PROCESI (II)

Të reduktuarit e protestës me vezë të studentëve në një akt infantil revolte (siҫ bënte Lubonja në opinionin e djeshëm të gazetës Panorama[1]), zhvlerëson jo vetëm protestën si të këtillë por të gjithë përpjekjen e Lëvizjes Për Universitetin për arsim cilësor e dinjitoz. Të trajtuarit e studentëve aktivistë vetëm si 20-vjeҫarë që kryejnë veprime pa qenë të ndërgjegjshëm për pasojat që i shoqërojnë ato, vendos në pikëpyetje edhe pozicionimin e tyre ndaj reformës, në një kohë kur Lëvizja sikurse kërkesat dhe plani i saj për arsimin publik, janë korrekte dhe të argumentuara në mënyrë inteligjente. Kësisoj tentativa për t’i mbrojtur ata duke i paternalizuar, i dëmton. Politikisht ajo ul kredibilitetin ndaj tyre si persona të aftë dhe mjaftueshëm të urtë (lexo: maturi), për t’iu lënë në duar themelet e sistemit arsimor. Të viktimizuarit e studentëve, hedh ujë në bohҫen e kundërshtarëve të tyre. Të jesh 20 vjeҫ, nuk do të thotë të jesh i pavetëdijshëm apo i paprekshëm nga ligji. Mbi të gjitha, të aktivizohesh politikisht, nënkupton të kesh njohuri paraprake ndaj ligjit të vendit ku jeton dhe të kuptosh se cilat veprime mund të të penalizojnë dhe cilat jo.

Sipas Kreut II të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, “Përgjegjësia penale”, neni 12 “Mosha për përgjegjësi penale” parashikon: “Ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së një krimi ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç. Personi që kryen një kundërvajtje penale ka përgjegjësi kur ka mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç.”[2]

Në nenin 4 të kreut të I “Ligji penal dhe zbatimi i tij” parashikohet: “Mosnjohja e ligjit që dënon veprën penale, nuk përbën shkak për përjashtim nga përgjegjësia penale, veç rasteve kur mosnjohja është objektivisht e paevitueshme.”[3]

Neni 237 i kreut VIII “Krime Kundër Autoritetit të Shtetit”, seksioni i I “Vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit”, parashikon: “Goditjet ose vepra të tjera dhune që i bëhen punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore apo të shërbimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.”[4]

Në këto kushte, mosha si argument në mbrojtje të studentëve bie poshtë. Goditja si akt që duhet pranuar ligjërisht, bie gjithashtu poshtë. Ku qëndron pra problemi me këtë proces gjyqësor? Shqetësimi ynë është ligji apo zbatimi i tij? Të diskutosh mbi nevojën e një ligji, më saktë të nenit 237 që ka shkaktuar kaq potere, teorikisht qëndron. Fundja, ne i kemi krijuar ligjet për ta bërë bashkëjetesën në komunitet sa më korrekte dhe të qetë për gjithsecilin dhe mund t’i ndryshojmë ato nëse vërejmë që s’na e ofrojnë më të njëjtën garanci. A është neni 237 një nen absurd dhe që i kundërvihet qytetarëve? Jo, nuk është por ai mund të përdoret kundra tyre në sallën e gjyqit prej palës së akuzës dhe kjo është sa e ligjshme po aq edhe e drejtë. Mendoni për një ҫast sikur jeni në pozitat e funksionarit të lartë shtetëror dhe një grup qytetarësh të cilët nuk bien dakord me ju, vendosin t’ju konfrontojnë fizikisht (me vezë, me shkopinj, me gurë, pak rëndësi ka mjeti). Qytetarët mendojnë se janë të justifikuar për shkak se bindjet e tyre i konsiderojnë të drejta apo të mira dhe ato mund të jenë vërtetë të tilla paҫka se ekziston mundësia që të jenë po aq edhe lunatike, për shembull, krejt papritmas disa mund ta shohin të arsyeshme të qëllojnë (për qejf apo paqejf, është tjetër ҫështje, irrelevante momentalisht). Pavarësisht rastit, akti nuk justifikohet. Ligji nuk dënon nisur nga mjeti por nisur nga qëllimi (jo nga veza apo plumbi por nga nxitja për ta dëmtuar tjetrin).

Nga ana tjetër, të vendosësh të zbatosh ligjin dhe të dënosh ata që e thyejnë atë, është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe. Gjykata nuk mund të marrë vendime apo ta trajtojë një rast gjyqësor në rrugë joprofesionale dhe të jashtëligjshme. Ajo duhet të marrë patjetër parasysh rrethanat nën të cilat një vepër penale ndodh. Për shembull, në rastin e një krimi me pasojë vdekjen, gjykata duhet të shqyrtojë nëse akti u krye në kushte vetëmbrojteje apo në gjakftohtësi e sipër? Në rastin tonë gjykata nuk i ka marrë parasysh rrethanat që ҫuan deri në goditjen me vezë. Gjykata nuk ka marrë parasysh protestat paqësore prej një periudhe dy vjeҫare, as ftesat e studentëve drejtuar kryeministrit për zhvillimin e një bisede normale; ajo e ka trajtuar protestën si një rast të izoluar vandaliteti. Gjykata nuk ka marrë parasysh dhunën e ushtruar ndaj studentëve në gjendje të lirë prej efektivëve të policisë; as kontrollin e paautorizuar të banesave të tyre. Gjykata s’ka pranuar thirrjet e palës së akuzuar për paraqitjen e palës akuzuese për të dëshmuar. Gjykata nuk i ka kushtuar vëmendje as katër dëshmive të rrejshme të palës akuzuese (nga efektivë të policisë së shtetit). Në tërësi, ky proces gjyqësor mbetet i diskutueshëm për shkak të parregullsive ligjore, jo thjesht për simbolikën që i është mveshur. Ȅshtë pikërisht kjo kritika që meriton ky gjyq. Studentët mund ta përdorin ligjin për t’u mbrojtur po aq sa kryeministri. Pavarësisht se sistemi i korruptuar gjyqësor nuk i njeh dhe nuk i trajton të gjithë qyetarët si të barabartë, studentët nuk duhet të reshtin së provuari të gjitha rrugët ligjore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe në rastin kur kjo gjë iu pamundësohet prej gjykatës shqiptare, ҫështja fiton status politik dhe gëzon të drejtën të apelohet në gjykatën ndërkombëtare, veprim që do t’i kushtonte një qeverie dhe një shteti që dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian…

Nga ana tjetër, të kërkosh të jesh mbi ligjin është të biesh në grackë me këmbët e tua: nëse një kërkesë e tillë tingëllon e drejtë për ty, ajo është po aq e drejtë edhe për tjetrin. Kërkesa për paligjshmëri e njeh dhe e pranon paligjshmërinë – ajo shfajëson veprimet e paligjshme në të gjitha nivelet shoqërore. Nëse studentët kërkojnë të jenë mbi ligjin, pse nuk mundet pra që edhe kryeministri të kërkojë të jetë mbi ligjin? Zgjidhja nuk është të dalurit mbi ligjin por shfrytëzimi i këtij të fundit për të vendosur drejtësi. Studentët nuk kanë as kapital ekonomik, as kapital politik që të rrezikojnë të dalin mbi ligjin, ndryshe nga funksionarët e lartë shqiptarë. Veprime të tjera të paligjshme do t’i shpinin studentët në një rreth vicioz ku ata vetëm do të dëmtoheshin dhe do të dobësoheshin sëbashku me Lëvizjen. Pasojat do të ishin të tjerë studentë apo aktivistë me precedentë penalë dhe politika të tjera, të kopsitura në të njëjtën mënyrë si reforma aktuale në arsimin e lartë që do të kalonin njëlloj në parlament, pa patur miratim në popull dhe pa e vrarë mendjen për këtë të fundit, duke na kushtuar të gjithëve. E njëjta zhurmë, përveҫ sensacionit mediatik dhe instrumentalizimit partiak të ngjarjes, nuk do të provokonte asgjë më shumë.

Kësisoj, çështja që shtrohet këtu nuk është se pse u dënuan studentët, por pse nuk dënohen njëlloj të gjithë ata që e thyejnë ligjin? Shumëkush mund të më pyesë se cila është ҫështja më e rëndësishme e jona: reforma në arsim apo zbatimi i ligjit? Asnjë politikë emancipuese nuk mund të aplikohet në kundërshtim me ligjin. Ne kërkojmë të drejtën për të pasur akses në arsim pavarësisht diferencave ekonomike dhe sociale. Ne kërkojmë ulje të tarifave arsimore dhe që universitetet të jenë vatra dije, jo biznesi. Respektimi i ligjit është në interesin tonë politik, qytetar dhe moral. “Rezistenca” duhet rimenduar si aktivitet politik në dobi të aktivistëve dhe bashkë me ta, edhe të shoqërisë.

Aktet qeveritare kanë ndikim të drejtpërdrejt për shumë nga ne por qasja emotive ndaj tyre nuk ndihmon asnjërin. Metodat e deritanishme nuk kanë rezultuar efektive. Ҫfarë duhet të ndryshojë tek forma e protestës dhe aktivizmit në mënyrë që të shkohet tek ndryshimi i politikave? Ndryshimi kërkon kohë, durim por mbi të gjitha një sens kritike ndaj vetes po aq të fortë sa ai ndaj tjetrit.

[1] http://www.panorama.com.al/lubonja-ne-panorama-gjyqi-famekeq-ndaj-studenteve-dhe-vetingu/

[2] Kreut II të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, “Përgjegjësia penale”, neni 12 “Mosha për përgjegjësi penale” http://www.qbz.gov.al/Kode-pdf/Kodi%20Penal-2014.pdf

[3] KREU I: PJESA E PËRGJITHSHME KREU I LIGJI PENAL DHE ZBATIMI I TIJ, Neni 4. http://www.qbz.gov.al/Kode-pdf/Kodi%20Penal-2014.pdf

[4] http://www.pp.gov.al/web/kodi_penal_2016_1033.pdf

1 Koment

  1. Çfarë duhet të ndryshojë tek forma e protestës dhe aktivizimit në mënyrë që të shkohet te ndryshimi i politikave?

    Mos ndoshta duhet rritur gjë doza e protestës?? Double down, si i thonë. Kësaj here dënuan tetë studentë. Po 80 studentë i dënojnë dot? Po 800? Nga këndvështrimi i qëllimit ende të paarritur të Lëvizjes për Universitetin gjykatësi në njëfarë mënyre, dhe probabilisht pa e kuptuar as vetë, u ka bërë një nder studentëve me dënimet… (edhe pse ai do e kishte hak një vezë në kokë, që të paktën dënimi të ishte i justifikuar!)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin