MENDIME TË PAKREHURA (XX)

[nga Stanislaw Lec*]

 

Të kenë qenë heronj? Nuk deshën t’ia dinin as kur po i tridhnin.

Mendimet transformojnë trurin e vet.

E shumta, barqet bosh mund të pjellin një epokë të re.

Muzat e burgosura e dështojnë fëmijën.

Gjurmët e shtupës në gojë i gjen në gjuhë.

Mos i kërko heroit se nga vjen.

Ai tipi? Një enciklopedi e gjallë! Vetëm se dikush ia ka shkulur të gjitha faqet.

Transfuzioni i gjakur shpesh ndodh nga një xhep në tjetrin.

Shpesh shpirtrat e vdekur gëllabërojnë më shumë se barqet e gjalla.

A ka vlerë pelegrinazhi, po ta çojë rruga pelegrinin në një drejtim tjetër?

“Eppur si muove!” – bërtiti xhelati, i nxehur pas ekzekutimit.

Të kesh një sozi, të vrasësh veten duke e vrarë dhe të vazhdosh të jetosh sikur të ishe ai – çfarë mundësie e lumtur për skizofrenin!

Si t’i përkthesh psherëtimat në gjuhë të tjera?

Gomari i Balaam-it fliste me zë njeriu. Vallë nuk munden ca aktorë që ta ndjekin si shembull?

Kush e kuptoi batutën i pari, gjithnjë arrin në kohë që të hiqet sikur nuk e kapi dot.

Vepra flet vetë, nëse ka me kë ta bëjë.

Në kohë të vështira, mos u mbyll në vetvete, është vendi ku mund të të gjejnë më kollaj.

Zinxhirëve nuk u pëlqen të tërheqin vëmendjen.

Sekretet nuk kanë nevojë të fshihen.

Sensin më të madh të humorit e kanë të vdekurit: qeshin me gjithçka.

Një centaur gjeti një patkua. E gozhdoi tek pragu i derës. “Snob!” tha një centaur tjetër, më ekuin.

Një flamuri të vërtetë nuk i del boja, po ta përdorim për të shfryrë hundët.

Sa shumë ka që udhëtojnë përtej horizontit të tyre.

Imagjinata antropomorfike e bën njeriun t’i përfytyrojë shtypësit e vet si me fytyrë njeriu.

Legjendat shpesh i shkatërrojnë ata që duan të shtien në dorë lëndët e tyre të para.

Ka tipa që me syrin e djathtë dhe me syrin e majtë shohin ekzaktësisht të njëjtat gjëra. Dhe mendojnë se kjo quhet objektivitet.

Le të jemi koncizë kur flasim, në mënyrë që ta mbarojmë frazën në të njëjtën epokë.

Ka daltonikë që nuk i dallojnë dot ngjyrat, por janë ekspertë për të dalluar çdo nuancë.

Djajtë ndahen në engjëj të rënë dhe në tipa që kanë bërë karrierë.

“I mungon komiciteti,” tha kritiku, për një autor tragjedish.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: