FACT CHECKING

Një skenar me të cilin tashmë jemi familiarizuar të gjithë: kryeministri ose një ministër ose tjetër funksionar i lartë ose politikan i ftuar në studio për një intervistë, debat, ose intervistë dhe debat, dhe dikush tjetër, ndoshta intervistuesi ndoshta një nga të ftuarit ose bashkë-debatuesit përmend një shifër ose një fakt çfarëdo, për shembull që kaq para janë investuar, ose kaq shqiptarë janë larguar nga vendi, ose kaq i ndotur është ajri në Tiranë ose deti në Vlorë ose këto barna mungojnë në spital ose kaq fëmijë nuk janë në gjendje të lexojnë ose vuajnë nga astma dhe të tjera si këto; dhe i ftuari “i parë” në studio, ta zëmë kryeministri ose një ministër ose tjetër funksionar i lartë ose politikan, thotë se jo, kjo nuk është e vërtetë, kjo nuk qëndron, e kështu me radhë; gjë që shpesh nuk mund të debatohet më tutje, sepse është A-ja kundër B-së, B-ja kundër C-së e kështu me radhë deri në fund të alfabetit; ose pushteti i parë ose i dytë ose i tretë kundër të katërtit, ose vetë tre të parët në përballje mes tyre.

Dhe pastaj të nesërmen mediat futen në garë mes tyre se cila ta përcjellë më parë dhe më saktë e besnikërisht këtë përplasje, të zbardhur deri në hollësitë më të paimagjinueshme, si të ishte transkript i ndonjë bisede epokale ose përgjim i ndonjë komploti në shkallë kozmike, madje shpesh tekstin e këtyre shkëmbimeve e shoqërojnë edhe me një video të momenteve kulmore të dramës, po ç’them, të përplasjes së radhës në Olimp, ku njëra palë i thotë tjetrës “pusho!” ose “më ler të flas!” ose “unë të lashë të flisje!” ose “të kanë gënjyer”, pa folur pastaj për akuzat me nëna, baballarë, prostituta, filmime, tutorë, regjistrime, përgjime, raporte, dëshmi e ku di unë çfarë; ku qëllimi është dhe mbetet që transkripti multimedial i përplasjes së një nate më parë të riprodhohet aq mirë, sa askush nga ne të mos mbetet pa u rrëqethur nga çfarë ka ndodhur natën në studio; dhe të gjitha këto të shoqëruara nga tituj ku personazhet e këtyre shkëmbimeve përmenden me emër e me mbiemër e ndonjëherë edhe me nofkat përkatëse, dhe publiku udhëzohet t’u kushtojë vëmendje jo temave për të cilat është debatuar ose ku palët nuk janë pajtuar mes tyre përkundrazi, por personazheve vetë, si të ishin heronj të epike të përcjellë me lahutë dhe të aftë të përftojnë narrativa vetvetiu, thjesht duke u shfaqur në ekran dhe duke ngritur vetullat, në shenjë miratimi, ironie, hilariteti, miradije, zemërate, mallëngjimi, neverie, përgjërimi, përdëllimi, ngazëllimi, revoltimi, ngashërimi dhe të tjera emocione me libër sinonimesh, herë të holla herë më pak të holla, por gjithsesi të zonjat që të lënë vrragë të paktën deri mbrëmjen vijuese, ku e gjithë kjo do të rrëfehet sërish nga një lahutar i ri, ose të paktën nga lahutari i vjetër, por me tel të ndërruar të lahutës.

Çfarë mungon në këtë mes, është pikërisht funksioni elementar i medias në një kulturë që e ndien nevojën për media – dhe pikërisht kontrolli i fakteve, ose krahasimi i pohimeve që janë bërë një natë më parë dhe rreth të cilave titanët janë kacafytur mes tyre, me të dhënat përkatëse ose fundja edhe me pohime të ngjashme të mëparshme; diçka që përndryshe e quajnë fact checking; dhe kjo megjithëse fact checking do t’i shërbente drejtpërdrejt misionit dhe besueshmërisë së mediave, duke ndihmuar që publiku të marrë vesh se cila palë e ka pasur drejt dhe cila palë e ka pasur gabim; ose cila palë ka gënjyer dhe cila palë ka thënë të vërtetën; ose cila palë e ka kujtesën të mirë dhe cila palë po përjeton fillimet e Alzheimer-it dhe kështu edhe publiku vetë do të mësonte ndonjë gjë që nuk e dinte më parë dhe nuk do të kapej më gafil, mes dy versioneve të papajtueshme të realitetit.

Është fakt, besoj që nuk ka nevojë të verifikohet, që të paktën disa prej gazetarëve të sotëm e kanë aq përgatitje profesionale dhe përvojë sa ta dinë se debatet e një niveli të caktuar, pa një fact checking pasues, nuk janë më debate, por komedi të nivelit të ulët, në të cilat drejtuesve të emisioneve dhe publikut vetë nuk u intereson marrëdhënia e të ftuarve me realitetin dhe të vërtetën, por vetëm përplasja për hir të përplasjes, ose shpresa e dëshpëruar se mos, në përplasje e sipër, ndonjë prej tyre do të nxjerrë ndonjë ditë patllaken, qoftë edhe vetëm alegorike, për të bërë kërdinë live.

Prandaj edhe nuk i bëj dot me faj të gjithë ata që dyshojnë se këto tensione që, herë si flakë kashte e herë si napalm, i bëjnë shkrumb e hi përpjekjet për konsensus dhe gjuhë të përbashkët; ata që dyshojnë pra se këto përplasje dhe akuza e kundërakuza për mosnjohje, shtrembërime, gënjeshtra, shpifje dhe tani së fundi edhe “lajme të rreme” nuk janë në shërbim të gazetarisë, as të politikës dhe as të publikut, por vetëm sa mbajnë gjallë efektin dhe rolin social-kulturor argëtues të skenës së debatit. Dhe nuk po shkoj deri aty sa të sugjeroj specializimin e mediave ose të institucioneve ose OJQ-ve të caktuara në fact checking, por po mjaftohem vetëm me kërkesën (propozimin, lutjen) që mediat e të nesërmes të mos mjaftohen me lajmet për çfarë ndodh në televizion, por veç ta përdorin televizionin – ose furrikun ku pllenohen dhe riprodhohen pushtetarët – si platformë të tyren për t’u shtyrë më tej dhe për t’i vënë të gjithë këta përpara fakteve; qoftë edhe vetëm duke ua kujtuar, sa herë që të jetë nevoja, lidhjen midis premtimeve dhe rezultateve, së shkuarës dhe të tashmes; veçanërisht në rrethanat kur kjo e tashme me të shpejtë po gatitet të përfundojë edhe ajo në të shkuarën.

Aq më tepër që, të gjithë ata që sjellin fakte, shifra dhe të dhëna të tjera në debate të tilla edhe i kanë marrë ato nga burime të caktuara; dhe një fact checking profesional do të ndihmonte edhe në përzgjedhjen e këtyre burimeve, sipas raportit që këto munden ose duan të vendosin me realitetin dhe të vërtetën.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin