E VEJA DHE DY TRUPAT E PATRIARKUT

Gruaja e një “patriarku” në një regjim totalitar merrte flatra publike mu kur trupi i bashkëshortit hynte në krizë – kujtoj Nexhmijen tonë, pasi Enveri përfundoi në duart e mjekëve; ose edhe Jovanka e Titos[1], të cilën, intrigat e oborrit e ndanë prej të shoqit dhe nuk e lejuan ta luante rolin e vejushës me dinjitetin përkatës; dhe as të mbikëqyrte ndarjen e së shoqit në copa – drejtpërdrejt nëpërmjet amputimit[2], dhe më pas, gjatë ndarjes aq të dhunshme të Jugosllavisë.

Kjo shfaqje e shpeshtësuar deri në frenezi e këtyre vejushave të ardhshme dhe mos-aprovuese lajmëronte vdekjen; ose kushedi edhe i përgatiste turmat adhurimtare për ndërrimin e pashmangshëm të timonierit. Tek e fundit, ky ishte edhe roli sakral i këtyre grave – t’u përkujtonin masave idhujtare natyrën fizike, biologjike të udhëheqësit që kish marrë rrugën drejt varrit.

Plakjen dhe trupin e sëmurë të liderit e kanë administruar dy figura kyçe të oborrit, vejusha[3] dhe mjeku personal, gjithnjë në konflikt të hidhët mes tyre; në konflikte të tilla, kur nuk janë kontrolluar dot, zakonisht vejushat kanë dalë fitimtare. Në çdo rast, mjekut i është kërkuar të mbrojë trupin e liderit nga vdekja[4] – ose t’ia afrojë vdekjen sipas rastit; në një kohë që vejusha tashmë vdekjen e të shoqit e ka pranuar dhe përfshirë në qenien e vet.

Të kujtoj këtu edhe se për mbretërit europianë, në Mesjetë, kanë thënë se kishin dy trupa[5]: trupin natyror, i cili vuan, sëmuret dhe vdes; dhe trupin spiritual, i cili e transcendon përmasën tokësore, duke shërbyer si trupëzim i të drejtës hyjnore për të sunduar.

Në shtetet totalitare pushteti nuk trashëgohet më brenda familjes si në monarkitë; çfarë e shndërron dilemën e trashëgimisë (vazhdimësisë) në dramë permanente, të shkruar në çdo rrudhë të fytyrës së liderit dalës.

Vejusha – pavarësisht nga statusi fiziologjik i liderit – ka për mision politik që ta normalizojë çështjen e trashëgimisë, duke shërbyer si urë kompromisi midis familjes së liderit dhe trashëgimtarit të zgjedhur prej tij.

Nevoja për normalizim lidhet edhe me statusin gjithnjë të dyshimtë të vdekjes së liderit, në një regjim totalitar: vdekjen për shkaqe natyrore gjithnjë do ta shoqërojnë teoritë e komplotit për vrasje politike, helmim ose mjekim të gabuar; ndërsa vrasjen – me atentat ose me likuidim nga vetë shteti me akuzën për tradhti të lartë – gjithnjë do ta shoqërojnë zërat se lideri mund të jetë diku ende gjallë.

Këtë mision normalizues vejusha e përmbush si kujdestare e trupit të liderit, përtej nevojave thjesht mjekësore të këtij të fundit; vejusha riderdhet kështu në rolin e infermieres mistike, e cila ndërmjetëson midis vdekjes dhe vijueshmërisë, ose trupit fizik të vdekshëm dhe trupit spiritual të pavdekshëm.[6]

Ky kalim nga grua në infermiere mundësohet vetëm nëpërmjet zhveshjes paraprake, të personazhit, nga çdo lloj atributi ose funksioni seksual – sado që këto të fundit marrin pjesë në përkufizimin, edhe juridik, të rolit të bashkëshortes.

Për ta thënë thjesht: gruaja e liderit pritet të bëjë (të ketë bërë) me të shoqin seks të rregullt dhe fëmijë, edhe pse asnjë nga këto dy aktivitete fiziologjikisht elementare nuk është esencial, për të përftuar dhe mirëmbajtur trupin spiritual të liderit totalitar, ergo, edhe për të përkufizuar rolin politik të këtij personazhi.

E vetmja valencë politike kritike e seksualitetit bashkëshortor të gruas së liderit shfaqet – paradoksalisht – në momentin kur kjo e fundit, me një gjest të denjë prej murgeshe, kallogreje a deri edhe shenjtoreje, heq dorë nga ky seksualitet qoftë edhe vetëm i nënkuptuar, për t’iu përkushtuar kujdesit të dëlirë për të shoqin në vdekje e sipër.

Përndryshe, martesa fiziologjike e këtyre grave me burrat përkatës dhe familja që ndërtojnë me ta nuk janë pjesë e hagjiografisë së revolucionit, së paku në Europë. Kjo kushedi do të shpjegonte edhe asketizmin monakal të revolucionarëve stereotipikë – Lenini dhe Stalini të vijnë në mendje – të cilët i kanë paraqitur – në biografitë zyrtare – si të çinteresuar për seksualitetin.

Nga imagologjia kristiane totalitarizmi, veçanërisht ai sovjetik, trashëgoi – mes të tjerash – përfytyrimin e liderit total si të dërguarin e Zotit mbi dhe, duke i dhënë këtij disa nga atributet e Jezuit; çfarë edhe do të kërkonte, në kontekste të caktuara, identifikimin e gruas a të vejushës së liderit si një lloj Shën Mërie, mishërim të dëlirësisë totale.

Të kemi këtu parasysh se “motrat” (murgeshat) i kanë quajtur edhe “të martuarat me Krishtin”; martesë të cilën ato e konsumojnë nëpërmjet përkushtimit, besnikërisë dhe dëlirësisë; dhe, në realitet, edhe nëpërmjet veprimtarisë së tyre në shërbim të trupave që vuajnë – p.sh. në spitalet, strehat vorfnore, azilet, kampet e refugjatëve.

Kjo murgjëri simbolike mund të shpjegojë, mes të tjerash, edhe intensitetin moral ndonjëherë deri në zell a hiperventilim puritanist, që shoqëron veprimtarinë publike të vejushave totalitare – nga Krupskaja në Bashkimin Sovjetik, te Çian Çini në Kinën Popullore dhe Nexhmije Hoxha në Shqipëri; gra të rrepta dhe të përkushtuara ndaj idealit për të cilin luftuan burrat e tyre, murgesha të revolucionit, të zhveshura nga seksualiteti dhe fizikaliteti, vejusha jo sepse u kishin vdekur burrat, por sepse kishin zgjedhur të bartnin në shpinë trupat e vdekur a të vdekshëm të bashkëshortëve.

Brenda këtij konteksti, rivaliteti folklorik mes vjehrrave dhe nuseve në familjen e patriarkut mund të marrë edhe përmasa doktrinare dhe metafizike, siç edhe ka ndodhur.

Nëse raporti i gruas bashkëshorte me trupin fiziologjik të së shoqit ka para së gjithash natyrë seksuale, madje edhe kur nuk i shërben çdo herë riprodhimit; dhe nëse gruaja e mbetur e ve vetvetiu shihet si seksualisht në dispozicion nga të tjerët, madje edhe e pozicionuar në zonën gri midis seksit shoqërisht të pranuar dhe seksit imoral; vejusha totalitare, në raportet me trupin e vdekshëm të burrit, do të mishërojë vetvetiu a-seksualitetin, ose refuzimin e mishit.

Vetëm në këtë rol asketik, si “motër” e revolucionit, vejusha mund të angazhohet edhe ligjërisht edhe lirisht në veprimtarinë e disiplinimit të liderit që po vdes, ose të trashëgimisë së liderit të vdekur; duke e organizuar dhe homogjenizuar praninë e këtij pseudo-Krishti në vetëdijen publike, madje edhe duke orkestruar adhurimin e tij kolektiv.


 

[1] Në rastin e shtetit të Jugosllavisë titiste, është e udhës që regjimin ta quajmë autoritar, jo totalitar.

[2] Mjekët ia amputuan Titos 87-vjeçar njërën këmbë, për ta shpëtuar nga komplikacionet vdekjeprurëse të diabetit. Titoja do të vdiste vetëm tre muaj më pas.

[3] Në marrëveshje me lexuesin, unë do t’i quaj këto gra vejusha edhe pse burrat nuk u kishin vdekur akoma; meqë ato e kishin marrë tashmë dhe po e luanin, në sytë e shtetit dhe të qytetarëve, rolin politik të vejushës.

[4] Ose nga marrëzia ose nga gjithçka tjetër që do ta paaftësonte në rolin e vet politik; një ilustrim i mirë do të ishte romani The Visit of the Royal Physician, nga Per Olov Enquist, i cili u ekranizua pastaj në filmin A Royal Affair, të Nikolaj Arcel. Megjithatë, në një monarki, roli i mbretëreshës ishte edhe të vinte trupin e vet në dispozicion të vijueshmërisë së pushtetit mbretëror, duke i dhënë bashkëshortit fëmijë të ligjshëm; funksion që, në regjimet totalitare moderne, sublimohet në rolin e kujdestares së trashëgimisë ideologjike të bashkëshortit.

[5] Kantorowicz, Ernst, The King’s Two Bodies: A Study in Medieval Political Theology, botuar fillimisht në 1957.

[6] Pas vdekjes së Leninit, e veja e tij, Krupskaja, e kundërshtoi me të madhe idenë e balsamimit dhe më tej ekspozimit të trupit të liderit revolucionar në një mauzoleum; ndoshta edhe pse e kish kuptuar, sado në mënyrë të pavetëdijshme, se ajo nuk mund të vazhdonte të luante rolin e infermieres mistike të një trupi të vdekur dhe se vetë identiteti i saj, si grua, bashkëshorte dhe revolucionare, vihej në rrezik nga ky akt. Ironikisht, ideja për ta pasur këtë relike të revolucionit të pranishme mu në zemër të kryeqytetit sovjetik ishte e Stalinit, i cili kushedi besonte se trupi i ekspozuar i patriarkut, i varur pezull mes vdekjes dhe pavdekësisë do t’i siguronte atij, Stalinit, pushtetin e pakufizuar – siç edhe ndodhi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin