PËR PEIZAZHET E FJALËS

Ja dhe një shkrim te Peizazhe të Fjalës për Peizazhet e Fjalës.

Edhe brenda, edhe jashtë: të tillë duhet të jenë intelektualët. Se vetë kuptimi parakupton një qasje të tillë. Për të kuptuar diçka ne duhet të zhytemi në thellësinë e një çështje, aq sa ne të bëhemi një me të. Njëjtësimi i përkohshëm është i nevojshëm. Por fatkeqësia është se për shumë, ky njëjtësim i përkohshëm përfundon në një mbytje përfundimtare. Prandaj dhe njeriu duhet të dalë jashtë, të kapërcejë kufijtë e vetvetes, të veçohet nga ky njëjtësim i përkohshëm, të vështrojë i vetmuar në breg, të kundrojë i veçuar atë që ai do të kuptojë. Kuptimi vetëm i brendshëm i diçkaje çon drejt një kuptimi jo të plotë e të njëanshëm. Ndërsa një kuptim vetëm i jashtëm çon drejt një kuptimi sipërfaqësor e të cekët. Si pasojë, mosmarrëveshja midis Gadamer dhe Ricoeur mbi natyrën e hermeneutikës është e pakuptimtë: largësia dhe afërsia janë njëlloj të nevojshme për të kuptuar një ligjërim apo çdo gjë tjetër.

Edhe brenda edhe jashtë: një pavarësi e tillë i mungon intelektualëve shqiptarë. Intelektualët shqiptarë, si përherë, janë të përçarë dhe në disa raste e urrejnë njëri-tjetrin për vdekje. Dhe kjo mungesë bashkëpunimi midis intelektualëve, nuk i bën ata më të pavarur, por përkundrazi më të cenueshëm për tu skllavëruar nga partitë politike (ose më saktë punëdhënësi më i madh në vend). Siç edhe janë skllavëruar: ca nëpër parti e ca nëpër media partiake.

Më zë një dëshpërim i plotë kur lexoj një shkrim të thellë pranëvënë me artikuj mbi vithet e Kim Kardashian dhe jetën e fshehtë të politikanëve,- siç edhe has më shpesh seç dua nëpër gazetat shqiptare më në zë.

Ca njerëzve mund t’i duket se do arrijnë një pavarësi intelektuale duke dalë kundër të gjithëve. Ose duke u nisur i vetëm,- se ata s’kanë nevojë për bashkësi e komunitete intelektualësh. Por, liria nuk është të fshihesh diku i veçuar e as të brohorasësh dhe duartrokitësh nëpër mitingje të pahonepsshme partish.

Liria nuk arrihet duke qenë brenda një komuniteti të caktuar. E as duke qenë jashtë saj. Liria arrihet vetëm duke qenë edhe brenda edhe jashtë një shoqërie të caktuar, – ku ti edhe je sepse ke pranuar disa veçori të përbashkëta brenda kësaj shoqërie, por edhe s’je sepse i ke dhënë vetvetes hapësirë për zhvillim vetjak, nga ku ti mund të kundërshtosh ose dallohesh nga kjo shoqëri.

Ç’lidhje ka e gjithë kjo me Peizazhe të Fjalës?

Lidhja është e tërthortë. Pavarësisht punës së shkëlqyer që Peizazhe të Fjalës po bën për të mundësuar botimin e shkrimeve, që shpesh s’do mund të botoheshin në asnjë revistë tjetër, vlerën e saj të njëmendtë e shikoj diku tjetër. E shikoj Peizazhe të Fjalës si një simbol ose përfaqësi të një mundësie për qëndresë kundrejt gllabërimit të kulturës dhe gjithçkaje tjetër nga partitë politike. Peizazhe të Fjalës është një shembull se si intelektualët mund të bashkohen për të krijuar një komunitet të pavarur,- ku jo çdo kush brenda këtij komuniteti duhet të ketë pikëpamje të njëjta.

1 Koment

  1. Me gjithe pretendimin dhe deshiren e mire te autorit, megjithe gezimin tim vetjak dhe shume e shume te tjereve per kete faqe, (sic dhe per te tjera faqe private shqiptare te ngrejtura dy vjetet e fundit), do thoja se peisazhe te fjales qendron ne nje orbite paksa neutrale, (te pakten nga ana emocionale kjo dallohet me shpejt, ndersa ajo llogjike i afrohet deri diku zonave te nxehta). Une do ta deshiroja paksa me te ashper, me thumbuese, me fishkulluese; por dhe keshtu sic eshte, prape eshte mire, se ka mbushur nje boshllek ne mendimin shqiptar, ate te debatit intelektual e (mundesisht) me argumente. Fatkeqesisht shkrimet letrare jane si ujet e paket.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin