SHADOWLAND

nga A.A.B.

Për çdo artikull—sado të gjatë apo të mërzitshëm për pasionin sadist të njërit cep të mendjes sime ndaj pjesës tjetër të saj—që sjell këtu, ka, pashmangërisht, më e pakta katër apo pesë dosje Word-i jetime që ende mbipopullojnë pa ndonjë shkak të mirë rubrikën Documents të kompjuterit tim. Këto zakonisht janë fragmente teksti, paragrafë më të thatë se ç’është e përtypshme hyrës, copëza idesh që janë kokolepsur në mënyrë fatale me copëza të tjera idesh e që nuk janë më të shpjegueshme brenda cilitdo kufiri të arsyeshëm fjalësh apo kohe; madje edhe fillime skicash të ngeshme letrare që çohen pa shumë zhurmë drejt varrezave nga narrativat joekzistente dhe përsëritja prej budallai e personazheve—nga i pari tek i fundit, në masa të ndryshme, alter ego-t e mi.

Do të ishte mirë, e njerëzishme, mendoj, sikur të thoja që të gjitha këto krijesa të gjymtuara jetojnë në ndonjëfarë limbo-je të baraslarguar me të njëjtën saktësi si prej përditshmërisë disi maniakale që përftohet në Tiranë, ashtu dhe prej panteonit deri diku patetik që njeriu i krijon vetes në vend të faltores, kur, ashtu si unë, është veçanërisht i ftohtë në marrëdhënien e tij më vetëbesimin. E vërteta është, sigurisht, e kundërta. Edhe në vdekje, grumbujt ende embrionalë të fjalëve, më pranë shtëllungave të shkrifëta të reve sesa cilësisë së mëtuar lapidare të sojit të tyre, nuk fitojnë në dinjitet. Të gjitha, pa përjashtim, vendosen në të njëjtin vendgrumbullim turpi, të pavizituara ndonjëherë, përveçse për t’u pastruar me rrënjë çdo dy vjet.

Purgatori i tyre, gjë kureshtare kjo, është ai që do të mund të përfytyrohej sikur ta kishim krijuar nga hiçi në ditët e sotme. Një asgjë e mirëpërcaktuar ftohtësie dhe shpërfilljeje (me ca errësirë stereotipike aty brenda), zhgënjimi këmbëngulës shpresash e ndjenje, ku ruhen me kujdes të gjitha gërvishtjet e thonjve mbi mure para se të suvatohen sërish, gjithë ndërgjegjshmëri. Përkundër sivëllait të tij klasik, ky nuk është i interesuar të vendosë përkrah dhe të kontrastojë mjerimin e kësaj bunace të pambarimtë me atë të dy gjendjeve të tjera: Parajsës dhe Ferrit. Ky Purgator i imi nuk ka nevojë për një logjikë, as një të tillë morale që të ngrejë nga mëkati krijesat e Zotit mbi Tokë. Ai është aty për të asgjësuar, pa paguar çmimin e vrasjes së dëshiruar, të drejtë, atë që e turpëron Krijuesin e tij. Do të mund të thoje, duke patur parasysh këtë, se ky na qenka një krijues i fëlliqur postmodern.

Kështu, titujt e palexuar prej meje, tituj që përbëhen nga data të diskutueshme ngjizjeje ose ca emra pretenciozë e të përgjithësuar konceptesh që ceken në mënyrën më të përciptë të mendueshme, por, më të shumtën e herëve, nga folje në vetën e parë ose të tretë njëjës (zakon i keq dhe i pashqitshëm i fillimit të fjalive prej meje, ky), mbeten të palexuar, të pariciklueshëm. Në njëfarë mënyrë, ajo çka ata përfaqësojnë nuk mund të shkëputet kurrë nga veçantia e të qenit, në koshin me rroba të palara, ajo palë të mbathura, që i vuan djegiet e ndyrësisë së pavullnetshme, të pafajshme ekskretuese vetëm bashkarisht me ato të një përmjerjeje masturbuese. Një teprim, një shtriqje e (pa)vullnetshme që i largon pllakëzat e pancirit aq nga njëra-tjetra sa për t’i lenë vend majës së shpatës.

Përballja me to—përtypja, mbllaçitja dhe gëlltitja e tyre kërkon dhëmbë kali ose një mungesë të plotë dijenie mbi atë që po bën. Dhëmbë kali ose padije fëmijërore që nuk mund të dilnin nga dikush që nuk mundi t’i pranonte të tilla krijesa të brishta, t’u jepte atyre atësinë e pritshme në vend që t’i braktiste bohçet e tyre në mes të pyllishtës majë malit, i neveritur…

Tekstet e mi gjysmake nuk do e shohin kurrë dritën e diellit, ato do të pësojnë një vdekje të hershme, të re prej egomanisë sime; të mbytur në një bodrum të errët, por të pastër. Një vdekje e panevojshme me të cilën jam fare i qetë, përveç diçkaje. Është pak makabër edhe ky titullim i detyrueshëm që më imponon programi kompjuterik: të pagëzosh diçka pikërisht në çastin kur e di, përfundimisht, se nuk do të bëhët kurrë asgjë më shumë se ç’është. Ndërsa ruajtja e trupave të tyre të sakatuar, të paplotë, ndoshta një llastim ose një zakon budalla.

Dikur lexoja që pedagogët e universiteteve, me t’u zëvendësuar makinat e shkrimit me kompjuterë nëpër laboratorë e biblioteka, panë se cilësia e punëve që u dorëzoheshin u përkeqësua në mënyrë drastike. Nuk kishte më mund dhe ndjenjë në to, thoshin. Në këtë këndvështrim, kompjuteri është çpersonalizuesi i përkryer, ai që e zëvendëson ndjesinë sa të frikur aq edhe cytëse të zbulimit për herë të parë të trupit tënd me diçka tjetër pornografike, gati-gati industriale. Ai vendoset si distancuesi i palëkundshëm midis teje dhe asaj që ke ndërmend të bësh, ndoshta vite të tëra para coitus-it krijues, paçka se duke e ndryshuar papërkufizueshmërisht këtë të fundit. Pak absurde.

Nga ana tjetër, në retrospektivë, ka vite të tëra qëkur kam shkruar ndonjë gjë sadopak të përshtatshme për botim me dorë.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin