PUNË KALAMAJSH

“Punë kalamajsh!” ose “Muhabet kalamajsh!” është një frazë që në shoqërinë tonë haset rëndom në diskutime, kryesisht midis personave të rritur e të përgjegjshëm. Kjo qasje kaq patronizuese, pedante, përjashtuese dhe njëkohësisht fyese vjen prej palës që refuzon të respektojë rregullat bazë të debatit racional, duke përdorur akuza ad hominem, ku vëmendja përqendrohet te personi dhe ndonjë karakteristikë e tij anësore (si mosha në këtë rast) dhe jo te çështja që është sjellë në diskutim. Nga emisionet televizive, te rrethet e ngushta shoqërore apo betejat virtuale të Facebook-ut, kjo frazë ulet këmbëkryq në debat duke ia zënë këtij frymën. Pse ndodh kjo?

Hipoteza e parë: Mungesa e argumenteve logjike dhe/ose e një informacioni më të thelluar mbi temën, e redukton diskutimin në një konflikt absurd pasiv-agresiv, ku pala humbëse refuzon ta pranojë humbjen dhe i kanoset kundërshtarit me qëllimin për ta mposhtur atë nëpërmjet “njollosjes”, në rastin tonë duke e nxjerrë këtë të fundit si të parritur, për pasojë, të paaftë për të menduar në mënyrë serioze, për t’u angazhuar në një debat dhe për të mbajtur qëndrime. Mbi të gjitha, këtu kemi të bëjmë me një marrëdhënie që vendoset jo vetëm me subjektin që diskriminohet, por me diskriminimin në vetvete si sjellje, ide dhe besim prandaj “kalamani” fare lehtë, në një rast tjetër mund të zëvendësohet me “grua”, “katunar” (“malok”), “rom”, “emigrant”, “homoseksual”, etj.

Hipoteza e dytë: Në komunikimin e sotëm të shqipes, fjala “kalama” mbart kryesisht konotacion tallës që u atribuohet të vegjëlve kryeneçë, të llastuar, të papjekur dhe rëndom përdoret për t’iu referuar personave të rritur që shfaqin sjellje të ngjashme. Cilësimi për tjetrin si “kalama “nuk komunikon moshën e tij të re, por infantilizmin në gjykim dhe sjellje. Kalamani perceptohet si qenie inferiore, e pagdhendur dhe aspak serioze. Përndryshe, ekziston fjala “fëmijë” (në rast se kemi të bëjmë me fëmijë) ose “i ri” çka i referohet drejtpërdrejt moshës së dikujt. Zgjedhja pikërisht e fjalës “kalama” ka për qëllim poshtërimin e tjetrit, përjashtimin e tij në mënyrë sa më bindëse (një kalamani s’mund t’i merret për bazë asgjë që thotë!), distancimin prej tij dhe pasqyrimin e vetes si serioz, të ditur, të matur.

Hipoteza e tretë: Në kulturën tonë fëmijët nuk dëgjohen dhe nuk respektohen. Ata janë subjekt pothuajse i papërfillshëm, ku shkarkohet i gjithë autoriteti prindëror ose institucional (edukatorja, mësuesi, etj.). Përgjithësisht fëmijët trajtohen si të paaftë për të logjikuar, si qenie që thjesht s’kuptojnë. Diskutimi me ta nuk themelohet mbi respektin, sepse atyre nuk u njihet barazia në trajtim, sikurse kjo nuk i njihet në përgjithësi Tjetrit, në anët tona. Është gati e pamundur që të pranohet një mendim i vyer dhe i pjekur që një fëmijë në rrethana të favorshme ose jo ia ka dalë të zhvillojë. Edhe kur fëmijët s’trajtohen si të mangët, ata trajtohen si kukulla, çfarë nënkupton një formë disi më të zbutur të mangësisë tyre të imagjinuar. Marrëdhënia me tjetrin si kalama nënkupton njëkohësisht edhe marrëdhënien që si shoqëri kemi vendosur me fëmijët. Madje, pikërisht sepse fëmijët perceptohen kësisoj, do të na duket pastaj më e pranueshme dhuna ndaj tyre (si mjet edukimi).

Hipoteza e katërt: Shoqëria shqiptare është shoqëri e dhunshme, ku imponimi, presioni dhe në rastet ekstreme dhuna fizike gëzojnë popullaritet si mënyra për ta bindur tjetrin, për t’i ndryshuar mendim ose për ta orientuar atë në rrugën që personi tjetër, i cili ndodhet në pozita pushteti ose autoriteti, e konsideron të drejtë dhe të mirë. Refuzimi për të diskutuar, për të dëgjuar mendimin ndryshe dhe për të mos u fokusuar te çështja e sjellë në vëmendje, pasqyron një tjetër formë dhunimi të tjetrit dhe hapësirës së përbashkët komunikuese.

Në shoqëri të mbyllura dhe jotolerante, prirja për dhunë është më e madhe sesa prirja për të komunikuar, pa çka se të komunikosh do të thotë të dëgjosh, të përpiqesh të kuptosh dhe të shtrosh ura lidhëse me bashkëbiseduesit, jo t’i përjashtosh ata; dhe se ta shtypësh një ide pa e trajtuar atë, vetëm sepse kjo e fundit mund të sfidojë status quo-në apo egon e çeliktë të dikujt, është pasqyrim pasigurie dhe frike. Por në shoqëri të tilla edhe debatet më të rëndomta shërbejnë më shumë për vendosjen dhe riprodhimin e marrëdhënieve vertikale të autoritetit dhe të pushtetit brenda grupit, prandaj edhe substanca e debatit vlen aq sa ç’i hyn në punë këtij synimi të fundit.

2 Komente

  1. Ka edhe një hipotezë të pestë ndoshta, që thjesht një “kalama” nuk ka mjaftueshëm eksperiencë të fituar jetësore (pikërisht për shkak të moshës), ndaj edhe muhabetet/veprimet që këta të fundit mund të bëjnë, mbartin në vetvete një papjekuri të përgjithshme.

    Disa pika të shkrimit edhe bëjnë sens eo ipso, ndoshta jo të lidhura në mënyrën se si i ke trajtuar ama (që dmth, është e vërtetë që përgjithësisht fëmijët nuk dëgjohen; është e vërtetë që kemi një prirje drejt dhunës etj.), por nuk arrij dot të gjej se si nga “diskutime që i has rëndom” (për më tepër “nga persona të rritur dhe të përgjegjshëm”), arrin në disa hipoteza që … nuk e di d.m.th.

  2. Më vjen keq Gresa, po nuk e kuptoj thelbin dhe qëllimin e shkrimit. Nuk është gjë e panjohur që në debate shpesh ngrihen argumenta ad hominem, dhe dëgjohen gjëra më të rënda se thjesht një krahasim me fëmijë. Kultura e debatit në Shqipëri është ende në gjenezë dhe patjetër që ka probleme, po nuk kuptoj pse ke zgjedhur të trajtosh pikërisht përdorimin e këtij togfjalëshi dhe nuk kuptoj me c’bazë e lidh këtë shprehje me hipotezën që shoqëria shqiptare është e dhunshme ose në përgjithsi me gjithë hipotezat që ke ngritur (nuk di nëse mund të quhen hipoteza sepse nuk trajtojnë fare problemin që ke ngritur në paragrafin hapës. Përvec së parës, të tjerat janë thjesht denoncime subjektive, të pabazuara).

    Me c’kuptoj ke dashur të denoncosh cenet e kulturës së debatit në Shqipëri, dhe jam dakord është dicka që duhet bërë, po jo duke kryer kapërcime të në përpjekje përt të ilustruar përdorimin e një togfjalëshi si urë lidhëse midis problemeve në kulturën e debatit me problemet e mentalitetit të shoqërisë të cilën nga ana tjetër e lidh edhe me shpërfilljen e opinioneve të fëmijëve. Ndonëse vërtet mund të ketë një urë lidhëse, mendoj se duhet një studim I mirëfilltë antropologjik për ta përcaktuar dhe jo një kapërcim logjik. Duket më shumë një turli nevrike mendimesh sesa një shkrim që studion vërtet përdorimin e një shprehjeje ose që denoncon kulturën e debatit shqiptar.

    Edhe vetë shprehja që ke zgjedhur si ilustruese e urës lidhëse, më duket e pagoditur. Krahasimet me fëimjë janë dicka që përden shpesh të paktën edhe në anglisht. “Stop acting like a child”, “You’re being childish” etj, janë shprehje të rëndomta në anglisht të cilat, si shprehja shqip, bëjnë një krahasim të personit që I drejtohen me fëmijën. Jam I sigurt që në shumicën e gjuhëve në botë ka një shprehje të ngjashme. Përse përdoret ky krahasim nuk mund të them, po mendoj se duhet të ketë të bëjë me atë që ka thënë Albi te komenti më sipër.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: