MENDIME TË PAKREHURA (XIX)

aforizma nga Stanislaw Lec (*)

 

Priremi drejt prodhimit sintetik të antitezave.

Edhe krimet lindin në gjak, si njeriu.

Rënia më poshtë e artit: në gjunjë.

Vrasësi kthehet në vendin e krimit, sidomos të krimit që s’e ka kryer.

Logjikën mund ta shkelë vetëm ai që e zotëronte.

Të shohësh botën nuk kushton asgjë. Vetëm komentet paguhen.

Dystabanët i njeh edhe kur kanë mbathur çizme.

Aureola ndonjëherë nuk lë asgjë që të hyjë në kokë.

E forconin lidhjen mes njerëzve deri në trashësinë e zinxhirit.

A nuk e ka plotësuar misionin e vet teatri, duke ndërprerë tragjeditë dhe farsat e spektatorëve?

Disa fruta të artit duhen konsumuar të paqëruara.

Banalitetin e përshëndesin mijëra duartrokitje. Të gjithë bashkautorëve.

Te Deum ex machina laudamus!

Është e vështirë të ruash ambiguitetin në një epokë ku fjalët nuk kanë asnjë kuptim.

Në kohë të heshtura, mjafton fjala; në kohë llafazane, heshtja.

Në art, Gjeneza fillon me krijimin e njeriut.

Të mbrosh artin? Jo, ta detyrosh të sulmojë.

Tragjedianë, mos e ngatërroni orgazmën me katarsisin!

Që kur kam parë me sy gjëra të paimagjinueshme, si të mos i besoj botët që i kam imagjinuar vetë?

Logjika e tij nuk çalon, por i ka tabanet të dysta.

Njeriu – kurorë e krijimit. Me gjemba.

Reflekset e kushtëzuara janë më njerëzore se gjestet?

Mos gjuaj me shkelma kur je shaluar.

Kur njeriut i mungojnë fjalët, ia siguron menjëherë shteti.

Koha – lënda e parë kryesore.

Kur s’i gjen dot fjalët për të shprehur indinjatën, mos i zëvendëso me komplimente.

Armiku i vërtetë i njerëzve nuk u shmanget.

Përpjesëtimet e së bukurës janë të thjeshta: 100%.

Ka botuar një libër me titullin “Kujtime.” Janë rrëfimet që i kanë bërë të akuzuarit, gjatë marrjes në pyetje.

Letërsia është më progresiste se jeta: zbaton eutanazinë ndaj personazheve të pa-arrira.

Kur mendoj se gjithçka është iluzion, më vjen keq për boksierin që sapo e ka ngrënë një grusht hundës.

Kam frikë se Muzat nuk konsumojnë art!

Lulet e dashurisë nuk vyshken, ca mund t’i hedhësh edhe kur janë akoma të freskëta.

Sa pirueta duhet të bëjë njeriu, që t’i vijnë të tjerët rrotull.

Ishte në kulmin e famës. Nën çizmen e tiranit.

Pasurinë e mendimit rrallëherë e kërcënojnë me shtetëzim.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: