BORGESTRA

Teatri përmban një numër të pacaktuar, e ndoshta të pafund sallash gjashtëkëndore, ku mund të ulen dymbëdhjetë vetë në secilën. Në çdo sallë, njëra nga anët hapet në një kalim të shkurtër klaustrofobik drejt sallës fqinje, ndërsa një anë tjetër lejon një podium të vogël për muzikantin. Çdo muzikant, dhe ka aq shumë të tillë sa askush nuk i ka numëruar dot, rri ulur në një stol të drunjtë të punuar me dorë dhe luan pjesën që mendon se ia kanë caktuar: me llautë, violë, fyell ose harpë. Publiku, që lëviz lirisht nga një sallë në tjetrën si të bëhej fjalë për një galeri a muze dhe nuk i dëgjon dot muzikantët njëkohësisht, për shkak të izolimit akustik të përkryer; por vetëm njërin pas tjetrit, ose në sekuencë; prandaj për çdo spektator orkestra përftohet si e tillë veç në rrjedhë të kohës. Efekti është i tillë, që secili nga dëgjuesit ta ndiejë veten në qendrën ekzakte të teatrit. Disa thonë se Teatri ka shërbyer dikur si bibliotekë: kureshtarët ende i shquajnë gjurmët e zbehta të rafteve, në muret e sallave gjashtëkëndore. Të tjerë mendojnë se nuk bëhet fjalë për gjurmë e hije raftesh të qëmotshme, por vetëm për pentagrame ku ka qenë shënjuar linja për t’u luajtur nga çdo muzikant e që tani nuk i duhen kujt, meqë muzikantët kanë pasur kohë boll që t’i mësojnë pjesët përmendësh, madje të shndërrohen ata vetë në mishërim të melodive që luajnë. Nuk dihet nëse muzikantët e kanë të qartë se në teatër luajnë, njëkohësisht me ta, me mijëra në mos miliona kolegë; ndryshe nga publiku itinerant, atyre nuk u lejohet të lëvizin sipas dëshirës nga një sallë në tjetrën, për të verifikuar ndonjë dyshim të mundshëm. Ka mistikë që predikojnë se Teatrit do t’i vijë fundi, kur dy muzikantëve çfarëdo t’u qëllojë të luajnë të njëjtën pjesë, pa dashur ose në mënyrë të pashmangshme, siç do të ndodhë, herët a vonë, meqë e imponon matematika.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: