MENDIME TË PAKREHURA (XXI)

[nga Stanislaw Lec*]

Edhe snajperi nuk mund ta mbajë shikimin të ngulur tek e shkuara.

Provinca intelektuale – orvatje për të menduar larg trurit.

Në fillim ishte Fjala. Vetëm më vonë arriti Heshtja.

Masa më e mirë e një epoke: distanca mes një shkurtabiqi dhe një gjigandi.

Shkrimtarët satirikë duhet ta mprehin gjuhën në gurin filozofik.

Bota nuk ia fal dot kurrë atij që nuk është fajtor për asgjë.

Argumenti i përhershëm i xhuxhëve: “Ne jemi më afër tokës.”

Korrektësia artistike ndonjëherë nuk e lë artistin që të lindë.

Më shumë se një herë, populli e ka bartur harkun e triumfit si të ishte zgjedhë.

Të krijosh personazhe dhe t’i braktisësh në fatin e tyre? Këtë vetëm një shkrimtar klasi mund ta bëjë.

Të këndojmë për shurdhët? Pse jo, por le të sigurohemi më parë që janë të gjithë shurdhë.

Edhe ferri nuk është i mbrojtur nga njeriu: ka depozita të pasura squfuri.

Artisti i frymëzuar është plagjiator i vizioneve të veta.

Dyshoj se në majë të pemës gjenealogjike të markezit De Sade është Jobi.

Pas artistit gjendet gjithnjë dikush. Mundësisht ai vetë.

Mos e shkruaj Kredon në dysheme!

Po sikur të ishim thjesht kujtimet e ndonjërit?

Fshihej prapa gjuhës, që ia tregonte botës.

Perandorët zakonisht vrasin miqtë. Sepse janë armiq.

Gjatë djegies së getos, shumë i nxorën gështenjat nga zjarri.

Një ide: ta kesh!

Njeriu i ka flatrat, por nuk është ëngjëll.

Kur frika zbehet, ka nevojë për gjak.

Ekzistojnë parodi të çfarë nuk ekziston.

Shekspiri ndoshta nuk ishte Shekspiri. Por ky tipi me siguri nuk është.

“Po më rriten flatrat,” tha miu. Po pastaj, zoti lakuriq nate?

Balta ndonjëherë krijon përshtypjen e thellësisë.

Mendimet kërcejnë nga njëri tek tjetri, si pleshtat. Por nuk i pickojnë të gjithë.

Shkronja e ligjit duhet futur në alfabet.

Edhe fytyrat prej bronzi shndrisin.

Edhe fjala mund të ta lidhë gojën.

“Ia vjen të jesh kukull për kaq pak kohë?” pyes veten, kur shoh fëmijët të bëjnë një njeri prej bore, në dimër.

Kujtimet e kujtimeve janë prekëse.

Ka trurin e pulës, thuhej për shqiponjën.

U fryjmë ne vetë velave tona.

Urtësia e mirëfilltë nuk largohet kurrë nga koka.

Thuaj gjëra të mençura, armiku të dëgjon.


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: