MENDIME TË PAKREHURA (XVIII)

aforizma nga Stanislaw Lec (*)

 

Sa kohë ka që vazhdon epoka e bronzit?

Rrufe në qiell të kthjellët – kështu duhet të vdesë optimisti.

Publiku gogësinte, duke treguar dhëmbët.

Politika: gara me Kuaj të Trojës.

Kushedi sa fjalë provoi Zoti, para se të gjente atë që krijoi botën.

Mbaj të njëjtin monolog në jetë, por gjithnjë ndërrojua theksin fjalëve.

Mos lejoni të vendoset liria e fjalës para lirisë së mendimit!

Jo çdo vepër krijon autor.

Çfarë është tragjedi dhe çfarë komedi, këtë do ta tregojë koha.

Arti nxjerr lule atje ku e kanë plagosur.

As fjalorët nuk i merr dot fjalë për fjalë.

Sikur të kish durim letra, do të priste për kryeveprën.

Edhe gjuha e terrorit ka dialektet e veta.

Çdo fjalë është një mendim; por nuk e thua dot këtë për çdo frazë.

Mos e lini zjarrin të fiket, vazhdoni t’i hidhni heretikë të rinj.

Në kohë të errëta, është e vështirë të rrish në hije.

Shumë njerëz shohin ëndrra të përdorura.

Rrënojat: shenjat mnemonike të historisë.

Gjithçka varet nga fantazia e logjicienëve.

E gjerë është shtrirja e lirizmit – nga sadizmi në mazohizëm.

“Fali, sepse nuk e dinë atë që thonë” (aktorët).

Disa dalin nga skena kur i kanë mbaruar fjalët e shkruara prej të tjerëve.

Problem, kur sufleri mendon se është aktor.

Poetët janë Antej, që e prekin tokën me themrën e Akilit.

Tragjeditë e mëdha kanë nevojë për gjak, jo për lot.

Është origjinal! U bën plagjiaturë grafomanëve.

Si ndodh që ta nënvlerësojmë atavizmin, në emër të traditës?

Sa më pak gjëra do të ndodhnin në botë, po të mos ekzistonin fjalët.

Mos vallë duhen ndërtuar, në Parnas, kasolle për ata që nuk zbresin dot që andej?

Ndonjëherë, kemi nevojë për sugjerues që të na sugjerojnë se çfarë nuk duhet thënë.

Forca e argumenteve – argumentet e forcës, dy stile të ndryshme.

Arti? Një bombë me sahat me zile.

Zgjeroje repertorin. Me veten.

Kujdes: po të dalësh nga ëndrrat e tua, mund të hysh tek të tjetrit.

Mos prit ndonjë gjë të madhe nga fundi i botës.

Sa më të pastra viktimat, aq më të pista duart e vrasësve.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: