E KEQJA E MBRETIT

nga A.A.B.

Këto ditë fund-maji kanë qenë pak më të pazakonta se zakonisht në Tiranë. Pa u shpëlarë akoma mirë hija e zulmëmadhes çadër opozitare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit,[1]” një miting para-elektoral i demokratëve të sapo-evakuuar bie prè e një sulmi të mistershëm kimik[2]: diçka mbi njëqind pjesëmarrës, përfshirë kryetarin Basha, përfundojnë në spitale me inflamacione të lëkurës, të cilat shtangin hëpërhë fushatën e padirsur mirë. Sikur të mos mjaftonte as kjo, menjëherë pas na u dhurua spektakli i një liste kandidatësh parlamentarë demokratë që lëshon emrat që e përbëjnë si sita ujët[3]. Në të majtë e në të djathtë flakërijnë ndritshëm akuza të ulërira, ri-inkriminime po aq (gjoja) histerike, thirrje tallëse apo serioze për largim e, në fund, një dorë e mirë dorëheqje. Me pak fjalë, një katrahurë e një madhësie parësore, paçka mungesës pothuaj të plotë të shpresës për një ndryshim politik në të ardhmen e afërt.

Disfunksionaliteti i paramenduar dhe aksidental i institucioneve në nivel shtetëror dhe atë partiak, ka sjellë gjithashtu një protagonizëm më të theksuar të ofiq-mbajtësëve, sidomos mes përfaqësuesve të popullit në ardhje apo në largim. Kjo, ndoshta, mund t’i atribuohet pikërisht protestës opozitare të muajve të fundit, në të cilën përfaqësuesit e lartë të Partisë Demokratike në shtet u bashkuan me qytetarët e thjeshtë pjesëmarrës për të rrëzuar në një mënyrë apo një tjetër qeverinë ‘Rama.’ Në terma politikë, argumentimi shkon pakashumë kështu: duke qenë se demokracia përfaqësuese në themel të institucioneve tona republikane u sabotua, deformua dhe shfrytëzua për të çimentuar autoritetin e një njeriu të vetëm, kreut aktual të qeverisë, në një masë të atillë që shpërfill vullnetin e qytetarisë (citoyenneté), atëherë ajo humbet legjitimitetin e vet si rojtare e kontratës sociale të RSH-së. Rrjedhimisht, trupi politik (body politic) shqiptar ka të drejtën nominale të mblidhet në një kuvend të ri dhe të ripërcaktojë kushtet e kësaj kontrate për të korrigjuar deficiencën demokratike në origjinë të problemit.

Do të ishte e pazakontë sikur të gjendej një njeri i vetëm në kampin e deri djeshëm opozitar që t’i bashkëngjitej këtij argumentimi. Kjo për arsyen e thjeshtë se pakica numerike e votuesve të përfaqësuar nga PDSH janë të detyruar a priori të mbështeten në deficiencën demokratike të lartpërmendur për të ardhur në pushtet në një të ardhme të parashikueshme. Ka edhe një aspekt të dytë, bezdisës, të njohjes dhe legjitimimit nga e para të regjimit të ri hipotetik dhe shtyrjes me afat të papërcaktuar të proceseve të adhuruara euro-atlantike. Hamendësimi merr për të mirëqenë, për hir të argumentit, mjaftueshmërinë e intelektit dhe pjekurisë politike në Shqipëri për të realizuar objektivin e një demokracie më të përkryer në vend. Ndërkohë, çdokush që ka një ide sado të mjegullt të situatës shqiptare di se ligjësitë republikane nuk zbatohen, së paku pjesërisht, për shkak të një leximi të tyre si tepër ‘idealiste’ për realitetin shqiptar.

Sidoqoftë, fenomeni i delegjitimimit dhe mosbindjes civile nga një organizatë e madhe politike si Partia Demokratike e ka një filozofi të tillë politike në brendí. Grupi opozitar që mbështeti manifestimin tek çadra përballë selisë së Këshillit të Ministrave rrjedhimisht bëri kapërcimin kyç nga opozita besnike (loyal opposition[4]) në atë jo më besnike (disloyal opposition), apo edhe tradhtare. Pavarësisht nga refuzimi opozitar vetëm i kabinetit qeveritar—fjala vjen—dhe jo parimit parlamentar në tërësi, apo pikërisht abuzimit të sistemit tonë zgjedhor dhe jo i vetë ceneve të tij si të pariparueshme, legjitimiteti i Republikës cungohet në mënyrë të papranueshme. Përdorimi retorik i togfjalëshit “Republika e Re[5]” është i mjaftë për të arritur në përfundimin se ndryshimet strukturore dhe organizative të shtetit që ky përfshin janë të thella, ndoshta radikale.  Prandaj, është krejt e arsyeshme që grupi i njerëzve në dhomën e motorëve të ndryshimit të pritshëm—mes të cilëve përfaqësuesit e tyre në institucionet aktuale (jolegjitime)—të përbuzin postet dhe ofiqet e pjella nga një rend demokratik që ka dështuar.

Ironikisht, mënyra e afirmimit publik të trupit politik opozitar dhe vendosmërisë së tij (prej letre) për rrëzimin e Republikës siç qëndron, ishte një pun (shaka e përftuar nga homofonia) i vetvetes. Siç u përmend këtu[6] në PTF më parë, personi i monarkut përbëhet nga trupi i tij njerëzor dhe ai mbretëror. I dyti mbart gjithë pushtetin, tiparet dhe fuqitë e tërë lisit të gjakut që ishte zgjedhur nga Perëndia për të sunduar mbi të vdekshmit e thjeshtë. Jo më kot ish pagëzuar sëmundja e skrofullës King’s Evil[7]; vetëm dhurata hyjnore (divinitus) e sovranit mund të shëronte të sëmurët dhe kështu të manifestonte para nënshtetasve Dei gratia-n (hirin e Zotit) mbretërore. Natyrisht, praktika u vra pa shumë zhurmë kur filloi të bëhej qesharake e të dëmtonte prerogativën sovrane të mbretit, por parimi i character angelicus (vetisë ëngjëllore) të monarkut u ruajt. Ç’është më shumë, ai u identifikua aq shumë me të drejtën për të qeverisur sa u kalua, me formë dhe terminologji të ndyshuar, tek sovrani i ri jo-hyjnor—populli.  

Ka një hipotezë se formulimi i parë i sovranitetit popullor, body politic, huazon më tepër sesa një metaforë nga trupi i dyfishtë monarkik. Në fakt, nëse zëvendësojmë hirin e Zotit me vullnetin e Popullit—edhe ky me shkronjë të madhe në traditën anglo-saksone—është e vështirë të dallosh se ç’i është lënë mbretit, më përjashtim të detyrimit të shërimit të lloj-soj sëmundjeve. Ironia e sëmundjes së trupit hyjnor të mbretit ishte e njohur, ndoshta, kur praktika ishte ende gjallë. Volteri thuhet të fjalosë për një mikeshë ‘zemre’ të Luigjit të XV që vdiq prej skrofullës, megjithë prekjen e përsëritur të mbretit[8]. Në ditët tona, ironia është më pak e dukshme e, prapëseprapë, murtaja e mistershme që ka zënë trupin hyjnor të sovranit pak ditë të shkuara duhet të shkaktojë ca pak ngërdheshje. Në mos këto, së paku të shërbejë për ogur të zi e shenjë të pakënaqësisë hyjnore për aferat që u bënë në afërsi të asaj çadre.

Mund të kish qenë me vend që, në vend të QSUT-së, të prekurit të kishin shkuar në Pallatin Mbretëror për të kërkuar një audiencë të posaçme me Princin—sa për të plotësuar batutën, kuptohet. Lartësia e Tij Mbretërore shëron dot sa kohë nuk është kurorëzuar e bekuar me Ujë të Shenjtë. Në retrospektivë, edhe kjo duhet të kishte qenë një nga kërkesat e marrëveshjes së 18 majit, me gjasë ndër ato më me vlerë.


[1] http://www.gsh.al/2017/05/19/rama-nxori-me-qera-cadren-e-opozites-ja-kush-veteofrohet-per-ta-marre/

[2] http://telegraf.al/politike/misteri-ne-mitingun-e-opozites-mbi-140-te-helmuar

[3] http://www.m.lapsi.al/lajme/2017/05/29/lista-t-gjith-emrat-e-larguar-nga-lista-e-pd-s

[4] https://www.merriam-webster.com/dictionary/loyal%20opposition

[5] https://republikaere.al

[6] https://peizazhe.com/2017/05/28/e-veja-dhe-dy-trupat-e-patriarkut/#_ftn5

[7] http://www.sciencemuseum.org.uk/broughttolife/techniques/kingsevil

[8] Hampson, Norman; Crook, Malcolm; Doyle, William; Forrest, Alan I. (2004). Enlightenment and Revolution: Essays in Honour of Norman Hampson. Ashgate Publishing, Ltd. p. 60. ISBN 0754606821.

12 Komente

  1. Megjithse intelekti i Lul Bashes eshte midis atij te Gezim Palluqes dhe Gezim Kulufit, (pak me i zgjuar se i pari dhe me budalla se i dyti, -ndjese paste dhe u kujtofte per mire Kulufi), prokuroria duhet ta hetoje sa me mire helmimin e mitingut, pasi ky fenomen tregon se ky vend eshte hapur pak si shume! Ne kete rast nuk ka rendesi as Luli dhe as partite politike, por vendi dhe shoqeria ku gjinden!
    Ne paragrafin e katert me duket se identifikimi i PD-s si nje organizate nuk shkon, sepse kategoria “organizate” nuk mund te konfondohet kurre me kategorizimin “parti”; -ky i fundit pa problem dhe me te drejte eshte konfonduar ne paragrafet e tjere me kategorizimin “grupim”, “grupim politk”, “demokrate”, “kampi”, e ndonje tjeter. Ndersa me “organizate” me duket e gabuar llogjikisht (juridikisht).

  2. Natyrisht, hetimi serioz i helmimit të opozitës është një detyrë parësore e Prokurorit të Republikës, nëse ka patur qëllim kriminal. Nga ana tjetër, shkrimi im ishte sarkastik dhe argumenton diçka ndoshta fare të kotë në vetvete, por kureshtare. Kam një padurim ndaj pozicioneve politikisht korrekte, përsa kohë kam mundësi të vërdallosem intelektualisht nëpër lëndina gjumashe. Edhe e mësipërmja ishte një e tillë.

    Pa dashur të bëhem pedant, por më duket se shkëmbyeshmëria – jo ‘konfondimi’ – midis fjalëve “parti” dhe “organizatë” është e përligjur. Kategoria e partive – nëse duam t’a quajmë kategori – bën detyrimisht pjesë në rendin e organizatave.

    Sjell në vëmendje këtu përcaktimin e Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe (versioni në linjë), i cili haptazi nuk është përditësuar prej botimit të 1984-s:

    ORGANIZATË f.

    1. Bashkim politik a shoqëror, që ka qëllime të caktuara, zhvillon veprimtari të rregullt dhe vepron sipas normave të vendosura në statutin ose në rregulloren e vet. Organizatë politike (shoqërore). Organizatë ndërkombëtare. Organizata e Partisë (e Rinisë, e Gruas, e Pionierit). Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
    2. Grup njerëzish të organizuar, të cilët kryejnë një detyrë të caktuar në një nga fushat e jetës ekonomike, shoqërore e kulturore; shoqëri. Organizatë shtetërore. Organizatë ekonomike. Organizatë tregtare. Organizatat sportive.

    Përmend gjithashtu Ligjin për Partitë Politike të vitit 1991, atë monist:

    Neni 24

    Çdo organizatë ose shoqatë ka të drejtë të paraqesë jo më tepër se një kandidat për çdo zonë zgjedhjeje.
    Organizatat dhe shoqatat mund të paraqesin edhe bashkërisht të njëjtët kandidatë.

    [S]i dhe atë pluralist të po atij viti:

    Neni 1

    Partitë politike janë bashkime vullnetare të shtetasve mbi bazën e ideve, të bindjeve e të pikëpamjeve politike të përbashkëta, që synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit.

    Ky i fundit përbën ende bazën e konceptimit ligjor shqiptar të partisë politike dhe riprodhohet në mënyrë të plotë në ligjin pasues të vitit 2000.

    Besoj se shembujt mjaftojnë për të qartësuar çështjen.

  3. Helmimi ne fjale perben akt terrorist po deri me sot askund nuk shihet seriozitet ne trajtimin e çeshtjes, duket sikur u lagen me shampanje. Nejse, doja te ndalja pak tek argumenti i kontrates sociale dhe mospranimi i argumentit nga ithtaret e Republikes se re, per shkak te deficences demokratike ne te cilen mbeshteten.
    Tek ne nuk ka pasur asnjehere kontrate sociale . sepse nuk ka pase askund negociata mes grupeve apo shtresave sociale, politike apo ekonomike. Tek ne ka vetem elite apo pari dhe nje rrumpalle pa koke e bisht qe ka pranuar cdo gje qe kane negociuar ata te parise. Quhet popull, po ne fakt nuk jemi popull, jemi nje shumesi politikisht e pavlere.
    Qe te kesh nje gjysem argumenti per te folur per kontrate sociale duhet te kesh nje ngjarje historike ku populli si i kundervene ndaj parise ka negociuar me te per te vendosur bashkarisht rregullat. Ne nuk kemi.

    Ne momentin qe hedhim poshte si te pavertete ekzistencen e kontrates sociale dhe ekzistencen e popullit si demos, atehere edhe demokracia behet e pakuptimte, sepse pa demos e kontrate sociale s’ka demokraci.
    Atehere nuk kemi te bejme me deficence demokratike te ithtareve te Republikes se re, por me nje forme tjeter deficence, deficenca e numrave dhe lekeve.

    Problemi madhor me te cilen u perball e perballet Basha eshte nevoja e madhe per te rritur numrat dhe sasia e vogel e fondeve/lekeve ne dispozicion. Rama kapi numrat e kapi gjithe bosat, qeverisi per bosat, i futi edhe nje kanabizim vendit keshtu qe Basha ngeli edhe me prapa, pak njerez e pak leke.

    Trekendeshi barabrinjes qe qeveris vendin edhe njerez-leke-mashtrim, konceptet e tjera, demokraci, popull, sovranitet, shtresa, interesa, ide, ideologji etj nuk kane te bejne me realitetin shqiptar, jane koncepte boshe me te cilat bejme ushtrime oksidentalizimi.
    Nuk duhet bere gabimi qe kulmi i trekendeshit qe quhet ”njerez” te njehsohet me fenomenin demokratik, çdo sistem ka luftuar dhe lufton per njerezit, dmth te kete shumicen me vete, normalisht me ane te mashtrimit dhe lekeve.

    Heperhe gjendemi ne kurthin e liberalizmit pa demokraci, si gjendeshin ne Perendim gjate shek 19. Ne praktike, liberalizmi nuk e njeh ose honeps as konceptin e shtetit as konceptin e demosit, shtetin e zevendeson me privatin ndersa demosin me te paaftin. Arriten t’i vene kular e ta vene ne qerren publike fale nje pune te madhe majtistet,nacionalistet e demokristianet.
    Liberalizmi pa demokraci eshte triumf i interesave partikulariste te shoqerise e normalisht prodhimi eshte nje shtet qe lengon nga presioni privat dhe shtresa ne nevoje te braktisura krejt.

    Bashes i duhet te jete zedhenes i sa me shume interesave partikulariste, por duke qene se bosat i ka kapur Rama, doli me tezen e Republikes se re, qe eshte nje teze ne radhe te pare sociale nga vete etimologjia res publica dhe kesisoj aspak liberale.
    Problemi eshte qe Basha propogandon nje teze sociale dhe pastaj thote ne miting do ia presim burimet e te ardhurave shtetit se do ulim gjithe taksat.
    Pra, Basha eshte logjikisht sharlatan dhe duke qene se te gjitha e te gjithe i ka kapur Rama, per Bashen ka vetem humbje.
    Qe Shqiperia te dale nga thonjte e liberalizmit pa demokraci, duhet te prodhoje nje parti realisht te majte, nje parti realisht nacionaliste dhe nje parti realisht demokristiane qe t’i jape permbajtje demokratike kesaj maskarade anarkokapitaliste te tranzicionit.

    1. Hyllin,

      mendoj se komentit tuaj, për nga gjatësia dhe shtrirja, i takonte të ishte një ese më vete, në interes të lexuesit. Kam frikë se përgjigja ime do të jetë mjaft e gjatë sa të kërkonte një formatim të ngjashëm. Gjithsesi, do të përpiqem t’ju përgjigjem këtu.

      Duke lënë menjëanë incidentin e ndodhur gjatë protestës së opozitës, dua të ritheksoj se deficenca demokratike që përmenda është një zgjatim logjik i nocionit të “Republikës së Re” që përsërit opozita – jo një pozicionim i tyre hipokrit apo i sinqertë. Përfitimi i tyre prej saj është i njëjtë me atë të Partisë Socialiste, madje gjithë cirku i fillim-fushatës zgjedhore është prova më e mirë e hidhërimit të të dyja palëve nga shfrytëzimi edhe më i madh që i bën sistemit zgjedhor LSI dhe përpjekjes për t’a zvogëluar përfaqësimin e kësaj të fundit në Kuvend. Kjo është sa për sqarim të asaj çka shkrova.

      Më duhet të them që nuk bie aspak dakord me ju përsa i përket pavërtetësisë së kontratës sociale të shqiptarve me Republikën e tyre. Vetë ndarja (që bëtë ju) në “elitë” dhe në “shumësi politikisht të pavlerë” apo “rrumpallë” është edhe më arbitrare sesa përcaktimet socio- dhe antropologjike të klasave dhe grupeve shoqërore të përfshira në këtë negociatë – po t’a quajmë të tillë themelimin e institucioneve demokratike. Edhe sikur të mos ishte plotësisht subjektive dhe padrejtësisht thjeshtëzuese, hendeku i nënkuptuar kategorik midis të dyjave është i gënjeshtërt. Doemos do të ketë shkëmbime (lexoni: ko-optim i një pjesë të shtresave të mesme dhe të ulëta në qeverisje), të cilat mbështeten në premisën e një bashkëpunimi zakonisht—por jo gjithnjë—të detyruar midis të gjithë shtresave, grupimeve dhe elementëve të tjerë përbërës të shoqërisë shqiptare. Në mos për asgjë tjetër, së paku sa për të mbajtur të gjallë këtë klasë drejtuese kemi vlerë politike.

      Edhe përcaktimi i kundërvënies ndaj parisë që vijon më duket problematik. Një revolucion politik pasqyrohet kryesisht në ndryshime të formës së qeverisjes dhe jo në personazhet e saj. Rishipkja e vazhdueshme e personave të rinj politikë nga po të njëjtat fytyra të mirënjohura është një dukuri e vjetër dhe e mirënjohur. Një atë jezuit Joseph Fouché i kthyer në deputet mbretvrasës, në “Xhelat të Lionit,” e mbasandej në z. Ministër të Policisë e Dukë të Otrantos, vdekur si ithar mbretëror në tentativë, është i pazakontë vetëm nga shkalla e famës, jo nga ajo e ndryshimit politik. Po kështu, një Ahmet Muhtar bej bërë Lartmadhëri është tipik: paria, kudo të ndodhë revolucioni, mbetet pjesërisht ajo që ishte. Rasti shqiptar është më i theksuar, ironik për arsye të madhësisë së vendit e të popullatës. Pra, kundërvënia ndaj parisë është e pjesshme, teorike, madje himnizuese e propagandistike post facto në terma realë – një ushtrim deklamativ më tepër se një argument historik.

      Ajo që ka Shqipëria, ashtu si vende të tjera që kanë mbarsur ndryshime politike revolucionare, është vendimi i një pjese shurdhuese të popullsisë—zakonisht një pakicë e zhurmshme—për të sfiduar origjinën apo ushtrimin e pushtetit. Bie dakord që nuk ka pasur kurrë një vendim demokratik për t’ia dhënë një filan individi apo grupimi politik pushtetin në vend. Edhe sikur të kishte pasur, vendimi me gjasë do të kishte qenë i gabuar, e edhe sikur të dilte i saktë, prapëseprapë konsensusi do të kishte avulluar kohë para se të dilej në këtë gjykim. Jo, rasti shqiptar është zakonisht ai i pakënaqësisë me abuzivizmin qeverisës ose ai i mospranimit të kushteve të vështira të jetesës.

      Marrim, fjala vjen, 28 nëntorin 1912. Mëtimi se kishte një shumicë dërrmuese që dëshironte një monarki të lirë shqiptare nën sundimin e një princi europian dhe qeverisjen e një morie fisnikësh osmanë me kombësi vendase është qesharak. E shumta do të mund të thuhej se kishte njëfarë dakordësie të përgjithshme mbi nevojën e shkëputjes nga sundimi otoman. Ky konsensus ndërtohej mbi një numër interesash të veçantë krejtësisht egoistë e të kushtëzuar nga rrethanat, p.sh.: dëshira për të mos u vrarë, përdhunuar, vjedhur e keqtrajtuar nga forcat ushtarake e paraushtarake greke, bullgare e serbe; pamundësia ekonomike për të strehuar e ushqyer njerëzit e armatosur që gëlonin në vend e të arratisurit nga territoret që kishin këmbyer zot; të tjerë akoma nevrikoseshin pa masë nga mungesa e furnizimit ushqimor apo ndihmës mjekësore në qendrat e banimit të rrethuara apo të izoluara atë vjeshtë; e kështu me rradhë. Tërësia e këtyre interesave egoistë nuk solli veprime konkrete politike në popull aq sa pritshmërinë për të tilla, që do të materializohej në Vlorë.

      Edhe atje, në kryeqytetin e parë të Shqipërisë moderne, parimi demokratik binte më së shumti në sy me mungesën e tij. Pa i hyrë teknikaliteteve sesi paskërkan qenë procedurat zgjedhore të parive vendore që përcaktuan delegatët e trojeve shqiptare për në ato mbledhje, koha dhe rrethanat e luftës nuk i shpinin për nga demokracia. Rrjedhimisht, a e zhleftëson kjo paragrafin dhe dyzetë nënshkrimet e dokumentit të pavarësisë shqiptare? Aspak, përfaqësimi i drejtë në kësi rastesh është i parëndësishëm e fare utopik. Mbledhja e Vlorës, për nga peizazhi dhe rrethanat e kohës, është shumë herë më dinjitoze nga grumbullimi pak patetik i 20 qershorit 1789 në një sallë tenisi të Versajës nën drejtimin e kontit bullafiq de Mirabeau, ku 576 nga afro 1200 anëtarët e États generaux të 1789-s u vetëshpallën Asamble Kombëtare. Sikur të ndodhte ditët e sotme, edhe rebelimi i 14 korrikut pasardhës mund fare mirë t’u vishej me përçmim varfanjakëve të Vaqarrit (ku lumturisht gjendet një burg) prej budallenjve që nuk e patën kuptuar rëndësinë e tij. Shkurtimisht: revolucioni bëhet detyrimisht nga një pakicë politike apo kokëshkretë e një mase të përgjumur. Mos prisni mobilizimin e plotë të popullatës për revolucion të ndodhë tani shpejt.

      Kjo analogji e dy çasteve historike përndryshe të pangjashme vërteton, aq sa është e mundur, kontratën sociale mes shqiptarëve dhe qeverisë së tyre. Problemet e vetë teorisë janë ato që janë, po nuk më duket se analiza juaj alternative i zgjidh këto apo qoftë ofron një sistem analitik më të mirë. Përkundrazi, kjo këmbëngulja juaj që një sërë konceptesh—në të vërtetë, konstrukte disiplinash të ndryshme akademike dhe valutë e tanishme e diskursit intelektual në Perëndim—,të përdorura lirisht në të gjithë shkrimet e mia, nuk paskan kurrëfarë lidhjeje apo efekti mbi realitetin shqiptar, më ngjan shqetësuese. Të themi të vërtetën, nuk ka asnjë element të vetëm, apo pothuaj asnjë, që të jetë sui generis shqiptar në politikën, shoqërinë apo ekonominë e vendit. Ca më pak e ca më shumë—po të përgjithësojmë—janë të gjitha variacone të problemeve pas-komuniste, pas-otomane dhe mesdhetare, me tipare vendase. Doemos që konstruktet e përdorura në analizën e vendave të tjera me problematika të ngjashme janë të përdorshme edhe këtu; nëse nuk janë, do të thotë që konstruktet e përshtatshme nuk janë krijuar ende e duhen bërë.

      Mund të përmendja këtu që përdorimi prej jush i krahasimit të gjendjes sonë të tanishmë me liberalizmit e shekullit të XIX është kundrathënës ndaj tezës suaj të mëparshme të mos-aplikueshmërisë së këtyre shembujve në realitetin shqiptar. Pavarësisht kësaj, analogjia juaj përmban një ngatërresë së paku kronologjike dhe kategorike. Nuk është vendi për të shpjeguar dallimin thelbësor mes liberalizmit klasik e idealist që thërrisni në mbështetje të argumentit tuaj e atyra ca e ca copëzave të ringjallura për qëllime krejt të tjera nga neo-liberalët një shekull më vonë, eksperimenti i të cilëve në Europën pas-komuniste duhet të mjaftonte për t’a shpallur heretike të gjithë shkollën e mendimit. Sidoqoftë, për të parin më duhet të them se nuk i voliste shumë të zëvendësonte demos-in me asgjënë, siç shkruani, duke qenë se popullit të tij nuk do t’i shkonte në mend të kërkonte të drejta politike edhe për nja tridhjetë vjet të tjera pas mërgimit të Napoleonit. Nuk ka ndonjë arsye të mirë për të shkatërruar diçka që nuk ka lindur mirë akoma.

      Në përfundim, analiza që i bëni gjendjes së opozitës dhe zotit Basha është interesante. Në vija të trasha, është e mprehtë dhe e saktë – sa mund të jenë të tilla shkrime. I vetmi problem është se dilemat e kryetarit demokrat dhe militantëve të partisë që ai drejton nuk ishin objekti i shkrimit tim, ashtu siç nuk ishte diskutimi i kontratave të ndryshme sociale gjatë jetës shtetformuese të shqiptarëve apo natyra e revoluciove politike në origjinë të këtyre kontratave. Ishte, siç thashë në një koment të mëparshëm, thjesht një përsiatje e një njeriu me ca si tepër kohë të lirë ndër duar, e shtyrë nga homofonia rastësore e ‘body politic’ me trupin e spërkatur me kush-e-di-çfarë të opozitës. Do t’ju lutesha të mos ia nënshtronit një leximi kaq përzgjedhës tekstet: jeta e tyre e pavarur varet nga funksionimi brenda parametrave që ata vetë përcaktojnë. Jo më kot thelbi i kritikës letrare bashkëkohore mund të përmblidhet në pyetjen: Does the book work on its own terms?

      Ndjesë, sërish, për zgjatjen e kësaj përgjigjeje.

  4. Falemnderit A.A.B por kam nje marreveshje te heshtur me 2xha-ne, te cilen e kemi respektuar pa sforco herkuliane keto 10 vitet e fundit.
    Komenti juaj eshte tejmase interesant, prandaj edhe i shkurter, jemi te gjithe pre e relativitetit, jo vetem koha.

    Shembuj e tu me duket se vene ne pikepyetje ekzistencen ne hapesire e kohe te vete kontrates sociale, gje qe e gjej mjaft interesante, sepse vete koncepti gjen mjaft veshtiresi identifikimi ne histori, thjesht momentet kulmore kur populli hidhet ne revolucion apo kur votuesit bejne levizje te forta, (si psh ne Itali pas tangjentopolit), kane nevoje per nje kategorizim teorik dhe kontrata sociale i permbush me mire kriteret.

    Per Pavaresine me mire te heshtim se aty marreveshja per masen e gjere ishte me mire Pavaresi prej grekut e serbit, sesa ndaj turkut, dmth kontrata sociale ishte meqe s’jemi dot me Turqi, me mire te jemi Shqiperi, sesa Greqi e Serbi. Them se nuk ka qene e veshtire per bejleret e pashallaret te merrnin miratimin e heshtur ose jo te çifçinjve e meditesve per kete ndryshim epokal.

    Persa i perket hendekut mes parise dhe asgjese politike, jam plotesisht dakort qe eshte subjektive dhe thjeshtezuese e po perfitoj nga rasti t’i jap njefare subjektiviteti objektivizues, nese ma lejon konceptin (do te ngelet subjektive po me perpjekje drejt objektives).
    Ne cdo sistem qe se ekziston shteti, paria apo aristokracia, ka pase mbeshtetje ne shtresat poshte. Normalisht, hiq perjashtimin e Greqise klasike(le te themi shtetet tregtare, qe te fusim edhe fenikasit e ndonje tjeter), rregullat kane qene te tipit feudal, se toka ka qene burimi i pasurise ne gjithe globin e ne gjithe kohet. Skllaveria tipike nuk funksionon mire ne bujqesi e qe nga sumeret deri vone, sistemi universal ka qene ne vija te trasha feudal (fshataret e lire nuk trajtoheshin me mire prej administratoreve , historikisht te superkorruptuar shteterore) .

    Kjo do te thote qe eshte nevoje ekzistenciale e shtetit qe paria/aristokracia te kete mbeshtetje poshte, prandaj eshte nevoje ekzistenciale e shtetit te Shqiperise qe paria te kete mbeshtetje poshte. Nuk eshte shenje demokracie por çeshtje ontologjie shteterore, e thene ndryshe pa mbeshtetje nga poshte nuk mund te ekzistoje shteti.
    Kur mberrihet ne kete konkluzion patjeter qe per ekzistencen e Shqiperise eshte shume pozitive qe kjo pari aktuale ka mbeshtetje poshte, pa gjithe ata militante, kusherinj, miq e perfitues te korruptuar e/o te mashtruar, nuk do te ekzistonte shteti ne Shqiperi, gje qe do te ishte shume tragjike ne vetvete. Nje komb qe nuk mban dot shtetin as ne formatin me primitiv apo primordial, nuk meriton te ekzistoje, nje hipoteze qe refuzoj edhe ta imagjinoj.

    Mirepo ketu çeshtja e ngritur eshte demokracia e jo shteti ne vetvete, pra raportet pari-popull ne demokraci. Qe kemi nje kontrate sociale per ekzistencen e shtetit, per kete s’kam dyshim, eksperimenti i 1997-s, solli edhe nje riforcim te kesaj kontrate, bar do hame po do jetojme ne shtet. Bar po na japin e ne fjalen po e mbajme.

    Persa i perket raportit ne demokraci, une ketu nuk do perdor teorite e shumta per perdoren zakonisht, per dallimin mes ”suddito” e ”cittadino” e raportet thelbesisht te ndryshme qe keto kategori ndertojne me parine/eliten. Dua te perdor dialektiken hegeliane sherbetor-padron apo skllav-pronar. Ne fazen e autokoshences perballen dy autokoshenca apo vetendergjegjesime, ku me e forta eshte ajo qe vendos jeten ne rrezik per te fituar mbi tjetren, ndersa me e dobeta sheh sigurine nuk pranon te vere jeten ne rrezik dhe pranon humbjen. Keshtu autokoshenca e pare prodhon padronin/pronarin, ndersa e dyta sherbetorin/skllavin. Mandej teoria vazhdon ne zhvillimet mes tyre, punen, alienimin, rikthimin e skllavit e me radhe po per argumentin me intereson vetem dallimi i sipermendur.

    Paria eshte lehtesisht e identifikueshme tek padroni/pronari i cili rrezikon edhe jeten per afirmim e prone, ka qene historikisht ne krye te ushtrive, cdo femije mashkull stervitej per te perdorur shpaten e ligjin, logjikisht per te shtypur me ane te shpates dhe ligjit sherbetoret/sklleverit apo shtuar pasurine duke grabitur tjeterkund.
    Populli eshte autokoshenca e dyte, sherbetori/skllavi qe per hir te sigurise e mosrrezikimit te jetes, pranon cdo situate qe krijon Paria.

    Pra ne stadin jodemokratik sherbetori/skllavi, populli pranon çdo situate qe krijon paria, nuk ka ze sepse qe te kesh ze duhet te heqesh dore nga siguria.

    Ne stadin demokratik, populli ka vendosur te perballet me shpate per te mos qene me sherbetor/skllav. Shembulli amerikan eshte ekstremist ne kete drejtim, cdokush ka te drejte kushtetuese te mbaje arme dhe te shtjere mbi tiranin apo tiranet. Nqs Presidenti amerikan hyn ne prone private pa leje dhe nuk pranon te largohet amerikani me i pervuajtur merr armen e i fut nje koqe plumbi kushtetues.

    Dakort qe demokracia eshte shume me teper se kaq, por ky moment sherben per te shpjeguar qe momentet e kontratave sociale jane momente kur populli sillet si autokoshence padroni/pronari, dhe ne ate moment ai ka ze, ka vlere politike. Nqs ka nje esence politika eshte pikerisht momenti kulmor i armiqesise politike.

    Ne Shqiperi nuk jemi popull, jemi asgje politike, sepse jemi ende si popull ne fazen e autokoshences servile, skllaverore, nuk na e ka friken askush, Paria na trajton si dele, si na kane trajtuar gjithnje. Nuk e kemi fituar demokracine ende, kemi fituar liberalizmin, ate po e sheh kudo.

    Nejse keshtu si po merr bota me multinacionale e hegjemoni te nje grushti financieresh, mbase bejme mire qe nuk i bashkohemi eksperimentit demokratik. Ne Athine deshtoi, s’eshte ndonje çudi te deshtoje prape e shqiptaret te tregohen popull i urte e i mençur si i takon nje populli plak.

    Ndjese po u zgjata shume per te komentuar pjeset e tjera.

    1. Është tepër me vend përmendja e “suddito” prej jush. Edhe mua vetë ka kohë që më ka rënë në sy për keq njëfarë këmbënguljeje e disa instancave shtetërore që dalin më së shumti në syrin publik, si Ministria e Punëve të Brendshme apo Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në përdorimin e terminologjisë së “nënshtetasit.” Po t’a mendosh, është një përbindësh goxha i veçantë përkundër regjistrit së të folurës republikane që huazojnë përgjithësisht institucionet publike shqiptuar. Ç’të keqe ka “qyetaria”? Kam hamendësuar se ndoshta bëhej fjalë për një lloj largimi prej “shokut qytetar” të ditëve të shkuara. Përkimi i hipotezës suaj për raportet ‘elitë-shtresa të ulëta’ në Shqipëri me shpjegimin e mundshëm të kësaj dukurie është kureshtar.

      Përsa i përket temës së komentit tuaj, jam dakord me një pjesë të analizës. Fenomeni i zhvlerësimit të rendit botëror të kombeve-shtete në të mirë të formave të tjera jo-kombëtare të organizimit politik padyshim që do të prekte dhe vendin tonë. Modeli i qytetit-shtet fiorentin—në të cilin fuqia politike e entitetit buron nga grumbullimi i kapitalit financiar—dhe periferisë së varfër si zëvendësues të kombeve-shtete unitare që sugjeron Charles Tilly është më i njohuri në rrethe akademike. Parësia e aglomeratit të Tiranës kundrejt çdo qendre tjetër urbane në Shqipëri të shtyn drejt atij interpretimi, më duket. Gjithashtu, duke u nisur nga zbatimi ynë rigoroz i neoliberalizmit dhe përmasat relativisht të vogla të ekonomisë shqiptare, me gjasë do të ishim ndër të parët që do të prekeshim nga ndryshime të tilla. Apolitizmi i qytetarëve për shkak të mbingopjes me ligjëratën dhe akrobacitë politike që serviren si pjata kryesore të debatit publik në vend të shqetësimeve kombëtare është gjithashtu me përmasa botërore—së paku në demokracitë e tjera liberale.

      Pjesa që më duket se çalon është deklarata juaj mbi tokën bujqësore si burim kryesor të të ardhurave në histori. Natyrisht, në terma botërorë, kjo është e vërtetë. Përfundimi logjik se zgjatimi i logjikës së klientelizmit feudal tek jeta politike bashkëkohore në Shqipëri, nga ana tjetër, është pak më i vështirë. Fakti është që vendet me ekonomi kapitaliste të pazhvilluara apo me një kuptim të paplotë të kapitalizimit europian, si rregull, kanë marrë vetëm një pjesë—dhe zakonisht jo shumicën—e të ardhurave nga veprimtaria bujqësore dhe blegtorale e popullsisë së tyre. Pjesa kryesore e fitimeve, që shpeshherë vinte nga po të njëjtat prodhime bujqësore dhe blegtorale, ishte tek eksporti i tyre në tregun ndërkombëtar. Klasat tregtare vendase dhe ato të huaja krijonin pasuri përrallore nga pabarazia mes çmimit të blerjes dhe të shitjes të, bie fjala: leshit të deles, vajit të ullirit, hardhive të rrushit, kallinjve grurit, etj. Këtu, kapitali më i madh fillestar në duart e financierëve ndërkombëtare favorizonte firmat jo-vendase në dëm të tregtarëve vendas dhe qeverive vendase, në ato pak raste kur i hynin telashit të kotë të përpjekjes për të marrë një pjesë të tregut.

      Me këtë argument kam sidomos parasysh territoret periferike otomane të shekullit të XIX, të cilat shumë shpejt do të ktheheshin në shtete të pavarura (Greqia, Serbia, Bullgaria, Rumania) ose do të kolonizoheshin prej fuqive të reja perandorake në rajon (Egjipti, Algjeria, Tunizia). Ndërkohë që këto të fundit i nënshtroheshin një kontrolli politik të huaj shumë herë më të fuqishëm e shtërngues, të dyja palët e vendeve ishin pengje të ligjësive pro-kapitaliste të financës ndërkombëtare. Një pjesë e madhe e asaj liste studiohet në ditët tona si precedente e falimentimit të shteteve pas krizave financiare si ajo e 2008-s. Gjykoj, pra, se klasa elitare më tepër se në klientelizëm feudal bazohet në klientelizëm të pastër, pavarësisht se format e jashtme të këtij të fundit mund të ngjajnë më tepër se zakonisht me të parin.

      Pavarësisht kësaj, ky mbetet një vlerësim i paplotë i situatës dhe, që të bie dakord me ju, do të më duhej të merrja për të mirëqenë një pasivitet të plotë popullor që më duket tepër i përkyer dhe i thjeshtë për të qenë i besueshëm pa një studim më të imtësishëm.

  5. Pershendetje A.A.B ! Po e nis nga pjesa e dyte se me ngjan se ka nje keqkuptim te vogel. Feudalizmi i takon nje konteksti ku behet nje verejtje ndaj historise si e kemi mesuar me lashtesi skllavopronare, mesjete feudale dhe kohet moderne e bashkekohore si protokapitaliste e kapitaliste.
    Kjo eshte teresisht e gabuar si ne kontekst global si ne historine tone apo te trojeve tona.
    Ne momentin qe pranojme feudalizmin si sistem universal (apo feudalizmat me mire) deri ne shek 19 ne Perendim e 20 ne pjese te ndryshme te botes, perfshire Shqiperine, atehere edhe thjeshtojme kuptimin e realitetit te shtetit qe nga origjina deri ne historine bashkekohore. S’besoj se eshte e nevojshme te ilustroj nje per nje qe nga sumeret, egjiptianet, babilonasit,hititet, spartanet, romaket, persianet, arabet, indianet, kinezet, majat, acteket etj.
    Po ashtu ekzistencen e qytet-shteteve tregtare, kryesisht detare, mund ta marrim lirisht si nje fenomen anesor, meqe asnje prej tyre nuk arriti te dominonte ne menyre kostante as territorialisht as ideologjikisht, pra nuk ia detyrojme realitetin (sado te permendim Athinen, demokracia qe eshte strukturuar ne Perendim i detyrohet modelit parlamentar anglez, i cili buron nga feudalizmi specifik anglez- e dihet qe anglezet merrnin si shembull senatin feudal romak e jo agoran e Athines-).

    Ne rast se pranohet kjo lidhje ontologjike e shtetit me sistemin feudal, atehere behet me e qarte edhe ndarja ne shtrese e larte, shtrese e mesme dhe shtrese e ulet . Per lehtesi le te themi spartiatet shtresa e larte, perieket shtresa e mesme dhe ilotet shtresa e ulet.
    Spartiatet jane aristokracia/elita/paria, perieket jane fshataret e lire,plebejte e qytetit, tregtare e artizane, ndersa ilotet, jane fshataret e skllaveruar.
    Per shkak te mospermbajtjes politike si te shtreses se mesme si te shtreses se ulet, kemi te bejme perhere me ”tiers état”, terzo stato, qe nga kuptohet lehtesisht dikotomia pari/popull.

    Ndryshe nga çjemi mesuar ta konceptojme realitetin historik, populli nuk ka qene kunder parise, perkundrazi ka qene mbeshtetese e Parise, kuptohet deri ne nje moment te caktuar, i cili pergjithesisht ka perkuar me perqendrimin e skajshem te pasurise, varferi e skajshme ne nje ane dhe luks i shfrenuar e i publicizuar nga ana tjeter.
    Ne Shqiperi ky luks ne te vertete nuk ka ekzistuar, s’kemi pallate apo saraje aristokratesh qe te lesh mendte, keshtjellat jane ushtarake puro dhe ne mos gaboj ka qene tradite ne familjet e medha shqiptare, perfshi edhe te mbretit Zog, qe te gatuante ose te ishte pergjegjese e gatimit nje nga motrat. Ndoshta kjo mungese e luksit te shfrenuar ka bere qe te mos perceptohej keqshperndarja e pasurise ne ate pike sa te merrte flake gjendja. Meqe ra llafi tek Zogu, ky me shpenzimet e medha luksoze krijoi nje pakenaqesi te jashtezakonshme ne popull, aq sa italiani zere se rezultoi i mireseardhur.

    Ketu, bej edhe lidhjen me pjesen e pare te liberalizmit qe ka bere hapa gjigande dhe demokracise qe mungon.
    Para se te bej nje trajtim teorik, po e lidh pak situaten me luksin e shfrenuar e te publicizuar nga ana e Parise. Kur djali i Fullanit doli se fshinte djersen me 500 eurshe, kjo ishte nje shfaqje e publicizuar e luksit te shfrenuar, qe irritoi te madh e te vogel. Por Paria jone eshte pergjithesisht e zgjuar ne kete drejtim, jane te rezervuar ne berjen dhe shfaqjen e jetes luksoze, te thyejne koken me leke po thone s’kemi ose ne rastin e Zamir Maneve dhe Bashkim Ulajve qe i kane te deklaruara, askund nuk shihet nje jete e atille.
    Nqs publicizohen kam pershtypjen qe ne Shqiperi per here te pare do kemi nje termet popullor.

    Tani te vij tek liberalizmi dhe demokracia. Sikunder dihet dhe e solla si shembull ne shkrimin e pare vende te ndryshme europiane kane pasur ne shek 19 deri ne gjysmen e pare te shek 20 te ashtuquajturin shtet liberal. Italia liberale, Franca liberale, Anglia liberale, sa per te bere 3 emra. Gjermania s’ka qene asnjehere liberale, edhe sot e kesaj dite te thuash se je liberal te shohin si antishtet. Ne Itali cdo perpekje liberale ka thyer hundet keq keto 100 vjetet e fundit. Ne France pas luftes se dyte boterore deri me sot, liberalizmi eshte çeshtje teoriko-sociale, po Franca vazhdon me rekordin e saj europian si shteti me shpenzime me te larta shteterore ne raport me GDP, 53 a 54% ( ne e kemi 26% e jemi ne pararoje te Europes).

    Sigurisht qe demokracia si fenomen qe diku rivalizon e diku dominon mbi liberalizmin ka nga 1945 e ketej. E quajne demokraci liberale, qe ne fakt une e lexoj si demokraci me lakun e elitizmit ne fyt, se parlamenti e perfaqesimi jane produkte feudalizmi, rrjedhimisht pastertisht elitiste.

    Arsyeja qe ndalova pak gjate te feudalizmi, universalizmi i tij dhe lidhja ontologjike me shtetin eshte pikerisht per te nxjerre ne pah se kapitalizmi nuk ka prodhuar asnje institucion shteteror modern. Ne cdo manual te historise se institucioneve nuk gjen asnje institucion kushtetues modern, qe lind ne epoken kapitaliste . Po ashtu pothuaj gjithe modifikimet e ashtuquajtura liberale i perkasin konteksteve feudale ku kane jetuar teoricenet ne fjale, per te mos permendur qe iluministet kishin modelin e monarkut te iluminuar.
    Konkluzioni logjik eshte qe kapitalizmi eshte sistem shterp persa i perket institucioneve, pra implikimi i tij ne demokratizimin e jetes nepermjet institucionalizimit eshte zero ( me xhufke).

    Te presesh qe anarkokapitalizmi i ketyre 27 vjeteve, i nisur dhe fuqizuar tejmase nga liberalizmi, te prodhoje demokraci eshte si te presesh te pjelle mushka. As metalurgjiku i Elbasanit me ndotjen e tij, mes cudirave te ndryshme nuk na dha nje rast te tille.

    Qe ketu vjen konkluzioni im se qe t’i japim permbajtje demokratike shtetit liberal ne Shqiperi duhen disa parti me objektiva sociale , majtiste, nacionaliste, demokristiane, keshtu mund te kalojme ne fazen e demokracise liberale. Sado qe s’me pelqen ky koncept eshte e vetmja mundesi reale ne kushtet e sotme, demokracia pjesemarrese si e Zvicres eshte heperhe utopi. Leqe utopi me duket edhe demokracia liberale po hajt mo se kjo mbase e ka ndonje shans ( ketu po sillem si lojtar llotoje, ve 1 mije leke per te fituar 1 milion).

    Problemi i demokracise eshte i perhershmi, si te behet e mundur qe populli te kontrolloje parine ne kushtet kur institucionet kushtetuese jane me origjine feudale e natyre te qarte elitiste. Kete kontroll nuk mund ta beje me ane te ligjit sepse nuk eshte bere askund me ane te ligjit, historia tregon qe eshte bere vetem nepemjet ekzistences se partive antiliberale, nepermjet ideologjive sociale. Po nuk iu kundervu kesaj ideologjie elitiste dominante nje apo me mire disa ideologji sociale, konkluzioni do jete qe PS e PD bejne qeverine bashke .

    Nejse se u zgjata prape, po çeshtja me ndjell shume interes.

    1. Si gjithnjë, Hyllin, bie dakord me një pjesë të asaj që thoni e më duket e tepruar, apo qoftë edhe e gabuar, pjesa e mbetur. Si e kuptoj unë, përtej mosdakordësisë sonë në interpretimin historik të origjinës së Republikës sonë të sotme, kemi dhe një ndarje teleologjike. E thënë ndyshe, ju keni një objektiv konkret në fund të arsyetimit tuaj, ndërsa unë hulumtoj i shtyrë nga interesa intelektualë. Përsa kohë që ju ngulni këmbë në tuajën dhe unë në timën—dhe në këndvështrimin tim pozicionet tona përkatëse vështirë se ndryshojnë—ndryshimi në qasjen ndaj temës do t’a nxjerrë diskutimin fare nga kandari. Edhe këtu ku jemi, u gjenda i detyruar të shpallja disa qëndrime jashtë kontekstit më të gjerë në të cilin janë formuar fillimisht. Që të jemi të qartë, unë natyrisht që kam një mendim mbi problematikat që debatuam. Tani për tani, gjykoj se trajtimi i tyre nuk është në çastin e duhur për mua, për arsye krejt subjektive të interesit tim të zënë tjetërkund.

      Në qofshin ideologjitë shoqërore zgjidhja më e shpejtë e pabarazisë së sistemit tonë politik, i uroj ato një orë e më parë. Të them të drejtën, nuk më kanë shqetësuar dhe aq shumë lëvizjet me burim popullor. Jam skeptik në aftësinë e këtyre për t’a imponuar veten e tyre ndaj një klase ekzistuese qeverisëse. Megjithatë, ndoshta ju keni të drejtë e unë jam gabim dhe, brenda kufizimeve të mia egoiste, e uroj një gjë të tillë. Këndvështrimi juaj më duket, prapëseprapë, diçka më shpresëdhënës se i imi. Për fat të keq, i gjithë debate ynë i qetë ka dalë krejtësisht nga kufijtë që i pata vënë shkrimit që e cyti. Kjo ishte diçka të cilën e mirëprisja përsa kohë që ndihte një interpretim të ri, të ndryshëm nga imi – por, siç e përmenda më lart, ai çast është tejkaluar tanimë.

      Ju falenderoj për komentet e juaja të deritanishme dhe ju siguroj që, kur t’a trajtoj në mënyrë të shkruar këtë lëmë në të ardhmen, do të jem kureshtar të diskutoj sërish me ju.

      Shpresoj të jemi në optika më të përafërta herë tjetër, në mënyrë që shkëmbimet të jenë më frytdhënëse.

      Me përshëndetje,

      1. Pershendetje, serendipity eshte semundja kronike e diskutimeve dhe e hulumtimeve.
        Le te themi qe aktualisht ju kerkoni vetem racionalen tek realiteti, ndersa une, perveç kesaj, kerkoj edhe prodhimin e reales prej racionales, ne baze te parimit qe e verteta gjendet tek e tera, teresia. Problemi i teresise eshte se ne nje bote perhere te ndryshueshme, nuk mund te rroket vetem duke gjetur racionalen tek realja, por edhe kerkuar realen tek racionalja. Ne nje realitet statik, si psh matematika, e vetmja gje me kuptim ne lidhje me te verteten do te ishte thjesht zbulimi i racionales qe fshihet pas reales, po ne realitete ku koha eshte zonja supreme, teresia nuk kuptohet dot pa te, Koha s’na lejon te ndalemi e thjeshte te sodisim realitetin per t’i gjetur ligjet.

        Keni te drejte, s’ka me mire se te piqemi ne tema te tjera te ngjashme. Gjithe te mirat!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin