AD HOMINEM

Kur bisedonim një ditë për një libër që parashtronte një hipotezë tejet të guximshme për prejardhjen e shqipes dhe unë thashë se hipoteza në fjalë ishte e pambrojtshme në vetvete dhe se metoda e përdorur në libër për ta argumentuar linte shumë për të dëshiruar, më thanë se e kisha gabim, ngaqë autori i librit qenkësh njeri shumë i ditur dhe i respektuar.

Tani, nuk është puna se një njeri, sado i ditur dhe i respektuar, mund të gabojë; madje edhe të gabojë rëndë; por te frika e bashkëbiseduesve të mi se mos kundërshtimi im mund ta prekte, me ndonjë mënyrë, reputacionin e autorit ose kalibrin e tij intelektual; frikë që, ma merr mendja, është kultivuar në atmosferën e sotme të debatit publik, të sunduar nga ad hominem-i, ku është bërë praktikisht e pamundur të kundërshtohet dikush, pa shtuar ose nënkuptuar se ky dikush është edhe hipokrit, mashtrues, llapaqen, bixhosçi, filoserb, filogrek, kurvar, i korruptuar dhe pedofil.

Të thuash se thjesht kundërshtimi nuk është i vetëmjaftueshëm; dhe se, fakti që dikush mund të ketë të meta karakteri ose vese, ia skualifikon vetvetiu argumentin që ka sjellë. Ose, më keq akoma, se që të hedhësh poshtë tezën e dikujt ose të argumentosh se ky e ka gabim, është e nevojshme që, mes të tjerash, t’ia shkatërrosh këtij reputacionin dhe karakterin. Një interpretim lateral kësaj thagme do të ishte: ta kundërshtosh tezën që ka sjellë dikush, është sikur ta kesh mbuluar me bajga në publik.

Nuk e gjej dot si pikërisht hyri dhe u përhap në diskursin tonë publik kjo sëmundje e trashë e ad hominem-it; aq më tepër që nuk e kemi pasur as në traditë, që ta shajmë dhe ta poshtërojmë tjetrin. Cikli i Kreshnikëve dhe Lahuta e Fishtës, këngët popullore historike në Veri dhe në Jug, legjendat e moçme dhe rrëfenjat popullore, të gjitha na japin shembuj të qartë të trajtimit me respekt të veçantë të armikut dhe të kundërshtarit.

Dhe kjo nuk vjen vetëm ngaqë këto narrativa dhe ethosi përkatës e kanë origjinën në kulturën mesjetare, aristokratike dhe feudale, ku respekti i dyanshëm ishte kusht e model për çdo lloj marrëdhënieje sociale, përfshi këtu edhe konfliktin mortal; por ka edhe një arsye praktike: sa më i ditur, trim, i virtytshëm dhe i respektueshëm të jetë armiku yt, aq më e lavdishme do të jetë fitorja jote dhe aq më e nderuar humbja. Prandaj edhe çdo shkëmbim armiqësor e kërkonte fisnikërinë në mos për virtyt e vanitet, të paktën si monedhë. Bajlozi, me të cilin lufton Gjergj Elez Alia, mund të jetë vërtet “i zi”, por jo edhe frikacak, qurravec, kokëpalarë, i shitur, urith, dallkauk, maniak seksual a budalla; sepse po t’i kish këto karakteristika të fundit, një hero i denjë për këtë emër as do të denjonte të matej me të.

Për mua, ad hominem-i dhe poshtërimi i tjetrit në debat lidhen me kompleksin e inferioritetit, në një epokë pasigurish të mëdha rreth statusit të dikujt në shoqëri dhe në publik dhe certifikimit përkatës. Pyetja që nis me formulën “kush je ti që…” e tradhton pikërisht këtë lloj pasigurie të pyetësit në lidhje me çfarë përfaqëson kundërshtari i tij – sa kohë që një titull akademik, një diplomë universitare a një post politik nuk janë më dëshmi të meritës intelektuale, por thjesht prova të përkatësisë në një klan të caktuar. Fisnikërisë ia ka zënë vendin paniku; teksa respektin për tjetrin, tjetrin çfarëdo, tjetrin e panjohur, ruhemi që ta shfaqim, ngaqë druajmë mos na e marrin si shenjë gjunjëzimi a përuljeje.

Atij personit shumë të ditur dhe të respektuar mbase do t’i ketë shkuar fjala për kritikën time ndaj librit që kish shkruar; nuk di nëse është ndier i fyer, apo i mikluar. Nëse kritikën, si formë të diskursit publik, nuk po e përdorim më për të kuptuar më mirë dhe për të transformuar a përmirësuar botën dhe veten, por vetëm e vetëm për ta rrëzuar përdhé kundërshtarin e për t’i hapur vend vetes nën devizën dog eat dog, atëherë gjasat janë që edhe ai të jetë ndier i kërcënuar në status dhe të ketë pyetur: “Ore, po ç’dreqin ka ky me mua…” ose më keq akoma: “Kush m*tin është ky…”

6 Komente

  1. Ardian, thua:

    “Nuk e gjej dot si hyri e u perhap ne diskursin tone publik kjo semundje e trashe, aq me teper qe nuk e kemi pasur as ne tradite ta fyejme e ta poshterojme tjetrin”.

    Eshte shume e thjeshte: Na e la trashegim komunizmi.

    Vertet nuk e kemi pasur ne tradite dhe nuk ka gjurme te kesaj dukurie ne diskursin publik shqiptar te periudhes para L2B. Erdhi si pasoje e vakumit ne sistemin e vlerave qe na la “njeriu i ri” socialist.

  2. Dakord me Relapson sa i perket faktit qe kete dukuri e kemi trashegim nga komunizmi, por jo si pasoje e vakuumit ne sistemin e vlerave. Trashegimi eshte i drejtperdrejte, vecse ne origjine ishte i maskuar si efekti “biografik”. Askush nuk mund te ishte mesues i mire, mjek i mire, aq me pak shkencetar i shquar neqoftese nuk ishte me biografi te mire. Natyrisht mund te kete ndonje perjashtim, qe sherben vetem per te perforcuar rregullin.

    Aq e rralle i bie te jete kjo dukuri (efekti biografik) ne bote, sa qe nuk egziston, mesa di une, as ndonje latinizem per ta pershkruar (boh, mund te thuhej kushedi “ad familia”, po ja fus pak si kot), pra ndersa sot hedhim poshte veprat apo argumentat duke i vene autorit te gjitha atributet e fisme qe permendni ju, qe moti, demek ne komunizem mjafton te thoshe “eshte me biografi te keqe” dhe me perjashtim te ndonje rasti kur e quanin edhe imoral sepse mund te ishte ndare me gruan, te gjitha dyert ishin te mbyllura.

    Besoj se do te ishte interesant te krahasohej situata e sotme “ad hominem” me ate te qemotshmen “biografike”. Nje gje eshte e qarte, qe te pakten sot nuk te internojne, apo nuk te fusin ne burg, vetem sepse lugati “ad hominem” te shenjon.

  3. Fort, bukur. Askush nuk e kishte shtruar më parë këtë pyetje, madje personalisht as qe kisha menduar se mund t’i shkoje ne thelb problemit nepermjet nje pyetjeje.
    Megjithatë, për mua, ka mundësi që një vështrim kalorësiak mbi të tjerët, i trashëguar nga kohe me sjellje baladinesh u shthur disi më parë se te mirseardhej komunizmi, se ajo që ndodhi në atë kohë ishte e kundërta. Pra u ngritën ca tranguj të idhët që më kollaj e kishin të nxirrnin koburen nga brezi se fjalën nga goja dhe vendosën ligjin e tyre. Në këto kushte ishin të tjerët, intelektualët ata që ngritën pyetjen: po ju kush jeni? Dhe pyetja qe e drejtë, por u desh gjysmë shekulli për të kuptuar se çfarë brenge fshihte ajo.
    Pra duhet hedhur syri diçka më “tujte” në kohë. Mbase te kryengritjet fshatare të mesit të shek 19 e deri në lëvizjet fshatare të periudhës së Haxhi Qamilit. Njëfarësoj qenë ngritur këmbët t’i bien kokës. Kjo qe disi e padurueshme, se ndryshe nga më parë kur feudalë e fshatarë ngriheshin bashkë për të kundërshtuar reforma të ndryshme të Portës që i dëmtonin të dyja palët, më tutje fshatarësia, vulgu të themi, u ngrit për hesap të vet, se krerët, bajraktarët, ndryshe nga vendet e tjera në suazë të Perandorisë Osmane, pas Reformes, ishin disi edhe rrogëtarë të Portës. Ngrita e tyre prishte një gjendje të caktuar, që atyre lart nuk u vinte fort për së mbari.
    Këtu del problemi se: kush je ti more burrë që … ?
    Unë, jam Samil Qemali, qe gjegjia…

  4. -Jo,jo, -na nderhyri Jani, sekretari i rinise se repartit, ne ate muhabet historie qe po beja une me Arjanin, nje shok pune ky dhe bashkmoshatar me mua, (te dy te rinj asaj kohe ne, si te tille edhe nuk i masnim fjalet kur i leshonim), -e ka thene edhe Stalini qe pellazget jane me te vjeter se Hena!
    -Si, cfar? -hapa syte une, pa e kuptuar akoma thelbin e fjaleve te sekretarit tone te rinise. Aq injorante nuk na kish formuar shkolla jone “socialiste”, qe te pranonim gjithshka degjonim! -Si me te vjeter se Hena?!.. C’do me then kjo!? Qe pellazget kane jetuar para se te ekzistonte Hena?..
    Jani levizi koken, sikur te kish fjetur keq ate mbremje. -Po … besoj se po! Te pakten keshtu ka thene Stalini…
    -Ore, lere Stalinin ti, se Stalini nuk eshte as gjuhetar e as historian, -ju ngerheva une! -A e kupton se cfar po thua? Qe njeriu prej jo me shume se disa qindra mijra vjet histori, na qenka me i vjeter se Hena, qe eshte disa miliarde vjet!..
    -E.. po… -mbeti Jani nje here si guak, pa ditur si te argumentonte, megjithate duke vazhduar nen emrin e Stalinit! -Vertet Stalini nuk ka qene gjuhetar por eshte marre edhe me gjuhesi, biles ai ka cituar nje gjuhetar…
    -Ore, -e nderpreva me pas une serish, -Stalinin beje dhe politikan te madh ti e cfar te duash, por ne gjuhesi dhe histori eshte nje null. Nese kete e ka thene ai dhe ndonje historian apo gjuhetar, kjo duhet marre si shprehje figurative, sepse nuk mund te vesh para Henes njeriun, e aq me pak pellazget!
    -Po, ka mundesi te jete figurative, -u pajtua disi Jani me pas me te verteten, duke bere pa deshiren e tij kurban autoritetin gjeorgjian.
    Kjo histori e vertete (aty ne vitet ’80), qe e kam permendur edhe diku tjeter, tregon ate “respektin” per autoritetin. Jo shume jave apo muaj me vone, ngaqe une lexoja boll histori, kuptova se duhet te kishim te benim me nje perkthim te gabuar te shkrimeve te vjetra, pra nuk behej fjale per Henen, por behej fjale per henoret, te cilet, sic pohon edhe Herodoti, jane te ardhur prapa pellazgeve. Jo per modesti, por nuk e besoj te kem qene i pari i ketij zbulimi ne dallimin e gabimit te perkthimit te autorve te vjeter, (nuk me kujtohet tani, por me duket se, ose nga Herodoti, ose nga Pausania prej perkthyesve arabo-cifute, apo te tjerve me vone).
    Do shtoja -ne lidhje me temen e shkrimit te Ardianit- edhe qe, kritika me argumente jane bere ndaj njeri-tjetrit edhe ne shume autore/ intelektuale shqiptare, (historiane, gjuihetare, etj.) edhe gjate kohes se “socializmit”, pa tentuar per te ulur figuren e tjetrit. Ndaj mendoj se ky fenomen i komplekseve te inferioritetit (ou, kush na qenka ky!?) dallohet me shume sot ne te ashtuquajturen demokraci, se sa atehere; kjo duket ngaqe shumica e autorve jane me arsimim te cunguar, pra edhe pa argumenta ne kritikat e tyre.

  5. Edhe unë, me Lyss-in, mendoj se për këtë flamë të ad hominem-it nuk kemi pse të bëjmë me faj komunizmin. Komunizmi e shfrytëzoi, për të hequr qafe elitën e respektuar – politike, ekonomike edhe intelektuale; por predispozicioni ekzistonte prej kohësh.

    Te një libër përmbledhje e Sevdai Kastratit, “Lufta e penave” (Toena 2002), gjenden një numër i madh polemikash mes personaliteteve të kulturës dhe të politikës shqiptare kryesisht gjatë këtyre 2-3 shekujve të fundit. Atje lexuesi e ka të lehtë të shohë si këto polemika fare lehtë degradonin në “ad hominem”. Po sjell vetëm një shembull, duke cituar se çfarë pat shkruar Noli për Gramenon:

    Mihal Gramenua, passí pa që as jatagani s’i priste, as stileta s’i çponte, u-sul të kërkojë ngushëllím te shishja dhe të mbytë dëshpërimin, inatin dhe nakarin e tij me dollira rakie, vere, whiskey, birë të trazúara. Si u-dënt paq dhe u-pi si hamáll, nisi të më shajë e të më spërkatë me të vjellat e tij prej pianiku të tërbuar. Përgjígjia ime ndër ató që thotë ky alkoholík, ky analfabét, ky kryengritës i vozës, ky shkrimtár i pléhëve, ky politikán i mejhaneve është kjo… [dhe vazhdon me këtë ton edhe për katër-pesë radhë akoma.].

    Një hipotezë imja, për rrënjët e kësaj sëmundjeje tek ne, do ta lidhte me shthurjen artificiale (me reforma të shpejta) të feudalizmit dhe të krahinizmit ndër shqiptarë, meqë ashtu u prishën hierarkitë sociale dhe strukturat vertikale (me përjashtim të familjes), për t’u zëvendësuar nga “barazia” (jemi të gjithë njëlloj) – parim i drejtë, por që e ruan drejtësinë vetëm në kontekst, përndryshe fare lehtë kthehet në armë për të goditur elitat, dhe veçanërisht elitat që nuk gëzojnë mbrojtje politike.

  6. I nderuari zotni Vehbiu, Ad Hominem-in “ne diskursin tone publik”, e kane futur dy personalitetet me te medha te kultures kombetare: Faik Konica dhe Fan Noli.
    Nuk dua te vazhdoj me tutje se, mendoj qe mjafton.
    Flm per mirekuptimin.

Lini një Përgjigje te Ardian VehbiuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin