TERAPI PAPARE

Shkarazi, në shaka e sipër, i them një personi që ka prindin psikoterapist se “në rastin më të keq do të ta bëjë terapinë prindi pa pare”. Na u desh të dyve të ndalnim një moment, për të qeshur më vonë.

Gjithë kjo nuk lidhet tek paret, por tek paparja. Paparja pas qënë ushqim që kërkonte pak para për tu gatuar, e ishte dicka e lehtë dhe e shpejtë për fëmijët që kanë jetuar në diktaturë e deri diku edhe ca vite pas saj. Mu desh t’ia theksoja për së dyti, pa-pare, që të kuptoja se ishim në të njëjtën vjegë mendimi. Të dy kemi ngrënë papare, por terapi asnjëri prej nesh s’kish bërë. Nëse do të vinte pika në të cilën do bënim terapi, e sigurt është në këtë rast se do na duheshin pak pare.

Psikoterapia kushton. Madje nuk duhet lënë pa përmendur se terapisë nuk mund t’i nënshtrohet gjithkush, ngase terapia nuk është papare. Shifrat e trajtimeve në tregun (apo sido tjetër të quhet kjo formë e ushtrimit të kësaj dijeje shkencore) e këtushëm do ishte e pavend t’i përmendim, pasi do të na conin në drejtime të gabuara dhe banale. Do ishte me rëndësi të përmendej liçensimi apo njohja ligjore si profesion të në mos të gjithave- që janë rreth një mijë- të paktën të disa formave të psikoterapisë. Një mënyrë e ngjashme njohjeje ligjore për shumë profesione është arritur në mënyrë ligjore me anë të Ligjit “Nr.10 171, datë 22.10.2009” i cili quhet “Për profesionet e rregulluara në republikën e Shqipërise”. Një ligj i tillë, lejoi njohjen ligjore të disa profesioneve, si dhe ushtrimin e tyre pa pasur ndonjë vakum ligjor.

Një vakum i tillë ligjor në rastin tonë, i lejon shumë psikoterapistë të ushtrojnë lirisht profesionin e tyre, jo papare. Çështja nis të komplikohet në momentin kur mungojnë institucione që duhet të rregullojnë profesionin dhe praktikën e tij. Paradoksalisht ka prani institucionesh dhe organesh shtetërore përgjegjëse për paren- atë që pagohet e taksohet. Kjo mund të jetë diçka shqetësuese për fanatikun e rendit ekonomik apo qoftë dhe për atë qe i paguan të gjitha taksat. Ndodh rëndom që psikoterapistët në Shqipëri të mos lëshojnë fatura, e për pasojë të mos taksohen.

Sidoqoftë, çështja e parave mbetet e një rëndësie jo shumë të madhe nëse do të konsideronim përmasat në të cilat aplikohet një profesion i tillë dhe aq më tepër mungesën e organeve monitoruese. Qoftë liçensimi, apo krijimi i një organi i cili duhet të monitorojë praktikat e psikoterapisë në Shqipëri do duhej te ishte një hap i rëndësishëm për t’u hedhur tanimë, kur ligjit të fundit do t’i festohet shumë shpejt tetë-vjetori. Në shume vende perëndimore, psh në BE ku dhe duam të shkojme, ekzitojnë organe përgjegjëse për liçensimin dhe monitorimin e praktikave psikoterapeutike.

Mbetet ende diskutim i hapur marëdhënia mes psikoterapistit apo pacientit-klientit, duke qënë se shërbimi i ofrohet dikujt që ka nevojë për ndihmë të specializuar. Persona si këta të fundit, duhet ta kenë shumë të vështirë të gjejnë profesionistin e duhur në Shqipëri, qoftë dhe mepareshumë. Në këtë moment, është e pamundur të identifikosh raste ku mungon profesionalizmi, megjithsëse vetëm një i verbër do mund ta mohonte këtë, qëkurse në shumë raste mungon profesionalizmi edhe prej atyre që kanë liçensa për praktikim aktivitetesh të tjera. Sakaq, akoma më i vështirë për t’u bërë është identifikimi i rasteve në të cilat klientët pacientë kanë dalë nga psikoterapisti papare dhe të dëmtuar për shkak të një praktike të gabuar.

PS: Mesa duket, një shaka, kushton një faqe jetë papare, në vapën e Tiranës.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin