SHKRIME TË MARRA PA LEJE

[ose mjerimi i etikës profesionale dhe të copyright-it në mediat shqip.]

Për herë të dytë brenda një jave, një portal shqip – LAPSI.AL – ka marrë pa leje dhe ka botuar një shkrim nga Peizazhe të fjalës.

Pas shkrimit për kullat, morën “Anglishtja në bunker,” duke e vënë në rubrikën e çuditshme BLOG. A thua se unë paskam vendosur të mbaj blog për LAPSI.AL!

Pronarët dhe menaxherët e kësaj faqeje unë i njoh dhe kam shkëmbyer me ta emaile, por ata megjithatë parapëlqejnë t’i marrin këto shkrime “si në mall të babait” – ose pa pyetur njeri dhe aq më pak mua si autor dhe administrator të Peizazheve.

Edhe pse shkrimet që botohen në faqen tonë, dhe në veçanti shkrimet e mia (A.V.) janë të mbrojtura me të drejtën e autorit.

Duke i marrë këto shkrime pa leje, pronarët dhe redaktorët e LAPSI.AL jo vetëm më fyejnë mua autorin personalisht pa arsye, por edhe shkelin etikën elementare të gazetarit – pa e përmendur fare ligjin.

Unë nuk e di pse veprojnë kështu këta kolegë. Po të jetë se thjesht u pëlqejnë shumë disa nga shkrimet tona, them se do të më kishin marrë leje, pasi të më kishin përgëzuar. Prandaj kam frikë se i zgjedhin dhe i marrin vetëm e vetëm kur i gjejnë në pajtim me programin e tyre politik, cilido qoftë ky.

Përveçse kanë marrë materiale prej nesh kur kanë menduar se do t’u hynin në punë, LAPSI.AL nuk ka treguar kurrë ndonjëherë interes për ne si faqe online, as për çfarë kërkojmë të bëjmë, as për çfarë ne përfaqësojmë.

Nga ana tjetër, materialet që botohen në Peizazhe të fjalës i jepen lexuesit falas. Ne nuk nxjerrim në faqen tonë pisllëqe për të tërhequr klikimet, as reklama.

Përkundrazi, LAPSI.AL i merr nga ne dhe i vendos në faqen e vet, duke nxjerrë prej tyre fitimet monetare përkatëse. Pa u kujtuar që të bëjë, të paktën fare, një dhuratë çfarëdo, duke klikuar në butonin përkatës të Peizazheve!

Kolegë të LAPSI.AL, mos merrni më shkrime nga ne.

Nëse gjykoni se ndonjë gjë që botohet te Peizazhe të fjalës është vërtet me interes për lexuesin e faqes suaj, jepeni këtë SI LAJM, duke ndjekur modelin më poshtë:

Në një shkrim të botuar sot në Peizazhe të fjalës, X.Y. tërhoqi vëmendjen për… duke përmendur se… etj.

Këtu mund edhe të vendosni një përmbledhje të shkurtër të shkrimit dhe të shtoni linkun e publikimit origjinal. Nëse dëshironi, mund edhe të citoni ndonjë paragraf drejtpërdrejt.

Por kjo marrje e shkrimeve pa leje duhet të ndalet menjëherë: unë po të kem ndonjë shkrim për faqen tuaj, di si t’jua dërgoj dhe t’jua propozoj, sipas të gjitha rregullave të komunikimit mes mediave të së njëjtës fushë.

Sa më lart vlen edhe për të gjitha faqet, portalet dhe mediat e tjera online: marrja e shkrimeve pa leje është vjedhje. Çfarë del te Peizazhet, kërkon punë jo vetëm nga autorët, por edhe administratorët e faqes – dhe nuk shkon që kjo punë të shfrytëzohet nga faqe të tjera, ose edhe të shkojë për të pasuruar gjahtarët e klikeve dhe për të ushqyer axhendat e tyre, të cilat janë të ndryshme nga jona.

STOP, pra, hermanos. It is not nice.

11 Komente

  1. Ardian, më shuaj një kureshti teknike, të lutem. Meqenëse këtu nuk mund të bëhet më copy and paste, si ia dalin këta ta kopjojnë tekstin? Se nuk ma do mendja që “këta” janë aq të zellshëm sa ta rishkruajnë përmbajtjen.

    1. Arbelo, per cfare e ke fjalen kur thua “meqenese ketu nuk mund te behet copy and paste…”? Google chrome ka nje extension te quajtur “allow copy” te cilin kur e instalon te mundeson menjehere kopjimin e ketij tekstit me lart. Une sapo e kopjova kete artikull dhe e hodha ne MS Word per prove (por jo gjekundi tjeter). Kaq e thjeshte eshte.

      1. Është e thjeshtë nga pikëpamja teknike (mekanike), por e turpshme nga pikëpamja etike. Nëse unë e bëj faqen time “copy-protect”, kjo të lë ty, përdoruesin, të kuptosh se unë nuk dua që të m’i kopjojnë materialet – dhe nëse ti megjithatë m’i kopjon, je duke më vjedhur haptazi; meqë tani nuk mundesh as të thuash se “nuk e dija që nuk duheshin kopjuar”. Ka një etikë të komunikimit mes content-providers në rrjet; që është e ndryshme nga zbatimi i ligjit të copyright-it. Në qoftë se jemi bashkë në kafe dhe unë porosit një espresso, ty nuk të lejohet që të vish të ma marrësh mua filxhanin nga tavolina, edhe pse me siguri unë nuk do të lajmëroj policinë, sikur të ma marrësh. Dua të them, ligji vërtet mund të më mbrojë, por që nga momenti kur unë i drejtohem ligjit, kam vënë në pikëpyetje edhe vetë natyrën e punës sime: tek e fundit, materialet që dalin në Peizazhet janë falas. Kjo që bën Lapsi (dhe të tjerë bashkë me Lapsin), është si ta sjellësh lopën tënde gjysmë të ngordhur që të kullotë në një park publik: dhe unë nuk jam as gati, as i përgatitur që të policoj lopët dhe lopçarët.

        1. Z. autor: keni plotesisht te drejte per anen etike dhe beni mire qe e vini ne dukje. Mendoj se ata qe jua kane marre shkrimin pa leje dhe e perdorin si ‘content’ ne faqen e tyre do ta kene me te veshtire ne te ardhmen pas kesaj note proteste pasi nje veprim i tille do te dobesonte realisht kredibilitetin e tyre.

          Gjithsesi une po flisja per anen teknike dhe se si eshte virtualisht e pamumndur ne ditet e sotme te mbrosh ‘content’ te nje faqeje prej kopjimit.

  2. Ardian, situata e kopjimit të teksteve nga njëri-tjetri ka krijuar një situatë qesharake (nga ana teknike) në faqet shqiptare online. Shumë faqe (dhe këtu e tutje për lehtësi do përdor termat anglisht të fushës) kanë bllokuar “feeding”-un e lëndës së tyre. Ky proces realizohet automatikisht si nga një “browser” i zakonshëm, si Firefox-i, ashtu edhe nga programe të dedikuara, të njohura si “feed reader”. Vetë “browser”-at, si “Firefox” apo “Edge”, kanë shtuar së fundmi një opsion të ri, që quhet “reader mode”, ku mund të klikosh dhe të lexosh vetëm tekstin e faqes ku ndodhesh, pa asgjë tjetër që ta bezdis leximin, por kjo nënkupton apriori që ta shfletosh direkt faqen që kërkon të lexosh. Nga programet e dedikuara, unë vetë përdor prej vitesh “Feeddemon”, pse ngarkesa gjithnjë në rritje me reklama dhe skripte e faqeve shqiptare në përgjithësi, por edhe e atyre të huaja, e bën të pahonepsshëm shfletimin e drejtpërdrejtë të tyre. Për dikë që do të lexojë vetëm titujt (me opsionin shtesë të 2-3 rreshtave të parë të informacionit) që të ketë mundësi të zgjedhë ç’të lexojë, është mënyra më e mirë e shfletimit të sajteve informative. Mund të shfletosh kështu tërë sajtet informative të botës, pa hyrë direkt në faqet e tyre online. Por kopjimi që bëjnë gazetat shqiptare nga njëra-tjetra i ka bërë që shumë prej tyre të marrin masa ta çaktivizojnë procesin e “feeding”-ut, apo ta gjymtojnë atë. Disa të tjera kanë shkuar edhe më tutje, duke përdorur skripte që bllokojnë zgjedhjen e tekstit – një tjetër majmunllëk alla shqiptar ky, sa kohë një lexues kërkon të zgjedhë jo tërë tekstin për kopjim, por një fjalë apo një shprehje për të bërë kërkime të mëtejshme mbi të. E fundit nga “shpikjet” alla shqiptare është përdorimi i skripteve për të bllokuar atë që njihet si “right-click”, modul i cili funksionon kryesisht për bllokimin e klikimeve mbi foto apo video. Që të gjitha këto në funksion të ruajtjes nga kopjimi që i bëjnë njëri-tjetrit. E bukura e gjithë kësaj historie është se gazetat online që kopjojnë më shumë materiale të të tjerëve janë pikërisht ato që edhe i kanë ndërmarrë masa të tilla antikopjim. Sidoqoftë, është mirë të dihet se kopjimin – pavarësisht masave që mund të merren – askush nuk e ndalon dot. Një teknik i fushës e di se, çfarëdo të bëjë, “krijojë” apo instalojë një administrator faqeje, “browser’-at vetë kanë një komandë të brendshme, e njohur si “view source” ose “view source code” (që arrihet nga menyja e programit ose me “right-click”), e cila të shfaq tërë përmbajtjen e faqes. Përdoret për të lexuar gjuhën html të përdorur për ndërtimin e faqes, bashkë me përmbajtjen e saj. Dhe pas shumë rreshtave me kode të pakuptueshme html, ndodhet edhe teksti i plotë e i thjeshtë i informacionit, që mund të kopjohet lehtësisht. Në vend të 5 sekondave që i nevojiten një kopjuesi në rastin e një faqeje të thjeshtë, do t’i duhen maksimumi 50 sekonda në rastin e një faqeje të mbrojtur. Marrja e masave kundër kopjimit rezulton kështu e pavlerë dhe u bën dëm më tepër përdoruesve të zakonshëm të internetit, të cilëve u pamundëson ndonjë opsion për larmi programesh shfletimi apo për përdorim të zgjeruar të tekstit që kanë para syve, sesa kopjuesve profesionistë të punësuar nga mediat shqiptare. Them shqiptare, pasi këto praktika rrallë i gjen në mediat online perëndimore – shembulli i vetëm i prepotencës së këtij lloji që njoh unë në këtë drejtim është “Forbes”.
    Në rast se kërkon t’i japësh drejtim vërtet çështjes në fjalë, më mirë bëj një ankesë në instancat që merren me këto punë – ato që rregullojnë mediat elektronike të internetit, apo ato të të drejtave të autorit, fundja drejtohu edhe gjykatës. Është rast i thjeshtë e lehtë i fitueshëm. Përndryshe, ti vazhdon të ankohesh, ata vazhdojnë të vjedhin. Fundja, kjo është historia e Shqipërisë e njeriu s’i ikën dot fatit të vet.

  3. E ndjej vertet shqetesimin e autorit A.V., megjithse njoh dhe me te keqen, kur te kopjojne pa te cituar, keshtu duke te vjedhur krijimin apo zbulimin tend, e biles ca me keq, ku/-r nuk ke as ku te ankohesh! E tmerrshme, besoj!

    1. Dhe më keq akoma: kur ta marrin shkrimin jo sepse u pëlqen, por sepse u hyn në punë – për qëllimet e tyre të ngushta, politike. Unë këtë e kuptoj nga mënyra si i zgjedhin shkrimet që marrin: vetëm ato që, sipas interpretimit të tyre, godasin Ramën ose Veliajn. Duke vepruar ata kështu, ma shtrembërojnë edhe profilin publik për lexuesit e tyre, meqë unë nuk është se ia kam vënë qëllim jetës sime që të merrem me Ramën dhe me Veliajn, t’i kritikoj ose t’i lavdëroj. Prandaj edhe ndihem i fyer: sepse jo vetëm m’i marrin shkrimet pa më pyetur, por edhe më rekrutojnë, duke më veshur mua, autorin, me uniformën e tyre.

  4. Përshëndetje Ardian!

    E kuptoj fortë mirë problemin tuaj, i cili është problem I gazetarisë mbarë-shqiptare dhe botërore. Nuk dua të krijoj polemikë, pasi vërtet e kuptoj mllefin që të shkakton marrja e një “prone” intelektuale pa leje. Arsyeja pse fjalën “pronë” e vura në thonjëza është pikërisht arsyeja përse po shkruaj këtë përgjigje, sepse nuk di a është vërtetë pronë. Prona është shprehësi e të takuarit, një pronë i takon dikujt, po nuk jam i mendimit që një mendim a opinion duhet t’i takoj vetëm dikujt. Madje nuk jam i sigurt nëse i takon dikujt në rradhë të parë. Është një mendim filozofik i zanafillës së të menduarit, ndoshta psiko-analitik (kur merr parasysh tërësinë e “vjedhjeve” që marrin pjesë në formimin e një mendimi), që më bënë të kem një pasiguri të tillë. Nuk di a është vetë mendimi pronë apo është matrica sociale që i ka dhënë këtë karakter. Personalisht mendoj se është e dyta.

    Thënë ato, ky mendim i imi nuk e legjitimizon aspak veprimin e portalit, në kuadër të normave morale e ligjore të shoqërisë. Dilema ime është më shumë e një karakteri filozofik, pa shumë qasje në moralin e veprimit, pasi morali i takon kohës e jo njeriut. Gjithsesi, kudos për shkrimet, dhe të uroj gjithë të mirat. Non ti curar di lor, ma guarda e passa a.k.a mos e vrit mendjen për hajdutat!

    1. E kuptoj argumentin – dhe në fakt unë e kam përdorur “pronë” atje dhe gjetiu si shkurtore, meqë pronë imja nuk është pikërisht shkrimi dhe idetë e shtjelluara atje, por përkatësia e shkrimit në një mjedis të caktuar, në një medium të caktuar; lidhja e shkrimit me shkrime të tjera në “Peizazhe të fjalës” dhe me gjëra të tjera që kam bërë unë autori; formati i shkrimit dhe fotoja që e shoqëron dhe mënyra e popullarizimit të tij nga unë dhe kolegët e mi në rrjetet sociale e kështu me radhë. Këto nuk janë “prona” të miat në kuptimin që unë i shfrytëzoj me qëllim fitimi, por në kuptimin që unë si autori (pronari, administratori) duhet të lejohem të mbaj përgjegjësi të plotë për to; përgjegjësi të cilën unë mund ta ushtroj vetëm sa kohë që ruaj kontroll mbi mediumin ku ato botohen.

      Tërthorazi, kjo vlen edhe për statusin e vetë revistës “Peizazhe të fjalës”, i cili status lidhet jo vetëm me cilësinë dhe integritetin e shkrimeve që dalin atje, por edhe me lexuesit që vijnë dhe që kthehen, dhe që shpresojnë të gjejnë këtu gjëra – përfshi mes tyre edhe idetë – që nuk i gjejnë dot gjetiu; në kuptimin që kjo karakteristikë e faqes sonë është pjesë e identitetit të saj unik, të cilin identitet unë jam zotuar ta mbroj. Nëse shkrimet kopjohen pa leje në faqe të tjera, kjo e cenon drejtpërdrejt identitetin e faqes, pa folur për integritetin e saj, i cili vjen e përzihet aksidentalisht me integritete faqesh të tjera, dhe reputacionin e saj, i cili hyn në kontakt me reputacione të tjera, pa pëlqimin dhe dëshirën time.

      Më tej akoma, faqja “Peizazhe të fjalës” kërkon mund për t’u mbajtur dhe për t’u mirëmbajtur; dhe ky mund, nga ana jonë që kujdesemi për të, është mund i hequr nga punë dhe detyrime të tjera – që ne e bëjmë të vetëdijshëm se po ia ofrojmë materialet tona publikut FALAS; por kjo nuk do të thotë se ua ofrojmë edhe mediave të tjera FALAS, dhe aq më pak kur këto media i përdorin pastaj materialet që i marrin prej nesh për të shitur gjërat e tyre dhe për të nxjerrë fitime. Prandaj një shkrim mund të mos e përmbushë ekzaktësisht përkufizimin e pronës, por nga momenti kur ti e merr atë prej faqes sime dhe fillon ta shesësh, atëherë ai shndërrohet në pronë të vjedhur.

Lini një Përgjigje te WAYTAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin