TRONDITEN ME NE, PËR NE

Ja një klishe me të cilën argëtohen dhe, sipas rastit, i japin vetes rëndësi mass mediat: dhunohet barbarisht.

Për shembull, gazetari sportiv Eduard Ilnica, ose fëmija 3 vjeç në çerdhe, administratori i komunës së Lumëzit, një qytetar në mes të Shëngjinit, një grua nga katër burra në Skrapar, një 23-vjeçare në Kuçovë, nusja nga bashkëshorti në Itali, biznesmeni i gurores në Bulqizë, 18-vjeçarja shtatzënë në spital, një familje e tërë në Delvinë, gazetari Elvi Fundo, një vajzë e dehur në Gjirin e Lalzit, një elektricist në Përrenjas, e kështu me radhë.

Bëhet fjalë për krime relativisht të rënda dhe me pasoja, por të cilat klisheja i trivializon.

Zakonisht lajmi për “dhunohet barbarisht” paraqitet kështu:

Dhunohet barbarisht qytetari X.Y. Ai u gjet sot i shtrirë në rrugë, afër aeroportit të Rinasit, i larë në gjak.

Ose

Një biznesmen është dhunuar barbarisht mëngjesin e sotëm… duke u goditur me sende të forta në kokë.

Si rregull, shprehja “dhunohet barbarisht” nuk përshkruan asgjë; sepse lloji i dhunës së ushtruar ndaj viktimës sqarohet vetëm në vijim (kur sqarohet). Dhe nëse nuk përshkruan asgjë, funksioni i saj është të formulojë një figurë krimi/sjelljeje kriminale në mënyrë abstrakte, por pa iu referuar ndonjë neni të kodit penal, siç mund të bëjë një prokuror ose gjykatës.

Vetë togfjalëshi, “dhunohet barbarisht” priret drejt pleonazmës, meqë ndajfolja barbarisht rimerr elemente kuptimore të foljes dhunohet. Ata që e përdorin klishenë, ose kanë parasysh se ka edhe raste kur dikush dhunohet, por jo barbarisht; ose nuk dinë se për çfarë po flasin.

Mundësia e dytë është më intriguese. Po t’i dëgjosh folësit e lajmeve në TV, këta e vënë theksin te barbarisht, të cilën e shqiptojnë me një zë në prag të dënesës – çfarë do të thotë se ajo ndajfolje, barbarisht, nuk shfaqet atje për të cilësuar llojin e dhunës a të dhunimit, por për të shprehur tronditjen e thellë të kujt e përcjell lajmin.

Përndryshe do të na duhej të pranonim se ata që nuk janë barbarë, nuk dhunojnë; ose të paktën nuk dhunojnë barbarisht, por dhunojnë në mënyrë të qytetëruar. Veçse kush do të guxonte t’ua shpjegonte viktimave këtë distinguo?

Në realitet, në më të shumtën e herëve, kjo barbarisht vetëm sa intensifikon shkallën e dhunës, në mënyrë që, së bashku me gazetarin, të tronditet edhe publiku. Madje prej publikut pritet që të tronditet pa e marrë ende vesh se çfarë ka ndodhur pikërisht me viktimën – meqë hyrja “dhunohet barbarisht” si rregull i paraprin përshkrimit të dhunës: goditet me levë në kokë, qëllohet me shpullë, qëllohet me gurë, etj.

Kemi gazetarë që më parë duan të dënojnë, pastaj ta ftojnë publikun të marrin pjesë në këtë dënim; dhe vetëm në fund të sqarojnë se për çfarë bëhet fjalë. Një procedurë të tillë as salla e gjyqit nuk e pranon; sepse edhe atje krimi ose shkelja duhen përshkruar, para se të gjykohen.

Mirëpo kur klisheja “dhunohet barbarisht” nxjerr kokën në një lajm, gjyqi është bërë ndërkohë, sipas kriterit elementar se, nëse ka një viktimë, atëherë medoemos do të ketë edhe një keqbërës, ose një “dhunues barbar”, ndaj të cilit lajmi (ose lajmëtari) e kanë për detyrë a obligim moral që të shprehin tronditjen, indinjatën, ndjeshmërinë e lënduar atje ku s’thuhet.

Pa dyshim, të gjitha këto akte dhune të përditshme i kërkojnë shqipes së publicistikës që të zhvillojë një leksik të specializuar, për t’ia përcjellë lajmin publikut – pa rënë në teknikalitete juridike, por edhe pa e tepruar me përshkrime grafike dhe histrionikë.

Mirëpo klishetë nuk ofrojnë ndonjë rrugëdalje, madje e bllokojnë komunikimin – sa kohë që lajmësi përjeton iluzionin se mund të performojë ai vetë para lexuesve a shikuesve, duke i vuajtur ai vetë pasojat e “dhunimit barbar” në vend të tyre; dhe duke ua dhënë këtyre të gatshëm jo lajmin, por reagimin.

Përndryshe, kjo shprehje stereotipike, “dhunohet barbarisht”, do të tolerohej më mirë, kur dhe po të përdorej në tekstin e një telegrami dërguar viktimës nga një personalitet – p.sh. në letrën që Ministri i Ekonomisë ia dërgon një biznesmeni që e kanë spërkatur me acid keqbërësit në vendin e punës; sepse tekste të tilla nuk mund të jenë veçse stereotipike; dhe natyrisht nuk është rasti që Ministri, në letrën e vet, të specifikojë se çfarë i ndodhi viktimës.

Ja pra edhe një shpjegim tjetër: mediat kanë adoptuar stile të shprehuri karakteristike për protokollet formale – për t’i dhënë rëndësi vetes dhe për ta maskuar, prapa formulave të përgjithshme, mungesën e informacionit ose të paktën një informacion që nuk është verifikuar.

Këtu klishetë – sepse nuk është vetëm kjo “dhunohet barbarisht” – funksionojnë si emërues të përbashkët, ose terma me ekstension të habitshëm. Pa çka se, siç mund të merret me mend, edhe publiku mund të ketë një ide të vetën për dhunimin barbarisht.

Gjithsesi, efekti më i trishtuar i klishesë është i kundërt me atë që kërkohej nga publiku – sepse ky, i ftuar të gjykojë dhe të tronditet, së bashku me lajmësit, për “dhunimet barbare” nga të katër anët, e humb ndjeshmërinë dhe ndërron kanalin, ose klikon mbi foton e bibës, për pak terapi anti-stres.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin