-tuk ndonjë poezi shumë të mirë, por prap nuk do e fusja tek poetët më të përkryer të gjuhës shqipe. Por, pavarësisht kësaj, mendoj se Agolli ka arritur të zhvilloj një zë të dallueshëm në poezin shqiptare. Ka diçka tepër Agolliane në çdo poezi të tij. Por është një zë i dallueshëm që mua nuk më shijon edhe aq shumë.

  5. Xha xhai tek intervista e vet ketu, ben nje dallim interesant midis kultures apo letrave shqip dhe kultures apo letrave shqiptare, dallim te cilit po i vija verdalle prej shume kohesh.
    Poezite e Arapit, duken mjaft shqip, po vete lirika ka karakteristika universale dhe Arapi nuk duket ne keto lirika si i mbrujtur nga partikulariteti shqiptar, qe tregon psh Cajupi apo Poradeci.
    Lirikat e Arapit ( te cilat jane te tijat dhe vetem te tijat), e japin edhe idene e te qenit te perkthyera/shqiperuara nga ndonje gjuhe tjeter, nderkohe qe te Cajupit apo Poradecit jane aq shqiptare, saqe eshte e paguxueshme ideja e te qenit te perkthyera. Le ta leme jashte Cajupin e te bejme krahasimin mes Poradecit dhe Arapit,padiskutim lirika e Poradecit eshte shqiptare, por keto poezi te Arapit jane shqip, por sa shqiptare eshte e veshtire te thuhet.

    Normalisht poezia mbahet se del nga shpirti i popullit/autorit, lidhjen e forte mes mendimit te kulluar dhe poezise e kane zhvilluar filozofe te ndryshem, prandaj duket pak si e veshtire te dallohet mes poezise shqip dhe poezise shqiptare, mirepo Noli me shqiperimet e tij dha nje shembull interesant sesi mund te behet plagjarizem edhe ne poezi. Pavaresisht se Noli ishte kollos e s’kishte nevoje per plagjarizem, fakti qe plagjarizmi mund te ekzistoje edhe ne poezi,eshte per mendimin tim deshmi se mund te behet edhe ne poezi ndarja mes poezise shqip dhe poezise shqiptare.
    Poezia shqip mund te jete e mrekullueshme, por nuk ngjit te shqiptaret sa ngjit poezia e mrekullueshme shqiptare.
    Ketu nuk behet fjale qe duhet te vesh fjalen Shqiperi ne mes, duket, dallohet, ndihet nje gje shqiptare nga ajo qe nuk eshte shqiptare apo e pranuar, e perbrendesuar, si e tille.
    Naimi psh ka pase ndikime shume te forta te misticizmit bektashi, gje qe ne poezi, vargje apo strofa te ndryshme ben qe prodhohet nje ndjesi peshtjellimi moskuptues tek ata qe nuk e njohin mistiken bektashe/sufi.
    Sigurisht ne ndarjen ne fjale mes shqipes dhe shqiptares nuk behet fjale per ndikimet, behet fjale per frymen apo esencen e poezise.

    Per ta permbyllur me pohimin nistor te artikullit, te gjitha pergjithesimet jane te pasakta, logjikisht ky si pergjithesim eshte i pasakte.
    Mendoj se nje koncept si i pasaktesise i duhet lene korrekteses politike, gjerat o jane te sakta o jane te gabuara, perndryshe nuk mund te perdorim dot logjiken formale ku ka A dhe -A.
    Nqs themi me pak i pasakte, apo me shume i pasakte, eshte njesoj si te themi kjo eshte 60% e pasakte apo 35% e pasakte. Mendoj qe logjika fuzzy duhet lene jashte se prodhon vetem lojera fjalesh e sofizma.
    Kur ka veçori qe karakterizojne 90-95% te ngjarjeve, fakteve apo njerezve, thuhet ”ne pergjithesi”, ”perpos ca perjashtimeve/rasteve” apo ”perjashtimi qe konfirmon rregullin”, etj dmth gjuha ka mjete plot, nuk eshte e nevojshme te bejme grushta me logjiken klasike.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin