TË PARASHIKOSH TË SHKUARËN

Këto ditë me mijëra, në mos miliona internautë kanë qeshur me reklamën e një kiti testues të shtatzanisë, të kompanisë holandeze Predictor.

E vitit 2011 por e ri-zbuluar rishtas, reklama paraqet një çift të ri që ngazëllehet, tek sheh rezultatin e testit. Ironia këtu është se gruaja, e cila duket sikur mezi po u beson syve, është dukshëm shtatzënë.

Reklama ka përfunduar kështu e përfshirë në gjithfarë listash virale me “Ad fails”.

Po si dështon kjo reklamë pikërisht? Testi i shtatzanisë ka dalë, me gjasë, pozitiv dhe gruaja është vërtet shtatzënë; çfarë do të thotë se testi ka funksionuar mirë.

Prandaj gabimi i perceptuar prej shikuesve ka të bëjë me sheshimin e përmasës kohore. Gruaja duhej ta kish bërë këtë test muaj më parë – përndryshe mjafton barku i fryrë.

Teksti në anë të reklamës thotë: When you want to be sure. Shën Thomai doemos do ta kish miratuar këtë metodë – meqë barku mund të fryhet për arsye të tjera, përfshi këtu edhe shtatzëninë imagjinare ose histerike.

Një arsye do të ishte që çifti në fjalë, me gruan shtatzënë, janë shpikësit e këtij testi të ri dhe inovativ; prandaj ata gëzohen që testi ka funksionuar, jo për shtatzëninë si të tillë.

Me fjalë të tjera, ata nuk po duan të dinë nëse gruaja është apo jo me fëmijë, por vetëm po kontrollojnë aftësitë parashikuese të testit.[1]

Përndryshe, fotografia e testit na tregon dy budallenj: të cilët nuk e kanë marrë vesh se gruaja pret fëmijë, ose habiten që teknologjia e testimit në fakt funksionon mirë.

Të provojmë tani ta “shfryjmë”, me mendje, gruan në reklamë – çfarë do të na çonte në një situatë normale, ku shtatzënia vetëm do të nënkuptohej ose do të merrej me mend.

Kjo na provon se efekti “fail” i reklamës lidhet me një pranëvënie absurde – të barkut të fryrë dhe të testimit për shtatzëni.

Mirëpo ky lloj efekti ndeshet rëndom në reklamat: vallë nuk shohim gjithnjë burra muskulozë, duke përdorur pajisje gjimnastikore; gra të hajthme, duke përdorur produkte për të humbur në peshë; ose njerëz të pastër akull, duke u lektisur pas shampove dhe sapunëve?[2]

Me fjalë të tjera, fotoja e reklamës mund të interpretohet edhe si një kolazh midis dy momenteve përndryshe të larguara në kohë, ose që nuk mund të jenë të njëkohshëm: testimi i shtatzënisë, dhe shtatzënia e dukshme.

Gruaja që sheh rezultatin e testit dhe gruaja shtatzënë u përkasin dy kohëve të ndryshme.

Chris Sant, një nga drejtuesit e kompanisë që e pat dizajnuar reklamën në 2011 deklaroi se

Meqë Predictor është 99.9 për qind i saktë, është më mirë për ty t’i besosh testit, se barkut.

Edhe kjo deklaratë nuk mund të merret si e pafajshme – meqë i bën jehonë faktit që diagnostikimi, në mjekësinë e sotme, po varet gjithnjë e më tepër nga teknologjia dhe gjithnjë e më pak nga intuita dhe eksperienca e mjekut.

Në kuptimin që, edhe pse gruaja në foto është dukshëm shtatzënë, ajo ende paska nevojë ta konfirmojë këtë teknologjikisht, duke e certifikuar nga një autoritet i besueshëm.

Ky është njeriu hiper-teknologjik, që nuk u beson më shqisave dhe as trupit të vet, por pajisjeve dhe zgjatimeve gjithfarësh.

Njeriu që e sheh botën në ekran, që dëgjon vetëm me kufje, që lëviz me rrota; që e merr vesh si është moti nga një shërbim meteorologjik; dhe si është ushqimi që po ha nga etiketa në kuti ose nga vlerësimi i restorantit në rrjetet sociale; dhe çdo pyetje që ka ia bën Google-it.

Hilariteti me të cilin u ri-zbulua sot kjo reklamë tradhton edhe sikletin tonë, përballë kësaj dëshmie si na ka katandisur martesa mes teknologjisë dhe varësisë që kemi krijuar ndaj autoritetit ekspert.

 


[1] Një komentues në Internet hodhi dyshimin se mos testi i shtatzënisë ka dalë negativ. Një komentues tjetër sugjeroi se testin e kish bërë burri, jo gruaja. Një i tretë shtoi se reklama sugjeronte që çifti po e bënte këtë test çdo ditë, për t’u siguruar.

[2] Në fakt, shumica e business-eve synojnë që konsumatori jo vetëm t’ua përdorë produktin, por edhe t’ua përdorë këtë rregullisht; ose atë që e quajnë edhe repeat use (përdorim të përsëritur). Për të njëjtën arsye, kompanitë farmaceutike investojnë në barna “mbajtëse”, të cilat nuk e shërojnë sëmundjen, por vetëm sa e mbajnë nën kontroll.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin