LINDJA E NJË MUZEU, SI LINDJE E PRAPAKOHSHME

Tek dola nga vizita ime e parë në Muzeun e Përgjimeve, pasi m’u dha mundësia të ndiqja edhe ceremoninë e hapjes së këtij muzeu, kuptova se ishte fat jo i vogël prania në atë ceremoni dhe vizita në muze menjëherë pas saj. Fati nuk qëndron tek ceremonia në vetvete, por tek dinamika e brendshme e saj: në oborrin e pasmë të “Shtëpisë së Gjetheve” ndodheshin ulur, të gjithë bashkë: 1. shtetas shqiptarë, ish të përndjekur, subjekte të veprimtarisë së asaj “shtëpie”; 2. shtetas shqiptarë të lindur dhe të rritur në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë para vitit 1992, subjekte potenciale të veprimtarisë së “shtëpisë” (jo domosdo subjekte reale, ose unë nuk e provoj dot këtë); 3. shtetas shqiptarë që lindur para ose pas vitit 1992, por jo të pjekur në kohën kur vepronte “shtëpia”, të cilët, për shkak të moshës, do të kishte qenë e çuditshme po të kishin qenë subjekte mbikëqyrjeje nga “shtëpia”; 4. shtetas të huaj, të cilët nuk mendoj se kanë pasur “fatin” të kenë qenë ndonjëherë subjekte të “shtëpisë”. Të gjithë këta grupe mbledhur për të njëjtin motiv: hapjen e rropullive të njërit prej instrumenteve që ekzekutoi diktaturën në Shqipëri.

Nuk dëshiroj të diskutoj meritat apo të metat e punës së bërë brenda muzeut. Mund të ekzistojnë 100 mënyra të tjera, më të mira ose më të këqija, për të arritur të njëjtin qëllim në muzeologji. Është zgjidhje dhe mundësi zgjedhjeje. Mund të them, ama, me siguri, se dola i trembur nga ai muze. Le të vlejë kjo si vlerësimi im për arritjet e muzeut. Dëshiroj të merrem këtu me konceptin e marrëdhënies që vendos muzeu konkret me shoqërinë, dhe qëllimet që përmbush ky muze në çastin kur filloi të funksionojë.

Duke iu referuar metodologjisë së punës për muzetë bashkëkohorë, “muzeologjisë së re”, muzeu është mjet, instrument në dispozicion të shoqërisë, në mënyrë që kjo të zbulojë identitetin e saj, ta formojë, ta etiketojë apo ta çetiketojë atë, si, p.sh., territorin dhe kufijtë e saj në kohë dhe hapësirë, duke respektuar shoqëritë e tjera dhe grupet e tjera shoqërore apo kulturore. Identiteti, në kuptimin e muzeologjisë, janë edhe tërësia e përfytyrimit që ka për veten një grup shoqëror, përfytyrimi për të shkruarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij. Roli kryesor i muzeut është ta nxisë shoqërinë për të përfytyruar, ta ndërgjegjësojë shoqërinë për këto përfytyrime dhe t’i emërtojë ato, duke i manifestuar në jetën e përditshme reale, të prekshme apo të paprekshme. Thënë ndryshe, muzeu luan një rol të rëndësishëm në procesin e “përfytyrimit pozitiv”. Detyra e muzeut është të kuptojë të drejtat e një shoqërie për të përfytyruar, emërtuar, dalluar se çfarë janë objektet që paraqiten në muze, ashtu siç i kupton ato shoqëria e atij vendi; muzeu duhet, po ashtu, të kuptojë nevojat e shoqërisë dhe t’u përgjigjet atyre nevojave. Në vëmendje të muzeut nuk janë objektet, por njerëzit.

Duke identifikuar dhe emërtuar elementët e prekshëm dhe të paprekshëm që përbëjnë mjedisin e tyre, njerëzit ndërgjegjësohen se kanë të drejtë të kenë një identitet lokal dhe rajonal, bëhen zotërues të botës së tyre dhe të aftë ta kontrollojnë atë. Në mënyrë të ndërgjegjshme muzetë janë nismëtarë të kërkimit të identitetit. Ndërkohë, objektivi i muzeve sipas modelit të ri shkon matanë formimit të identitetit. Muzeu i tipit të ri ka për qëllim të kontribuojë konkretisht në jetën e përditshme duke pikasur problematikat dhe duke gjetur zgjidhjet e mundshme. Si institucione edukative, muzetë mund të kontribuojnë për të ndërtuar ndërgjegjen e banorëve të një zone apo vendi, si dhe të veprojnë në mënyrë formuese. Kësisoj, muzeu kthehet në një “universitet për popullin”, bëhet vendi që pasqyron pyetjet të cilat i drejtojnë vetes individë apo grupe shoqërore, pa ofruar përgjigje, por duke formuluar problemet, duke treguar alternativat e zgjidhjeve dhe duke ofruar materiale dhe informacione që ndihmojnë shoqërinë të vendosë se çfarë pozicioni do të marrë. Prandaj, muzeu nuk mund të mbetet një strukturë statike, e pandryshueshme në kohë, pasi, në këtë mënyrë, vetvetiu përjashton veten nga nevojat e shoqërisë njerëzore, e cila, nga ana tjetër, nuk është kurrë statike. (Për konceptin e përmbledhur të muzeologjisë së re shih kreun e dytë tek: Andrea Hauenschild: Claims and Reality of New Museology: Case Studies in Canada, the United States and Mexico, Center for Museum Studies, Smithsonian Institution, 1988.)

Vijmë pikërisht këtu, tek shoqëria njerëzore: cilit prej grupeve shoqërore të ndodhura në ceremoninë e promovimit dhe të përmendura në fillim të këtij teksti, i shërben më shumë Muzeu i Përgjimeve? Askush nuk mbetet pa pjesë, por, duke marrë parasysh vitin 2017 në të cilin çelet ky muze, dukshëm më të privilegjuarit janë brezi më i ri i shtetasve shqiptarë, dhe shtetasit e huaj, të cilët vizitojnë Shqipërinë për arsye pune apo turizmi. Ata që janë “protagonistët pozitivë” të jetës së sotshme shoqërore në Shqipëri, ish të përndjekurit, mbetën, edhe një herë, të fundit. Kjo jo për faj të qeverisë së sotshme, do të ishte e padrejtë një mëtim i tillë. Qeveria e sotshme, si ashtu, si kështu, pati urtësinë të mbushë një boshllëk të ndjeshëm në trajtimin e së shkuarës komuniste. Nëse kjo funksionon edhe si kapital politik, le të ndodhë, sepse është thjesht një realitet i çastit, nuk ka kuptim të merremi me të. Humbja e pandreqshme që ka shkaktuar KLASA DOMINANTE POLITIKE e Shqipërisë, që nga viti 1992, deri më sot, është më e madhe. Të përndjekurit kanë një shoqatë, por që është lodër në dorë të cilitdo qeverisës; kanë të drejtën e një shpërblimi, të cilin me fat janë ata që e kanë gëzuar; kanë një institut, por që ka më pak tituj të botuar se, fjala vjen, Shoqata e Pellazgollogëve dhe Ilirologëve Shqiptarë. Pastrimi ligjor, përmes një Nurembergu të ngjashëm (ide e huazuar nga Eda Zari në artikullin “Shëmtia etike dhe empatia e shtirur” në Peizazhet e Fjalës), as ndodhi dhe as ka më kohë të ndodhë. Kurse katharsis, pastrimi mendor dhe shpirtëror, ka vonuar aq sa, nuk dihet më kush ka mbetur gjallë për ta zbatuar dhe për ta dëshmuar …

Muzeu i Përgjimeve është një pikë orientimi në qëndrimet individuale apo kolektive ndaj dhunës dhe krimeve shtetërore të periudhës 1945-1992 në Shqipëri. Është një institucion që denjësisht ka mundësi të përmbushë qëllimet e tipit të muzeut të ri. Por jo për këdo: nga ky qëllim përjashtohen të gjithë ata ish të përndjekur, të cilët shoqëria shqiptare nuk diti, as nuk deshi t’i trajtojë me dinjitet. Mbeti i pashlyer borxhi kolektiv. Kolektiv, sepse, duke vizituar Muzeun e Përgjimeve, është shumë e lehtë, fjala vjen, të evidentohet numri i bashkëpunëtorëve vullnetarë të Sigurimit, i cili është shumë më i madh se ai i agjentëve profesionistë. Muzeu i Përgjimeve sot i jep kujtdo mundësinë të krijojë një imazh pozitiv për veten dhe shoqërinë; por këtu e 25 vjet po kjo shoqëri ka lënë pothuaj pa ndihmë ata që vuajtën nga dhuna dhe diktatura: ish të përndjekurit.

Uroj që, kësaj here, kur gjimnazistë apo studentë të dalin nga Muzeu i Përgjimeve, të mos ndjehen krenarë për të shkuarën e “lavdishme” totalitare, siç ndodh kur dalin nga franchising Bunkart, por, përkundrazi, të ndjejnë peshën e përgjegjësisë së pa mbajtur nga etërit e tyre.

Në fund, nuk dëshiroj të përdor në këtë shkrim ndonjë fotografi të Muzeut të Përgjimeve. Tashmë qarkullojnë shumë të tilla on-line. Po përdor një foto të gjysmë-qiellit, e bërë nga oborri i pasmë i asaj që dikur ishte klinika gjinekologjike e Dr. Jovan Bashos.

1 Koment

  1. Nuk e besoj se ndokush do te ndjehet krenar, apo as fajtor, pasi te dali nga ky muze i shtepise me gjethe, -sic e quanin disa asaj kohe kete ndertese te sigurimit, dhe vetem qe pak njerez e dinin se ishte e sigurimit! Kjo nga fakti se 1. kjo shtepi nuk merrej -besoj- aq me te persekutuarit e asaj kohe, se sa me fotokopime, transkiptime mesazhesh te fshehta, pune agjenturash, sic flitej, 2. kjo shtepi pasqyron sot -besoj, sepse nuk e kam pare akoma- objekte dhe veprimtari qe shumica e njerezve as qe i ka menduar ndonjehere ne koke te vet, 3. periudha qe ne lame pas nuk perben sot makth, si per te persekutuarit ashtu dhe per persekutoret, (shpesh te perzier keta me njeri-tjetrin), dhe sot cdo kush, si brezi i kaluar, aq me teper ai i ri, jane te perqendruar tek e sotmja dhe e ardhmja. Pra, ky muze shihet sot (paradoksalisht apo normalisht) si cdo muze tjeter! E habitshme? Ky eshte realiteti! Ky/keta jemi ne vete!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin