EVAZIONI, KU NA HUMBI

nga Gjilpëra

Pak blegtori dhe aritmetikë si fillim:

Një fshat, dy barinj: njëri me 100 dele, tjetri me 50. I pari i ka delet të deklaruara dhe paguan taksa – një sasi qumështi – për çdo dele, edhe pse bën pak evazion, duke i dhënë shtetit diçka më pak se rregulli. I dyti e ka kopenë të padeklaruar dhe nuk paguan asgjë – është informal. Pasuria “me letra” ose PPB-ja zyrtare e katundit janë 100 delet e deklaruara. Ekonomia informale është 50 dele. Ekonomia reale është shuma e të dyjave, pra 150 dele.

Supozojmë më tej, që shteti nis një aksion për luftimin e informalitetit dhe të evazionit. Pas një viti, nëse bariu i dytë i deklaron të 50 delet, ekonomia zyrtare e fshatit (PBB-ja) rritet nga 100 në 150 dele ose 50% rritje.

Por nëse dy barinjtë sa nga paniku, sa nga pamundësia për të përballuar dot taksat e rritura nga kontrollet e aksionit, vendosin që “të bëjnë kurban” secili nga 10 dele – ato më të dobtat, me më pak qumësht – në fund të vitit kopeja me “letra të rregullta” bëhet 130 dele (100-10)+(50-10), pra ekonomia zyrtare rritet me 30%. Por pasuria reale e fshatit bie me 20 dele, nga 150 në 130.

Tani le të mendojmë që bariu i dytë “sakrifikon” 10 dele, regjistron vetëm 10 dhe vazhdon të mbaj në informalitet 30 delet e tjera. Në këtë rast, kopeja zyrtare, PBB-ja, në fund të vitit ngelet e pandryshuar me 100 dele (100-10)+(50-10-30), ajo informale bëhet 30 dele, ndërsa ekonomia reale është tkurrur nga 150 në130 dele.

Në rezultatet e operacionit kundër evazionit dhe informalitetit në Shqipëri ndesh një mospërputhje të dukshme – një paradoks, po e quaj –  midis rritjes masive të numrit të kompanive dhe të punonjësve të formalizuar si pasojë e këtij operacioni dhe mungesës thuajse të plotë të efekteve prej tyre si mbi rritjen ekonomike të vendit, ashtu dhe mbi të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Fushata e qeverisë filloi në shtator 2015 dhe vazhdoi me disa valë që atëherë, ndonëse me intensitet më të ulët pas largimit të ish-ministrit Cani në fillim të vitit të kaluar. Viti 2016 ishte viti i parë fiskal në të cilin ky operacion duhet të jepte efekt të plotë: mbi regjistrimet e firmave në Regjistrin Kombëtar dhe të punonjësve te Sigurimet Shoqërore, mbi taksat dhe tatimet në buxhetin e shtetit dhe mbi rritjen ekonomike, ose në rritjen e PBB-së.

Dhe në fakt efektet e operacionit në muajt e fundit të 2015-ës dhe në 2016-ën nuk munguan:

Së pari, u rrit masivisht numri i kompanive të regjistruara pranë QKR me 55 mijë subjekte, kompani dhe të vetëpunësuar, nga 180 mijë në total[1].

Së dyti, u rrit dukshëm numri i punonjësve që paguajnë sigurime shoqërore me 96 mijë kontribuues të rinj nga sektori privat jo-bujqësor, në vitin 2015 dhe 2016 bashkë (nga 420 mijë punonjës të sektorit privat dhe 590 mijë të siguruar në total)[2].

Së treti, u futën dhe u përhapën në masë kasat e shitjes dhe përdorimi i kuponëve dhe faturave me TVSH për blerjet në të gjithë zinxhirin e shitblerjeve, me shumicë dhe me pakicë.

Këto rezultate janë aq masive – shifrat e firmave dhe të punonjësve të formalizuar deri ne fund te 2016-ës janë pothuajse një e treta e totalit të kompanive dhe sa çereku i gjithë punonjësve të sektorit privat (ose një e pesta e totalit të të siguruarve) – sa është e pamundur që ky formalizim të ketë kaluar pa pasur një efekt të ndjeshëm mbi rritjen ekonomike dhe mbi taksat dhe tatimet. Fundja, çdo firme të regjistruar rishtazi i kërkohet të deklarojë xhiron dhe, të paktën, të paguajë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (20%), ashtu si dhe çdo punonjësi të ri i duhet të paktën të paguajë sigurimet shoqërore – ato shëndetësore dhe ato për pension[3].

Por pikërisht kjo gjë duket se ka ndodhur: mungesa pothuajse e plotë e ndikimeve prej operacionit si mbi rritjen ekonomike, ashtu dhe në të ardhurat në buxhetin e shtetit për vitin 2016.

Si shpjegohet kjo mospërputhje?

Sipas vlerësimeve[4] të ndryshme ekonomia informale në Shqipëri, para fillimit të operacionit në shtator 2015 dhe duke përjashtuar ekonominë kriminale, mendohet të ketë qenë të rreth 34% e ekonomisë kombëtare ose barazi me 50% të ekonomisë formale (PPB-së).

Një nga efektet e pritshme të aksionit duhet të ishte, logjikisht, kalimi i të paktën një pjese të ekonomisë së zezë në ekonominë zyrtare, pra si rrjedhim një rritje e konsiderueshme e PBB-së; rritja ekonomike e një vendi është, me përkufizim, rritja ekonomisë formale. Për shembull, nëse gjysma e ekonomisë informale do të bëhej legale, atëherë ekonomia shqiptare ose PBB-ja do të rritej me 25%; nëse vetëm një e katërta do të legalizohej, rritja e PBB-së prej saj do të ishte rreth 12%.

Ish-ministri i Financave Cani i vlerësonte efektet e pritshme të operacionit me 330 milionë dollar të ardhura shtesë në vit në buxhet, ose sa 2.8% e PBB – kjo shifër të shpie në një vlerë të ekonomisë informale barazi me rreth 11% të ekonomisë kombëtare, që ish-ministri shpresonte të kalonte nga informaliteti në ekonominë zyrtare (shteti shqiptar nëpërmjet taksave dhe tatimeve merr pothuajse çerekun e vlerës ekonomike ose të xhiros: 25% e 11% ~ 2.8%). Kjo ulje e informalitetit do e çonte nivelin e ekonomisë së zezë në Shqipëri në nivele të afërta me ato të vendeve të tjera të rajonit[5].

Por, ekonomia zyrtare shqiptare në 2016 u rrit vetëm me 3.4%. Një vit më parë, në 2015, rritja ekonomike ishte 2.6%, dy vite më parë ishte 2.1%. Pra një ndryshim prej vetëm 0.8% në rritjen e PPB-së nga rritja e një viti më parë. Ky ndryshim është aq i ulët dhe aq larg nivelit 10%, sa kjo rritje fare mirë mund të ketë ardhur edhe nga efekte të tjera në ekonomi, që nuk kanë lidhje fare me anti-evazionin.

Po ashtu dhe të ardhurat shtesë në buxhetin e vitit 2016 ishin vetëm në nivelin e atyre të viteve më parë: 170 milionë Euro rritje në 2016 kundrejt 91 milionë rritje në 2015 apo 282 milionë rritje në 2014. Nëse zbresim të ardhurat shtesë nga ndërmarrjet shtetërore dhe rimbursimet[6] e pritshme, shtesa e të ardhurave në buxhet bëhet edhe më e ulët. Në 100 milionë Euro të ardhura shtesë është vështirë të gjenden efekte të tjera, përtej rritjes normale së të ardhurave që vjen nga rritja ekonomike vjetore dhe prej efekteve të inflacionit.

Shpjegimi i kësaj mospërputhjeje duhet kërkuar te ndikimi i faktorëve të tjerë, negativë, që çuan në rënie ekonomike dhe në ulje të të ardhurave nga taksat dhe tatimet në nivele të tilla, sa ato kompensuan efektet pozitive të ardhura nga formalizimi i subjeketeve ekonomik dhe i punonjësve informalë[7].

Një nga këta faktorë duhet të jetë fshehja e të ardhurave reale të biznesit, për qëllim të uljes së taksave dhe të tatimeve, nga ana e subjekteve ekonomike – atyre ekzistuese dhe atyre të formalizuara rishtazi. Pra, kundrejt uljes së informalitetit në njërën anë, kemi rritje të evazionit në anën tjetër. Këtu hyjnë p.sh. prerja e kuponëve dhe lëshimi i faturave të shitjes me vlerë më të ulët se sa ajo reale, ose rritja artificiale e shpenzimeve të biznesit, si dhe deklarimi i mallrave të importit në doganë me një vlerë më të ulët se sa çmimi real i importit, duke ulur kështu TVSH-në dhe taksat e tjera.

Një shkak tjetër për mospërputhjen duhet të jetë fokusimi i gabuar i operacionit tek biznesi i vogël – tregtarë të pakicës dhe të vetëpunësuarit – por jo te biznesi i madh, ai që mban pjesën e luanit në nivelin e evazionit dhe të informalitetit (p.sh. xhiroja vjetore e një Bankers-i me 500 milionë dollarë në vit është e barabartë me xhiron e 25 mijë bizneseve të vogla, secila me 20 mijë dollarë xhiro në vit, të mara së bashku).

Si ky shkak, ashtu dhe ai i fshehjes së të ardhurave reale të bizneseve tregojnë shumë, në fakt, për nivelin e ulët profesional të administratës tatimore në njërën anë, dhe për përgatitjen e dobët paraprake të operacionit anti-evazion në anën tjetër.

Por faktori më negativ, që, për mendimin tim, shpjegon dhe paradoksin, duhet të jetë likuidimi i një numri të konsiderueshëm kompanish si pasojë e operacionit – kompanish të rregullta dhe informale – me efekte direkte dhe indirekte në ekonominë kombëtare dhe në rritjen ekonomike të vendit.  Janë disa të dhëna dhe indicie, si dhe disa vlerësime indirekte, që tregojnë se një proces i tillë eliminimi ka ndodhur gjatë këtij operacioni në ekonominë shqiptare:

Së pari, është numri rekord i bizneseve të rregullta të çregjistruara – pothuajse 15 mijë – në muajt pas fillimit të operacionit dhe në vitin 2016, si dhe numri akoma më i madh – mbi 20 mijë vetëm në vitin 2016 – i bizneseve që kaluan në status pasiv, pra ndaluan dorëzimin e bilanceve dhe pagesën e detyrimeve pranë zyrave të tatimeve. Me tendence rritëse: vetëm në pesë muajt e fundit të vitit të kaluar mbi 10 mijë firma kaluan në statusin pasiv. Dy mijë biznese që pezullojnë aktivitetin çdo muaj! Sot më shumë se gjysma e kompanive të regjistruara kanë pushuar aktivitetin ekonomik, nga 28% që ishin në 2014.

Së dyti, ka indicie për një numër të lartë të punonjësve të çregjistruar nga sigurimet shoqërore të bizneseve të rregullta, po ashtu në muajt e parë pas fillimit të aksionit. Në një email të brendshëm të ish-Drejtoreshës së Tatimeve, Shehaj, në nëntor 2015 flitet për mbi 70 mijë vende pune të shkurtuara dhe me punonjësit të çregjistruar përkatësisht nga Sigurimet në vetëm dy muajt e parë pas fillimit të aksionit – në shtator dhe në tetor 2015. Pas kësaj nuk pati më informacione të mëtejshme dhe numri i punonjësve të shtuar në ISSH është vetëm një numër neto, që nuk dallon më vete hyrjet dhe daljet në regjistër.

Së treti, duhet të ketë pasur një numër të konsiderueshëm biznesesh informale – dyqane të vogla dhe të vetëpunësuar – të cilat thjesht zgjodhën që të mbyllin aktivitetin e tyre me fillimin e operacionit. Këto ishin ato biznese të cilat mezi mbaheshin mbi ujë dhe ku taksat e shmangura ishin fitimi i vetëm i biznesit, pra ata sipërmarrës për të cilët kostot e lidhura me formalizimin – kasa, mbajtja e llogaritarit, e inventarit dhe librave të llogarisë – ishin aq të larta, sa vazhdimi i biznesit bëhej pa leverdi. Duke u nisur nga përhapja që kishte dhe ka biznesi i vogël dhe i të vetëpunësuarve në Shqipëri, si dhe nga paniku që shoqëroi operacionin sidomos në javët dhe në muajt e parë tij, ky numër mund të shkojë pa frikë në disa mijëra subjekte që e mbyllën aktivitetin e tyre ekonomik pa kaluar fare nga zyra e regjistrimit.

Së fundmi ka dhe një numër indiciesh të tjera si p.sh. rritja rishtazi e nivelit të kredive të këqija në fillim të vitit 2016 ose rënia e konsumit të energjisë elektrike nga ana e bizneseve, që tregojnë që ekonomia shqiptare kaloi një periudhë krize gjatë këtij viti.

Ndikimet nga ky eliminim i bizneseve mbi rritjen ekonomike të vendit dhe mbi buxhetin kanë qenë të dyanshme: falimentimi i kompanive të rregullta pati ndikim direkt duke zvogëluar ekonominë dhe duke ulur të ardhurat ne buxhet, ndërsa likuidimi i bizneseve informale krijoi efekte indirekte, nëpërmjet uljes së xhiros tek furnitorët të tyre si dhe nëpërmjet uljes së konsumit personal dhe familjar të këtyre ish-sipërmarrësve.

Vlerësimi i saktë i dëmit nga operacioni mbi ekonominë shqiptare është i pamundur, për vetë natyrën informale të aktiviteteve ekonomike të prekura, si dhe nga mungesa e të dhënave të detajuara nga ana e Regjistrit Kombëtar të Bizneseve. Duke supozuar që, në vija të trasha, një në çdo katër biznese informale u mbyll pa u legalizuar fare, pra rreth 15 mijë biznese që iu shtohen 35 mijë firmave të çregjistruara dhe me pezullim aktiviteti, numri në total shkon në 50 mijë firma të prekura. Duke marrë si referencë xhiron vjetore të një biznesi të vogël, pra 20 mijë dollarë, dëmi mund të shkojë deri në 1 miliard dollarë në vit ose sa 10% e PBB-së.

Sot, pothuajse dy vite pas fillimit të operacionit, mund të thuhet që ai u planifikua keq, u nis në në një moment të papërshtatshëm – në mes të vitit fiskal dhe në një situatë krize për ekonominë shqiptare – dhe u zbatua edhe më keq, nga një administratë jo-profesionale dhe e pamotivuar, në stilin e aksionit “me goditje të përqendruar” kryesisht mbi biznesin e vogël dhe të vetëpunësuarit, me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë shqiptare.

Aksioni nxori vërtet një numër të madh firmash dhe punonjësish nga informaliteti në ekonominë formale, por ai njëkohësisht likuidoi po ashtu një numër të lartë subjektesh të rregullta dhe informale, pra në vend që të çonte në kalimin e tyre nga ekonomia e zezë në atë zyrtare, ai çoi në fakt në eliminimin e një pjese të konsiderueshme të ekonomisë kombëtare. Në vend të një batice, që vjen ngadalë dhe bën presion konstant për të nxjerrë “mbi ujë” bizneset informale dhe xhiron e fshehur, operacioni i ngjau më tepër një cunami të rrëmbyeshëm, qorrazi, që jo vetëm shkatërroi shumë nga bizneset e fshehura por që fundosi dhe shumë prej firmave të rregullta.

Si shkarkimi i ish-ministrit të Financave, vetëm gjashtë muaj pas fillimit të aksionit, ashtu dhe pranimi nga ana e Ramës, edhe pse me gjysmë zëri, i rezultateve të pakënaqshme nga reforma kundër informalitetit nuk rregullojnë dot gjë në dëmet dhe pasojat që ky aksion i shkaktoi ekonomisë shqiptare. Rritja prej 3.4% e ekonomisë zyrtare për 2016, me të cilën krenohet qeveria, është më tepër një gjethe fiku që nuk mbulon dot as dështimin e “anti-evazionit” dhe as tkurrjen e ekonomisë kombëtare, si pasojë direkte e këtij operacioni.


[1] 39 mijë subjekte në 2015 dhe pothuajse 16 mijë në 2016.

[2] INSTAT: TË DHËNA ADMINISTRATIVE TË TREGUT TË PUNËS/Punësimi sipas burimeve administrative dhe sektori bujqësor T1 2012 – T4 2016

http://www.instat.gov.al/al/themes/tregu-i-punës.aspx?tab=tabs-5

[3] Kjo vlen edhe në rastet se punonjësi nuk paguan tatim mbi të ardhurat, kur rroga është nën nivelin minimal për tatim.

[4] Vlerësimet shkojnë nga 30% deri në mbi 50% të ekonomisë kombëtare:

https://www.s-ge.com/sites/default/files/cserver/publication/free/wirtschaftsbericht-albanien-1606.pdf

http://www.auswaertiges-amt.de/DE/Aussenpolitik/Laender/Laenderinfos/Albanien/Wirtschaft.html

http://www.sueddeutsche.de/wirtschaft/groesste-schattenwirtschaft-europas-deutschland-arbeitet-schwarz-1.1695472-2

[5] Informaliteti në vendet e Evropës Juglindore luhatet rreth 30%, në BE në nivelet 19 -20% të PBB-së.

http://www.handelsblatt.com/politik/international/studie-schattenwirtschaft-in-europa-geschrumpft/8169978.html

[6] Rimbursime prej 37 millionë Euro për Bankers dhe 17 milionë për TAP.

[7] Duke përjashtuar këtu gabimet statistikore; rritja ekonomike edhe mund të ketë gabime në vlerësim për vetë mënyrën se si ajo llogaritet, por të ardhurat në buxhet janë faktike, pra nuk lënë hapësirë për luhatje statistikore.

4 Komente

  1. Gjilpera, te dhenat dhe perfundimet e tua me konfirmojne parashikimet e nje miku tim, ekonomist italian, mbi reformen e Rames, pra rritje te treguesve formale te zhvillimit ekonomik, por renie te ekonomise reale. I vetmi efekt pozitiv, sipas mikut tim, mund te ishte nje rritje e te ardhurave ne buxhetin e shtetit, çka, gjithmone sipas tij, ishte edhe synimi i vertete i qeverise. Me fjale te tjera, miku im mendonte se autoret e reformes e prisnin nje rezultat te tille negativ per ekonomine e vendit, por shpresonin qe te rrisnin te ardhurat ne buxhet “duke futur duart ne xhepat e shqiptareve”, çka mua asokohe me dukej nje paradoks, pasi mendoja se te ardhurat e buxhetit jane ne raport te drejte me zhvillimin e ekonomise reale.

    Te vijme tani te pyetja ime:

    Keto rezultate qe parashtron ti normalisht do te sillnin si pasoje rritjen e pakenaqesise se qytetareve, pra edhe nje renie te elektoratit te PS-se. Mirepo sipas sondazheve qeveria nuk ka humbur elektorat dhe parashkimet jane qe te fitoje perseri zgjedhjet. Si e shpjegon ti kete?

    1. Mund te shpjegohet me genjeshtren e madhe se “po behet shtet” dhe me shpenzimet e medha per zbukurimin e disa shesheve. Pervec se televizori gelon nga surrati i Velise apo Rames, qe shpikin cdo dite lajme. Jane bere me keq se Berisha qe shkonte ne cdo ingaruim, e ndonje rruge e peruroi tre a kater here.
      Sidoqfte, ne lidhe me temen, te ardhurat ne buxhet nxjerrin genjeshtrat edhe te djathteve qe mendojne se tregtaret po rendohen nga taksimi e si pasoje po ndikohet konsumi etj., se nese nuk paguhen taksat, cfare dreqin i rendon ata? Levizja e Bashes eshte e zgjuar ne kete rast, se po premton te mos coje taksidare neper biznese te vogla (prape rrumpalle?).

    2. Me sa mund të gjykoj nga largësia mbi elektoratin në Shqipëri – nga komunikimi me miq dhe të afërt aty dhe nga leximi i mediave shqiptare – pakënaqësia me Ramën dhe me qeverisjen e tij në këto kater vite është aty: ekziston dhe shprehet dukshëm madje dhe nga njerëz që unë i njoh si votues tradicionalisht të majtë. Por përgjigjia që më japin, kur i pyes për zgjedhjet, është “Ore këta nuk e meritojnë fare por kujt tjetër t’ia japim votën?!”.

      Problemi besoj se është mungesa e alternativave të besueshme dhe unë përgjegjësinë kryesore për këtë mungesë e shoh te Basha, që nuk arriti në këto kater vite që ta kthente PD-në, si forcën kryesore opozitare, në një alternativë të tillë për shumicën e shqiptarëve. Edhe pse Rama me gafat që bëri gjatë qeverisjes së tij i dha çdo shans Bashës për tu profiluar dhe të përfituar, si ai vetë ashtu dhe PD-ja. Nuk e kam fjalën këtu vetëm për batërdinë e Ramës me anti-evazionin, por për një sërë gafash dhe poshtërsish të qeverisjes së tij: tolerimi i drogës, pabesia me ligjin e plehërave, pafytyrësia me koncesionet, gënjeshtra me mbylljen e kazinove, 100 mijë të emigruarit etj.

      Basha nuk arriti ta shkëpuste PD-në nga kapja prej Berishës, edhe pse ky nuk është më që prej 4 vitesh më në krye e të saj. As nuk bëri ndonjëherë distancimin e tij dhe të PD-së nga “bëmat” (gjëmat!) e Berishës në vitet kur ishin në pushtet (Gërdeci, 21 Janari…). As bëri ndonjë politikë opozitare aktive, por u muar shumicën e kohës me xic-mic-e pa bukë me kundërshtarërt e tij brenda PD-së. Basha u kujtua vetëm në momentin e fundit, si të thuash, një minutë para se të mbyllej dera dhe të filllonte filmi, që zgjedhjet ishin vetëm disa javë larg dhe, për mendimin tim, në panik e sipër vendosi të hyjë në çadër dhe “të dal, ku të dal”. Po ashtu dhe spastrimi që bëri me listat e kandidatëve – hoqi gjithë kundërshtarët brenda PD-së, madje dhe ata të moderuarit, por la brenda Berishën. Për votuesit e pakënaqur me Ramën, por jo mbeshtetës tradicionalë të PD-së altenativa që u ofrohet duket si: “Votoni Bashën, merrni (prapë) Berishën”.

      Gjithnjë, nëse sondazhet janë bërë me ndershmëri dhe nëse e ruajnë vlerën deri ditën e zgjedhjeve… (këtu në vendin ku jam unë, sondazhet para disa javësh parashikonin një avantazh prej 20% për partinë në pushtet, por diferenca u tret në 2% në ditën e zgjedhjeve, dhe nga fitore e thellë për kryeministren, loja përfundoi në remi… 🙂 )

  2. Evazioni po na lodh/ evazioni po na shkund/ nuk po dime ku ka brimen/ s’po e gjejm nga na humb!// Me ne fund ja e gjetem/ ne cdo xhep qytetari/ kush me pak e kush me shume/ te na rroje kryetari!
    Te na rroje e keqja me e vogel ne kete vend!

Lini një Përgjigje te durimpakuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin