TË FLASËSH APO TË THUASH

Te një op-ed në MAPO (Lehtësia e papërballueshme e fjalës së lirë), Klementin Mile krahason statusin e fjalës përkatësisht nën totalitarizëm dhe sot, për të vërejtur se, në rrethanat kur liria e fjalës mungonte, fjala

[K]ishte një peshë të jashtëzakonshme. Ajo, pas një lindjeje të vështirë, vinte në botë për të thyer heshtjen e madhe, për të ngjizur reagim dhe kritikë, për të propozuar alternativa.

Çfarë sipas tij rrezikonte rrëzimin e vetë regjimit.

Përkundrazi, sot, në “demokracinë shqiptare” fjala e lirë garantohet me ligj dhe kushtetutë, “fjala lind lirisht kudo dhe kurdo”, por kjo fjalë e lirë vjen “në një botë të zhurmshme”.

Vëren autori:

Sot fjala është e klonuar nga fjalët e tjera. Ajo nuk ka peshë, por vetëm një lehtësi të papërballueshme.

Për pasojë, sot fjala “mbetet brenda ndërgjegjes individuale dhe nuk jep asnjë efekt publik të jashtëm […] Ajo nuk mund të rrëzojë regjime, prandaj regjimi nuk i trembet fare. Regjimi, thjesht, prodhon fjalët e veta.”

Me fjalë të tjera:

[Sot] heshtja komuniste është zëvendësuar nga kakofonia demokratike.

Teza ngacmon, edhe kur me të nuk mund të biesh dakord.

Natyrisht, nëse fjala është e lirë, do të ketë edhe kakofoni; por kakofonia është në veshët e atij që dëgjon; dhe praktikisht të vëzhguesit ose të studiuesit të diskursit publik – përndryshe, çdo individ e konsumon fjalën e tjetrit brenda mikrobotës që ka zgjedhur; dhe pak gjasa ka që një lexues i gazetës “Rilindja Demokratike” të përjetojë kakofoninë, duke lexuar edhe gazetën “Dita”.

Çfarë e komprometon sot funksionimin e fjalës së lirë nuk është kakofonia, por raporti pervers me të vërtetën; ose ethos-i i folësve publikë. Sa duhet t’u besojmë? Lajmet e rreme është vetëm një nga pamjet e përçudnimit të këtij raporti – por rrënjët e së keqes, nëse mund të shprehem kështu, duhen kërkuar te pamundësia e një pjese të madhe të publikut për të pranuar pluralizmin.

Pluralizmi, në këtë mes, do kuptuar edhe si pluralizëm autoritetesh, edhe si pluralizëm qasjesh ndaj së vërtetës; dhe ky lloj modeli i kundërvihet në mënyrë dramatike atij nën totalitarizëm, ku diskursi publik i referohej një autoriteti të vetëm, me ethos-in që i buronte nga kushtetuta: leader-i totalitar.

Nga ana tjetër, çdo krahasim statusesh të fjalës përkatësisht nën totalitarizëm dhe në “demokraci” nuk mund të shpërfillë natyrën në thelb performative që ka fjala në një regjim diskursi publik që e përjashton lirinë e fjalës.

Si shembull të performativitetit sjellin ndonjëherë natyrën “cituese” (ose “citacionale”) të fjalës publike nën totalitarizëm; ose faktit që çdo instancë e re e ligjërimit publik jo vetëm rimerr, por edhe i referohet një instance të mëparshme, duke e cituar herë hapur herë në mënyrë implicite; sepse vetëm ashtu mund të fitojë edhe ajo statusin e fjalës publike dhe të marrë autoritet nga autoriteti i burimit: “Siç e tha edhe shoku Enver në fjalën e vet me kuadrot e Skraparit…”.

Por performativiteti shprehet edhe në të gjitha ato instanca – dhe nuk janë pak – kur fjala publike, nën totalitarizëm, merr trajtën e një premtimi, një zotimi ose një betimi çfarëdo: “Ne shkrirësit e bakrit, të mobilizuar për të vënë në jetë vendimet e Kongresit V të PPSh, zotohemi se…”.

Në thelb, diskursi publik nën totalitarizëm themelohej mbi performativitetin dhe synonte jo aq komunikimin, shkëmbimin e mendimeve, dialogun dhe shqyrtimin e arsyetuar të alternativave, sa konfirmimin e konformimit (nëse më lejohet kjo farë kakofonie); me fjalë të tjera, riprodhimin e marrëdhënieve vertikale të pushtetit.

Çfarë do të thotë se “fjala kundër”, ose produkti teorik i lirisë së fjalës, jo vetëm që ndalohej dhe përndiqej, por edhe nuk kishte më hapësirë për t’u përftuar, përveçse si akt drejtpërdrejt armiqësor ndaj regjimit (pushtetit). Sikurse e pat vënë në dukje edhe Orwell-i, te “1984-a”, synimi i manipulimit të ligjërimit publik nga autoriteti ideologjik nuk është thjesht represioni i fjalës së lirë, por krijimi i kushteve të tilla, që ta përjashtojnë edhe mundësinë për t’u shprehur ndryshe.

Prandaj edhe diskursi subversiv, nën totalitarizëm, ose do të mbetej në kufijtë e hapësirës private, ose do të kategorizohej si diskurs i një të marri, ose i dikujt që përjashtohet me përkufizim nga statusi prej subjekti të diskursit publik (kjo lidhet pastaj, sado tërthorazi, edhe me raportin aq konfliktual të regjimit totalitar me hapësirën private në përgjithësi, si terren ekskluziv të subversionit).

Në rrethanat e sotme, ose të “fjalës inflacionare”, siç e quan Mile, performativiteti është tkurrur mjaft, meqë jashtë konteksteve ngushtësisht politike individit nuk i kërkohet që të konformohet nëpërmjet fjalës; në një kohë që citacionalizmi është braktisur gjithashtu, sa kohë që nuk ka ndonjë diskurs për t’iu referuar si burim të ethos-it, me përjashtim të kitsch-it kulturor që riprodhohet nëpërmjet citateve nga Arendt, Nietzsche ose Kundera; por në këtë rast citimi ka natyrë gati teatrale, histrionike, meqë synon jo krijimin, as riprodhimin e ndonjë autoriteti diskursiv, por vetëm konstituimin miklues të subjektit folës si “celebrity”.

Në fakt, shumë protagonistë të diskursit publik sot duan më shumë admirimin e publikut sesa bindjen, ngaqë bindja e publikut nuk u hyn në punë për gjë.

5 Komente

  1. Edhe per mua fjala e ka humbur peshen e saj. Ne kohen tjeter nuk te linin te flisje, tani te lene te lire “te llapesh”. Eshte njelloj si ate njeriun e etur ne shkretetire qe me pak uje mund ta shpetosh por po i fute nje zorre ne goje me presion panderprere e mbyt. Te gjithe tani flasin me “koken e vet” por nuk kane vlere ato qe thuhen jo sepse si tek uji me presion nuk respektohet sensi i mases por sepse fjalet vihen ne nje konflikt me realitetin nga ku gjithmone del i humbur. Ishte dje ky konflikt e vazhdon edhe sot.

  2. Sistemi totalitar ,qe dukej aq i forte, ishte i cenueshem pikerisht nga fjala e lire apo liria e fjales. Prandaj neni 55 ishte aq i ashper. Fjala ishte pika me e dobet e perbindeshit te forte.Mjaftuan Fjalet e lira te nje grupi studentesh ne dhjetor 90-te, per ta tronditur sistemin.
    Ne demokracine tone , fjala e lire si kakofoni , eshte pika me e forte e nje sistemi teper te brishte. Liria e fjales shte pika me e forte pikerisht sepse duke u shfleftesuar , ajo nuk trondit kerkend. Sot kundershtarit pokitik i hidhen “gjylet ” me te renda : “hajdut”, “kriminel”,”mafioz” etj . dhe askush nuk impresionohet.
    Monopolin e te vertetes , ne diskurs, nuk e ka askush. Por fjala ka humbur peshen jo aq nga manipulimi te vertetes , gjysem te vertetat dhe shitja e rrenes si te vertete . Sot agora eshte mbushur me shites te rrenave. Cdo pale ne tregun e fjales ka “bleresit” e vet.
    Rrenja e kakofonise dhe renies se peshes se fjales apo fjales nga pesha nuk qendron vetem tek mungesa e autoriteteve morale te besueshme por edhe tek mungesa e institucioneve te besueshme .
    Ja ku dolem tek Vetingu .

  3. Të flasësh për “fjalën” është një kundërti elementare, pasi “të folurit” nënkupton edhe një dëgjues, por të përjashtojmë këtu rastin gati klinik të të folurit me vete, monologut pra.

    Ajo që harrohet shpesh në një dialog është mundësia që të dy pjesëmarrësit në të mund të gjenden edhe në alternativa të paparashikueshme nga shprehja popullore “njëri i bie kalit” e tjetri potkoit”, dmth. që në një komunikim, në një dialog të shfrytëzohet tjetri si dëgjues, ndërkohë që të dy pjesëmarrësit flasin me zë të lartë me vete; e kuptojnë se ç’thotë tjetri, e dëgjojnë atë, porse për të folur, për të folur flasin me vete.

    Alternativa tjetër është që ajo e të folurit për tjetrin, por jo të dëgjuarit vetë e asaj që flitet po vetë e me radhë: parë që kemi dy gojë e dy palë veshë, i bie që nuancat e komunikimit vetëm të dy personave të shkojnë të paktën deri në shtatë a tetë.

    E amplifikuar kjo në rrafsh publik është një Babel i vërtetë, jo vetëm gjuhë e me veshë, jo vetëm me folës e dëgjues, porse por të llogarisim këtu edhe semantikistët, çomkistët dhe dijenitë e ndryshme që qeniet sjellin me vete dhe stadet mendore e shpirtërore, në të cilat ndodhen të tërë e cosi via…

    dua të them: ta reduktosh këtë vetëm në “dikur nuk na linin të flisnim e sot flasin të tërë”, është goxha e simplifikuar.

    Aq më tepër kur thonë: “nuk na linin ose nuk na lë regjimi”. Okej, regjimet i kemi patur e i kemi akoma nga më të rrëgjuarat e botës, porse në gjithë këtë harrohet diçka elementare, parë që populli thotë po ashtu “heshtja është ar…”, harrohet pra mundësia e heshtjes në kakofoni dhe ajo e fjalës në shurdhëri.

  4. Ja të marr një shembull, që disave do u dhembë shumë: po marr atë “demonstratën e heshtur” që është përfolur edhe këtu. Të gjithë e dinin që ishte në ora 18 e të gjithë bënë me vete sikur i zuri gjumi, sikur kishin punë, sikur nuk kishte ndonjë gjë aty; madje edhe sot e kësaj dite gënjejnë veten, shkruajnë anash e anash, i vijnë vërdallë, jo po ne nuk bëmë gjë se nuk na lanë po të kishim bërë dhe se Sigurimi zotrote dhe se psikanaliza etj. etj., ndërsa e vërteta e thjeshtë fare dhe troç është se “nuk na e mbante”. Të shohim njëherë sa vetë do rrihen, si do i rrahin, nëse krijohen kushtet, e me radhë…

    Të gjithë dinin se “koncerti” mbahej te shatërvani asokohe e jo te Universiteti e megjithatë, varësisht nga dozat e sqarimit, mëtimit dhe frikës, në përpjestim të zhdrejtë me veten e tyre, caktohej edhe rrezja e pranisë dhe e distancës: kjo vlen edhe për demokratët e zjarrtë më vonë: asnjë nga ata që sot bëjnë të fortin, nuk ka qenë aty e mos më thoni se nuk paskësh qenë kështu;

    me një fjalë kjo lidhorja e kushtorja e të menduarit, mungesa e drejtpërdrejt e guximit qytetar, se dikush duhet ta hapë gojën i pari, pa të bjerë regjimi, madje edhe sot vazhdojnë të gjejnë alibi – jo për ne të tjerët, pasi nuk po ua kërkon kush – kërkojnë alibitë për veten e tyre duke bërë monologje publike kinse për të sqaruar të tjerët.

    Ka edhe një psikologji të tërë për këto punë, se mirë që po flasim a nuk po flasim, po pse e bëjmë këtë?

    Thjesht si shënim ky, jo se po dua t’i heq petët ndonjë lakrori që sidoqoftë është ngrënë.

Lini një Përgjigje te Pika.sAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin