POROSITË E GJYSHIT

Urtësia nuk shpërblehet. Përkundrazi: të urtët vuajnë. Pse të lakmohet atëherë? Sepse është vuajtje tjetërlloj, jo si ajo që heqin të tërë.

….

Shih të mos jetosh në lidhore, në kushtore, e aq më pak në dëshirore. Shih të gjallosh në dëftore. Për mënyrat e tjera del e mjafton arti.

….

Nëse moti më diell të ngjan më i jetueshëm, më i bukur, se një i tillë me suferinë e shqotë, atëherë e ke fajin vetë dhe jeta jote do të jetë shumë më shkurtër nga ajo që të ka falur perëndia. Po kështu me kamjen e me lumturinë e me dallimet. Një copë bukë është një copë bukë, është një copë bukë, është një copë bukë, pavarësisht se me çfarë e lyen. Nuk ka dallim mes një kostumi Armani e një tunike, nuk ka dallim mes një vile e një shpelle.

….

Ajo që mbetet për të bërë është mbetja: gjithçka minus atë që nuk duhet bërë. Liria është në këtë kuptim diferencë, heqje vuajtjesh. Je i lirë të vuash si të duash. Shih të vuash me dinjitet.

….

Shih të mos marrësh aksioma të pavërtetueshme për të tilla fundore. Shih të mos jesh i bindur për asgjë: çdo bindje e ndërtuar mbi aksioma fundore është një kullë Babeli. Me perëndinë mos u merr; jo për gjë, po nuk ke asnjë shans të fitosh. Po mos bëj gabimin që ta marrësh mosqenien e saj për aksiomë fundore: kjo nuk dihet. Dhe mos harro: ka apo s’ka jetë pas vdekjes, sido që të jetë, ti do të dalësh sidoqoftë i humbur. Një gjë nuk duhet harruar në asnjë mënyrë; – në pastë ndonjë mëkat, ky është më i rëndi – : të jesh aq arrogant sa të kujtosh se e paskemi ne jetën tonë e të tjerëve në dorë. Nejse, se gjithkush e di vetë.

Perëndia nuk do të ishte e tillë, perëndi pra, nëse do të kishte nevojë për lutjet e adhurimin tonë. Ndaj mos harro që, nëse lutesh a falesh, kjo është absurde; edhe më absurde është të presësh përgjigje për lutjet e tua, që Zoti të të plotësojë dëshirat, ëndrrat e kushedi se çfarë. Pasi, nëse do të ishte kështu, atëherë i bie të bësh përgjegjës Zotin për vuajtjet e kësaj bote, parë që vuajtja është e kundërta e adhurimit. Perëndia nuk është, në është, nuk ka se si të jetë, as plaku i Vitit të Ri e as xhelat. Në mundsh e ta lejon indeferenca, mos u merr me perëndinë. Beso ç’të duash, por mos vrit e mos prit e mos u nis nga ideja se nuk paskësh perëndi, mos u nis nga parashtrimi ca më lart për të vërtetuar mosqenien e saj. Kjo është edhe më e rëndë se të besosh, më absurde. Por gjithsekush e di vetë. Fundja, vetes ia bëjnë të tërë.

Ka një skenë domethënëse te filmi “Matriks”, pjesa e parë. Neo shkon te Morfeu e ky i tregon dy pilula, një të kuqe e një blu, dhe e pyet cilën do të marrë ky nga ato.

Projektuar në çështjet fetare: besimi nuk është as njëra e as tjetra. Besimi nuk është dilemë bardhezi. Nuk është se mund të thuhet: unë besoj e as se unë nuk besoj. Vetëm budallenjtë (të na falin besimtarët e thekur e ateistët) pohojnë të tilla gjëra.

I urti pyet, nëse do të ishte Neo, : “A mund t’i marr të dyja pilulat menjëherë?”

Nëse mëton ndonjë zhvillim të mundshëm shpirtëror, mos meremeto çatinë e burgut, por zbrit në themelet e tij e shih t’i përtërish ato përditë. Në mundsh të hapësh ndonjë tunel të ri aty, prej ku mund të marrësh arratinë prej kësaj bote, aq më mirë. Se nuk gjenden synimet e tua për liri jashtë, jo, po brenda. Jashtë të grijnë rojet me automatik.

Besimi (i vërtetë) nuk ka as si të trashëgohet, as të edukohet, as të mësohet prej dikujt e as prej teje vetë. Meqenëse askush nuk lind besimtar, atëherë i bie të ndodhë një ditë. Derimë atëherë i bie të mos kesh besuar. Kur kjo ndodh, te njerëzit me dy pare mend, diku nga mesi i jetës,… nel mezzo del cammin di nostra vita…, është rilindje, është ajo që budistët e quajnë zgjim. Qysh aty e tutje ti nuk ka se si të jesh më ai i pari. Jo se më parë ke qenë më i keq, më budalla apo më i lig; jo aspak: jo gjithkush ka qenë Saul e tani i duhet të quhet Pal.

Sa më i vetëdijshëm të jetë ky shndërrim, aq më e madhe do të jetë doza e dritës që do të shkaktojë në bodrumet e qenies tënde.

Në ke ndonjë përfitim nga e tëra kjo, ky do të ndodhë vetëm si “gnosis” e jo se do bëhesh më i bukur, më sexy, më i fuqishëm, më i pasur, e me radhë.

Shndërrimi shfaqet më së pari si tundim për ta kujtuar veten për këtë e atë. Sa më shumë të rezistosh e të mos harrosh pikërisht atë që je vërtet, që ti je po ai që ke qenë, as më shumë e as më pak tani, i njëjti pra, aq më thellë do të të përshkojë ajo dritë.

Mund ta marrësh në dorë atë llambë e të vazhdosh vetë më tutje. Nëse do. Edhe nëse nuk do, nuk ka gjë.

Në jetën e jashtme, do të bësh atë që ke bërë gjithnjë, e gjitha kjo nuk ndryshon asgjë. Ndryshon vetëm së brendshmi. Është sikur të meremetosh një shtëpi, në të cilën ke banuar edhe më parë, ta lyesh, ta pastrosh atë e të sillesh qysh tani e tutje ndryshe me mysafirët që do të bujnë aty, më së pari me ty vetë.

E të mos kesh më aq frikë nga fundi: tashmë e di që nuk ka asnjë të tillë.

Ajo çfarë na dallon ne më së shumti nga kafshët është vetëdija e vdekjes.

Në thelb të çdo veprimi të njeriut në botë qëndron kjo vetëdije dhe pozicioni që ka marrë aksh person ndaj këtij fakti.

Sepse vdekja është një problem i pazgjidhur. Çfarëdo aksiome të marrësh për t’i dhënë një zgjidhje të mundshme, ajo zgjidhje do të jetë gabim, pasi aksioma si e tillë nuk është as empirike (si drejtëzat paralele në gjeometri që nuk priten p.sh.) e as teorike.

Edhe sikur të takosh dikë që është ngritur nga varri, deri edhe Jezuin e ringjallur dora vetë, edhe kjo nuk do të ishte një aksiomë e denjë për t’u marrë parasysh.

Zgjidhja këtu është më e thjeshtë: mendoje si problem matematikor mature të klasave të larta vdekjen, të cilin nuk mund ta zgjidhësh për momentin, pasi je ende në fillore. Mos harro se do të duhet medoemos ta japësh atë provim. Përgatitu një jetë të tërë për të.

E nuk ka gjë më të rëndësishme në këtë botë se nota që do të marrësh. Nuk është se ajo i përket vetëm botës tjetër: është përgjysmë edhe e kësaj ku ndodhesh.

Çfarëdo që të bësh tani, do të të ndikojë në atë notë.

Shkollë është jeta, asgjë tjetër; shih mos të ngelësh, shih mos të të përjashtojnë.

Shënim i autorit: Im gjysh, para se të ndërronte jetë, më la këto porosi, të shkruara me dorë të dridhur në një fletë të grisur nga një fletore tetëlekëshe. Meqenëse këto ditë afron përvjetori i tij, mendova ta nderoj kujtimin e tij në këtë formë.

4 Komente

  1. Gjyshi paska qene i zgjuar! Shume mire qe ke filluar ti ngjash! Keshtu te kuptosh se njeriu eshte shume-shume i vogel per ti sqaruar me pak fjale punet e Zotit dhe Qiellit, problemet e besimit. Ka shume shprehje te mencura nga fjala e gjyshit me lart.

  2. Persa i perket Perendise qe nuk do te ishte i tille nese nuk do te kishte nevoje per lutjet tona; nuk eshte kaq e vetvetishme logjika.
    Nqs imagjinojme Perendimi para krijimit, atehere Perendia si qenia e vetme, perfekte, e pandashme, e palevizshme etj do te kishte gjithe karakteristikat e Qenies se Parmenidit (http://philoctetes.free.fr/parmenidesunicode.htm ose italisht http://www.filosofico.net/Antologia_file/AntologiaP/PARMENIDE_%20SULLA%20NATURA.htm).
    Mirepo Qenia e Parmenidit te fut drithmat, logjika parmenidase ne karakterizimin e saj eshte e pathyeshme, sfide ende sot.
    Mund te thuhet qe pikerisht Perendia eshte e tille sepse ekziston e krijuara, ku perendia del nga stadi i palevizshmerise se te persosures; ku ekziston nje entitet tjeter dmth e krijuara, ne perballje me te cilen Perendia behet Perendi e nuk eshte me thjesht Qenia. Pa njeriun, pa lutjet tona, pa ndergjegjen tone, Perendia nuk do te ishte Perendi, por vetem Qenia parmenidase. Qenia do te ekzistonte ne perjetesi, por jo si Perendi.

    1. Perëndia nuk është e thënë të mveshë medoemos atributin e krijimit, ndonëse për këtë do të na kryqëzonin më së pari monoteistët.

      Ndërsa te Parmenidi që përmend, nuk ka diçka “të bërë”. Qenia e Parmenidit është vetëm Një dhe nuk ka se si të mos jetë, ndaj edhe Perëndia është në atë filozofi e panevojshme, pasi asgjë s’bëhet dhe asgjë s’zhduket aty.

      Ndaj e paska patur mirë gjyshi kur thoshte: “Mos u merr me Perëndinë!”…:)

      Jo për gjë, po nuk di se nga ta kapësh e ku ta nisësh. Gjithnjë nëse i lemë për një çast mënjanë fetë tradicionale.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin