UNË TA VËRTETOJ

Ja edhe një skenar tjetër, me të cilin po duan të na kushtëzojnë: hapet një debat i krimbur që në fillim me sulme biografike ndaj dikujt, pastaj ngrihet njëra nga palët ose edhe një i tretë dhe nxjerr në media imazhin e një dokumenti zyrtar por kinse “sekret” çfarëdo, që “provon katërcipërisht” këtë ose atë.

Praktika është pashmangshëm manipulative. Këto dokumente nuk dihet mirë ose të paktën nuk shpallet se nga vijnë, sikurse nuk dihet se kush e ka autorizuar lëshimin e tyre dhe kush e ka certifikuar autenticitetin e tyre. Pa folur pastaj që nuk ka gjë më të lehtë, se të falsifikosh imazhin e një dokumenti, duke shtuar ose hequr gjithçka, nëpërmjet fotoshopimit.

Mirëpo dokumente të nxjerra nga arkivat, nuk mund të përdoren si dokumente jashtë kontekstit ku janë lëshuar, dhe pa u analizuar dhe komentuar nga ekspertët përkatës: arkivistët, historianët dhe të tjerë ekspertë sipas rastit. Aq më tepër nuk vlen si argument publikimi i një dokumenti përndryshe jo-publik, që pretendohet se përmban informacion me natyrë delikate për dikë, pa u miratuar kjo nga një instancë juridike.

Nuk mund ta përjashtoj që kjo praktikë, e abuzuar në këtë mënyrë, t’u hapë rrugë përdorimeve abuzive të dokumenteve, veçanërisht për t’u bërë shantazh e presion palëve të prekura. Prandaj do të ishte e udhës që personat të cilëve u janë besuar ruajtja dhe mirëmbajtja e këtyre dokumenteve dhe arkivave përkatëse të tregojnë kujdes para se të kuturisen në publikime të tilla.

Edhe pse një ose dy dokumente mund ta arrijnë efektin e duhur dhe t’ia kthejnë mendjen publikut për këtë ose atë çështje, praktika në vetvete, e vazhduar në kohë, do të sillte efekt të kundërt – ose zhvlerësimin e materialeve arkivore si të tilla. Aq më tepër, kur këto dokumente bëhen publike nga palë drejtpërdrejt të interesuara, ose nga palë të treta pa autoritetin dhe certifikimin e duhur, autenticiteti i tyre gjithnjë duhet marrë në pyetje – të paktën nga publiku vetë.

Nga ana tjetër, edhe sikur dokumentet në fjalë të jenë përnjëmend autentike dhe burimet e tyre të certifikuara dhe me besueshmërinë e nevojshme, sërish ato nuk mund t’i jepen në dorë publikut pa u kontekstualizuar me kujdes; sepse publikut i mungojnë edhe ekspertiza, edhe instrumentet e nevojshme, për t’i kuptuar. Në rrethana normale, do të duhej që çdo dokument i nxjerrë nga arkivat të shoqërohej nga komenti i një historiani të kohës – meqë gjithçka në këto prova materiale kërkon interpretim të specialistit.

Përndryshe, sa herë që të na dalë përpara një dokument i tillë, i shoqëruar me komente të tipit “zbulohet”, “del në dritë”, “për herë të parë”, “i rrallë” etj., gjithnjë duhet të na shkojë mendja se po na manipulojnë.

Shënim: Fotoja shoqëruese është sjellë si ilustrim vetëm, dhe nuk ka lidhje me argumentin e trajtuar në tekst.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin