IDETË BAZË TË SË DJATHTËS FETARE NË SHBA

Në artikujt e kaluar kemi analizuar midis të tjerash karakterin në thelb laik të Kushtetutës amerikane si një krijesë e filozofisë iluministe, si edhe historikun e shkurtër të angazhimit të besimtarëve kristianë në politikë, të kurorëzuar me krijimin e së Djathtës Fetare. Do të ishte me vend tashti të paraqisnim idetë botëkuptimore bazë të këtij grupimi, sepse në fund të fundit angazhimi i çdo force politike mbështetet doemos në një numër idesh të tilla. Dhe janë ato ide që mishërohen pastaj në pozicione konkrete në fushën e politikave publike, e që do t’i analizojmë në artikuj të ardhshëm. Por tashti për tashti le të mbajmë parasysh se paraqitjen e mëposhtme të ideve në fjalë e kemi bërë kryesisht në formë përshkruese, pa u futur në diskutime rreth meritave të secilës. Këto ide e pozicione janë në radhë të parë politike (përgjithësisht të krahut konservator) dhe s’kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me parimet klasike të besimit kristian tradicional. Duhet theksuar po ashtu se e Djathta Fetare nuk flet në emër të të gjithë kristianëve amerikanë, aq më pak në emër të besimtarëve anembanë botës, pavarësisht se disa prej ideve e pozicioneve të tyre mund të gjejnë mbështetje në vargje të caktuara biblike.

Së pari, botëkuptimi i së Djathtës Fetare mbështetet në presupozimin e ekzistencës së të vërtetave absolute në fushën e moralit, të cilat janë këtu po aq të pranishme e të dukshme sa edhe të vërtetat matematike, fizike apo gjeologjike. Këto të vërteta absolute përfshijnë shumë nga aksiomat më të hershme e më të thella të kulturës perëndimore, si p.sh. identiteti seksual i fiksuar dhe i pandryshueshëm, rolet e caktuara, dhe të ndryshme, të meshkujve e femrave në shoqëri, preferenca për kapitalizmin dhe tregun e lirë si sistem ekonomik, rëndësia e të punuarit me ndërgjegje e përkushtim të plotë (hard work), si edhe paprekshmëria e jetës së embrionit dhe fetusit, pra e jetës njerëzore që ka filluar por ende s’ka lindur. Dhe një tipar themelor i këtyre të vërtetave morale është që ato jo vetëm që ekzistojnë, por edhe janë qartësisht të kuptueshme për këdo që dëshiron vërtet t’i shikojë.

Së dyti, një besim absolut i së Djathtës Fetare në fushën politike është ajo se Shtetet e Bashkuara janë krijuar si një vend, dhe si organizim politik, kristian (shih artikullin për shtetin kristian, Peizazhe, 28 janar 2017), që këtej edhe thirrja e tyre e përhershme dhe e gjithëpranishme për të ”rimarrë Amerikën”. Në këtë kuptim, kjo e fundit është pushtuar përkohësisht nga liberalizmi, laicizmi dhe multikulturalizmi, të cilat shihen nga e Djathta Fetare si burime të së keqes e që duhen luftuar me çdo kusht nëse Amerika dëshiron të mbijetojë. Është vendi të kujtojmë këtu përsëri faktin se krijimi i Shteteve të Bashkuara ishte kryesisht e para së gjithash rezultat i ideologjisë iluministe, por kjo nuk e pengon të Djathtën Fetare të botojë materiale e argumente të panumërta për të bindur publikun për tezën e saj të ”shtetit kristian”.

Së treti, një gur tjetër themelor i filozofisë së tyre është se vetë botëkuptimi i njeriut, metafizika, morali e politika nuk mund të jenë të veçuara nga zakonet e jetës së përditshme, por përkundrazi formojnë një tërësi të pandashme, pra një continuum. Në mënyrë të veçantë, idetë për gjërat e mëdha, si p.sh. natyra e universit që na rrethon, ndikojnë pashmangshmërisht në gjërat e vogla, si p.sh. në atë se si individët marrin vendime dhe veprojnë në jetën e përditshme. Dhe e kundërta, d.m.th. që mënyra e sjelljes në jetën e përditshme ndikon në atë se çfarë mendojmë për gjërat e mëdha. Kështu, ideja që kemi për natyrën e Zotit na bën ta zbatojmë ose ta injorojmë ligjin kur s’na shikon njeri, pra të kalojmë apo jo semaforin me dritë të kuqe nëse e dimë që polici nuk është i pranishëm që të na verë gjobë. Duhet të theksojmë këtu që një nga trashëgimitë më të rëndësishme të periudhës së iluminizmit ishte ndarja e sferave të jetës publike dhe private nga njëra tjetra, gjë që merret si e mirëqenë nga shumica e protestantëve, por që nuk është aspak e lehtë për të Djathtën Fetare dhe pasuesit e saj. Në të vërtetë ka shumë të dhëna që dëshmojnë se besimtarët evangjelikë e fundamentalistë, që do të bëheshin më vonë mbështetësit kryesorë të këtij grupimi, e braktisën presidentin Jimmy Carter (ky vetë një evangjelik dhe besimtar i devotshëm) pikërisht në këtë moment: kur ai deklaroi se aborti duhet të mbetej një procedurë e ligjshme, pavarësisht se për atë dhe familjen e tij ajo ishte diçka që s’mund të konsiderohej në asnjë rrethanë.

Së katërti, një aksiomë e botëkuptimit të së Djathtës Fetare është ajo që roli i vërtetë i shtetit, apo qeverisë, është të kultivojë virtytin me çfarëdolloj mënyre të mundshme, por jo të ndërhyjë në operacionet natyrale të tregut apo të marrëdhënieve të punës. Nga njëra anë ata konstatojnë (me të drejtë) se kultura laike nuk ka ndonjë dëshirë të madhe të edukojë nxënësit e shkollave me parime të forta morale në lidhje me seksualitetin, apo me virtyte si ndershmëria, patriotizmi e sinqeriteti. Ndërkaq nga ana tjetër po kjo kulturë kërkon të ndërhyjë edhe në detajet më të imta të ingranazheve të ekonomisë kombëtare si p.sh. në vendosjen e gjithfarë rregullave për mbrojtjen e konsumatorit, apo për ndihmat sociale. E Djathta Fetare e ka shumë të vështirë t’i pajtojë këto prirje dhe shtron pyetjen se përse qytetarët që punojnë me ndërgjegje dhe zbatojnë ligjin duhen penalizuar nga autoriteti publik me rregulla e taksa të panumërta. Dhe për më tepër përse autoritetet qeveritare të të gjitha niveleve duhet të shpërblejnë të papërgjegjshmit apo dembelët me anën e ndihmave sociale që dalin në fund të fundit nga xhepat e të punësuarve.

Së pesti, parimi i fundit është se të gjitha shoqëritë e suksesshme duhet të operojnë mbi bazën e një kuadri të përbashkët të ideve themeltare. Dhe tradita perëndimore judeokristiane ka dhënë në të vërtetë rezultate shumë të mira për Amerikën për gati 4 shekuj me radhë, prandaj nuk ka kuptim që ajo traditë të minohet, duke legjitimuar njëkohësisht një numër traditash të tjera. Kuptohet që shmangja e rrezikut nga këto të fundit do të kërkonte një mbyllje dhe izolim të Amerikës, gjë që është e papërfytyrueshme në kohën e sotme të globalizmit. Por sidoqoftë këtu çështja më e rëndësishme është jo aq ajo se çfarë lejohet, se sa ajo se çfarë legjitimohet. Mbështetësit e së Djathtës Fetare mendojnë se është një gjë të lejosh disidentët, apo ata që sjellin vlera të ndryshme prej tradicionaleve, të jetojnë në liri dhe pa u shqetësuar (pra të praktikosh tolerancë), dhe është një gjë krejt tjetër të pohosh se një kuadër i caktuar vlerash është po aq i mirë, ose po aq funksional, sa çdo kuadër tjetër (pra të shpallësh se të gjitha janë të barasvlershme).

Përveç këtyre parimeve themelore, duhet të theksojmë gjithashtu se një karakteristikë nga më kryesoret e perceptimit të raporteve të këtij grupimi me botën, është sensi i tyre se besimtarët e vërtetë, ose kristianizmi tradicional (sipas kuptimit që ata vetë u japin nocioneve të tilla), janë nën rrethimin dhe presionin e vazhdueshëm të kulturës së përgjithshme dekadente. Pra qytetërimi dhe vlerat kristiane duhen mbrojtur nga sulmet e jashtme, apo nga ”armiqtë e jashtëm”, më kryesorët ndër të cilët duken të jenë mediat laike, shkollat publike, si edhe kërcënimet për familjen tradicionale, d.m.th. të drejtat e komunitetit gay, divorci dhe lindjet jashtë martese. Prandaj eksponentët e së Djathtës Fetare vazhdimisht ankohen për mënyrën tallëse se si vlerat e tyre paraqiten në filma e në televizion, apo në mjetet e tjera të komunikimit masiv. Një qëndrim tepër kritik ata rezervojnë edhe për shkollat publike, të cilat sipas tyre janë fajtore për manipulimin e fëmijëve jo vetëm me anën e zbutjes së standardeve akademike tradicionale, por sidomos me rishikimin, dhe vënien e vazhdueshme në diskutim, të vlerave morale të dikurshme. Kjo sipas tyre jo thjesht i sqaron vlerat, por i bën fëmijët dhe adoleshentët të mendojnë se idealet e prindërve të tyre janë thjesht konstrukte të përkohshme, që i takojnë një kohe e vendi të caktuar, pra janë të zëvendësueshme sipas dëshirës. Në mes të këtij relativizmi moral familja tradicionale e gjen veten të kërcënuar në të gjitha frontet, dhe për këtë e Djathta Fetare bën përgjegjëse kryesisht politikat qeveritare që tolerojnë abortin, divorcin dhe familjet pa baba, pavarësisht se mediat laike dhe shkollat publike kanë pjesën e tyre jo të vogël.

Një shembull shumë domethënës për të kuptuar këtë ndjenjë kërcënimi të vazhdueshëm ishte edhe historia e ERA-s, ose projektit për një amendament kushtetues të barazisë së të drejtave, në vitet ’70-’80. Projekt-ligji në fjalë shpallte që ”barazia e të drejtave sipas ligjit nuk mund të cenohet për shkak të seksit” dhe që ”Kongresi ka të drejtë të sigurojë zbatimin e ligjit nëpërmjet akteve nënligjore”. Pra dukej sikur gratë do ta prisnin si një arritje shumë pozitive amendamentin në fjalë, sepse një rregullim i tillë ligjor ishte kërkuar prej shumë vitesh, dhe më në fund mundi të kalohej nga të dy dhomat e Kongresit më 1972. Shtetet e veçanta filluan ta miratojnë ligjin njëri pas tjetrit, dhe dukej sikur shpejt do të arrihej numri i nevojshëm prej 38 shtetesh miratuese, që amendamenti të bëhej pjesë e Kushtetutës federale. Mirëpo një masë e madhe grash konservatore, me në krye veprimtaren Phyllis Schlafly dhe organizatën e saj Eagle Forum, u ngritën anembanë vendit për të kundërshtuar procesin e miratimit nga shtetet anëtare. Ishte kjo lëvizje e fortë proteste që e ngadalësoi procesin në fjalë, duke bërë që në afatin e fundit të qershorit 1982 ai numër të mos ishte arritur. Duke shpallur barazinë e sekseve, një objektiv ky kryesor i lëvizjes feministe, projekt-ligji dukej sikur i zhvishte burrat nga roli i tyre tradicional i ”nxjerrësit të bukës së gojës” për familjen. Kështu, në mënyrë disi paradoksale, gratë konservatore e panë një ligj të tillë si kërcënim, sepse ai premtonte të këpuste hallkën e vetme që i mbante burrat të lidhur me përgjegjësitë e tyre ndaj vatrës familjare.

Suksesi i kësaj proteste u bë më vonë një nga shtytjet më të rëndësishme të krijimit të aleancës së partisë republikane me të Djathtën Fetare, aleancë që ka transformuar rrënjësisht peizazhin politik amerikan, siç do ta shohim në vazhdim.

==================

1 Koment

  1. …”The great object of the first planters of New England was to form a CHRISTIAN COMMONWEALTH. A decision without a parallel in ancient or modern times…” –

    paragraf nga Magnalia Christi Americana or ECCLESIASTICAL HISTORY of NEW ENGLAND from its first planting in the year 1620, unto the year of OUR LORD, 1689.

    Pra guri themeltar i nderteses amerikane ka pasur qartesisht natyre kristiane.

    Kushtetuta, qe vjen nja 100 vjet e kusur me pas, u ngrit mbi baza laike. Kjo gje mendoj se ka te beje me shume me formimin e delegateve se sa me deshiren e popullsise. Mesa kam lexuar, keta delegate, qe vinin nga sfera te ndryshme aktivitetesh ekonomike, ishin thuajse te gjithe “well educated”. “Well educated” per ate kohe, perpos te tjerave, do te thoshte te njihje me rrenje latinishten dhe greqishten e vjeter, dhe bashke me to edhe te gjithe reservuarin e literaturave perkatese.

    Gjithnje kam menduar se kjo perzjerje kaq e vecane midis kristianizmit kultural dhe laicizismit administrativ( greko-romak) perben ate qe perndryshe quhet “exceptionalizmi amerikan”.

    Spengler permend diku se qyteterimet kane atributet e qenieve organike, lindin , zhvillohen dhe vdesin njelloj si ato.

    Ose se “socializmi eshte kapitalizmi i shtresave te varfera”

Lini një Përgjigje te ksamilAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin