MEDIAT, DIVERSITETI, QE-PALLIMI

Lajmëronte shoqja ime shqiptare nga Hollanda  A. Sh. një tryezë diskutimi organizuar nga Forumi Global i Mediave në Gjermani me pjesëmarrjen e një grupi ndërkombëtar gazetarësh, analistësh politikë e aktivistësh nga shoqëria civile  zhvilluar para pak ditësh në Bonn. Pyetja që shtrohej për panelin diskutues ishte “A munden mediat të mbajnë lart barazinë dhe diversitetin gjinor në një kohë pasigurish të mëdha?”

Ka disa probleme në këtë pyetje që e bëjnë një analizues të mediave shqiptare të mos dijë nga t’ia nisë. Pyetja niset nga premisa që në Shqipëri nuk vlejnë. Dy kushte merren si të mirëqena: i pari, që mediat, në mos paçin rol parësor, kanë pa dyshim një rol të veçantë e të pavarur në këtë proces emancipimi; dhe i dyti që barazia dhe diversiteti gjinor, së paku si diskurse, gjenden të përfaqësuara ndërkaq në një nivel relativisht të lartë në mediat tona. E në fakt kështu duhet të ishte, apo ndoshta atje ku zhvillohet biseda, kështu edhe është. Por situata e mediave në Shqipëri, sidomos lidhur me diversitetin gjinor, nuk mund të ishte më larg këtyre fakteve a intuicioneve. Ndaj për mua premisa të tilla pa lidhje me Shqipërinë, e çojnë kithshëm çfarëdo ndihme që mund t’i jepej shoqërisë shqiptare nga ky diskutim qëllim-mirë.

Kushti i parë mbi rolin e mediave

Në një pasqyrë të përmbledhur të gendjes politike e sociale dhe garancisë për zhvillime demokratike në Shqipërinë e pas 25 qershorit, Max Fras, analizon ditët e fundit një tufë me faktorë që dëshmojnë gjendjen e brishtë dhe me gjasa keqësimi të demokracisë. Veç rekordit korruptiv të gjyqësorit dhe ekzekutivit, opozitës dhe shoqërisë civile pa puls, faktit që ndërkombëtarët kollaj shesin demokracinë që të blejnë stabilitet, Fras përmend edhe mediat tona si lehtësisht të manipulueshme nga ideologji dominante qeveritare apo joqeveritare.

Mediat tona merren gjerësisht me politikën duke riqarkulluar e shumëfishuar ideologji krijuar e përsëritur nga figurat politike themelore. Kujtoni psh frekuencën e përdorimeve të pavarura të fjalës “zullum” në periudhën e zgjedhjeve të shkuara, dhe të “tepsisë” në këto të tanishmet për të kuptuar sa kollaj përbrendësohen ideologjitë dominante dhe krijohet spin në mediat tona.

Kushti i dytë mbi mbështetjen e barazisë e diversitetit gjinor në media

Edhe kur zë vend në media, si në rastin e rubrikës online Dritare të R. Xhungës, përmbajtja që lidhet me barazinë dhe diversitetin gjinor ngatërrohet e bëhet turli me gazetari skandalesh, kronike të zezë e lajmesh trash me celulit dhe operacione plastike, e sensacione ndarjesh e martesash VIP. Kështu nuk mund t’i shërbehet as kauzës së gruas dhe as asaj të diversitetit gjinor, madje ato errësohen e perceptimi i tyre si të parëndësishme, normalizohet. Është një rast i humbur ky për gjendjen e mjerë tonën në lidhje me kulturën e barazisë dhe diversitetit gjinor, përderisa kemi të bëjmë me një gazetare me përvojë, grua, dhe që merr përsipër t’i përfshijë temat që shpesh mbeten jashtë mediave.

Përgjithësisht si në shtyp, edhe në mediat e tjera, diskurset mbi të mirat dhe natyrshmërinë e diversitetit gjinor nuk zënë vendin që duhet, shfaqen rastësisht e rrallë dhe në faqe pa interes, në formë raportimi më shumë sesa në formë analizash. Pa dyshim që jemi larg një pranie sistematike dhe vështrimi kritik e përfshirës të këtyre temave. Por ka edhe më keq: ende në mediat tona lëshohen fishekzjarre patriarkalizmi dhe homofobie të paimagjinueshme në një vend të përparuar. Dhe nuk flas për gazetarë që sapo i kanë hyrë valles dhe u shket këmba në baltën e kulturës patriarkale kombëtare. Flas për gazetarët më të fuqishëm e të ndjekur të ekranit dhe shtypit shqiptar.

Më 1 Qershor gazetari B. Fevziu fton kryeministrin E. Rama në studion e Opinion dhe mëse një herë abuzon ideologjikisht ekranin e njërit prej emisioneve më në zë në Shqipëri me diskurse homofobe. Të lemë mënjanë “qeverinë hermafrodite” që si term u mbipërdor në emision. Në minutën e 15-të Fevziu bën siç thotë vetë “një gjysmë-batute” dhe thotë se Rama e Basha “dy burra” u mbyllën për gjashtë orë në Ditën Ndërkombëtare të Gayve dhe gjetën zgjidhje. Futja e Ditës së Gayve në këtë diskutim ishte krejt pa lidhje me përmbajtjen, dhe batuta e tij, vulgare. Një rast klasik ky i sulmit ad hominem që nuk është themelor për këtë shkrim aq sa retorika homophobe që përçon batuta e që bën me turp një studio televizive të një vendi progresiv dhe civil. Dhe vëreni që Fevziu Ditës Ndërkombëtare kundër homofobisë (…) i referohet si “Dita e Gayve”, një tjetër strategji për të sulmuar kundërshtarin duke u lidhur direkt e bërë gallatë me shikuesin homofob në kurriz të një komuniteti të shtypur gjinor.  Më pas rikonfirmon sistematikisht të njëjtin diskurs, duke përforcuar të njëjtën ideologji për audiencën e mjerë, duke përsëritur metaforën e “të futurit”: ia fute ti Bashës apo Basha ty?

Të nesërmen gazeta Koha Jonë  përmbledh gjithë sa stonoi në diskursin e B. Fevziut, por jo për ta kritikuar. Thjesht për ta shumëfishuar shpërndarjen e mesazhit më tej. Pa dyshim që edhe një tjetër segmenti të audiencës i përcillet rishtas mesazhi i gallatës anti-gay dhe Dita Ndërkombëtare kundër homofofisë përdoret prapë për t’u tallur.

Publiku shqiptar mban akoma propagandë homofobe, dhe gazetarët tanë nuk ia përtojnë të përfitojnë prej saj, shenjë kjo që nuk kanë as botëkuptim të hapur e progresiv, as bindje e guxim të prijnë apo emancipojnë. Ndaj edhe historia e legjendizimit të takimit Basha-Rama nuk mbaron tek emisioni Opinion i B. Fevziut. Artur Zheji e riorganizon retorikisht diskursin e Fevziut, diskurs që me siguri pas takimit Basha-Rama gëlonte mes shumë më shumë punonjësish të mediave e të tjerësh nëpër kafenetë e Tiranës, duke e leksikalizuar atë në një leksemë dinake me nota dramatizuese: qe-pallimi. “Ustai i Gjatë dhe i Riu nga Hollanda. Ndejtën 3 orë pasmenate, Basha dhe Rama. Vetëm dhe krejtësisht vetëm pasi ndërruan zyrat e takimit për të dytën herë.” Ky material i fundit nuk del në faqen e 27 të një gazete. Jo, ai është editorial. Dhe më pas editoriali i Zhejit përcillet nga dhjetëra gazeta e portale, si të ishte gjetje fenomenale dhe shpjegim i përsosur i politikës shqiptare dhe i arsyes pse PD humbi zgjedhjet. E njëjta stilemë përforcohet edhe me artikuj ndjekës po nga i njëjti autor. Ndoshta Zheji krenohet me gjetjen e tij të lojës së fjalëve mes përshëndetjes mes dy personave “Qe palla!”, e pra qepall-im, dhe shprehjes tjetër “Qe pallimi!” pra “Ja, pallimi – shikojeni si e palloi i gjati studentin!” në “qe-pallim”. Por përse ka nevojë një gazetar që ka arritur çfarë ka dashur, të ulet në retorika të këtij niveli? Dobësi për të shënuar pikë me lexues homofobë? Mungesë etike gazetarie? Mungesë tolerance dhe respekti për tjetrin?

Ndaj them se pyetja europiane “A munden mediat të mbajnë lart barazinë dhe diversitetin gjinor në një kohë pasigurish të mëdha?” fatkeqësisht nuk është pyetje për Shqipërinë e s’ka lidhje fare me mediat shqiptare që përdorin e mbajnë lart me krenari retorika reaksionare homofobe, dhe, kur s’i krijojnë, i përcjellin ato, e kur s’i përcjellin, i injorojnë, e kur s’i injorojnë, nuk duan t’ia dinë se ekzistojnë.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

6 Komente

  1. Eda, keto dite, ketu ne PTF, ne shkrime e komente e kemi kerkuar dhe e kemi gjetur burimin e problemeve tona te Perendimi, te Europa, te sistemet dhe vlerat perendimore qe perpiqemi te imitojme e te huazojme pa i analizuar ne menyre kritike, pra pa i kaluar neper filtrin e vlerave tona autentike. Ne çeshtjen qe shtron ti, ndoshta shtypi shqiptar ben pikerisht kete, pra u ben rezistence krijuese vlerave perendimore, i perthyen ato ne prizmin e kultures sone. Se vertet ka diversitet gjinor, po ka edhe diversitet kulturor, tha.

    Dje lexova prape ultimatumin e radhes qe Edi Rama here pas here i drejton paturpesisht Bashkimit Europian: – po s’na pranuat ne gjirin tuaj, do na detyroni t’i kthejme syte gjetke, medemek do te bashkohemi me Kosoven, do te lidhim aleanca me Turqine apo Rusine, pra do t’ju gjeje belaja me ne, se do te veme ne rrezik ekuilibrat gjeopolitike dhe paqen ne rajon.

    Qe ta themi hapur, shqiptaret e kane dashur Europen jo si nje model vlerash dhe standardesh, por vetem e vetem per ta zhvatur sa me shume, a thua se na e ka per borxh. Ne kete fryme qe po ze rrenje gjithmone e me shume ne Shqiperi, prit kur te degjojme zera qe do te kerkojne “kthimin ne identitet”.

    1. Relapso,
      Eshte e vertete se Europa nga Shqiptaret shihet si nje menyre per te avancuar ose edhe nje lloj deshire qe t’i vesh vetes detyra qe te detyrojne t’i mbash. Eshte e vertete edhe se ka plot qe ate e shohin si shvatje. Keshtu nuk eshte vetem Shqiperia. Keshtu jane shumicave e shteteve qe jane pranuar ose jo ne EU. Dhe nuk eshte se keshtu po ia hedhim kujt (vec perforcimit te mocalit moral tek ne), se organizmat e EU kete e njohin shume mire. Interesat ketu jane komplekse dhe kurrsesi te pafajshme. Po ashtu eshte e vertete qe marrja shabllon i rregulloreve, ligjeve etj, nga vende qe nuk kane zhvillimin tone dhe zbatimi i tyre per sy e faqe, pa ndryshuar kulturen e vendit dhe njohjen e njerezve, s’ka asnje vlere.

      Po pasi kam thene se ne gjithe sa me lart biem dakord, deshperohem qe konkluzioni yt te con te mendosh se mosrespektimi i te drejtave te komunitetit gay (dhe jo vetem) duhet te mos jete pjese e mediave tona, sepse ne jemi me te prapambetur se Europa. Tamam sepse jemi, shtypi edhe me shume duhet ta kete perbrendesuar kete domosdoshmeri dhe te prije shoqerine duke e emancipuar ate. Si mund te ngaterrohen keshtu gjerat.

      Te jap nje shembull qe ndoshta te ben ta shohesh me qarte: Nje pjese e mire e popullsise ne Jug te USA ka ende nostalgji skllaverie. Menyra se si shihen afro-amerikanet eshte e peshtire. E di cila eshte teza e tyre me e dashur? Kultura jone eshte e ndryshme nga ajo e Veriut. Veriu s’e ka kuptuar kurre lidhjen mes te bardheve dhe te zinjve ne Jug. Nese Veriu nuk do kish nderhyre, gjithcka do vazhdonte te shkonte per bukuri.

      Jo vetem: sa vende ne te cilat gruaja keqtrajtohet vazhdojne te kembengulin qe kultura dhe feja e tyre e lejon – apo e kerkon – kete.

      Ajo qe thua ti mund te pranohej nese behet fjale per te vazhduar traditen e byrekur dhe kabunise, por jo kur behet fjale per shtypje njerezish.

      1. Eda, nuk me ke kuptuar. Paragrafi i pare i komentit tim ishte ironik. D.m.th. nenkuptonte pikerisht te kunderten e asaj qe thoshin fjalet.

  2. Gjatë zgjedhjeve më bëri përshtypje një statistikë: vetëm 0.7% e femrave që mund të votinin kishin votuar ne qarkun e Fierit. E tha vetë zëdhënësja e KQZ dhe kurrë nuk u përgënjeshtrua, cka më bën të mendoj se ndoshta është shifër e saktë. Kjo statistikë duhej të ishte bërë një skandal kombëtar, por unë lexova vetëm një artikull shkel e shko të balkanweb që përpiqej ta denonconte. Një turp i vërtetë i gazetarisë shqiptare!

    1. Ke te drejte, Migjen. Per fat te keq tema sociale dhe sidomos analiza te thella te gjendjes se grupeve per te cilet s’e prish kush terezine, jane krejt jashte mode. Keto i ngelen akademise per t’u analizuar, por artikujt akademike nuk i lexon kush, dhe Shqiperia i ka ende studimet sociale te bazuara ne analize cilesore, pertoke. Disertacionet e studenteve shqiptare (edhe ato te doktoratures) jane per ibret dhe pa asnje kornize teorike qe t’i drejtoje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin