NJË FILM, SHUMË SY

Në lidhje me diskutimet për kuptimin e filmit “Gjeneral Gramafoni”, gjithsekush mund të gjejë atje, sikurse në çdo vepër arti, kuptimin që ia thotë mendja; çfarë nënkupton një pluralitet kuptimesh dhe interpretimesh, pa llogaritur këtu përdorimet e veprës; i vetmi gabim, por që bëhet shpesh sidomos nga profanët, është të besosh se mes këtyre shumë interpretimeve ka vetëm një që është më i sakti dhe që zakonisht përkon me “çfarë kishte parasysh autori”; gabim që për fat të keq vjen e rëndohet nga mungesa e ekspozimit të disave ndaj diskursit kulturor bashkëkohor – me fjalë të tjera, ka mes nesh njerëz që u ka ngecur ora në kohën e kritikës dhe të estetikës staliniste; dhe që bëjnë akoma shumë dëme, pa e marrë vesh as vetë si.

Që në kohën e Dantes (të paktën) është folur për katër nivele të interpretimit të një vepre: niveli literal, që përkon me çfarë rrëfehet, p.sh. çfarë u ndodh muzikantëve të sazeve në film, etj.; niveli alegorik, i cili e zhvendos vëmendjen drejt një kuptimi tjetër, i cili ka një marrëdhënie analogjike me kuptimin literal (sot do të thoshim edhe metaforike ose simbolike); niveli moral, ku nxjerrim, prej veprës një mësim për sjelljen, një ide të së mirës dhe së keqes, të vesit dhe të virtytit e kështu me radhë, dhe ku do të futet edhe kuptimi “ideologjik”; niveli anagogjik, që ka të bëjë me kuptimin më të thellë të tekstit, në kufi të transcendencës.

Këtij aparati konceptual tradicional, Umberto Eco (tek “I limiti dell’interpretazione”) i shton edhe një, siç e quan ai, “trikotomi”, midis interpretimit si kërkim të çfarë kërkon të thotë autori (intentio auctoris), interpretimit si kërkim të çfarë thotë vetë vepra pavarësisht qëllimeve të autorit (intentio operis) dhe interpretimit si kërkim të çfarë gjen atje lexuesi (spektatori, publiku); duke vërejtur pastaj se një sociologji e veprës do t’i jepte përparësi studimit të asaj çfarë bëjnë, me tekstet, individët ose komunitetet. Në po këtë ese, Eco-ja shton se duhet gjithashtu të bëhet dallim midis interpretimit semantik të veprës dhe interpretimit kritik, meqë i pari është ai proces gjatë së cilit lexuesi e mbush veprën me kuptim; ndërsa i dyti kërkon të shpjegojë se si arrin vepra që të prodhojë, te lexuesi, pikërisht atë kuptim dhe jo një tjetër.[1]

Meqë unë i kam pasur parasysh këto, kur kam shkruar për filmin “Gjeneral Gramafoni” dhe filmin shqiptar të Realizmit Socialist në përgjithësi, do t’i lutesha lexuesit që t’i mbante edhe ai parasysh, me aq sa të mundet; ose të paktën të mbante parasysh se ku jam mbështetur unë teorikisht.

Por edhe pa u futur në teori të mëdha, mjafton të përmendet këtu, si shembull, se një roman si “Kështjella” i Kadaresë për disa lexues ishte rrëfim për rrethimin e një kështjelle nga ushtritë osmane, në kohën e Skënderbeut; për disa të tjerë, ishte alegori e qëndrimit ballëlart të Shqipërisë enveriste, ndaj rrethimit imperialisto-revizionist; për të tjerë akoma, ishte mësim moral për rrethimin e së mirës nga e keqja, ku e keqja, me kalimin e kohës, do të identifikohej me regjimin e Hoxhës, që po ia merrte frymën gjithçkaje të mirë dhe fisnike që i kish mbetur Shqipërisë. Të gjitha këto interpretime (ose “lexime”, siç do t’i quanin sot) janë të vlefshme në një mënyrë ose në një tjetër; edhe pse të parin unë do të quaja naiv, të dytin të detyrueshëm për ta shpëtuar romanin nga censura e kohës kur u botua; ndërsa të tretin më spekulativ, por edhe ndoshta të vetmin që mund të shpjegojë suksesin e qëndrueshëm të romanit edhe pas përmbysjes së regjimit në Shqipëri. E megjithatë, një kritik letrar në Perëndim që do ta përsiaste leximin e tretë në kohën kur u përkthye romani, objektivisht do ta vinte autorin në vështirësi me regjimin në Tiranë – sikurse ndodhi me interpretimin e romanit “Kronikë në gur” prej Arshi Pipës.

Për t’u kthyer tani te “Gjeneral Gramafoni”, siç e sqaroi mirë edhe Lyss-i, nuk mund të flasim për të sot si të ishte ndonjë dokument arkivor i mbetur nga vitet 1930; sepse filmi është vepër fiksionale, e cila veç mund të interpretohet, por jo aq në kontekstin e vet tematik (të fillimit të ekspansionit fashist në Shqipëri), sa në kontekstin e kohës kur u krijua dhe qarkulloi në kinematë (vitet 1970). Nuk më duket e drejtë që, ato që dimë dhe që biem dakord se dimë për fashizmin italian, t’i përdorim për të shpjeguar filmin – sepse në film fashizmi italian është element i narrativës, ose i literalitetit; dhe duhet të jesh o budalla, o dashakeq, që të refuzosh të pranosh se te “Gjeneral Gramafoni” ekspansioni fashist në kulturën popullore dhe qëndresa e kësaj të fundit janë metafora për luftën ndaj shfaqjeve të huaja dhe ndikimeve borgjezo-revizioniste në Shqipërinë e periudhës kur qarkulloi filmi. Spektatorët e atëhershëm, po të vrisnin sadopak mendjen, do ta kuptonin këtë menjëherë; por të sotmit ndoshta jo të gjithë dhe jo mirë, sepse brezi i sotëm ka probleme të mëdha me të kuptuarit e periudhës totalitare në Shqipëri – për faj të programeve të çala shkollore dhe të krejt kulturës së sotme, përfshi këtu edhe disa muzeume që janë hapur tani së voni dhe që për mua orientohen ndaj spektaklit dhe turizmit, por kanë dështuar masivisht në misionin e vet edukativ. Në këtë kuptim, brezi i sotëm në Shqipëri ndoshta kupton më mirë fashizmin italian, se stalinizmin shqiptar; pa çka se filma si “Gjeneral Gramafoni” janë në thelb produkte të kinematografisë staliniste shqiptare, me funksione të spikatura ideologjike dhe propagandistike, dhe si të tilla duhen interpretuar nga ata që duan vërtet t’i kuptojnë në kontekstin social, dhe t’i analizojnë pastaj në diskutime serioze me më të rinjtë.

Tani, ti mund të ulesh ta shohësh filmin pa e vrarë fare mendjen për konfliktin që shtjellohet atje, por vetëm për të shijuar muzikën (kolonën zanore dhe pjesët e luajtura nga grupi i sazeve); por ky nuk do të ishte veçse një përdorim i filmit, i pranueshëm si përdorim, por jo si lexim; në të njëjtën mënyrë, ti mund ta analizosh filmin edhe për teknikën regjisoriale, ose editimin, ose fotografinë, ose kostumet, ose ekskluzivisht lojën aktoriale; të gjitha këto analiza kanë kohën dhe vendin e tyre, por publikut nuk i interesojnë shumë me përjashtim të profesionistëve dhe të apasionuarve pas kinemasë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një produkt të destinuar për konsum të gjerë. Për të njëjtën arsye, kritika interpretative e një filmi si “Gjeneral Gramafoni” merr përparësi ndaj llojeve të tjera të kritikës, sepse ajo ndihmon për të kuptuar pritjen e këtij filmi nga publiku, në kohën kur qarkulloi filmi për herë të parë dhe sot.

[1] Megjithatë, Eco-ja i referohet veprës së artit dhe pritjes së saj në përgjithësi; në një kohë që ne, kur merremi me vepra të periudhës totalitare, na duhet gjithnjë të dallojmë, brenda veprës, të paktën dy “lexues model” – atë të zakonshmin, dhe atë tjetrin (lexuesin “ideologjik” ose komisarin) që i afrohet veprës jo (thjesht) për ta shijuar estetikisht, por për ta kontrolluar nëse i përmbush kriteret ideologjike të imponuara nga zyrat e propagandës të regjimit; vetëm nëse ky i dyti arrin të bindet që vepra i kënaq kriteret standard për t’i shërbyer edukimit komunist të masave punonjëse dhe formimit të njeriut të ri, mund të aktivizohet mekanizmi i të parit. Për shembull, komisari do të kërkonte që vepra t’i jepte përparësi pozitives dhe të nxirrte në pah një personazh përçues të së resë dhe të virtytit socialist; ose do të verifikonte shkallën dhe intensitetin e tipizimit në tekst.

8 Komente

  1. Invazoni kulturor italian si shqetesim i komunisteve, apo teme e filmave, ka qene prezente ne menyre disi te qendrueshme. Kjo shihet ne disa prodhime, si Lulekuqe mbi Mure, apo edhe Ne fillim te veres. Por filmat ne kete drejtim tradhetojne dyfish qellimet narrative: italianet na percillen ne keto filma jo si italianizues, por si modernizues. Ky modernitet nacionalizohet nga komunistet, te cilet vete ata luftojne neper filma me prapambetjen dhe arkaizimin e shoqerise. Nuk shihet kjo qasje ne filmat qe trajtojne pushtimin gjerman dhe ne kete krahasim merr jete nje fare objektiviteti tematik.

    Filmat behen dyfish manipulative kur sidomos te Gjeneral Gramafoni dhe Koncert ne Vitin 1936, pershkruar nga nje fryme, e trajtojne oksidentalizimin si perversion te elitave shqiptare te kohes. Edhe ne filmin Gj G ka skena goditese ne kete drejtim: p.sh gara muzikore qe zhvillohet mes ballkonit te kryetarit te bashkise, vajzat e te cilit vendosin gramafonin dhe sazexhinjve ne dasem, poshte ne rruge qe shohin venger dhe ngrene volumin. Vallja pastaj qe nderfutet aty nga Taip Madani eshte krejtesisht artificiale dhe i sherben vetem rolit te Albertos. Si te thuash paradoksalisht eshte nacionalizmi i vegjelise qe ve ne levizje manovrat e Albertos.
    Ne planin skenik Gjika ka luajtur mire, edhe ne ate kostumografik. Takimi i pare mes Albertos dhe Halit Beratit eshte shume perfaqesues; dallimi ne cdo hollesi eshte kaq i plote saqe mund te kuptohet se kemi te bejme me dy “popuj”.

    Raporti me teknologjine nuk mendoj se eshte kaq rivalizues, pasi Halit Berati ngazellehet nga oferta e pllakave. Ai madje e pranon oferten dhe shkon ne Korce. Ketu problemi eshte banalizuar te lufta klasore: Alberto eshte i vetmi qe e trajton si artist Halitin, ndonese ne ne menyre dinake. Te tjeret, si Parandili edhe Nasi e shohin nga palltoja e re. Dyfaqesia e pllakave vjen ne konflikt te plote shpirteror me kabane qe pushon femijen, por edhe me dialektin qe perdoret ne film qe eshte si te thuash konservanti i “tones”.
    Filmi vuan qellimisht nga nje deficence ideologjike pasi kur vjen puna te perballja e kulturave feja luan rol te dores se pare. Emrat e Krisifonit, Parandilit apo Misiri, Zigurit etj., japin nje ide por le te vihet re se ne film mungon nje prift apo nje hoxhe qe “bejne lojen e Albertos”. Pse kjo mungese?

    Aspekti ndoshta me manipulativ per brezin e ri lidhet me faktin se mbyllja e filmit me nje perballje te dhunshme ne Kucove sugjeron nje prelud te natyrshem antifashist dhe drejtimin e kesaj fryme nga PKSH-ja. Dicka krejtesisht e pavertete. Ky nacionalizem perkon sot me nje fryme ne rritje ne Shqiperi te nacionalizmit futbollistik qe pajton injorancen historike me mungesen e nje formimi elementar: Xhixhileja e pllakave qe eshte lufta kryesore e Halitit, pranohet sot si muzika kryesore ne Shqiperi, nderkohe qe shpiken sifda te kota dhe pa vlere ne funksion te mbajtjes gjalle te nje ndjesie qe i sherben vetem teatrit te mbyllur politik ne vend. Rekordin e manipulimit gjithsesi e mban Nentori i Dyte, pa hequr asgje gjithsesi ne realizimin kinematografik.

  2. Teorite te mira jane por varet si aplikohen.

    Ja psh te marrim kete variantin metaforik:

    Te vjen nder mend lehtesisht filmi Kesulekuqja, me ujkun e keq dhe vajzen e vogel, nje alegori ,metafore e se keqes dhe e se mires.

    Por ne nje film propagande ideologjike , sic pretendohet per ‘Gjeneral gramafonin’ , per c’dreqin do duhej metafora, vec per te ngaterruar dynjane…Se me sa dijme propaganda behet hapur dhe sa me thjeshte qe njerezit ta kuptojne. Psh filmat Dasma apo ai me Adem Reken ku ndeshkohen edhe me tekst te drejtperdrejte zakonet prapanike e shfaqjet e huaja.

    Pervec vleres artistike, metafora aso kohe perdorej shpesh si nje hile per t’i shpetuar censures, si psh ne vepren e Kadarese. Po diktatura e kishte te veten censuren pikerisht qe te mos ja shkonin ujet ne rrogoz me keto metaforat.
    Atehere si mund te pajtohen propaganda e qarte me metaforen e turbullt ?

    Ja si mund te kete ndodhur : Diktatura ka porositur nje film propagandistik, autoret te trembur nga censura e kane metaforizuar dhe keshtu , me nje gur dy zogj, edhe Diktatures ja plotesonin kerkesen edhe censures ja futnin. Pastaj populli po te mos e kuptonte propaganden kunder shfaqjeve te huaja e ndikimeve borgjezo revizioniste, e kishte fajin vet, se ishte budalla e s’e kuptonte metaforen. Pak a shume si te ai skeci me ate qe ishte veshur si partizan qe ta merrnin si gjerman.(!)

    Ne kete hulli tani me shkon nder mend qe Gjeneral gramafoni synonte revizionistet kineze.
    Ja perse – se pari te reflektoje pas pese vjetesh per Pl.IV ishte me zarar se mund t’u thuhej autoreve ‘tani u kujtuat ju?’ Se dyti, dhe kjo eshte me kryesorja, sapo ishim prishur me kinezet dhe artistet sipas mesimeve te Partise duhej t’u pergjigjeshin flake per flake situatave. Pra filmi literalisht merrej me fashistet italiane por ne fakt kastigonte revizionistet kineze duke u bere te ditur metaforikisht atyre (dhe popullit qe shikonte filmin) se ‘ ja keshtu do perfundoni edhe ju si keta, ne fashiste’
    Me duket nje interpretim metaforik i perkryer, shume i thjeshte dhe me vjen inat qe nuk e kisha kapur me pare. Po keshtu te gjen kur nuk i njeh teorite.Vete e kam fajin…

    Sinqerisht nuk e imagjinoj dot nje njeri qe duke pare filmin t’i shkoje mendja tek shfaqjet e huaja apo ndikimet borgjezo-revizioniste. Le qe edhe pasi e pashe nja tre here filmin nuk gjeta dot per be asnje shfaqje te huaj. Po te mos marrim parasysh nje skene ku njeri kruante hunden ne publik, ndonse kjo mund te klasifikohet me mire ne shfaqje te brendshme…

    Megjithate edhe mundet se c’eshte e verteta nuk kam pasur kurre thellesi ideologjike, as ne ate rregjim as ne kete tjetrin. Prandaj perfundimisht dorezohem, e pranoj qe Gjeneral gramafoni eshte propagande kunder shfaqjeve te huaja. Dakord.

    ps- mire “budalla”, megjithe qe nuk e dijme akoma se ne c’ane te gardhit eshte budallai me i madh, po ate “dashakeq” c’e pate? Dashakeq me ke? me autoret e filmit…?

    pps- nuk besoj se do me censurosh, po edhe pergjigje nuk pres.

    1. Publiku nuk e “kupton” propagandën në të njëjtën mënyrë siç e kupton kritiku që e analizon veprën. Propaganda nuk ka nevojë që “të kuptohet” për të vepruar ndaj “target-it” të saj – Fatma, më fal që shprehem kështu, por këtë e di edhe bufi.

      Thua me qesëndi: “në këtë hulli tani më shkon ndërmend që Gjeneral Gramafoni synonte revizionistët kinezë.” Në fakt, luftën donkishoteske kundër revizionizmit kinez e filluan po ata të marrë që kishin porositur dhe mbështetur financiarisht filmin “Gjeneral Gramafoni”: udhëheqësit e PPSh-së.

      E megjithatë, propaganda formulohet për publikun, jo sipas preokupimeve të atyre që e bëjnë; dhe publiku në Shqipëri nuk është se kish ndonjë merak të madh për revizionizmin kinez. Po të kishte, me siguri do të bëhej diçka edhe për këtë.

      Përkundrazi, pushtetit i shkonin shumë për hosh teoritë kineze-maoiste të “fshati të rrethojë qytetin”, siç mund të kuptohet nga fshatarizimi i kulturës shqiptare dhe nga filozofia e filmave propagandistikë si “Zonja nga qyteti”.

      Ndoshta regjimi i atëhershëm, në vend që t’i bënte propagandë Tushemishtit si “terra promessa” për inteligencia-n e re, mund të kish bërë diçka më shumë për t’ua përmirësuar gjendjen ekonomike fshatarëve – se ashtu do të shmangej edhe pushtimi real i qytetit nga fshati, pas vitit 1990; sikurse mund të shmangej deficiti masiv proteinik në trurin shqiptar.

      Thua “sinqerisht nuk e imagjinoj dot një njeri që duke parë filmin t’i shkojë mendja tek shfaqjet e huaja ose ndikimet borgjezo-revizioniste.”

      Nga sa ke shkruar për këtë temë, të besoj.

      Thua “po edhe përgjigje nuk pres.”

      Kur të kem nevojë të marr lejen tënde, për të shkruar një koment te “Peizazhet”, do të të lajmëroj.

  3. Ardian, je fajtor sepse je shkeputur shume nga lexuesi tend. Ke ikur tutje. Natyrisht ( e fatmiresisht) ka ketu komentues te shkrimeve e analizave te tua qe me japin mjaft kenaqesi me idete qe shprehin dhe te cileve u kthehem e i lexoj me qefj, se me intelektin e pergatitjen, shpesh plotesojne ese-te e revistes. Me entuziazmojne ate qe dine te kundervihen me llogjike te sakte e argumente, eshte kenaqesi debati me ta, por verej se fundi qe ka te tjere qe gjithnje e me teper e kane te veshtire te te ndjekin, qe nervozohen, perserisin banalitete te njohura e pa vlere, qe strehohen ne ide te vjetra e kallpe, qe, me keq, me kujtojne ata sklleverit qe vihen ne mbrojtje te kauzes (nese ka patur me te vertete) te skllaveruesve te tyre, te tjere akoma qe per asnje çast nuk u kalon ne tru ideja se te pakten nje here ne jete para se te vdesin, duket te rianalizojne ate ekzistence qe kaluan brenda nje kavanozi shellire.
    Eshte shansi i nje sfide madhore qe mund t’i bejne.
    Hiç fare, ore!

  4. PTF është angazhuar kohët e fundit, me shkrimet e Vehbiut dhe komentet e lexuesve, në debatin e ndezur kohët e fundit mbi filmat e prodhuar në Shqipëri gjatë periudhës së regjimit hoxhist. Një shkrim që mua më duket me interes e i argumentuar për këtë çështje është ai i botuar së fundmi në gazetën “Shqip”. Ndoshta argumentet e paraqitura aty mund t’i interesojnë, për lexim a ballafaqim, edhe kujt e ka ndjekur a marrë pjesë në debatin e hapur edhe në faqet e PTF. Shkrimi në fjalë gjendet në këtë adresë: http://gazeta-shqip.com/lajme/2017/04/13/filmat-e-kinostudios-dhe-tufa-e-gabimeve/.

  5. Z VEHBIU
    Ju reespektoj dhe vleresoj per shume prej puneve tuaja qe une kam patur mundesine tju lexoj,por te ky shkrim ju shoh fiks si komisari qe i afrohet vepres jo thjesht per ta shijuar estetikisht, por per ta kontrolluar nese i permbush kriteret ideollogjike TE IMPONUARA nga ajo qe tashme quhet DEMOKRACI PERENDIMORE –
    Ajo qe nuk shkon fare eshte qe meqenese sistemi i diktatures duhet te shahet per gjithcka, aq sa nuk ka te drejte as te mburret apo qoft edhe te zbukuroje sado pak .Jetojme ne nje kohe reklamash pa fund dhe per hicmosgje dhe shajme e nxijm pa na u dridhur dora punen e nje populli te tere per gjysem shekull.
    Kete te fundit e shtova sepse si te gjithe ne por ti ca me shume ,e ke shume te hidhur reagimin kur dikush shan ate qe ti shkruan

    1. A mund ta argumentoni pak më mirë këtë që thoni? Ku pikërisht e gjeni qasjen time prej komisari? Dua ta vazhdoj këtë debat, por mund ta bëj vetëm në qoftë se ju e filloni: në komentin më lart keni shprehur vetëm reagimin tuaj dhe disa konsiderata për mua autorin – nuk mjafton. Duhet të përpiqeni edhe pak.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin