SHYTI PA BRIRË

Këto ditë që kam pasur disa takime dhe intervista për librin tim të ri, “Kusuret e zotit Shyti”, më kanë pyetur shpesh – më shpesh se ç’e prisja – për domethënien e emrit të personazhit tim.

Një nga të pranishmit në takimin e zhvilluar në Korçë, pasi kërkoi të dinte se pse e kisha quajtur zotin Shyti kështu, më kujtoi se në shumë anë të Shqipërisë shyt i thonë një kafshe që nuk ka brirë dhe se, duke zgjedhur këtë emër, mos doja të përcillja mesazhin se personazhi im godiste, por “nuk të vriste.”

Nuk ishte hera e parë që e dëgjoja këtë; edhe pse unë e kisha zgjedhur këtë emër, zoti Shyti, për arsye krejt të tjera; fonetike dhe metrike, ose më mirë eufonike; por pa u shqetësuar për kuptimin e fjalës (apelativit) shyt. Kjo edhe ngaqë mbiemri në fjalë është mjaft i përhapur, mes nesh shqiptarëve, dhe askujt nuk i shkon mendja t’i vërë gjithë këta Shytë në lidhje me fjalën përkatëse të leksikut.

Duket sikur e pranojmë më lehtë arbitraritetin tek emri i një personi real sesa tek emri i një personazhi, meqë ky u dashka edhe t’i referohet diçkaje më tepër, sa kohë që është zgjedhur ad hoc nga autori, dhe nuk shpreh ndonjë dëshirë a urim, siç shpreh gjithnjë emri që i vihet fëmijës.

E vërteta është se, kur kërkoja një emër për këtë personazh të krijuar pothuajse rastësisht, doja të gjeja diçka që të harmonizohej mirë me “zoti” – dhe mes varianteve që më erdhën parasysh, Shyti m’u duk më i përshtatshmi; në kuptimin që “zoti Shyti” tingëllonte për mua autorin si më i duhuri për një njeri si të thuash “katror” dhe simetrik i cili, sido që të rrotullohej e të rrokullisej nga jeta, do të binte gjithnjë në këmbë.

Shto këtu edhe që fjala “shyt(ë)” nuk bën pjesë në fjalorin tim aktiv, përveçse kur më qëllon t’u referohem disa lloj kamionave pa “turi” (Skodë shytë), por edhe ky përdorim tashmë i përket së shkuarës.

E megjithatë, nuk e bind dot kënd që të mos e mendojë Shytin si “pa brirë”, sepse fjala e ka këtë kuptim dhe unë nuk mund t’ia heq, edhe sikur të dua: madje jo vetëm nuk e ndaloj dot kënd, por tanimë edhe mua më ka lindur dyshimi se mos Shyti i krijuar prej meje është “i dënuar” të mos shpojë me goditjet e veta.

Nomen omen, thoshnin të vjetrit.

 

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin