KALI I GULËS

Thonë se perandori romak Kaligula
E pat emëruar kalin e vet konsull
Senator, thonë disa të tjerë
Thjesht për të përqeshur senatin
Ose ngaqë e respektonte kalin shumë,
Që e kish emrin Incitatus,
Si të mos e respektosh një kalë
Fisnik, me këtë emër kaq latinisht,
Dhe Kaligulës nuk ia hante qeni shkopin
Ose më mirë KALI shkopin,
Meqë kalin e kishte edhe në emër
Sikurse e dinte këtë mirë Incitatus-i
Madje e shfrytëzonte për status,
I shkreti kalë, meqë ra fjala, nuk e priti mirë
Emërimin, sepse aspak s’i pëlqeu
Që do të duhej t’i shtynte ditët
Në shoqëri aq të pashijshme
I rrethuar nga njerëz të cilët
Do t’i kish hedhur përdhé, po të guxonin
Ta kalëronin ndonjë ditë
Në senat ose në mjedise të tjera
Dhe Kaligula, sapo e dëgjoi këtë
Pranoi që Incitatus-i kish të drejtë
Dhe se senati nuk ishte vend për kuaj
Kaq të hijshëm dhe me virtyte të rralla,
Prandaj më mirë ta shpërndante fare
Senatin, sa kohë që deri edhe një kalë
Refuzonte që të futej atje,
Por këtu Incitatus-i ndërhyri sërish
Duke përfituar nga rasti
Dhe iu lut që të mos ngutej kështu
Meqë ata senatorë, i tha, kur mblidhen
Në senat, të paktën nuk bëjnë dëme
Gjetiu. Fjalë me vend, tha Kaligula
Dhe i la gjërat ashtu siç ishin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin