KUJTIMET FISNIKE TË GREBLLESHIT

Rikthimi i Greblleshit

Liun e Cakut, këtë prodhues karakteresh e diskursesh tipike të Tiranës së vjetër, e kam takuar krejt rastësisht në 2014-ën kur në Tiranë po dilte dimri – i lagësht, gri, i ftohtë; ligjërata e Liut dhe mjedisi familjar i tij, m’u bënë nënkresë e m’u bënë balsam atë vit kur Tirana më shtonte vetminë e mallin për gjëra jo fort të përcaktuara me natyrshmërinë e vet, me gjuhën e lagjeve ku jam rritur, me kujtesën e njerëzve më të dashur të vegjëlisë që më kishin lënë prej vitesh. E takova Liun bashkë me Mustafa Greblleshin, një autor që as e njihja e as e prisja të ishte siç më doli; Liu tek unë priu Mustafain, sido që ishte ky që prodhoi Liun në diskursin dialektal të Tiranës, por sidomos si zë tipik i identitetit tiranas.  Liu, pseudonimi me të cilin Greblleshi shkruan nëpër gazetat e viteve të para të  ’40-ës skica humoristike të mprehta, progresiste, me humor të hollë e kompleksitet intelektual, ishte emër që Tirana e vjetër e ndiqte dhe e njihte mirë, edhe kur nuk ia dinte lidhjet me emrin Greblleshi. Me Greblleshin atë pranverë të paardhur, më takoi libri prej Botimeve Çabej “Muhabet tirançe me Liun e Cakut”(1997).

Takova para dy javësh Greblleshin në zërin e atij vetë, rrëfyes i kohës dhe i vetes në një pesëvjeçar të turbullt tërmetesh socialë që rrënjësisht shndërruan Shqipërinë, periudhë që ende s’u është shfaqur krejt dhe hapur shqiptarëve, në “Kujtime ’39-‘44” botuar gjithashtu nga Çabej. Janë kujtime e mejtime ato që na kallëzon Greblleshi për një Tiranë që e kemi harruar apo as e dinim se ishte, për njerëz që duket se nuk gjenden më përreth nesh për dëlirësinë, mirësinë dhe dijen që njohin si të vetmit orientues e peshore vlerash jetësore. Duket sikur djalli as ia dilte t’i yshtte e as t’i prekte! Prej Greblleshit takojmë një galeri njerëzish — Greblleshi i pari, sido që ai s’vetëlëvdohet kurrë në kujtime —  me një integritet të thellë, që i bënte të pacënueshëm nga vesi dhe e keqja, që ngeleshin të fuqishëm e të respektueshëm në brengë e hall, edhe kur i hidhje në burg a u vrisje njerëz të zemrës, i lëndoje, u vidhje profesionin e i bëje nga sot nesër bojaxhinj, edhe kur u kallje tmerr një herë, u kallje tmerr dy herë, i lëndoje rishtas e i kërcënoje në më të shtrenjtën. “Kujtime ’39 – ‘44” njohin me Greblleshin njeri aq sa me Greblleshin shkrimtar, si edhe sjellin realisht vitet e trazuara të Luftës para ardhjes së komunizmit e menjëherë pas tij.

Kujtimi si gjini dhe roli i njeriut shkrues

Memuarin apo zhanrin e kujtimeve Daniel Mendelsohn (2010)[i] e quan delja e zezë në familjen e letërsisë që “si një i ftuar dasme i dehur, bën me turp kushërinjtë e vet që janë esëll”. Arsyet e diskutuara janë të ndryshme, por themeloret për Freudin së paku, ishin, që të dyja, arsye etike: nevoja  e brendshme e kujtimeve për të kallëzuar në mënyrë indiskrete persona të pambrojtur, miq a armiq, qoftë edhe veten, që zbulohen ku e si nuk duan, papërgjegjshëm e lëndueshëm. Tjetra arsye është në një kuptim e kundërta e kësaj më sipër: çfarë i heq vlerën çdo forme letrare kujtimesh është rrejshmëria e vet e pashmangshme. Unë më shumë në këtë qasje shoh analistë të frustruar që nuk pranojnë shkrimtarët e memuarit  sepse, duke thënë të vërtetën, lëndojnë ata që domosdo bëhen pjesë e tregimit, ose sepse as që janë për t’u besuar. Në këtë lëmsh, ku pa të drejtë, zhanri i kujtimeve baltoset si të ishte gjenetikisht i mbrapshtë, futet edhe një orvatje për dallimin fiction-nonfiction: e para e përcakuar si paraqitëse e saktë e realitetit në botë, ndërsa e dyta si paraqitëse e saktë e realitetit në mendjen e autorit. Një tjetër dallim teorik ky, që e shoh si problematik në pasaktësitë e veta, por që s’lidhet me temën.

Pikërisht integriteti i tij si njeri dhe një çiltërsi kallëzimi e pashoqe  që ndihet në çdo përshkrim marrëdhëniesh a ngjarjesh, i mbron kujtimet e Greblleshit nga cilësitë që përmend Mendelsohn: si nga baltosja e të përgojuarve, si nga kallëzimet e rreme; sepse Greblleshi natyrshëm nuk përgojon dhe as mashtron. Është e kuptueshme që nën trysnitë politike ku autori u gjend pas daljes nga burgu, nuk do ishte e vështirë të kërkonte të përmendte aktivizmin real krah lëvizjes komuniste, ndjekjet për ta burgosur, thirrjet hakërruese nëpër zyra qeveritare pro-fashiste, pjesëmarrjet në demonstrata dhe plagosjen atje, dhe sidomos aq e aq shkrime me tendenca qartësisht të majta. Por Greblleshin e gjejmë të thotë hapur në 1984 se “nuk ishte komunist”, “por një i ri i thjeshtë që nuk e duronte dot robërinë e vendit të vet” (51); po ashtu, është e shpeshtë në kujtime dalja e autorit në krah njerëzish që ishin dënuar keqas nga sistemi komunist (Gjergj Fishta dhe takimi i tij me Mussolinin – 64), jo me shpjegime e analiza filozofike, por me fakte të riprodhuara saktësisht. Jam veçanërisht e habitur me sasinë dhe saktësinë e datajeve që Greblleshi kish ruajtur për dekada dhe që mund të riprodhonte aq saktësisht, nga mjedise apo çaste natyrore e peizazhe apo mote me diell e shi, në numra dhomash hotelesh, zhurma, reagime njerëzish, dialogje, shkrime gazetash, aktivitete shkollore. Ka gjithashtu një ftesë dinjitoze në “vallen e shkrimit” dhe një përshkrim qelibar që Greblleshi u bën personazheve që përmend; është miqësor jo veç ndaj shokëve të vet që i adhuronte e që i vështronte me modestinë e shumë-të-mençurit, por edhe ndaj atyre që i kishin shkaktuar andralla “dashamire” (Qazim Mulleti) apo që i konsderonte jo-atdhetarë (Mustafa Kruja). Ndaj them, që kish një mburojë natyrore prej njeriu të pazakontë Greblleshi ynë fisnik ndaj mëkateve të memoir-it që diskutojnë Freud dhe Mendelsohn.

Shkrimtari

Ka një paragraf Kadare në parathënien e vet për librin ku, pasi bën dallimin mes harresës ndaj shkrimtarëve që s’kish pse të kujtoheshin, dhe daljes nga mjegulla të atyre që u mjegulluan për arsye politike, përshkruan natyrën e Greblleshit shkrimtar. Librin Kadare e quan “të bukur dhe të fismë”. (10) Vazhdon Kadare: Greblleshi nuk renditet ndër kolosët e letërsisë sonë të viteve 30… por është një shkrimtar, që edhe pse duke qenë vazhdimisht në hije, kujtesa e kërkon dhe më në fund e gjen… edhe duke mos u renditur tek shkrimtarët më të rëndësishëm, ai pa droje mund të përmendet tek të paharrueshmit” (17-18). Në kapitullin ku Greblleshi na njeh me mikun dhe mentorin e vet Gjergj Bubanin, ky i fundit ia vlerëson stilin duke i thënë “Paske një stil të thjeshtë dhe tërheqës” (40), që i takon po atij niveli vlerësimi që bart edhe Kadare. Ka diçka që nuk përmendet në këto dy opinione: aftësia e tij për të kontrolluar masën në gjuhën e vet, për të mos u bërë pre e ekzagjerimeve as intensivisht e as ekstensivisht, si edhe mprehtësia e humorit dhe satirës së Greblleshit, që ndihet më pak në “Kujtimet” apo në “Greminën e Dashunisë”, por është qartë e pranishme në skicat prej Liut’ Cakut. Edhe një tjetër cilësi e autorit më ka lënë mbresë: saktësia në shprehje e përshkrim, dhe njohja e thellë e tematikës që diskuton. Nuk ka dyshim që Greblleshi është një shkrimtar i talentuar dhe serioz në letrat tona, sado i kufizuar prodhimi e i panjohur pastë qenë në të gjallë.

Ka dy shina mendimi që do doja të përmendja këtu. E para që Greblleshi mund të kish qenë një gazetar i kalibrit të lartë, por ia prenë rrugën kur ishte ende në zhvillim. Dhe të jesh gazetar, nuk do të thotë që domosdo të jesh edhe shkrimtar i po atij niveli (apo anasjelltas), sido që vetë rasti Greblleshi dëshmon se dy konceptet nuk janë përjashtuese. Ai vetë në Kujtimet e konsideron veten gazetar, ndërsa të tjerë miq që adhuron (si Stërmillin) i trajton më fort si shkrimtarë, sido që, me kovë boje apo jo pas biçiklete, nuk e la kurrë penën. Madje është i brishtë detaji që rrëfen Greblleshi se me sa admirim i shihte ata që shkruanin “drejt e në makinë shkrimi” si Gjergj Bubani e Stefan Shundi (63), gjë që edhe ai ia doli ta bënte pas tyre. E dyta, shkrimtari pjesërisht bëhet me kohë e praktikë. Edhe këtu, Greblleshit nuk iu lejua vazhdimi dhe praktikimi i zanatit, pa përmendur fare kushtet e punës. Nuk dimë as se cili qe qëllimi i shkrimit të kujtimeve, dhe as nëse do kish dashur të modifikonte pjesë apo karakterizime që nuk do i shkonin një pene të njohur. Kam parë disa faqe të Kujtimeve në origjinalin e shkruar prej autorit. Duket qartë aty se idetë janë hedhur pas të menduarit të parë, dhe të vlerësosh rezultatin prej kësaj perspektive, është pa dyshim një sukses i madh sa saktë e qartë shprehet. Duket që origjinali është lexuar më pas nga autori dhe ka shënime të rralla me penë mbi tekstin e shtypur, të gjitha sjellë saktësisht prej Anna Shkrelit në versionin e botuar, madje me ndonjë korrigjim të rrallë ortografik. Diçka mund ta them me siguri: pjesa e fundit e Kujtimeve, ajo që sjell ditët e Greblleshit në Selanik dhe Athinë, është artistikisht shumë më e plotë dhe e pjekur, me shprehshmëri gjuhësore e kompleksitet ideor më të lartë sesa fillimet e Kujtimeve. Po ashtu jam shumë kureshtare të njoh tekstin e ripunuar prej tij para vdekjes të “Greminës së dashunisë”, dhe të krahasoj dy variantet. Dhe mezi pres ta kemi.

Në një komunikim me Nasho Jorgaqin, ky më kallëzon për ndihmën që i ka dhënë për një “rifillim” të aktivitetit si shkrimtar nga vitet 60. Ja si më shkruan Jorgaqi: “Keshtu i redaktova dhe i botova librin “Albumi i nje bojaxhiu”, te cilin ma ka dhene me dedikimin “Zotit Nasho Jorgaqi, shkaktar i ketij vellimi me mirenjohje dhe dashuri. Mustafa Gerblleshi. Nentor, 1963”. Pas ketij botimi u hap rruga që botoi librat  e perkthyera te L. Pirandelos, E. Defilipos dhe Perrallat e Njemije e nje neteve, per te vazhduar me shkrime ne Drita dhe Hosteni. … dhe në librin tim “Koha e kujtimeve” e kam përmendur disa herë me konsideratë te kapitulli mbi M. Kutelin.” Duhet të ndihemi fatlumë për këtë takim të rastësishëm të bojaxhiut shkrimtar që sistemi e injoronte me një shkrimtar që sistemi e çmonte, që së paku i dha mundësinë Mustafait për pak kohë e me ndërprerje të ndihej pjesë e shtresës së cilës i takonte, sido që kurrë krejt dhe sigurt.

Tirana dhe gazetari tek Kujtimet

Është tërheqëse Tirana që sjell Greblleshi në Kujtimet e veta të 1939-1944, sado gjakatare në ato ditë pushtimi (logjik) nga të huajt, e pastaj (irracional) nga bijtë e malit. Për mua që u rrita në një Tiranë intelektualisht të varfëruar e të frikësuar, sido që me një universitet të vetin tashmë të stabilizuar, është befasuese Tirana e Kujtimeve. Dhe jo për ekzotikën e së vjetrës, por sepse ndihej në të qyteti, rritja e një brezi njerëzish me pasione e interesa intelektuale të reja e të pazakonta në këtë qoshkë të Ballkanit, sepse sado që qartësisht brezat distancoheshin në filozofi, mes inelektualëve të vjetër e të rinj ndarja nuk kish prirje shkatërruese. Pa dyshim, jemi nën shoqërinë e njërit prej bijve më mendjehapur, dinjitozë e të kulturuar të Tiranës, ndaj është logjike që të hasim një galeri njerëzish si ai vetë; por po aq shohim nëpër kujtime varfërinë, hallet, internimet, përmbysjet politike, dramat e pushtimit dhe të komunizmit më pas (ky i fundit kryesisht tërthorazi). Më bën përshtypje që në vitet 30 zanatçiu e zejtari tiranas ishte i nderuar, dhe përfaqësonte atë që mungon sot, klasën e mesme – një këpucar, një rrobaqepës e një berber konkurronin me njëri-tjetrin kush më mirë njihte përmendësh Khajamin; të nderuar janë një galeri e tërë qytetarësh tiranas që sido të pashkolluar e që gjysmën e ditës e kalonin “ke Toka”, ishin thelbi identitar i qytetit me butësi të parimshme, skrupuj moralë, krenari dhe disiplinë pune, tipik mes të cilëve Nur Hanmi, por edhe Cen Bali apo tregtarët tiranas që zgjidhnin problemet shëndetësore në Itali.

Më trishton fakti që, edhe në Tiranën e pushtuar dhe me administratë shpesh injorante, të drejtat e individit në gjyq mbroheshin prej avokatësh shpesh të përgatitur në shkolla shumë të mira europiane, fort, sy më sy e demokratikisht; kjo nuk ndodhi kurrë në Tiranën time që të jepte idenë se kish lerë në regjimin komunist. Tirana dhe tiranasit të përfolur ende sot si antikomunistë dhe indiferentë ndaj progresit, gati-gati pro-pushtues, shfaqen nën një dritë krejt tjetër tek Greblleshi. Është qytet dinamik, i ri dhe kërkues, ku janë të rrallë ata që nuk mbështesin Luftën në forma e forca të ndryshme; ku të rinjtë shihen nëpër kafene, aq sa në bibliotekat e vogla, gjëmojnë libraritë e leximet, shkruajnë poezi, shëtisin e flasin për politikën, shkruajnë pjesë opozitare, marrin pjesë në lëvizje e demonstrata, dhe kur u bie rasti, shohin Bohemën në Teatro Alla Scala. Greblleshi, i lirë e larg çdo ndjenje shovinizmi (edhe kur flet me dashuri e brengë për Kosovën), adhuron qytetet dhe civilizimet e botës; në Itali ndihet “si i tërhequr prej shumë magnetësh”, dhe qytetet greke i vlerëson për gjallërinë e pazakontë që, kuptohet, nuk e gjente të tillë në të vetin. Por Tirana për Greblleshin është realitet i pazëvendësueshëm dhe ëndërr që s’mbaron.

Leximi i Kujtimeve më bëri të pohoj qartë një fakt për të cilin nuk kam qenë e sigurtë: raca e gazetarit me dinjitet, të kulturuar, dhe që nuk i shitet askujt, nuk është se s’ka ekzistuar ndonjëherë nëpër Tiranë. Ajo thjesht është fikur. Gazetarët që janë miq zemre, profesioni e ideali për Greblleshin, si Gjergj Bubani, Stefan Shundi, Qemal Draçini, Ibrahim Hasnaj, Xhelal Mitrovica (ky i fundit, më shumë administrator), Muzafer Pipa, shkrimtarë të afirmuar si Haki Stërmilli, Mitrush Kuteli e Fiqri Llagami, që gdhihen e ngrysen nëpër redaksi e duke ndjekur lajmin e vërtetë, që shëtisin të gllabëruar krejt nga diskutimet për letërsinë e artin, janë pa dyshim intelektualë e gazetarë aktivë e të angazhuar, njerëz të kulturuar e liberalë, disa prej tyre gazetarë të afirmuar. Siç thotë Greblleshi “duke bashkëpunuar me ta… kisha kaluar nëpër shkollën e gazetarisë” (65). Gazetaria për ta ishte pasioni i ditës që vinte, dhe dashuria e vet më e madhe, dhe kryhej me një moral të pacen. Mënyra si kërkonin ngjarjen dhe kulturën, si u dhimbsej e punonin për vendin e vet të pushtuar, frekuentimi i po atyre vendeve – madje s’qe çudi që edhe rastësisht të takoheshin në Barin Viktor Emanueli të Milanos, në një pension të Torinos apo park të Tiranës – përpjekjet për të ndihmuar tjetrin, për të botuar pjesën e mikut para të vetes, vlerëzimi reciprok … janë të gjitha tipare që duket sikur vijnë nga një epokë dinosaurësh apo përrallash me mbret, aq shumë na janë larguar e aq pak i kemi të pranishme.

Qartësisht ata nuk kishin ngecur aty se s’dinin të bënin gjë tjetër, se fitohej buka kollaj, se përfitohej, apo se kërkonin padronë të fuqishëm. Ndershmëria dhe serioziteti me të cilin punonin pavarësisht se e kujt qe gazeta, edhe nën presion të vazhdueshëm politik apo rrezikut të mbylljes së gazetave, është i respektueshëm. Pjesët e Kujtimeve për gazetarinë e kohës dhe angazhimet e gazetarëve e marrëdhëniet mes tyre, duhen futur sot nëpër fakultetet tona të gazetarisë: ose në një database për “best practices in local journalism”, ose në manualet bazë të kurseve 100.

Pengje e brenga lexueseje

Do kisha dashur shumë një parathënie për këtë libër! Apo qoftë edhe pasthënie, a ndërthënie… por një “thënie” e ndjeva fort të nevojshme. Kemi në dorë një autor që nuk njihet, për të cilin nuk është shkruar e i cili s’është përmendur e as studiuar. Pak ia kanë dëgjuar ç’ka shkruar, dhe edhe më pak i kanë lexuar gjësend. I kujtoj javët e letërsisë së kësaj periudhe si studente e Nasho Jorgaqit (para 34 vjetësh), por nuk kujtoj të kemi folur për të, në mos veç që të jetë përmendur romani “Gremina e dashunisë”… as në letërsinë e autorëve të viteve 30, e as më pas në atë të Luftës.

Është e vërtetë që të kesh një parathënie prej Ismail Kadaresë, siç është rasti i këtij libri, është nder e vlerësim; është gjithashtu avantazh për këdo që do t’i shitet libri. Por përtej këtyre funksioneve që pa dyshim Kadare i përmbush mirë, parathënia e Kadaresë, pak e ndihmon leximin e Kujtimeve dhe zbulimin e Greblleshit. Një parathënie e duhur për librin duhej bazuar në një studim për jetën e veprën e autorit, që qartësisht Kadare nuk i ka, dhe as duhet t’i kishte. Ndaj Kadare bën çka bën shpesh në vitet e fundit: prodhon një parathënie të zgjeruar, bazuar pjesërisht në përdorimin relevant dhe ndonjëherë poetik të erudicionit të vet, përmend aty-këtu ngjarje e histori lidhur me botimin e radhës, flet pak ose aspak për autorin konkret, dhe në pjesën themelore u mëshon tezave të veta tashmë të përsëritura, që, të drejta apo jo (s’është vendi këtu të diskutoj tezat e tij), thuajse janë kthyer në teza propagande proselitike që nuk di se kë vënë në shenjestër e kujt do i mbushin mendjen.

Unë e lexova me qejf Kadarenë edhe kësaj radhe. Ia çmova paraqitjen që i bën letërsisë së lirë e pasionante të viteve 30 (por Jorgaqi shprehet se Greblleshi i takon Letërsisë së Luftës dhe jo asaj të viteve 30) shpallur armike e komunizmit; gjetjen aq të hollë të zërit të lexueses që kërkon nëpër ushtrinë e çliruar të librave, shtruar nëpër bulevardin e Tiranës pas 1990-ës, “Greminën e dashurisë” të Greblleshit; ia admirova hamendjet për mënyrën si ndihej Greblleshi. Por më bezdisi fakti që pjesën kryesore në parathënie e mori edhe kësaj here përsëritja e temës së viktimizimit të Shqipërisë me zemër europiane, rimarrja e motiveve antagoniste, herë historike, herë konspirative, ndaj perandorive gjithnjë të Lindjes apo, më anti-Saidisht, gjithnjë të Orientit dhe luftës së tyre që të de-europianizojnë Shqipërinë europiane. Përshkrimet janë shpesh danteske, katastrofat në dëm të shqiptarëve të qëllimshme, e nisin kur s’mbahet mend dhe vazhdojnë ende; bota na ka halë në sy, dhe a e dini pse, sepse ne jemi në thelb europianë, jemi në fakt thelbi i Europës, jemi gjenetikisht Europa (apo “Europa kaure”?). Dhe “zyrat e Bashkimit Europian”(11) na shfaqen si zana mali të dëlirta si uji i Valbonës, që tani kuptojnë më në fund se ç’padrejtësi u janë bërë e u bëhen shqiptarëve.

Sido që Kadare me zgjuarsi ia del t’i lidhë në një linjë koherente (por jo kohezive) armiqtë e kahershëm të shqiptarëve, me harresën dhe vrasjen e letrave dhe gjuhës, e më pas me Greblleshin, sado që unë jam e bindur se vetë Kadare dëshiron ta nderojë Greblleshin, ngulmimi i tij politik dhe natyra e mesazhit të tij është e tillë që nuk i bën nder (as atij vetë dhe as) Greblleshit. Në fakt stili dhe natyra e Greblleshit u rrinë shumë larg tambureve të betejës përfaqësuar në fjalorin dominant të parathënies: kob, tablo infernale, tragjike, këmbana morti, rast monstruoz, ndalim i dyfishtë, dekret ogurzi, smira shtetërore, paranoja anti-shqiptare… stil që pastaj normalizohet e zbutet kur nis e flitet për autorin vetë. Ndaj, nuk mundem as të them se stilin me leksik pompoz ta ketë futur për të shprehur tinëzinë që sistemi komunist përdori për të heshtur elitën që trashëguam (Greblleshin me miq), atëherë kur nuk i shfarosi fare e direkt.

U përpoqa të gjej kur janë shkruar kujtimet. E gjeta me lexim shumë të kujdesshëm në dy vende: duke iu referuar 1944-ës autori thotë “në këto katër dekada” (101), dhe më pas “pas 40 vjetësh” (140). Kështu gjeta që kujtimet janë shkruar rreth vitit 1984, pra dy vjet para vdekjes së autorit. Kohën e vdekjes vetë e gjeta në një shënim cung në Wikipedia. Të dhëna për vrasjen e padrejtë (por aspak të rastësishme) të të atit të Greblleshit gjeta në dokumente të ndryshme online. Jeta e tij si bojaxhi më erdhi pjesërisht prej parathënies së Kadaresë, pjesërisht prej tim eti, nga një mikeshë që njihet me të bijën Azylka, e nga disa elemente të shkëputura në Internet. Në Kujtimet e Greblleshit referencat ndaj komunizmit dhe dekadave jetuar si i shtypur janë të pakëta, por aspak të thjeshta për t’u shpjeguar. Ai nuk qahet për nga natyra, edhe pse nuk kish vlerë ta bëje. Por në kuptimin e memoir-it, koha e shkrimit është po aq e rëndësishme sa koha që kujtohet. Dhe vitet ’80 të autorit e rrethanat e shkrimit mbeten mister për lexuesin. Kam dhjetëra pyetje, kryesisht “pse-ra” e “si-ra” që më dalin gjatë leximit, për të cilat do kisha pasur përgjigje me një parathënie jo për filozofinë e fateve historike të Shqipërisë, por për vitet dhe kushtet në të cilat jetoi, kërkoi e shkroi Greblleshi. Kjo do e sillte më afër autorin, do e bënte më të qartë kuptimin dhe vlerësimin e kujtimeve, do ndihmonte në kuptimin më të mirë të kohës që jetuam e jetojmë.


[i] Mendelsohn, Daniel. “But enough about me” in The New Yorker, Jan. 25, 2010.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

11 Komente

  1. Eshte po aq fisnike edhe nga ana e tre grave qe angazhohen te botojne e paraqesin kujtimet e M. Gerblleshit.
    Vepra e tij eshte ne pajtushmeri me moralin e tij, ai kurre nuk mori persiper te shkruante gjera nga te cilat mund te perfitonte, por te të cilat nuk besonte. Parapelqeu te ruaje paqen e tij shpirterore dhe te bente nje jete qe nuk ishte gjithnje e lehte, por te ciles ai perpiqej t’i shihte anet me pak te zymta, madje te vinte ne dukje edhe ate pak gje qe mund te quhej e kendeshme, po te kujtosh ato skenat e Albumit te bojaxhiut… skenat kur perpiqen te ushqejne beben dhe per ta motivur fusin ne pune edhe ate aty ku eshte maje shkalles.
    Kam patur rast ta njoh ate dhe te shoqen (nje grua e bukur, me natyre disi te ndryshme, me e gjalle e me batuta te forta, por pa aq fisnike), por me shume se bisedat e mia me te (bej çudi edhe sot per seriozitetin me te cilin merrte nje kalama si une, tek bisedonim per letersine, sa me dukej vetja fort i rendesishem) sjell ndermend bisedat e prof Çabeit me M. Gerblleshin.
    Nganjehere them me vete se periudhat e veshtira neper te cilat kalon nje komb e trondisin indin e tij social, veshtiresite e ekzistences shkaterrojne moralin, trysnia psikologjike ngjall mosbesim e dyshim reciprok, por kur kujtoj respektin e ndersjellte, qetesine e patrazuar dhe urtesine e dialogut te tyre, them se ka ca vlera qe kurre nuk humbasin, ku e keqja kurre nuk ka fuqi te zbrese. Te tille i shoh edhe ato dy burra, aq miq me njeri tjetrin. Jane vlerat morale ata qe bartin ajo çka e mban nje komb mbi uje.
    Dhe qe kenaqesi tek verejta se analiza e Derhemit synonte pikerisht te vinte ne pah identitetin dhe vleren etike e morale te Greblleshit ne merredhenie me nje mjedis krejt unik, te paperseritshem si ai i Tiranes se viteve ’30, jashte se ciles eshte e veshtire te kuptohet lindja e zhvillimi i personaliteteve te tilla, nje mjedis qe per ate qe e njeh thelle e kupton se jo vetem pushtimi por edhe gjysmeshekulli i diktatures kaloi si uji mbi kurriz te pates. Urime, vertet!

  2. Falemnderit, Lyss, qe ndave ketu njohjen tende personale per Greblleshin. The me vjen mire, qe une e kam ndjere njelloj sic e pershkruan ti. Bashkohem me ty ne piken qe njerez si Greblleshi dhe Cabej cfaredo e keqe, mund t’i demtoje e torturoje, por nuk i prish dot.

  3. Përgëzime, zj. Derhemi, për analizën e detajuar dhe tejet të merituar që i bëni veprës së Greblleshit. Mbaj mend që kam lexuar dikur me ëndje libërthin “Albumi i një bojaxhiu” si edhe Liun e Cakut te revista “Bota e Re” e vitit 1936, dhe më vinte keq që s’gjeja dot libra të tjerë nga ai autor. Ishte edhe dikush që shkruante rregullisht tironçe te “Bota e Re” me nënshkrimin ‘Rem Vogli pri Rrashbulle’, e pata kujtuar asokohe si një pseudonim alternativ të Greblleshit, por ende s’jam i sigurt nëse është e vërtetë.
    Nejse, sa për vlerësimin e Greblleshit nuk i heq asnjë presje postimit të Lyss.
    Ju uroj suksese të mëtejshme!

  4. falemnderit, Ernest. Nuk di te kete pasur kete pseudonim. Por ne Kujtimet Greblleshi permend faktin qe nje numer i madh autoresh satriste e gazetare tiranas ne ate kohe shkruanin me pseudonime te ngjashme, dhe ndiqeshin me shume qejf nga populli qe mund te lexonte.

  5. Ja se çfarë shkruan vetë Greblleshi në nje letër autobiografike të viteve ’70, drejtuar një profesori të Kosovës:
    “Jam marë me letërsi në moshë fort të re, qysh kur isha ende nxanës në
    klasat e nalta të liceut. Më kujtohet se shkrimin e parë e kam botue më 1940, në gazetën “Tomori”, në faqen “Zani i të rinjve”, me rastin e vdekjes së papritun të nji shoku. “Perëndimi i nji shoku”, pat qenë titulli i këtij shkrimi.
    Në këtë fletë kam botue edhe nji varg shkrimesh të tjera, skica letrare e
    tregime të nënshkrueme me pseudonimet Mustafa Mustafai, Menli Mano dhe me emnin tim të vërtetë. Ndërsa për shkrimet satirike kam përdorë kurdoherë pseudonimin Liu i Cakut.”

  6. Znj. Derhemi ka sjelle per lexonjesin e PF nje prezantim te ndjere, me reflektime dhe persiatje, ku spikat nostalgjia per “kohen e humbur” , kohen per Tiranen e Kujtimeve te Greblleshit. Madje , shkrimi mbart nje fryme dhemshurie dhe gati gati nje ndjesi faji per fatin e nje autori, gazetar dhe shkrimtar , te rrokullisur ne greminen e heshtjes per kaq e kaq dekada.
    Nese historia e shkruar e nje epoke rrok ngjarjet e medha , perplasjet, konfliktet, protagonistet e levizjeve politike, duke e zhveshur ate nga perditshmeria, perjetimet dhe eventet e njeriut te zakoshem, memuaristika percjell nje epoke permes filtrave te perjetimeve dhe pervojave individuale, ku historia e madhe mbetet sfond.
    Edhe pse ne nje periudhe historike perplasjesh te medha, jeta ka rrjedhur ne shtratin e saj me gezime dhe evente , zanatcinj qe punojne dhe te rinj qe argetohen e lexojne.
    Sistemet politike , diktatura apo demokraci, fashizem apo komunizem, jane si stinet, vijne dhe ikin. Masa e njerzve , pertej atyre qe perfshihen e angazhohen ne skenen e madhe te historise, pershtatet, jeton, mbijeton dhe gjen kuptimin e jetes ne punen dhe permbushjen e detyrimeve te perditshme.
    Konstatimi znj. Derhemi per zanatcinjte e Tiranes se Kujtimeve te viteve 40′ me ringjalli nje pershtypje ne vitet e komunizmit, pershtypjen per stilin e jetes se zanatcinjve te komunizmit (bojaxhinj, kepucare, hidraulike) te cilet perhere i shikoja me zili, kur kalonin ato oret gazmore pas pune, rreth nje gote birre dhe ca qofteve.
    Nuk kam informacion per jeten e Greblleshit, nese pas clirimit te vendit eshte penguar, denuar apo ka hequr dore vete nga te shkruarit, si gazetar apo shkrimtar. Dmth ka heshtur , si shenje mospajtimi me komunizmin apo e kane detyruar “me miresjellje” te heshte .
    E them kete nisur nga nje prirje mitizuese e cila meton te prezantoje “heshtjen” si shenje mospajtimi me regjimin e deri ne disidence “te heshtur”, sikurse eshte rasti Lasgush Poradecit apo ndonje tjetri.
    Ne kete kontekst, nxjerrja nga pluhuri harreses te autoreve “te humbur” sikurse eshte rasti Greblleshit, pertej vlerave apo deshmise qe mbart krijimtaria e tyre, ka shume gjasa qe kjo (krijimtaria) te mbivleresohet, pikerisht nisur nga faktore jashte letrare sikurse jane burgosja, ndalimi apo heshtja rreth tyre.
    Ne vitet 30′ apo 40′ ka nje numur autoresh te cilet ishin te zeshem ne kohen e tyre por qe tani kane mbetur vec emra qe permenden neper histori letersie apo studime letrare.

  7. Pika.s,
    mendoj se nje njeri me pasion te gjate e te afirmuar per letrat dhe shkrimin nuk heq dore vete nga te shkruarit. Ka gjithnje nje arsye te ndryshme nga bindja se nuk ka vlera te vetat per te vazhduar.

    Greblleshit i kane vrare te atin ashtu si kot ne ditet e clirimit te Tiranes. Pastaj ashtu si kot e burgosen… dhe me pas mbeti bojaxhi, por pati presione gjithe jeten.

    Vlerat e “kujtimeve”, sic them ne shkrim, nuk jane te lidhura vec ose kryesisht me nivelin artistik te autorit, por edhe me dokumentimin e historise, me njeriun, personalitetin e letrave etj. Por pa dyshim qe vleresimet mund te jene edhe subjektive. Sido qofte, Poradeci nuk heshti rastesisht. Keta autore ishin thellesisht kunder vlerave te prodhuara ne komunizem, dhe nuk u bente me zemra te uleshin dhe te shkruanin.

    Une vete, kam gjithnje probleme psikologjike nga me te ndryshmet kur dua te ulem e te shkruaj. Nje mize qe kalon mundet te m’i permbyse krejt predispozitat. Gjera te vogla e reagime “pa lidhje” mund te me bllokojne krejt. Imagjino qe ketyre njerezve u ishte marre liria, qe dikur e kishin e ia paten ndjere shijen.

  8. Greblleshi ishte nje tjeter i domosdoshem per te kuptue “fillin e humbun” qe e ka quejte Camaj boshllekun e keqdokumentuem. Per vete e kam njofte prej perkthimit te perrallave arabe qe kane nje shqipe plot takt per sa vjeç kam qene kur i kam kendue per here te pare. Botimi integral dhe fati qe u prezantova me kete punim “in media res” e shuejti urine qe m’kishte mbete…
    Meqe e gjete cung, e perpilova pak: https://sq.wikipedia.org/wiki/Mustafa_Greblleshi

  9. E nderuar Eda Dërhemi, më pëlqeu shkrimi i shtrirë dhe i zgjeruar. Do të ndalem tek pengjet, se kisha edhe unë ca, veç datës se kur është shkruar, ose kur ka përfunduar apo kur është “prekur” për herë të fundit ditari (u orientova, edhe unë, si ju, pikërisht nga ato dy çaste që përmendni). Të tjerat që mungojnë janë informacioni për formatin e dorëshkrimit, vendndodhjen (afërmendsh, e ka familja, por kjo nuk mund të merret e mirëqenë), si ka mbërritur në ditët e sotshme, si sigurohemi se është tekst autentik i Greblleshit dhe nuk është prekur nga ndonjë dorë tjetër. Po ashtu, m’u desh edhe mua të kërkoj vetë për disa ngjarje apo emra, në enciklopedi apo on-line, teksa mungonte një aparat kritik apo shtjellues. Do të kishte shkëlqyer edhe më fort botimi, me këto hyzmete të vogla që lidhen kryekëput me metodologjinë e botimit të burimeve historike (fushë pak ose e lëvruar keq në botimet shqiptare). Përkundër kësaj, ballina ishte përgatitur me më shumë merak. Ishte lexim i shijshëm, por i mungonin pak “harxhet”.

  10. Po, Sokol. Hyzmetet i bejne me te mira prodhimet. Botuesja me shpjegoi kushtet e ndodhite e vecanta. Puna eshte se kujtimet me shume se zhanret e tjera kane nevoje per ate “sfondin”; e kane te domosdoshem. Perndryshe mbeten pa lidhje dhe nuk kane forcen kuptimore dhe nuk te prijne praktikisht te lidhesh momentet dhe njeriun.

    kete vere ne Tirane (per ato dite qe do jem), shpresoj t’i gjej te dhenat e t’u pergjigjem sa me shume pyetjeve qe te jete e mundur. Tani e kam merak kete pune. 🙂

Lini një Përgjigje te Eda DerhemiAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin