PËR VDEKJEN DHE LETËRSINË

Zanafilla e përtejme e letërsisë së mirëfilltë vjen si rrjedhojë e përballjes me vdekjen.

Them zanafilla e përtejme, pasi atë e dalloj nga ndodhia historike. Ndodhia historike tregon se kur dhe ku ka ndodhur diçka. Shumicën e rasteve ndodhia historike shoqërohet edhe me disa hamendësime të mjegullta,- që s’marrin parasysh ndërlikimin e pafund të marrëdhënies shkak-pasojë. Se për të kuptuar një gjë tërësisht, ne duhet të dimë gjithçka që rrethon atë, gjithçka që erdhi para saj e gjithçka që mund të vijë si rrjedhojë e saj, duhet të dimë shkakun se pse ajo është aty dhe pse diçka para saj ishte aty dhe diçka edhe më përpara saj e kështu me radhë. Me pak fjalë, për të ditur edhe një gjë të vetme tërësisht, duhet të dish gjithçka,- siç edhe e kanë thënë e stërthënë shumë filozof para meje. Prandaj, rrëfimi historik është i afërmendshëm vetëm nëse shpreh kur dhe ku ka ndodhur diçka.

Zanafilla e përtejme është burimi nga rrjedh diçka, e si pasojë kuptimi i njëmendtë i saj. Ne nuk mund ta dimë zanafillën e përtejme të diçkaje. Por ne na jepet mundësia për ta rrokur atë,- si një përshfaqje e përkohshme ose si një trajtë jetese. Zanafilla e përtejme është burimi i tejkohshëm i një fillese: një fillese që lind pas një lufte. Asgjë nuk është më e pakuptueshme se sa fillimi.

Ndodhia historike është një pikë gjatë shtrirjes kohore ku diçka ka ndodhur. Zanafilla e përtejme është fusha e pafund rreth dhe përtej kësaj pike. Një vendngjarje historike mund të shpjegohet, duke treguar ku dhe kur ndodhi diçka brenda kohës,- siç edhe shpjegohet rëndom gjithçka sot. Zanafilla e përtejme është shpjegimi i po asaj ngjarje jashtë zhvillimit kohor njerëzor të burgosur me zinxhirët shkak-pasojë. Zanafilla e përtejme është pamundësia e ardhjes së një engjëlli që vjen pa asnjë arsye.

Pasi u mundova të sqaroja se ç’dua të them me zanafilla e përtejme, tani do të shtjellohem më tepër tek përballja që ne kemi me vdekjen. Përballja me vdekjen nuk është një përballje me vdekjen në vetvete, por gjithmonë me një pasqyrim të parakohshëm të vdekjes që zgjatet në përjetimin tonë të gjithësisë. Se kur ne jemi ende gjallë, vdekja nuk ka ardhur ende. Dhe kur vdekja vjen, ne nuk jemi më gjallë. Prandaj, dhe përballja me vdekjen është përballja me një trajtësim të parakohshëm të një fundi që po vjen,- e cila më shumë se frikë, shkakton një tmerr të duhur. Krishti ringjallet pas vdekjes, jo para vdekjes.

Përballja me vdekjen ngjall një rrëfim të nevojshëm. Kur dikush vdes, ne nuk mund të rrimë dot pa rrëfyer për të, pa e përkujtuar atë, pa e ritreguar se kush ishte. Na duket sikur shpirti i të vdekurit nuk do mund të prehet në paqe nëse ne nuk e rrëfejmë atë.

Kjo nevojë që njeriu ka për të rrëfyer, për të rikujtuar pranë një të vdekuri, nuk është shumë ndryshe nga nevoja që ka një shkrimtar për të rrëfyer. I vetmi ndryshim është, se në rastin e shkrimtarit, vdekje nuk është e tjetrit, por e tij. Përballë vdekjes, shkrimtari rrëfen. Rrëfen atë që ai medoemos do të shprehë për të ngadhënjyer mbi vdekjen. Rrëfimi përlotës pranë një të vdekuri është thelbi i letërsisë së mirëfilltë.

Zanafilla e përtejme, prejardhja e njëmendtë e letërsisë është rrëfimi i nevojshëm që lind nga përballja me vdekjen. Nuk është rastësi që vepra e parë e mirëfilltë letrare, Epi i Gilgameshit, ka si fill bashkues pikërisht përballjen e Gilgameshit me vdekjen.

Por, më shumë se askund tjetër, letërsinë e shikojmë si një ngadhënjim mbi vdekjen në një nga librat më të mirë të shkruar ndonjëherë: Njëmijë e një net. Mbase, dhe libri me titullin më të bukur. Siç e ka kapur saktësisht edhe Borges në një shkrim mbi Një mijë e një net, të thuash një mijë net është sikur të thuash një pafundësi netësh.[i] Bukuria qëndron se është një pafundësi netësh, por edhe një natë mbi pafundësinë e gjithë netëve. Gjë që të kujton tej mase paradoksin e matematikanit David Hilbert mbi pafundësinë, ku një hotel me një numër të pafundmë dhomash të zëna, gjithmonë arrin të presë të ardhur të rinj pasi gjithkush mund të shtyhet tek dhoma tjetër pafundësisht.

Thelbi i Një mijë e një net qëndron tek rrëfimi fillestar me të cilin nis kjo vepër. Shkurtimisht, Sulltani Shehriar, pasi e tradhton gruaja dhe e humb tërësisht besimin se gratë mund të jenë bashkëshorte besnike, vendos “të martohej çdo natë me një vajzë dhe ta vriste të nesërmen, si masë paraprake të tradhtisë së sigurt”.[ii] Kjo gjëmë kobzezë ndolli një ankth dhe zemërim mes njerëzve, bijat dhe motrat e të cilëve po flijoheshin çdo ditë nga sulltani. Një vdekje e madhe e pushton perandorinë e Hindit. Por, edhe këtu duhet të lexojmë mes rreshtave: kjo vrasje që ndërmerr Sulltani është vdekje e dyfishtë për perandorinë. Në rrafshin parësor, kemi vrasjen klithëse të vajzave rioshe e të pafajshme. Por, në rrafshin e një nënkuptimi të fshehur shikojmë edhe vdekjen e mundësisë që perandoria të ripërtërihet, të rilindë, pasi vrasja e vajzave të sapomartuara është vrasja e mundësisë për të lindur diçka të re. Me këtë dua të them se perandoria është kapluar nga një vdekje fizike po aq sa një vdekje shpirtërore.

Për t’i dhënë fund kësaj vdekje të dyfishtë, shfaqet e përfshehta, e zgjuara, e hijshmja, e guximshmja Sheherazade: femra më tërheqëse në gjithë historinë e letërsisë botërore. Ja si përshkruhet Sheherazade në vepër:

“… kishte një guxim që ua kalonte burrave dhe një zgjuarsi të rrallë që të çmeriste. Ajo ishte shumë e kënduar dhe, falë kujtesës së jashtëzakonshme, nuk i kishte shpëtuar asgjë nga ato që kishte lëçitur. Ajo ishte dhënë me mish e me shpirt pas filozofisë, mjekësisë, historisë, dhe arteve të bukura dhe bënte vjersha më të mira se ato të poetëve më të përmendur të kohës së saj. Përveç këtyre, ajo ishte pajisur me një bukuri të pashoqe dhe një dëlirësi e rrallë ia kurorëzonte të gjitha cilësitë e tjera”. [iii]

Sheherazade, pavarësisht kundërshtimit nga i ati, vendos të martohet me sulltanin, për të shpëtuar njerëzit dhe perandorinë nga vdekja e gjithëpranishme. Sheherazade nuk ka frikë nga vdekja. Edhe nëse ajo nuk ja del dot të ndalojë sulltanin, ajo thotë se vdekja e saj do jetë e lavdishme, pasi ajo pati guximin të përballej sypatrembur me vdekjen. Pasi martohet dhe mbetet vetëm për vetëm me sulltanin, gjatë natës së parë, Sheherazade e përlotur i kërkon sulltanit që të vijë edhe motra e saj, Dinarzadja, aty e të ngryset në gjerdek,- dëshirë të cilën sulltani ia plotëson. Sulltani me Sheherazaden fjetën në një shtrat, në pod të ngritur, ndërsa Dinarzadja fjeti në një shtrat nën pod. Sheherazadja e kishte porositur paraprakisht motrën e saj që një orë para se të agonte, ajo të shqiptonte këto fjalë:

“Motër e dashur, po qe se nuk fle, gjersa të zbardhë drita, të lutem shumë, tregomë ndonjë nga ato historitë e bukura që di ti”.[iv]

E pasi Dinarzadja i thotë këto fjalë, Sheherazade fillon të rrëfejë një histori,- e cila e magjeps dhe e këndell aq shumë sulltanin saqë vendos ta shtyjë vdekjen e Sheherazades edhe një ditë. E kështu vazhdon për një mijë e një net, derisa sulltani i magjepsur me rrëfime, vendos t’ia falë vdekjen Sheherazades dhe t’i japë fund vdekjeve të njëpasnjëshme të vajzave të sapomartuara në perandori.

Para se të futem më thellë tek ajo që më mahnit më shumë tek Një mijë e një net, mundësia për t’i mbijetuar vdekjes nëpërmjet rrëfimit, dua të them edhe dy fjalë për një personazh tepër të rëndësishëm: Dinarzaden, motrën e Sheherazades. Çuditërisht, sa herë shikoj ndonjë shkrim mbi Një mijë e një net, askush nuk e përmend Dinarzaden. E harrojnë. Ju duket si ndonjë detaj i parëndësishëm që Sheherazadja merr edhe motrën e saj me vete. Mendimi im është i kundërt. Siç edhe do mundohem ta sqaroj, ka diçka shumë të rëndësishme në vetë faktin që Sheherazadja nuk shkoi vetëm tek sulltani. Pse i duhej Sheherazades edhe motra e saj? A nuk mund t’ia rrëfente Sheherazadja historitë sulltanit vetë një orë para agimit?

Shkurtimisht, e shikoj Dinarzaden si nevojën e nënvetëdijshme të popullit për rrëfime: ajo fle poshtë shtratit dhe kryen lutjen e përditshme për rrëfime. Ka diçka prej rituali në lutjen e bukur të Dinarzades. Çdo ditë, para se të agojë, ajo përsërit të njëjtën lutje:

“Motër e dashur, po qe se nuk fle, gjersa të zbardhë drita, të lutem shumë, tregomë ndonjë nga ato historitë e bukura që di ti.”

Dhe sa herë kemi një ritual, ne kemi pikërisht kalimin nga e përditshmja tek e jashtëzakonshmja. Këtë gjë shohim edhe tek Një mijë e një net: nëpërmjet rrëfimeve të Sheherazades ne kalojmë nga bota e vdekjes, bota e detyrimeve njëpasnjëshme që sulltani ka për të kryer, tek bota e rrëfimeve mbushur me qenie magjike, një botë ku njerëzit shndërrohen në kafshë dhe ku një lumë mund të jetë një qytet i fshehur.

Ardhja e Dinarzades tregon se rrëfimi nuk është një veprimtari vetjake, por përherë një veprim shoqëror. Sheherazadja nuk mund t’i rrëfejë dot historitë vetëm. Prandaj dhe treshja: Sheherazadja, Dinarzadja, dhe sulltan Shehriari janë një përfaqësim i një shoqërie të tërë nëpërmjet tre vetave. Sheherazadja është rrëfyesja shpëtimtare, Dinarzadja është nevoja për t’u futur në botën e magjishme të rrëfimit duke ndërmjetësuar marrëdhënien midis Sheherazades dhe sulltanit, ndërkohë që sulltan Shehriari është dëgjuesi i zënë me punë të përkohshme në botën kalimtare, por që papritur mbërthehet nga rrëfimi i pavdekshëm i letërsisë.

Ajo që më mahnit në këtë histori qendrore të Një mijë e një net është se shpëtimi i vetë rrëfimtares, shpëtimi i perandorisë dhe shpëtimi i njerëzve nga vdekja vjen nëpërmjet rrëfimit. Mendo se sa e mërzitshme do të ishte kjo histori nëse Sheherazadja do martohej me sulltanin dhe do shpëtonte nga vdekja duke e vrarë atë natë sulltanin kur ai ishte në gjumë,- ose duke e joshur sulltanin të pinte ndonjë helm vdekjeprurës. Me pak fjalë, do të ishte një histori e rëndomtë dhe e zakonshme: një mundim për ta tejkaluar vdekjen nëpërmjet vdekjes. Figura e sulltan Shehriarit në Një mijë e një net është tepër e ngjashme me Minotaurin në mitet greke: që të dy kërkojnë njerëz të pafajshëm për t’u flijuar. Por ndryshimi madhor është se tek miti grek, Tezeu shpëton nga vdekja, duke e vrarë Minotaurin, ndërkohë që tek Një mijë e një net, Sheherazade shpëton nga vdekja duke rrëfyer histori magjepsëse.

Të mbijetosh duke rrëfyer: ka diçka hyjnore në këtë gjë, diçka që njerëzit e bëjnë më shpesh seç mendojnë, por shumë rrallë përmendet. Ka diçka të çuditshme në këtë nevojë për të rrëfyer, këtë nevojë për ta rikrijuar botën nëpërmjet gjuhës, këtë shtysë për ta marrë botën fizike të përkohshme e përherë ndryshuese dhe për ta ri trajtësuar në një botë të pavdekshme dhe pandryshueshme letrare. Ne nuk e lëmë dot të shkuarën të zhduket, të vdekurit të mbyten përgjithmonë në detin e harresës, ne nuk kemi fuqinë t’i braktisim përjetësisht miqtë, armiqtë, qytetet, vendet, vegimet, botën tonë të brendshme e të jashtme. Ne nuk mund ta pranojmë dot që gjithçka që ne kemi përjetuar dhe kemi dashur të përjetojmë të shuhet krejtësisht. Të asgjësohet. Të shfaroset për mos u rikthyer më kurrë. Këtë gjë ne nuk kemi fuqinë ta pranojmë dot. Prandaj, dhe e ringjallim nëpërmjet gjuhës atë që ne duam të mbijetojë, atë që ne nuk mund ta lëmë të mbytet përjetësisht në rrjedhën gllabëruese të kohës. Në këtë kuptim, letërsia është një kryengritje e madhe e njeriut kundër botës.

Letërsia e mirëfilltë lind pas një përballje me vdekjen. Gjatë gjithë kësaj sprove kam thënë tërë kohën: letërsia e mirëfilltë. E them këtë pasi ka edhe diçka që hiqet si letërsi, por që në thelb është një zbukurim i neveritshëm dhe sipërfaqësor i vdekjes, vuajtjes dhe shëmtirës. Këtu e kam fjalën për atë që saktësisht do quhej propagandë. Shumë nga keqkuptimet dhe mosmarrëveshjet letrare sot vijnë si pasojë e moskuptimit të ndryshimit midis letërsisë së mirëfilltë dhe propagandës.

Letërsia e mirëfilltë, siç edhe u mundova ta sqaroja në këtë sprovë, synon ngadhënjimin mbi vdekjen nëpërmjet rrëfimit. Ndërkohë, letërsia propagandistike përligj dhe zbukuron vdekjen. Ndryshimi është ky: nëse Sheherazadja do shkonte te Perandori, jo për t’u përballuar me vdekjen, por për të ndihmuar dhe zbukuruar vrasjet e njëpasnjëshme të sulltanit, atëherë Njëmijë e një net do ishte një letërsi propagandistike. Prandaj dhe shprehja e famshme e Adornos, se nuk mund të shkruhet më poezi pas Auschwitz-it është një shprehje krejtësisht e gabuar, pasi ajo ngatërron letërsinë e mirëfilltë me letërsinë propagandistike. Mendoj se Kadareja, siç e ka shprehur edhe në hyrjen e përkthimit të tij të trilogjisë Orestia, ka të drejtë: letërsia e madhe lind pikërisht pas një lufte shkatërrimtare.[v] Lufta e Trojës polli kryeveprat më të mëdha letrare. Ajo që nuk duhet të shkruhet më pas Auschwitz-it, por që fatkeqësisht ka lulëzuar, është letërsia propagandistike. Letërsia e mirëfilltë fillon vetëm pas Auschwitz-it: ajo lind nga nevoja dhe detyra që ne kemi për të mos lënë edhe shpirtrat e të vdekurve të zhduken e të harrohen përgjithmonë.


 

[i] Jorge Luis Borges, The Thousand and One Nights, përktheu Eliot Weinberger, The Georgia Review 38, No. 3 (Fall 1984), f. 566

[ii] Një mijë e një net, përktheu Mustafa Greblleshi (Botime Çabej, 2005), f. 18

[iii] Një mijë e një net, përktheu Mustafa Greblleshi (Botime Çabej, 2005), f. 18-19

[iv] Një mijë e një net, përktheu Mustafa Greblleshi (Botime Çabej, 2005), f. 27

[v] Eskili, Orestia, përktheu Ismail Kadare (Botime Onufri, 2006), f. vii

10 Komente

  1. “… Zanafilla e përtejme është pamundesia e ardhjes së një engjelli që vjen pa asnjë arsye…”

    Erlind, me thuaj ndonje fjalë se po me migrojnë mendte e kokës!

  2. Megjithë rishikimin e ndonjë pasazhi, kemi të bëjmë me një sprovë të guximeshme të teorisë së letërsisë.
    Nëmos, ngrihet gjithnjë problemi i koherencës së argumenteve dhe i përdorimit të të njëjtit fakt në parashtrimin e teorive të ndryshme.
    Në këtë rast në argumentim të idesë së tij interesante që e sheh zanafillën e letërsisë « së mirëfillte » si pasojë e përplasjes së pashmangshme të individit me vdekjen, autori sjell edhe rastin e Epit të Gilgameshit, që ka si fill bashkues, thotë ai pikërisht përballjen e Gilgameshit me vdekjen.
    Kjo eshte pune interpretimi mendoj, sepse në këtë formë siç jepet, nuk e di sa i shërben idesë së esesë në fjalë. Gilgameshi nuk është autor, por personazh mitik i poemës që mban emrin e tij.
    Problemi i tij është ai që dihet, ruajtja e rinisë së përjetshme etj. Kështu, rasti i tij duhej parë disi më ndryshe, se flet për diçka mjaft me thelbësore dhe me te rëndësishme se vete letërsia, pra : të gjithë e kanë frikë vdekjen. Dhe në këtë rast pritej një evoluim tjetër i argumentit i natyres: ndërkohë që të gjithë e kanë frikë vdekjen, përse disa ulen e bëjnë letërsi?
    Së fundi mendoj se në punime të kësaj fushe të ndërlikuar, ku askush nuk ka mundur të thotë në mënyrë absolute fjalën e fundit, nuk duhet të mungoje një lloj stili relativizues, një vijë ikjeje a shkarkimi (ne rast nevoje), një ide se jemi para një sprove tjetër dhe se zgjidhja e problemit, nëse ekziston vërtet, është ende larg. Kjo del si domosdoshmëri e kompleksitetit të vetë jetës dhe natyrës njerëzore.
    – Kam nevojë për para, tha Mopasani, kur e pyetën përse shkruan.
    Dhe Mopasani nuk eshte Naser Aliu.

  3. Përshëndetje Lyss,

    Fjalia që ti ke shkëputur, “zanafillja e përtejme është pamundësia e ardhjes së një engjëlli që vjen pa asnjë arsye,” si çdo fjali tjetër, ka kuptim vetëm brenda një konteksti të caktuar. Ky është rregulli themelor i çdo interpretimi gjuhësor. Atëhere, po të jap kontekstin: libri Kritika e Arsyes së Kulluar nga Kanti, Fenomenologjia e Frymës nga Hegeli, Frikë dhe Drithërimë nga Kierkegardi, Tezat mbi Filozofinë e Historisë nga Walter Benjamin, poezia e Georg Trakl dhe poezia e Rilkes,- por në veçanti Rilke. Po të jap kyçin, por derën hape vetë:

    “Se e bukura nuk është
    pos fillesëe tmerrit, të cilën ende e durojmë
    dhe e adhurojmë, pse lehtë shpërfill
    të na shkatërrojë. Çdocili engjëll është i tmerrshëm.”
    – Rilke, Elegji Duine, shqipëroi Jonila Godole

    Tjetra është se unë nuk i kam venë vetes për qëllim të shkruaj artikuj shterp gazetash (kush? kur? ku? pse? dhe çfarë?). Këtë punë ja kam lënë opinionistëve shqiptar më në zë, të cilët e bëjnë këtë punë më së miri. Kështuqë, mos u habit nëse shikon nëpër shkrimet e mia edhe ndonjë simbol, krahasim, krijime termash, përsiatje të mjegullta dhe përbindsha të tjerë filozofiko-letrarë si këto.

    Në një letër dërguar Gëtes, Schilleri i shkruan: sa herë filloj të shkruaj filozofi bëhem poet dhe sa herë shkruaj poezi bëhem filozof. Mendoj se kjo gjë është më se e vërtetë edhe për mua. Ky shkrim nuk është shkrim shkencor,- e as kam dashur ndonjëherë të jem shkencor. Fjala shkencë ma pështiros sa herë e dëgjoi,- në veçanti kur e dëgjoi nga buzët e dikujt që nuk e di se as ça është shkenca. Përsiatjet poetiko-filozofike për letërsinë duhen të rrinë sa më larg shkencës.

    Letërsia merr një trajtë të caktuar kur del një njeri që ka guximin të shpreh vizionin e tij. Çfarë vërtetimesh, çfarë autoriteti, çfarë faktesh kishte Wordsword kur shkroi në hyrje të Baladave Lirike se poezia është rikujtimi në qetësi i ndenjaves të fuqishme? Po Hegeli, kur e ripërsërit qindra herë në ligjerimet e tij mbi artin, se arti është mishërimi i Hyjnisë në trajtë shqisore? Shiko, drejtimi i letërsisë është ç’ështje vizionesh, jo faktesh. Dhe problemi më i madh që shikoj me letërsinë, filozofinë dhe mendimin në përgjithësi në Shqipëri është se njerëzit nuk kanë guximin të mbrojnë vizionin e tyre. Si pasojë, ata citojnë ndonjë autor bashkohor francez ose amerikan dhe e përfundojnë mendimin këtu. Kujtojnë se po citojnë fjalët e Zotit. Ajo që atyre i duket dituri e madhe nuk është asgjë më shumë se sa një nënshtrim intelektual.

    Për sa i përket Epit të Gilgameshit, ndaj të njëjtin mendim, se ka vend për shumë interpretime, pasi vetë vepra nuk ka mbijetuar e plotë, por e pjesëzuar. Gjithësesi, mendoj se filli që e përshkron tërë veprën është i pakundërshtueshëm: pasi Enkiduji (personazh tepër i ndërlikuar dhe me simbolika të shumëta të cilave nuk po i futem më thellë këtu) vdes, Gilgameshi niset për të gjetur shpëtim nga vdekja. Epin e Gilgameshit e përmenda pasi gjithashtu ka si thelb përplasjen e pashmangshme të njeriut me vdekjen dhe mundimin që ai bënë për ta tejkaluar vdekjen.

    Përgjigja e pyetjes tënde se nëse të gjithë kanë frikë nga vdekja, atëhere pse disa ulen të shkruajnë letërsi, gjendet në këto dy pjesë të shkrimit:

    “Ka diçka të çuditshme në këtë nevojë për të rrëfyer, këtë nevojë për ta rikrijuar botën nëpërmjet gjuhës, këtë shtysë për ta marrë botën fizike të përkohshme e përherë ndryshuese dhe për ta ritrajtëzuar në një botë të pavdekshme dhe pandryshueshme letrare. Ne nuk e lëmë dot të shkuarën të zhduket, të vdekurit të mbyten përgjithmonë në detin e harresës, ne nuk kemi fuqinë t’i braktisim përjetësisht miqtë, armiqtë, qytetet, vendet, vegimet, botën tonë të brendshme e të jashtme. Ne nuk mund ta pranojmë dot që gjithçka që ne kemi përjetuar dhe kemi dashur të përteojmë të shuhet krejtësisht. Të asgjësohet. Të shfaroset për mos u rikthyer më kurrë. Këtë gjë ne nuk kemi fuqinë ta pranojmë dot. Prandaj, dhe e ringjallim nëpërmjet gjuhës atë që ne duam të mbijetojë, atë që ne nuk mund ta lëmë të mbytet përjetësisht në rrjedhën gllabëruese të kohës. Në këtë kuptim, letërsia është një kryengritje e madhe e njeriut kundër botës.”

    Dhe në fjalin e fundit të shkrimit:

    ” Letërsia e mirëfilltë fillon vetëm pas Auschwitz: ajo lind nga nevoja dhe detyra që ne kemi për të mos lënë edhe shpirtrat e të vdekurve të zhduken e të harrohen përgjithmonë.”

    Jo vetëm Mopasani ka nevojë për para. Të gjithë kanë nevoj për para për të mbijetuar. Por më ngjan një thjeshtëzimi thjesht jo i vërtetë të thuash se shkrimtarët shkruajnë sepse kanë nevoj për lekë. Lekët janë një nga kushtet e nevojshme të shkrimit, por jo qëllimi i shkrimit. Edhe nëse ka ndonjë të mangut që ja ka vënë vetes për qëllim të shkruaj sepse do lekë, atëhere do ti përgjigjesha se ka zgjedhur rrugën e gabuar pët të arritur këtë qëllim. Më mirë të bëhej ndonjë biznesmen ose politikan. Do ta kishte më të thjesht kështu.

    Gjithsesi, të falenderoj për kritikat dhe të uroj mbarësi në gjithçka.

    Përzemërsisht,

    Erlind Sulko

  4. Përshendetje Erlind!
    E lexova me plotë ëndje shkrimin tuaj të mësipërm, dhe gjithashtu u intrigova nga debati me Lyss. Jam shumë dakord që ndër pjellat më të mira të letërsisë botërore kanë ardhur pas periudhash të pllakosura nga vdekja, në shkrim përmend Luftën e Trojës që na dha Iliadën, e unë do përmend nje periudhë tjetër të karakterizuar nga vdekja: Mesjetën. Nuk dua të hyjë në detaje e të enumeroj shkrimtar, poet e filozof të cilët veprën e tyre ua kushtuan asaj që ti përmend në shkrim: “të mbijetosh duke rrëfyer.” E përkrah si shprehje, marrë vecmas nga lajtmotivi I shkrimit, sepse mbijetesa kërkon ndryshim, e këta shkrimtar pikërisht atë u munduan të sjellin.

    Packa se jam dakord që periudha të shkëlqyera letrare kanë ardhur fill pas periudha vdekjesh, nuk jam i mendimit që është ekskluzivisht ballafaqimi i njeriut me vdekjes, ose me mendimin e vdekjes që i ka sjellë këto shkrime. Edhe pse fjalën vdekje ti mund ta kesh përdorur me konotacionet që ajo përfshin (vuajtjen, mjerimin, skamin etj), ndonëse kjo në artikull nuk shprehet qartaz, cuditem që vecon vetëm përballjen me vdekjen si prurëse të zanafillës së përtejme të letërsisë, dhe neglizhon dashurinë. A nuk je i mendimit që dashuria ka fuqinë, e vetme, të evokojë letërsi te mirëfilltë?

    Kjo pyetje erdhi krejt natryrshëm në mendje kur lexova shkrimin, e mendoj se edhe ty të ka ardhur ndër mend ndërkohë që endeshe nëpër labirinte të filozofise. Në shkrim duket qartë mendimi yt se letërsia është mënyra jonë për të rebeluar ndaj fatit të pashmangshëm njerëzor kur thua:”letërsia është një kryengritje e madhe e njeriut kundër botës.” Në të njejtin paragraf përmend edhe disa nga arsyet se pse ne, në ballfaqim me vdekjen, zgjedhim të rrëfejmë. Pikërisht këtu, në sytë e mi bëhet e qartë arsyeja e vërtetë përse ne shkruajme. Shkruajme sepse duam. Përballja me vdekjen thjesht na bënë të kuptojmë sa shumë duam. Pra, terthorazi vdekja sjell letërsi, po nëpërmjet dashurisë, gjë që do të thotë që zanafilla e vertetë vjen në përballje me vdekjen, por jo detyrimisht vetëm me vdekjen.

  5. Përshëndetje Migjeni,

    Faleminderit shumë për përgjigjen. Ndaj të njëjtin mendim me ty, për shumëçka që the, prandaj s’kam shumë ç’të shtoj. Për sa i përket dashurisë, edhe atë e shikoj si një mënyrë, mbase dhe mënyra më e fuqishme dhe më e përhapur, me anë të së cilës njeriu do të tejkaloj Vdekjen (dhe siç e ke kapur saktësisht në përgjigjen tënde, këtu jam duke përdorur një kuptim të gjërë të vdekjes). Prandaj, ka kuptim që ka kaq shumë poezi dhe letërsi të shkruajtur pikërisht për dashurinë.

    Gjithë të mirat dhe mbarësi.

    Përzemërsisht,

    Erlind Sulko

  6. E kam lexuar edhe me pare diku tjeter kete artikull une, apo e kam pare ne ender! Nejse! Artikulli eshte terheqes, si i tille ia ka arritur pjeserisht qellimit, -temnaja perrallore orientale sfidon vdekjen! Pjeserisht e vertete! (Rasti me aktual eshte sjellja e Shqiperise, trego perralla qe fqinjet te mos te marrin seriozisht!) Une po e plotesoj kete te vertete.
    1: Pelhura e Penelopes nuk eshte gje tjeter! 2: Vete fjala antike “mile” ((nje) mije), e te tjerat ekuivalente ne te ashtuquajturat semitishte (alf) dhe indoeuropiane, kishte atyre kohrave te lashta kuptimin e pafundesisw, (kujto mirmidonet-milingonat, pra te pafundmit, kujto po deshe edhe historite biblike me te pafundmit ismaelite, 3: kjo tejzgjatje e jetes (perballje me vdekjen) si e Penelopes, si e Shehrezades, etj., ka kuptimin ripwrtwritjes sw jetws, pra atyre kohrave te lashta dominimin e filozofise fetare te trinitetit mbi dyzimin -teme pak e gjate kjo, por s.d.q. e mesuar bollshem ne shkollen tone “socialiste”, 4: krahasimi i Shehrezades me Tezeun eshte njelloj su krahasimi i mesjetes me kohet e sotme, (Minotauri perfaqsonte nje periudhe te lashte ku njeriu hante njeriun, ndersa Tezeu eshte eponimi, apo periudha, e njeriut modern (per ate kohe), qe ne filozofi fetare mund te perfaqsohet deri diku me dyzimin; dhe Shehrezadja nga ana tjeter perfaqson nje epoke me te vonet, qe ne terma dhe filozofi fetare mund te krahasohet me trinitetin, -kultura mesopotame me se shumti), 5: Edhe etimollogjikisht po ti zberthesh emrat e tre personazheve jane: sulltan Shehriari = Diell-zenesi/ -mbuluari, Diell-renesi; Shehrezahde = Diell-ngritsja, Diell-formuesja, Diell-zensia/ -krijuesja, Diell-mbajtsja; Dinarzahde = Ushqyesja, Percjellsja, etj. (teme e gjate kjo e ketij shpjegimi etimollogjik, jo per ketu), 6: po si Gilgameshi njeh boten e te vdekurve, po aq edhe me bukur e njeh Uliksi (Odiseu), e sa e sa personazhe te tjere te miteve antike, e gjithe kjo per te marre mesazhet nga bota e pertejme per te jetuar dhe kaluar situatat e te ardhmes se paditur, sic gjeti me pas edhe Gilgameshi Utnapishtin e perjetshem, simbolikisht pavdeksine 7. pashket e medha ne pranvere (feste e ardhur qysh nga Egjypti i lashte pas kalimit te permbytjeve qe bente Nili), nuk tregojme as me shume e as me pak por riperteritjen, pra lulezimi pas katastrofave -si filozofi- kuptohet se nuk ka patur nevoje te priste Adornon apo Kadarene per tu shpalosur.
    Pas gjithe ketyre 7 plotesimeve (antike -per shaka kjo), duhet thene se, me terminollogji “zanafilla e pertejme” dhe “letersia e mirfillte” ne vetem mund te spekullojme e te bejme lojra fjalesh, si sofistet ne antikitet. Ndaj shkrimi megjithse duket i bukur, duket sikur eshte bere shkrim per shkrim (filozofi per filozofi, i thone popullorce) e per te percjelle lehtas orientalizmat terhiq e mos e keput.

  7. Edhe dicka qe harrova: mospermendja aq shume e te motres se Sherezahdes, Dinarzahdese, duhet te kete te beje me ate se ajo eshte figura simbolike e plotesimit te filozofise fetare te trinitetit, gje kjo e perfaqsuar nga dielloret perso/indiane, por jo nga ata semito-arabe me vone, te cilet u lidhen me dyzuesit helene (henore) dhe vune henen si simbol ne vend te diellit. Historia eshte e lindur -vetkuptueshem- ne boten perso-hindiane, ku roli i Dinarzahdese eshte i madh, por ne ritregimin semito-arab, kesaj figure i hiqen puplat dhe fshihet paksa nen minder, duke u harruar keshtu fare.

  8. Per si eshte pershkruar zanafilla e pertejme, njerezit i kane thene Zoti, hyjnite, esenca, substanca, thelbi; Parmenidi e quajti Qenia, Platoni bota e ideve, Kanti noumeni derisa erdhi Hegeli dhe e preu me shpate nyjen gordiane, qenia dhe mosqenia/asgjeja jane e njejta gje, realja e racionalja jane e njejta gje e me radhe.
    Ne pamundesi per te mposhtur logjiken e hekurt parmenidiane , por me nevojen e pashmangshme per racionalizimin e ekzistences, nuk mund te mos i jap te drejte Hegelit. Ne kuptimin hegelian zanafilla e pertejme dhe zanafilla e kendejme apo historike jane e njejta gje.
    Jeta dhe vdekja jane e njejta gje persa kohe qe vdekja eshte brenda nesh. Gilgameshi nuk fiton dot sepse vdekja nuk eshte jashte nesh, nje entitet i jashtem qe mund te mposhtet, ne jemi jeta dhe ne jemi vdekja; Hegeli racionalizon.

    Ne kete kendveshtrim letersia ”e mirefillte” eshte e njejta gje me letersine ”e pamirefillte”, thjesht jane dy momente te te njejtit continuum. Per fat te mire a te keq edhe fizika e therrmijave na nxjerr se realiteti fizik aq i rregullt per ne bazohet te nje realitet kaotik i therrmijave. Vdekja eshte momenti kur kaosi merr fund, kur loja apo kurthi i infinitit merr fund, e ne kete kuptim letersia e mirefillte si letersia ”e vdekjes” perfaqeson momentin final kur loja e infinitit te ”letersise se pamirefillte” merr fund.

    Nuk mendoj se filozofikisht kemi ceshtje zanafille apo fundi, persa kohe qe serisht kemi te njejten gje( zanafilla e fundi) ne kuptimin e realitetit si spirale.
    Perndryshe na del Parmenidi para dhe atij s’kemi ç’i bejme, o spirale o iluzion, zgjidh e merr.

    p.s te thuash qe letersia e madhe lind pas nje lufte shkaterrimtare eshte e njejta gje me ”letersia e madhe lind pas nje ngjarjeje te madhe historike”; ketu zanafilla e pertejme me zanafillen e kendejme dalin e njejta gje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin