NJERIU QË DHURON VITET

Nga Elias Canetti

Një njeri u dhuron personave të caktuar, ngaqë ua merr me mend vlerën, disa vite nga të vetat, që t’ua zgjatë jetën. Këtij i kanë parathënë se do të jetojë gjatë; e di që do ta kapë moshën 100-vjeçare. Vendos atëherë që, duke udhëtuar dhe duke u informuar në hollësi, të marrë vesh se kushpikërisht ka nevojë për vitet e tij. Të cilat i shpërndan me shumë kujdes, duke blatuar as shumë, as pak; ja një punë e lodhshme. Për atë periudhë të jetës që ia ka rezervuar vetes, i përket atij vetëm që të vendosë si ta përdorë më mirë sakrificën. Lajmi për këtë veprimtari të çuditshme merr dhenë. Ai përfundon kështu në duart e spekulatorëve, që duan të fitojnë para me vitet e tij dhe që, për këtë synim, rreken ta bindin sa vlerë ka jeta e klientëve të tyre dhe sa të rëndësishëm e të dobishëm janë këta, në përgjithësi. E megjithatë, këta klientë nuk janë veçse ca gruaçka të rrëgjuara e të parëndësishme, të mbushura me verdhushka dhe akoma më shumë me makutërinë e kujt dëshiron t’i sigurojë vetes ndonjë vitth më tepër. Spekulatorët krijojnë pra persona të rëndësishëm, sepse bamirësit tonë, që e ka zemrën llagar, paraja nuk i intereson fare. Por vitet e dhurueshme, meqë janë me numër të kufizuar, sa vjen dhe i bëhen të çmuara; sa më pak i mbetet nga ai kapital, aq më shumë kacafyten të tjerët për t’ia marrë. Arrihet kështu te një lloj qarkullimi letrash me vlerë, por nën banak, që kalojnë nga një palë duar në tjetrën, duke u vlerësuar me çmime marramendëse. Kë kish përfituar prej viteve të tij në krye, para se të futeshin në lojë spekulatorët, tani e kërkojnë me ngulm dhe i bëjnë gjithfarë presionesh, që t’ua japë të tjerëve të drejtat. Vitet copëtohen në muaj dhe në javë. Ata që i kanë fituar të drejtat duke i blerë, mblidhen bashkë dhe krijojnë një shoqëri aksionare, me bord drejtues dhe zgjedhjet përkatëse. Puna e parë e kësaj shoqërie është të presë për momentin kur bamirësi të arrijë në fund të jetës, ose në atë cak që ia kanë parathënë prej vitesh. Që nga ai moment e më tutje, jeta e tij do t’u përkasë atyre.


[Marrë nga Elias Canetti, “Il libro contro la morte”, Adelphi eBook, © 2017 Adelphi Edizioni S.p.A. Milano; përkthimi im, por mos e përdorni kundër meje.]

11 Komente

  1. Fakti qe ata te cilet moren vitet (falas kuptohet) fillojne e i shesin aq sa ne vazhdim krijohet nje shoqeri aksionere tregon qe dhuruesi i viteve e ka bere gabim perzgjedhjen e individeve.
    Ne nje hipoteze mese te mundshme, njerez te ndryshem per te marre ato vitet, jo thjesht mund te paguajne e te bejne presion, por te vrasin, keshtu qe ajo qe nis si nje veper fisnike mund te perfundoje ne vrasje te njepasnjeshme.

    Edhe pse dhuruesi, ne teori, i ka te gjitha te drejtat t’i jape sipas asaj qe ai e gjykon si me e mira, qenia njerezore shkon lehtesisht ne vrasje per nje gje kaq te paçmuar sa vite, muaj apo dite shtese.
    Ne kesi rastesh, o te gjithe o asnje. Me kujton edhe nje film (In Time) kjo historia, nuk e di nese eshte me pare filmi apo tregimi. Konkluzioni ne te dy rastet eshte pas nje faze meritokracie hyn ne loje oligarkia dhe ne fund vjen revolucioni dhe barazia.

    Deri diku, pavaresisht se dikuja eshte larg, diçka e tille gjendet ne nje nga parabolat e Jezusit, kur pronari i nje vreshti shkon te marre ne pune ne 6 te mengjesit gjithe punetoret qe gjendeshin tek sheshi (Omonia) , shkon me pas ne 9, merr te tjeret qe ishin grumbulluar nderkaq, ne mesdite, 12 merr te tjeret e pasdite merr te fundit.
    Fillon e i paguan te gjithe nga 1 monedhe argjendi, goxha rroge, mirepo ata qe punuan gjithe diten qe nga ora 6 e mengjesit e kundershtuan duke i kujtuar se u robtuan ne pune e u paguan njesoj si ata qe punuan pak ore. Ai u kujtoi qe paga ishte e mire dhe ata ishin te kenaqur, ç’pune kishin ata se ai vete ishte njeri bujar . Konkuzioni i paraboles ishte se mbreteria e Perendise ishte njesoj e hapur edhe per ata qe hyjne te fundit.

    Edhe ne kete rast,mund te behet kritika se nuk ka rendesi e drejta per te shperndare pasurine, sa ka rendesi barazia ne trajtim apo perceptimi i barazise ne trajtim. Kur nuk merret parasysh ky kriter plas pakenaqesia dhe mund te shkohet deri ne vrasje.
    Kur nuk ndan dot ne menyre te barabarte, atehere mos merr persiper te shperndash, sepse cdo kriter tjeter shkon pashmangshem tek konflikti. Kemi edhe shperndarjen e Nastradinit ne 10 pjese/persona sipas parimit te barazise, ”nje ti, nje une”, e ai mblodhi gjysmen e pasurise ndersa 9 te tjeret moren ne menyre te barabarte me njeri-tjetrin gjysmen tjeter. Nastradini zbatoi me menyren e vet kriterin e barazise.

  2. Pa dyshim eshte vetem rastesia qe e afron kete rrefim me nje subjekt te nje autori shqiptar. Eshte fjala per tregimin Vdekja e Stalinit, te P. Kulles, te cilit po i referohem siç me ka mbetur ne kujtese.
    Jane gerahamat fundit te diktatorit dhe emisaret e Qendres kane dale kudo neper Shqiperi, nje vend, populli i te cilit mund te jete i vetmi ne bote qe per shtypesit e vet perdor shprehjen “Marrsh nga ditet tona!”. E pra, te derguarit ne fjale bredhin fshat me fshat dhe marrin shenim neper mbledhje se sa vite jep njeri e sa jep tjetri per gjeorgjianin e Moskes qe po vdes. E keshtu, jo vetem individet hyjne ne konkurrence me njeri tjetrin por edhe fshati me fshatin duke dhene secili sa me shume nga vitet e tij per ate qe edhe Hitleri e kishte zili (Ah, qe nuk ua bera si Stalini, u thoshte oficerve te vet)
    Nje tregim i bukur!

    1. Nuk është për t’u përjashtuar edhe një rrënjë e përbashkët, në shprehjen “marrsh nga ditët tona”, me motërzimet (e cila do ta ketë ushqyer edhe tregimin e P. Kullës, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, me abuzimet që iu bënë nga folklori zyrtar). E ka shqipja, por mbase edhe ndonjë gjuhë tjetër ballkanike; dhe Elias Canetti, hebre sefardi, e pat kaluar fëmijërinë në Bullgari (Ruse), para se familja të emigronte drejt Londrës, dhe ndoshta ashtu do ta ketë dëgjuar edhe atë shprehje dhe do t’i ketë bërë përshtypje. Gjuhët ballkanike kanë shumë shprehje të tilla të përbashkëta.

  3. Nuk kam asnje prove veç kujtime te largeta perrallash orientale, qe nga Nastradini e deri te eunuket e kalifeve qe me lene pershtypjen se shprehja do te kete lindur ne ato ane si shenje e nje veteasgjesimi total para autoritetit te nje despoti otoman, qe ka brenda edhe hipokrizine tipike, pergjerimin e rreme, peruljen dhe pabesine e me te dobteve, agallarve, vezirve dhe pashallarve para Divanit e me thelle akoma kalifeve etj. Pra edhe mund te dyshohet me te drejte se eshte veikuluar si shprehje ne ato ane te Ballkanit nepremjet bashkejeteses se gjate me kulturen e Lindjes te injektuar nepermjet kontakteve masive me pushtetin otoman. Bullgaria ne mos gaboj u pushtua rreth 100 vjet para Shqiperise dhe u çlirua vetem 30 vjet para saj (ne fakt e çliruan edhe ate sikunder Shqiperine, me Traktatin e Shen Stefanit)

    1. Sa për saktësim, Bullgaria vetëshpalli (dhe përftoi ndërkombëtarisht) pavarësinë rreth pesë vite para Shqipërisë, në 1908-n, si rrjedhojë e një meseleje me pasoja gjithëballkanike të nisur nga lëvizja antisulltanore e Turqve të Rinj.
      Autonomia e shpallur në Shën Stefan nuk zgjati veçse pak muaj, ndërkaq që Kongresi i Berlinit e solli Bullgarinë sërisht nën zgjedhën e Stambollit në trajtën e dy entitetve: Bullgaria (veriore), me autonomi politike kundrejt sulltanit dhe Rumelia Lindore me autonomi administrative ndaj padishahut. I atillë konfigurim zgjati deri në 1885-n, kur Bullgaria u bashkuar përsëri, anipse sërish nën suzerenitetin e Stambollit.

      1. Faleminderit Edon. Kisha ne mendje nje ide se “nuk jmi i vetmi vend ballkanik qe na e njohen pavarsine ne shek 20”, por i rashe terthorazi dhe solla si pike orientimi shen Stefanin qe po qe se nuk gaboj perseri, i dha Bullgarise edhe gjysmen e Shqiperise.

  4. Pa dashur të fus hundët kot më kot, por San Stefano-ja nuk u zbatua kurrë, pavarësisht nënshkrimit. Autonomia e Principatës së Bullgarisë i takon Traktatit të Berlinit, me kufijtë e rinj e të zvogëluar që imponuan Fuqitë e Mëdha, që erdhi tre muaj më pas, në qershor-korrik 1878.

    Ndërsa përsa i përket datës së pavarësisë bullgare, do të argumentoja – në kundërshtim me Edonin, nëse e kuptoj drejt – që prania në terren i një ushtrie perandorake ruse dhjetë kilometra larg Stambollit (pavarësisht reagimit pothuaj të sigurt të Marinës Mbretërore në ruajtje të Ngushticave) kishte një rëndësi më të madhe afatgjatë sesa intrigat e baron Aehrenthal-it me kont Izvolsky-n në Buchlau, me mbështetjen e Sofjes e pa dëshmitarë të pranishëm.

    Thënë kjo, origjina e Krizës Boshnjake gjendet padyshim në dispozitat e miratuara në Berlin, deri tek zgjedhja e Aleksandrit të Battenberg-ut që shkaktoi bashkimin e paligjshëm të Bullgarisë me Rumelinë Lindore dhe luftën me serbët (1885-6) që i detyroi Fuqitë ta njihnin këtë bashkim. Po aq bindës ngjan zinxhiri i ngjarjeve që sollën rrëzimin e tij nga froni (për shkak të mosrealizimit të ambicieve të nacionalistëve në kastën ushtarake bullgare) dhe kurorëzimin e Ferdinandit I dhe megalomanisë së tij neobizantine, me pasoja aq të rënda për Bullgarinë e fillimshekullit.

    Megjithatë, formalisht, Deklarata e Pavarësisë bullgare i takon 5 tetorit 1908 – këtu pajtohem me Edonin si më sipër -, çka na privon nga çdo mëtim i arritjes jo aq e dëshirueshme, në mendimin tim, të të qenit i vetmi vend ballkanik që u shkëput, de jure, nga sovraniteti otoman në shekullin e njëzetë.

    1. Meqe Bullgaria doli si goxha e rendesishme per tematiken, nuk e kuptoj sesi mund te quhet bashkim i paligjshem, ai i 1885-s. Bullgaria nuk kishte sovranitet te njohur nderkombetarisht asokohe, e fitoi ne 1908, vetem shteti i pavarur, ne kuptimin plotesisht sovran, edhe ate formal, eshte subjekt i cfaredo ligji nderkombetar apo me mire praktike legaliteti nderkombetar, se ligj eshte fjale e madhe.
      Te dy territoret ishin nen sovranitetin turk por me shkalle te ndryshme autonomie, Bullgaria thjesht ndryshoi statusin e autonomise te Rumelise Lindore, duke pahnxjerre me ate veprim mungesen e racionalitetit tek ajo zgjidhje e Konferences se Berlinit. Akti nuk pati asnje efekt ne legalitetin nderkombetar, as u krijua ndonje shtet sovran as u sulmua ndonje shtet sovran.
      As sot e kesaj dite nuk i njihet legalitet nderkombetar asnje shteti qe nuk eshte plotesisht sovran, permbajtesisht dhe formalisht te tille. Ka raporte forcash, ka gjendje te pranuara, por nuk ka subjekte, e pa subjektivitet nuk ka legalitet.
      Per ta ilustruar me shembullin tone, nuk mund te bashkohemi dot me Kosoven, sepse legalisht do te rezultonim shtet agresor ndaj Serbise. Po te ishim edhe ne nen sovranitetin serb, fare mire mund ta kryenim bashkimin, i cili s’do te krijonte asnje problem ne legalitetin nderkombetar sepse s’do te rezultonim shtet agresor, pasi s’do te ishim shtet i pavarur.

      Nga ana tjeter, marreveshjet nderkombetare (perfshi Konferencen e Berlinit 1878) kane pasur gjithnje vlere rrethanore, nuk vlejne me ne rast se rrethanat ndryshojne radikalisht, ne baze te parimit ”rebus sic stantibus” dhe ”fakti i kryer” eshte deshmia me e qarte qe ato rrethana kane qene te ndryshuara radikalisht e kryerja e faktit, lehtesia me te cilen kryhet gjithnje ”fait accompli”, eshte thjesht rrjedhoja logjike.

      Hyrja ne lufte e Serbise dhe shpetimi i saj prej nderhyrjes austro-hungareze ishte paradoksale per legalitetin nderkombetar, por Bullgaria ishte teresisht ne te drejten e saj te kryente bashkimin e Rumelise lindore.

      Sovraniteti i plote eshte e vetmja gjendje e shtetit, ku shteti eshte edhe ne zoterim/possesso edhe ne pronesi/proprieta te territorit te vet. Koncepti eshte i shtetit patrimonial, ku behen paralelizma te natyrshem me te drejten private, por qe jane ne themel te se drejtes nderkombetare edhe sot, ku shteti nuk eshte me prona e monarkut, por e kombit.
      Autonomia eshte thjesht zoterimi/possesso, por nuk je ne gjendje te paraqesesh çertifikaten e pronesise/tapine, prandaj nuk mund te ulesh ne tryezen e pronareve. Tapine do ia marresh atij shteti qe e ka, me forcen tende apo te aleateve s’ka rendesi, nuk ka zgjidhje tjeter kjo pune.

      Kush ka zoterimin por jo pronesine, nuk mund te jete subjekt i ligjit per pronen, perpos nqs do i njihet pronesia apo t’i hiqet zoterimi, asgje tjeter nuk mund te behet ligjerisht me ate zoterim, nuk mund te perdoret fjala ligj per asgje tjeter.
      Ne kete kuptim Bullgaria kreu nje bashkim, nje ”fait accompli” i cili u vertetua ne respekt te plote te parimit ‘rebus sic stantibus”, nga mosnderhyrja turke dhe nga thyerja e ushtrise serbe, prandaj bashkimi ishte plotesisht i drejte ne kuptimin e legjitimitetit.

      1. “…Bullgaria doli goxha e rendesishme per temen…” Prandaj nuk po e zagjas as une, edhe pse largimi ca nga tema kompesohet nga saktesime te cilat nuk i shoh si te panevojeshme edhe pse, doren ne zemer, fola me çka me kishte mbetur ne mendje, i sigurte se nuk ishte ai thelbi i problemit, gje qe, duhet pranuar, nuk perligj as neglizhencen ndaj tyre.

  5. E pamohueshme që përkthimi i Ardianit, në mënyrë të tërthortë, ngriti një debat shumë interesant. 🙂
    Gjithsesi, akti i bashkimit të “dy Bullgarive” përftoi vlerë de jure (pra u njoh ndërkombëtarisht) pothuajse menjëherë, kur, në pranverën e 1886-ës, sipas një marrëveshjeje të firmosur në Tophane mes qeverisë se Sofies dhe Portës së Lartë, princi bullgar u shpall, njëdorazi, guvernator i përgjithshëm i Rumelisë Lindore. Konferenca u thirr nga Rusia dhe rezultati i saj u pranua nga gjithë Fuqitë e Mëdha të asaj kohe, nën vlerën e të qenit garante. E vetmja fuqi që reagoi qe Serbia, e dihet sesi përfundoi.
    Tekstin e traktatit, tok me firmat aprovuese, e gjeni, mes të tjerash, dhe në vëllimin nr. I të Arben Putos mbi aktet ndërkombëtare që kanë pasur rëndësi mbi çështjen kombëtare shqiptare.

  6. Ky shkrim nuk e di pse me kujtoi reformen agrare te vitit 1992, (Ligji 1501 ne mos gaboj), i cili pretendonte se e dha token tek ata qe e punonin, e qe perfundoi pastaj ne shit-blerje te metejshme!

Lini një Përgjigje te Edon QesariAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin