GRUAJA QË PJELL

Një opinion i shprehur në publik tani së voni, nga një politikan i mirënjohur (A. Imami), për gratë shtëpiake “që s’kanë bërë asnjë punë sepse kanë pjellë tre-katër fëmijë” dhe prandaj nuk e meritojnë të zgjidhen në funksione publike, ngjalli zemëratë dhe polemika; mes të tjerash, edhe pse preku problemin tejet delikat të marrëdhënieve mes amësisë dhe qytetarisë. Në këtë kontekst, ia kujtuan atij politikani edhe që folja pjell me kuptimin “lind” përdoret për kafshët dhe jo për njerëzit.

Imami u shfajësua tashmë për interpretimin që ia dha publiku shprehjes së tij; dhe unë jam i prirur t’i besoj, por vetëm ngaqë e kam njohur personalisht dhe e di se nga vjen. Përndryshe, do ta quaja këtë një nga ato raste – të shumta – kur folësin publik e flet gjuha, duke e shndërruar në zëdhënës të një mendësie të rrënjosur, por të pambrojtshme. Këtë herë, përdorimi i folësit nga vetëdija kolektive e ligjërimit ka ndodhur, pjesërisht, nëpërmjet zgjedhjes midis sinonimeve – e cila edhe është frymëzuar nga një opinion i caktuar folklorik, edhe e ka riprodhuar atë opinion, duke e përforcuar me mveshjen gjuhësore.

Folja shqipe pjell me kuptimin “lind” për njerëzit, e përdorur në kontekste bisedore pa konotacion negativ, sot kam frikë se ka mbetur e kufizuar në toskërishten rurale; ndërsa në shqipen e qyteteve dhe aq më tepër të Tiranës është mënjanuar nga lind. Edhe kur përdoret ende për gratë, me kuptim neutral, ajo thekson aspektin “animal” të lindjes ose të riprodhimit; p.sh. dëgjon të thuhet në thjeshtligjërim për afrikanët se “pjellin shumë”, por jo të thuhet për skandinavët se “pjellin pak”; dhe nëse i ka mbetur fjalës sado pak dinjitet në ligjërimin bisedor qytetar, kjo lidhet me çerdhen e saj fjalëformuese, ose fjalë si PJELLOR, PJELLSHMËRI, PJELLORI etj. të cilat kanë natyrë edhe librore edhe terminologjike; por që megjithatë nuk përdoren në shqipen bisedore.

Përndryshe, askush në Tiranë nuk të thotë se “mbrëmë më polli gruaja” ose “kam gruan për të pjellë”, madje edhe kur është tosk nga prejardhja; meqë tashmë pjell, me kryefjalë gruan që lind, është konsoliduar në përdorime me ngarkesë emocionale keqësuese, ose atje ku folësi synon të distancohet moralisht nga “gruaja që lind”.

Siç ndodh edhe me fjalë të tjera, kjo ngarkesë keqësuese amplifikohet pastaj në kontekst, sepse fjalia “kanë pjellë tre-katër fëmijë” do ta ruajë ngarkesën edhe sikur të zëvendësohet “kanë pjellë” me “kanë lindur”; dhe shumë njerëz njëlloj do ta qortonin Imamin për diskriminim; sepse këtu ngarkesën keqësuese nuk e ka aq fjala pjell, ose nuk e ka vetëm fjala pjell, por e ka vetë praktika e të bërit shumë fëmijë së cilës kjo fjalë vjen dhe i referohet, si karakteristikë për një kategori grash që, për disa, nuk është gati për të marrë pjesë në jetën publike, sepse ka shërbyer dhe ndoshta po vazhdon të shërbejë si makinë për riprodhimin e zgjeruar të familjes.

Çfarë do të thotë se kjo pjell, në gojën e Imamit, u kritikua sepse tradhtoi pa dashur një mendësi të caktuar, e cila – ndonjëherë edhe e nisur nga dëshira e mirë për ta mbrojtur gruan – kërkon ta përjashtojë nënën me fëmijë të vegjël nga sfera publike, meqë kësaj i ka rënë tani detyra – po aq fisnike, po aq qytetare, po aq e respektueshme – e rritjes dhe e edukimit të fëmijëve. Kujtoj këtu që sot e kësaj dite është tregues i vendeve të zhvilluara që leja e shtatzënisë zgjat ndonjëherë me vite; meqë tërheqja nga jeta publike dhe marrëdhëniet e punësimit si mjet mbijetese, konsiderohet si e drejtë e nënës (gjithnjë e më shpesh, e prindit) për t’iu kushtuar me kohë të plotë kujdesit për fëmijën. Dhe një grua e cila, ngaqë bën disa fëmijë radhazi, lejohet të tërhiqet nga jeta publike për t’u marrë lirisht me rritjen e fëmijëve, nuk mund të pretendojë, njëkohësisht, që t’i ushtrojë të drejtat publike në plotësinë e tyre, përfshi këtu edhe të drejtën për t’u zgjedhur, bie fjala, deputete. Të paktën kështu arsyetojnë disa, përfshi këtu edhe politikanë që e besojnë veten se janë në krahun e grave.

Çështja është delikate në vetvete; por këtu po mjaftohem të vërej se gjuha – në rastin tonë shqipja – nuk pyet as për delikatesat as për nuancat dialogjike, por thjesht mjaftohet të materializojë, herë haptazi herë tinëzisht, idenë crudo se një grua me shumë fëmijë nuk është gati për t’u përfshirë në jetën publike; dhe e bën këtë duke përdorur këtë fjalëz, pjell, e cila vjen me ngarkesë negative – pa çka se jo aq për gratë vetë, sesa për mënyrën si e sheh, sot e kësaj dite, vetëdija kolektive folklorike, aktin e përsëritur të lindjes së fëmijëve prej Tjetrit (në biseda ku aktivizohet kjo lloj mendësie, është gjithnjë Tjetri që “pjell” shumë – afrikani, jevgu, i varfri, emigranti).

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me statusin qytetar të gruas moderne perëndimore, ende të dyzuar ndonjëherë dhimbshëm mes jetës publike dhe familjes; meqë shumë fëmijë tradicionalisht janë shumë gojë për t’u ushqyer dhe, kur ekonomia nuk ecën mirë ose kur ka papunësi ose prekariat ose kur rritja e fëmijës në mjedise hiper-urbane vjen e bëhet financiarisht barrë e papërballueshme ose kur familjet shpërbëhen dhe nënat mbeten vetëm me fëmijët dhe aq më tepër kur detyrohen të marrin ndihma nga shteti, atëherë krijohen edhe rrethanat për konsolidimin e një instinkti qytetar i cili vë shenjën e barazimit: familje me shumë fëmijë = prapambetje; aq më tepër që kontradikta midis riprodhimit familjar dhe zhvillimit profesional (karrierës etj.) është jo vetëm reale, por edhe temë e spikatur në diskursin feminist.

2 Komente

  1. Pershendetje. Me terhoqi vemendjen nje fraze e shkrimit me siper: … e di se nga vjen.

    U bera kurioz, ky percaktim kuptohet si “i di origjinen (familjare)” apo “i di sfondin profesional, etik, moral, etj.”?

    Faleminderit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin