MENDIME TË PAKREHURA (XVII)

aforizma nga Stanislaw Lec (*)

Të gjithë na duan të mirën. Mos i lini të na e marrin.

Kush i ka hyrë tiranit në zemër, do të vritet nga rrahja e saj e fundit.

Mos i zër besë zemrës, është e etur për gjakun tënd.

Përjetësia? Një njësi për të matur kohën.

Edhe djajtë e kanë marrë vesh socializimin e botës së sotme, nuk duan të hyjnë në marrëveshje me privatët.

Nuk është mirë t’i besosh njeriut, është më mirë të jesh i sigurt për të.

Ndërtoni ura midis njerëzve. Natyrisht, të lëvizshme.

“Bota është e jotja,” i thashë atij djalit. “Ç’të bëj me të,” më tha. “Nuk e shes dot.”

Mos e fshih kokën në rërë, mos ua hiq snajperëve bukën e gojës.

Mos lejo që të të nxjerrin nga rruga e drejtë, as ata që ecin në një kah me ty.

Kur mbretërit janë lakuriq, edhe shërbëtorët i heqin me ngut livretë.

Që kur njeriu mori pozicionin vertikal, iu zgjat hija.

Koprofagët nuk ka pse t’i vrisni, mjaft të mos ua frekuentoni banketet.

Jo çdo gjë që lëkundet është djep.

Epokat i krijon arkeologjia.

Për t’u hedhur në humnerë, nuk të duhet trampolina.

Bien Bastijat, por portat shpesh u mbeten në këmbë, të mbyllura me shtatë shule.

Lëkurën nuk ta mbron koraca, por veshja.

Historia të mëson si ta falsifikosh.

Kur ndërron kokë, mendimi merr formën e së resë.

Opinioni publik duhej të ishte alarmuar që nuk ekziston.

Është e vështirë të duartrokasësh kë t’i ka lidhur duart.

Disa e urrejnë artin. Pozitivja këtu është që ia njohin ekzistencën.

Fantazisë nuk i lejohet të jetë gënjeshtër.

Artisti u ndal: publiku i kishte rënë te këmbët.

Të neveritshme janë ëndrrat e veteranëve në jastëqe me pupla!

Ka një lloj gjenish që vetëm gjenitë dinë ta zbulojnë.

Mos pretendoni që ai që ia kanë lidhur gojën, t’jua thotë këtë.

Autori vërtet tragjik i ka lotët me pikatore.

Kritiku duhet të zërë vend ose në sallë ose në skenë, përndryshe perdja do t’i bjerë në zverk, si gijotinë.

Arti nuk u kërkon talent artistëve, por vepra.

Le të kontrollojmë herë pas here bodrumet e kullave që mbrojnë idealet.

Nëse thirrja për liri kërkon një gabim gramatikor, bëje!

Dogmatikëve nuk u hyn në punë njeriu. As ai që kanë brenda.

Edhe për të mbikëqyrur mendimin përdoren eunukët.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: