NJE GRUA QE NUK ME SHQITET MENDJEJE

Kujtoj që pas kureshtjes që kisha për klasën e parë, shkolla nuk më pëlqente më fare. Mërzitesha për vdekje. Në ditët që shkoja, ulesha në bankën e fundit dhe me ankth prisja të binte zilja. Pastaj ulesha fare poshtë bankës me kokë të mbështetur mbi gjunjë dhe prisja. Ora e mësimit më dukej e gjatë, pa fund. Nuk e kuptoja pse duhej të rrija fare pa lëvizur, të dëgjoja gjëra që nuk më hynin në punë.

Qe një gjendje pak a shumë e tillë shpirtërore, që më shtyu drejt mëkatit të mungesës. Por gjithsesi duhej gjetur një mënyrë për të kaluar kohën që më mbetej në dorë. Kështu, kur bënte mot i mirë, dilja e shëtisja brigjeve të lumit të Tiranës. Qe një mrekulli e vërtetë. Por ajo që më mahniste më shumë ishte shfaqja e lemeritëshme e skifterëve dhe e disa lloj zogjve të tjerë të mëdhenj, kërmëtarë të prapë e të shëmtuar, qafërrjepur e me zë të çjerrë që kacafyteshin me sqep e me dhëmbë mbi karkasat e bagëtive që thertorja e Tiranës i hidhte asokohe në lumë dhe lumi nga ana e tij, fort i neveritur, i nxirrte menjëherë në ato ishujt e vegjël  prej gurësh të bardhë të shtratit të tij modest, ishuj mbi të cilët nganjëherë shpallja pronësinë time, por që të nesërmen ata qnë zhdukur.

Dhe kështu deri sa më merrte uria, gjë që ndodhte rregullisht çdo ditë, diku andej nga fillimi i pasdites.

Kthehesha në shtëpi dhe te dera do të shihja gjithnjë një antare të këshillit te klasës, që me porosi të mësueses kujdestare, njoftonte prindërit e mi se edhe atë ditë nuk kisha qenë në shkollë.

Një herë im atë më mori veç e më tha se po të vazhdoja kështu, do të përfundoja shitës gështenjash të pjekura te dera e shkollës.

Unë nuk njihja punë tjetër që të më pëlqente më shumë.

Gjithsesi më duhet të shtoj se nuk më pëlqente të shkoja në shkollë, por kjo nuk do të thotë aspak se nuk më pëlqenin librat. Ajo shoqja në fjalë ishte e ngarkuar edhe me misionin humanitar të më tregonte ku ishim me lëndën e ditës.

Ditën e fundit të javës, bëja si bëja dhe paraqitesha në klasë. Të gjithë ishin të kënaqur, sepse atë ditë vetëm unë do të masakrohesha duke u pyetur gjithandej, nga fillimi i lëndës deri në fund, gati me duf e me inat. Nuk është se kjo punë më dëfrente, por isha i përgatitur për një gjë të tillë. Përgjigjsha deri në fund duke zhgënjyer thellë veçanërisht ata që donin të më shihnin si ilustrim të gjallë pedagogjik se çfarë ndodh me nxënësit që mungojnë në shkollë.

Kjo i ulte së tepërmi tensionet deri sa dikur u detyruan të më pranonin ashtu qysh isha, me statusin tim si prej të deklasuari brenda familjes.

Por ndonëse kisha zgjidhur problemin si të kaloja kohën kur bënte ngrohtë dhe diell, mbetesha në hall gjatë ditëve të dimrit. Sidomos kur binte shi.

Gjithsesi disa reflekse elementare i kisha. Si fillim ngjitesha rrugës së Durrësit. Diku afër Florës, ende gjallonte një dyqan i vogël pemëshitësi privat. Më tërhiqte shumë sepse ishte i vetmi ku mund të gjeje një frut të thatë ekzotik me emrin alla Kutel, xhixhibanos. Nuk është se më shijonte shumë, por ishte emri i tij që më bënte kureshtar dhe e haja me vullnet të pashoq nisur nga bindja se një fryt me një emër të tillë nuk mund të bëjë veçse mirë.

Një ditë të tillë me shi, dola te dera e dyqanit duke mbllaçitur xhixhibanosin tim dhe po vështroja rrotull për të gjetur ç’duhej të bëja tjetër, se dita sapo kishte filluar. Në trotuarin përballë sytë më zunë një derë ku hynin e dilnin njerëz pareshtur. U bëra kureshtar. Qe vërtet një derë krejt e zakonshme, dy-kanatëshe, por jo fort e madhe, në ngjyrë qielli të shplarë, si qiell Rrogozhine. Kalova rrugën dhe u afrova, por nuk hyra menjëherë në të. Zgjata kokën, nga frika se mos qe ndonjë kurth, pra, mos ishte ndonjë shkollë tjetër. Nuk pashë veçse një korridor të ngushte dhe një shkallë që ngjitej lart. Rregullova çantën time prej lecke që e mbaja krahaqafë dhe hyra brenda, pa ditur se do të dilja në një botë tjetër. Qe zbulimi më i madh i jetës sime. Kisha hyrë në gjykatën e Tiranës.

Që prej atij çasti jeta ime nuk do të ishte si më parë. Ajo portë do të më nxirrte në prapaskenat dhe labirintet më të fshehtë të qenies njerëzore, që kurrë nuk i tregohen një kalamani. Do të merrja informacionet e para të tradhtisë politike, të formave të sterholluara të devijimeve ideologjike, të propagandës, të teknikës së ngjitjes së trakteve, të hakmarrjes, të mendimeve të fshehta, të historive të parrëfyeshme familjare, do të zbuloja prerjet në besë, por edhe ndëshkimet e pamerituara, ashpërsinë e ligjit, natyrën e pamëshirshme të shoqërisë shqiptare, çmimin e ulët të jetës, përdorimin me efikasitet të poshtërimit, anësinë e gjykimit.

Dhe atë, gruan që nuk më hiqet mendjeje.

Menjëherë pas asaj porte, në anë të rampës së shkallës që të ngjiste lart te sallat e gjykimit, ndodhej një tabelë kompensate. Qe e rëndësishme. Aty afishoheshin oraret dhe natyra e çështjeve që do të gjykoheshin.

Disa javë më pas, si fitova një farë përvoje në korridoret e drejtësisë shqiptare, shkoja fillimisht para asaj tabele, ku si të qe një meny kuzhine, zgjidhja me gisht çështjet që do të gjykoheshin. Se jo çdo proces më pëlqente.

Dhe nga ato që më tërhiqnin më shumë ishin vrasjet dhe tentativat për vrasje (me helm, shtyrja nga dritarja, hedhje vaji te skuqur në vesh, me çifte gjahu, prerje të organeve gjenitale), divorcet, pastaj vinin tentativat për arratisje, përdhunimet, rrahjet, akuzat ndaj grave që rrihnin prindërit e burrit dhe burrave që nuk kishin arritur dot të vrisnin gratë, por e mohonin qëllimin e tyre, pastaj vjedhjet, kishte pafundësisht vjedhje, që nuk ishin aspak interesante si procese, por kujtoj se ato të pasurisë socialiste dënoheshin veçanërisht rreptë, ndërkohë që akuzat e dyqanxhinjve të fundit privatë për vjedhje me thyerje pothuajse nuk merreshin fare parasysh. Të akuzuarit liroheshin gjithnjë në sallë. Dhe shpenzimet e gjyqit binin mbi akuzuesit.

Në ndonjë rast, kur bënte shumë ftohtë, nuk ishte lloji i procesit që përcaktonte çfarë duhej të ndiqja, por fakti se në cilën sallë të gjyqit do të ndiznin zjarr, se hera herës vinin edhe një sobë të madhe me dru, që bubulonte para trupit gjykues, të cilët nuk harronin në ndonjë rast të shtrinin duart, të fërkonin pëllëmbët, shtriqnin kurrizin e mbyllnin sytë ngadalë. Që t’i hapnin pastaj si të trembur para se t’i prisnin fjalën të akuzuarit, që nuk e kishin dëgjuar fare dhe t’i jepnin leje prokurorit të stërhollonte akuzat e tij.

Një numër i madh procesesh bëheshin me dyer të mbyllura. Nuk qe ndonjë pengesë e madhe për mua. Me kohë u bëra mik me nja tre policë të gjykatës, të cilëve kur nuk u kaloja poshtë kembëve për t’u futur në sallë, u bëja ndonjë shërbim të vogël, duke u blerë cigare ose duke u dhënë ndonjë copë të vogël xhixhibanosi, emri i të cilit kishte fuqi të parezistueshme korrupsioni. Viheshin ta hanin vetëm pasi unë u thoja si quhej.

Që nga ajo kohë, nuk kishte dyer që qëndronin mbyllur para meje, edhe pse nganjëherë bënin përjashtim sallat e katit të fundit, ku zakonisht ushtronte funksionet e veta një trup gjykues ushtarak. Ai më shtinte frikë.

Më duhet të them se nëse nuk je i interesuar personalisht që të shkosh e të ndjekësh gjykimin e ndonjë të njohuri, një proces gjyqësor, ndryshe nga sa thonë filmat, është egërsisht i mërzitshëm.

Pa u mburrur veçanërisht shumë, mund të them se aty nga fundi i dimrit të parë (se gjyqet i ndiqja vetëm kur binte shi dhe bënte ftohtë) me të mësuar emrin e prokurorit dhe gjykatësit edhe pa përfundur së lexuari akt-akuza, unë e dija dënimin që do të jepej.

Në fillim u ndodha krejt rastësisht në një proces divorci, thjesht sepse më tërhoqi emri divorc, dhe shkova të shoh një divorc, për të kuptuar çfarë na ishte. Ishte e çuditshme se si sistematikisht akuzat e ndërsjella nuk merreshin parasysh. Shumë më vonë mësova se qëndrimi i regjimit ishte se divorcet janë karakteristikë për një shoqëri borgjeze, ku bëheshin vetëm martesa interesi. Dhe, për pasojë rregullisht çështja mbyllej me thirrje (detyrim) për pajtim, pa u marrë parasysh kërkesa e palëve për t’u ndarë, ndonjehërë thirrja shoqërohej me kërcënime, por nuk e kujtoj nëse kishte fillimisht një fazë ndarjeje (trupash) dhe pastaj divorci. Gjithsesi duhej të qe ferr i vërtetë fundjeta bashkëshortore, kur për mungesë strehimi, jeta duhej të vazhdonte në të njëjtën shtëpi, në të njëjtën dhomë, në të njëjtin shtrat. Dhe kjo pasi të dy palët kishin nxjerr nga fundi i shpirtit edhe fjalën e fundit për njëri tjetrin.

Megjithatë, me pak shans, mund të qëlloje edhe në procese delirantë, ku motivin e ndarjes nuk është se e kuptoja gjithnjë. Qe një udhëtim surrealist në gjërat më të pathëna të marrëdhënieve bashkëshortore, në qoshet më të fshehta të trupit të njeriut, në dramat horror që zhvilloheshin nën jorganë.

Por ajo gruaja që nuk më del nga mendja nuk është fare viktimë, as e akuzuar, ajo është një prokurore ( a zevëndës prokurore) me emrin BH.

Dhe për herë të parë e kam njohur kur mbajti pretencën kundër dy të rinjve që akuzoheshin për tentativë arratisjeje.

Ishin me origjinë nga rrethinat e Tiranës dhe qenë arrestuar diku midis Lushnjes dhe Fierit. Mbrojtësen në fjalë të ligjit e kujtoj si një grua me trup të bëshëm, me flokë të prera shkurt, gjijtë si ballkon, që përkulte hera-herës kokën mbi shkresat e saj dhe pastaj e ngrinte menjëherë duke nxjerrë përpara një laps të cilin e tundte përpara si te qe një kamë. Një grua e ashpër, që bëhej nervoze e gati histerike sa herë që avokati mbrojtës sillte ndonjë argument që dobësonte akuzën e saj. Dhe kalonte në konvulsione e i shpërthenin pulla të kuqe në fytyrë kur ai i gjente kundërshti në thëniet e saj.

Dhe atë ditë mbrojtjen e atyre dy djemve e kishte marrë dikush që më pëlqente për qetësinë me të cilën fliste, frazat e zgjedhura, ironinë e hollë.

Në të vërtet atë ditë nuk kishte asnjë provë se ata dy djemtë donin të arratiseshin. Ata ishin kushërinj dhe këmbëngulnin se do të shkonin te tezja që martonte vajzën në një fshat të Fierit dhe nuk e kuptonin pse i kishin arrestuar. Sot them se mbase edhe donin të arratiseshin, por se dikush i kishte spiunuar sapo kishin lënë pas fshatin e tyre. Por edhe ndonjë masë e kishin marrë, por ajo nuk i shpëtoi dot.

Prokurorja i bombardonte me fraza që ta bënin kurrizin akull, i cilësonte si dezertorë që gënjenin se gjoja do shkonin te disa miq në zonat kufitare, por që në të vërtetë mendonin të viheshin në shërbim të armiqve të atdheut dhe do të ktheheshin të armatosur si diversantë, që të thernin foshnjat e djepeve tona etj. Shungullima e akuzave të saj dhe heshtja e menjërëshme, për të parë shkretëtirën që kishte shkaktuar rrotull vetes, i ngjante një spazme orgazmike. Por nga sa shihja në sallë fjalët e saj revoltonin dhe eksitonin vetëm atë vetë.

Avokati e shikonte në sy dhe tundte kokën të thuash se i miratonte ato që thoshte ajo. Dikur, me lejen e gjykatësit, ai e pyeti përfaqësuesen e ligjit nëse ajo gjykonte se Myzeqeja bënte pjesë në brezin kufitar të vendit. Kaq u desh. Ajo i harroi diversantët tanë të ardhshëm. U kthye nga gjykatësi dhe i kërkoi t’i shkruante ministrit të drejtësisë që të merrte masa për të kaluar fshesën që po vononte aq shumë në Kolegjin e avokatëve, plot borgjezë të molepsur etj, etj. Gjithnjë duke tundur përpara atë lapsin e saj, me një dëshirë të fshehtë për t’ia ngulur avokatit në sy.

Duket qëllimi ishte të destabilizonte mbrojtjen. Por mbrojtësi ynë, si të kishte bërë transfuzion gjaku me ata banorët e Olimpit, as që lëvizi vendit. Madje nuk e ndryshoi as atë buzëqeshjen e pashpjegueshme me të cilën shihte prokuroren në sy.

Pas asaj kërkesës për pastrim të radhëve të avokatëve, ajo iu kthye të akuzuarve  duke thënë se ishte fort e njohur se ata që niseshin të tradhtonin atdheun sajonin pretekste me dasma të paqena kushërinjsh të paqenë , por kjo nuk qe gjë tjetër veçse një mashtrim, qe një grusht hi që donin t’i hidhnin syve të drejtësisë së popullit. E ndërkohë nxirrte pështymë nga goja, inatosej me buzëqeshjen e avokatit dhe asnjë herë nuk harronte të lëvizte në ajër atë lapsin e saj si kamë, gjë që më detyronte edhe mua të ulja kokën me frikë, kur e kthente nga salla.

Por avokati ende nuk e kishte dhënë goditjen e tij fatale. Ai kërkoi fjalën dhe nisi të shohë në dosjen e tij, duke thënë se pretendimet e prokurores për mashtrim nga ana e dy klientëve të tij nuk qëndronin fare. Prokurorja tundi edhe një herë lapsin, por nuk pranoi të ulej sa kohë që avokati po kërkonte në dosjen e tij. Dhe ajo që nxori ai ishte një shkresë e kryetarit të këshillit të një fshati ku do të shkonin dy të akuzuarit tanë që vërtetonte se vërtet kushërira e tyre martohej ato ditë. Kryetari i gjyqit kërkoi t’i tregonin letrën dhe pastaj urdhëroi ta fusin në dosje. Akuza u shkërmoq. Prokurorja u lëkund si ta kishte goditur një meteor.

Dhe duke u ulur tha ato fjalë që nuk i kam harruar edhe sot: Në mos kanë dashur, ata kanë menduar të arratisen!

Dhe mbi këtë logjikë ajo kërkoi njëmbëdhjetë vjet burg. Në fund të procesit të dy kushërinjtë u dënuan me tetë vjet burg.

Vite më pas, jeta e solli që të njoh e të bëhem mik i mirë me djalin e avokatit, të njoh avokatin vetë e t’i kujtoj mbrojtjen e asaj dite, por të njoh e të kem një lloj shoqërie edhe me njërin nga djemtë e prokurores, por në asnjë rast kjo nuk ndryshoi përshtypjet që ajo kishte djegur me penë pirografike në trurin tim. E ndjej ende erën e tymit. Ai nuk ishte as më i tmerrshmi, as më i rëndi, as më tragjiku, por ishte i vetmi proces ku pashë të dënohen njerëz me supozimin se edhe nëse nuk do e bënin një shkelje (e pranojmë këtë sepse nuk kemi ç’bëjmë) , ata do ta kenë menduar një gjë të tillë.

Është e tepërt të them se nuk isha në gjendje të formuloja ndonjë gjykim politik për aktin e saj. Absolutisht ajo. Ajo që më tronditi ishte se ndërkohë që e dija se mund të dënohesha po qe se do t’i kafshoja veshin një spiuni të klasës, unë tani mësova se mund të dënohesha edhe po të mendoja një atentat të tillë ndaj veshit në fjalë.

Por edhe një gjë e tillë nuk është se më shqetësonte shumë,  në të vërtetë unë  kuptova se isha fajtor i madh për shumë punë të tjera, se shpesh mendoja gjëra jo të mira, hiç të mira, madje të tmerrshme. Mendoja gjëra që shkonin krejt ndesh të gjitha atyre porosive qe Moisiu i ngratë do t’i zbriste me aq mundim nga Sinai, siç do të mësoja më pas.

Fjala vjen, kur hipja në një hurmë rrëzë murit që na ndante nga shtëpia e një shoku të klasës, shihja shpesh nënën e tij që lante rrobat në oborr. Qe një grua shumë e bukur nga fshatrat e Korçës, që për të shmangur djersitjen vishte një bluzë të hollë fare dhe mjaft të hapur dhe unë mahnitesha nga gjinjtë e saj të mëdhenj sa herë që i merrte shpirtin ndonjë çarçafi duke e shtrydhur dhe përplasur pa mëshirë në gurin e govatës së drurit. Përpiqesha të mos harroja ditën e larjes së rrobave dhe nuk mungoja asnjëherë në një spekatkël të tillë aq madhështor. Por ja, dilte që kjo nuk ishte punë e mirë.

Këtu mbase ka nevojë të shpjegoj gjësendi, se ndjej ndonjë buzëqeshje ironike që më vë në pozitë të parehatshme. Nuk është aspak ajo që mund të mendoni. Natën ende asgjë nuk e turbullonte gjumin tim. Duke parë atë grua unë vetëm se përsiatja për gjërat bazike nëpër të cilat kalon gjithkush që nuk ka kapur moshën e pubertetit. Fjala vjen, pranë një gruaje të tillë kishte shumë më tepër shanse t’i mbijetoje ndonjë krize urie, në periudha racionimi ushqimor. Ndërkohë që te ajo rezervat e qumështit ishin të pafundme. Kaq. Por edhe për një gjë të tillë unë isha i dënueshëm në sytë e BH-së. Të lakmosh qumështin e tjetrit…

Pa folur pastaj se të tilla mendime të denueshme vetëm se shtoheshin pafundësisht kur kapërceje pubertetin. Atëhere shihje se bota ishte ndërtuar mbi gjëra të ndaluara,   madje i alammuar kuptoje se ishte rastësi që nuk ishe dënuar ende, madje që nuk ishe pushkatuar.

Ndonëse me kohë kisha krijuar idetë e mia, të vërtetën e asaj që ndodhte, do ta kapja më mirë kur do të më binte në dorë një numër i “Përpjekjes” së Merxhanit, ku qenë botuar disa mësime psikanalize që shpjegonin përse njeriu nuk mund të jetë përgjegjës për atë që mendon, për ëndrrat që sheh, për dëshirat që ka etj.. Por para prokurores BH unë kisha mbetur përjetësisht fajtor. Nuk e di nëse duhet të më cilësonin person në kërkim, por jam i sigurt për dënushmërinë time.

E mbaj veten për specialist të mirë të meditacionit dhe të përqendrimit mendor, por atë grua nuk kam mundur ta përzë përfundimisht nga mendja. Pretencën e saj e dëgjoj ende të buçasë në një sallë ku jam fillikat, përballë pasagjeres së rreptë klandestine të trurit tim.

3 Komente

  1. Imagjino femijen fatkeq te cilit nje trill i mendjes mund edhe t’ia perziente gruan prokurore me gruan carcafelarese. Kjo do kishte qene fatale! 🙂

  2. Tregim, pershkrim, jetshkrim interesant! Ndonese me “dy pjese” aty brenda! Ndjekja e gjyqeve ashtu “kot”, si per kuriozitet, ka bukurine e vet … deri ne nje fare mase! Kam ndjekur edhe vete disa gjyqe (nga me te ndryshmet), nja 10-15, e shumta 20 gjyqe, diku aty ne vitet ’80, sa … “u ngopa”!

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: