THËRRIME DHEU

Ma, po Udhëheqësi kur do të vdesë? – pyeti njëri nga fëmijët, që e kishin marrë me vete me zor, në varrimin e të gjyshit.

Udhëheqësi nuk vdes, i thanë të tjerët. Udhëheqësi, sa herë që ka nevojë, merr ditë nga ditët tona.

Fëmija që kish bërë pyetjen, mendoi se ai vetë nuk kish ditë për t’i dhënë ndonjë tjetri; por nuk e tha këtë me zë.

*

Herë pas here, të huajt që vizitojnë Shqipërinë, pyesin se çfarë do të ndodhë pasi të vdesë Kryesori, tha njeriu i kundërzbulimit, gjatë një ore mësimi në kursin e shoqëruesve të turistëve.

Jo gjithnjë kjo pyetje do marrë si provokuese, jo gjithnjë mysafirët e bëjnë me të keq. Perëndimi i qaset vdekjes ndryshe nga ne.

Këtyre që pyesin, do t’u përgjigjemi kështu: ne e parashikojmë të ardhmen sipas ligjeve të materializmit dialektik dhe historik.

*

Kur të vdesë “AI”, tha njëri prej të burgosurve, duke drejtuar gishtin e shtrembër nga mali i Munellës, edhe me ne këtu do të bëhet diçka, se nuk mund të vazhdohet kështu, de.

Kur të vdesë “AI”? – u çudit tjetri. Po ça thua, o i shkretë. Po “AI” ka vdekur prej kohësh, aq sa edhe sozisë së tij i ka ardhur tani koha që të kthejë këmbët nga dielli. Pa shih rreth e rrotull: të duket vërtet sikur këtë vend e qeveris një i gjallë?

Po mirë, o, zëre se e kisha fjalën për sozinë, u mbrojt i pari.

*

I pandehuri A., bubulliu prokurori, pyetjes se “Ç’do të bëhet kur të vdesë Ai i madhi?” i është përgjigjur kështu: atëherë do të shpëtojmë të gjithë!

Salla gumëzhiu në zemëratë.

Ndërsa i pandehuri B., vazhdoi ai, së njëjtës pyetje i është përgjigjur kështu: hiç asgjë nuk do të ndodhë!

Prandaj kërkoj për të dy dënimin maksimal sipas ligjit në fuqi.

*

Si do të veprojmë kur të vdesë sozia e Atij?

Ky mendim po e linte pa gjumë shefin e rojeve të Sekretarit të Parë, këto muajt e fundit.

*

Ti pret që të vdes unë, i tha lideri suprem vetes, kur po shihej në pasqyrë, sipas zakonit të vjetër.

*

Armikut të partisë dhe të pushtetit, ish-kryeredaktorit të gazetës më të madhe në Shqipëri, i gjetën në kasafortën private deri edhe nekrologjinë e Sekretarit të Parë.

Këta dru të shtrembër vetëm zjarri i ndreq, thamë ne.

Zjarri, zjarri, zjarri, oshëtiu masa me pishtarë.

*

Ka zëra se liderit shqiptar i ka vdekur tashmë një pjesë e trupit, shkroi agjencia ndërkombëtare e lajmeve AZHANS.

Megjithatë, pjesa e tjetër, i mbetet edhe më e gjallë se më parë dhe fortësisht në krye të punëve.

*

Një frikë e pakuptueshme e kish kapluar sozinë. Çfarë do të bëhem unë, sikur… nuk guxoi të pyeste ai. Në ç’bordero do ta hedh akoma firmën?

*

Ju keni në dorë jetën e Të madhit, u tha shefi i kabinetit doktorëve: ja çfarë misioni fisnik ju është besuar.

Ne kemi në dorë jetën tuaj, mision jo doemos fisnik, por i nevojshëm.

Tani bëjini vetë llogaritë.

*

Thonë se e zgjodhi pasardhësin me dorën e vet, i tha ambasadori polak ambasadorit bullgar në një pritje në selinë e ambasadorit rumun.

E zgjodhi, e puthi në ballë për ta kunguar, pastaj dha urdhër që t’i hidhnin hekurat.

Donte të më merrte pushtetin, tha; që pa vdekur unë akoma.

*

Njerëz të tillë kanë vetëm datëlindje, lexoi me zë lideri suprem, në gazetën “Drita.”

Çfarë dreq kuptimi ka kjo? – pyeti ai, vetullngrysur. Kush i shkruan këto budallallëqe?

Po ka gjë më të pabesë, më mizore, se t’i festosh tjetrit datëlindjen, kur është kallur ndërkohë prej kohësh në dhé?

*

Pashë në ëndërr sikur kish vdekur I madhi, i tha së shoqes. Dhe ashtu m’u duk krejt pa kuptim që të flija akoma.

*

Po sikur të mos vdesë? – kjo ishte pyetja që e torturonte Numrin dy prej muajsh.

Por Partia, që është atje lart dhe i di të gjitha, do t’i japë zgjidhje edhe kësaj.

Nëse Partia vendos që Ai të mos vdesë, u bëftë vullneti i saj. Amen.

Numri dy s’e paskësh njohur veten për kaq të përshpirtshëm.

*

Një ditë më parë, në datën dhjetë, e patën nxjerrë në pension edhe krye-fotografin e oborrit.

I patën ngulur një dekoratë në gjoks. Nga zelli i shefit të protokollit, gjilpëra e dekoratës i depërtoi thellë mishin, në hapësirën e brishtë midis brinjëve.

Fotografi do të vdiste dy javë më pas, nga një infeksion i rëndë gjaku, i dalë jashtë kontrolli.

Por ndërkohë gjëra më të rëndësishme kishin ndodhur.

Për vdekjen e fotografit veteran shkruan vetëm tri shpallje: një te hyrja e rrugicës ku banonte, një te rruga e Fortuzit, dhe tjetra te Pazari i ri.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: