MAKINA HUTOHET

Instituti Penrose (The Penrose Institute), i themeluar nga Sir Roger Penrose ka publikuar tani së fundi një problem shahu, duke i ftuar lexuesit të gjejnë mënyrën (lëvizjet ose idenë e përgjithshme) se si lojtari me gurët e bardhë mund të ruajë barazimin në pozicionin e mëposhtëm (i bardhi luan dhe barazon).

I bardhi luan dhe barazon

Ky pozicion është ndërtuar qëllimisht për të kuptuar dallimet midis njeriut dhe softuerit që “luan” shah, në vlerësimin e pozicioneve; meqë – sipas të dhënave të studiuesve – motorët ekzistues të shahut nuk arrijnë dot të gjejnë rrugëdaljen atje ku edhe një lojtar shahu mesatar do ta gjente pa vështirësi të madhe.

Instituti Penrose nuk është aq i interesuar në zgjidhjen e problemit (e cila është, në fakt, triviale); por në mënyrën si e arrijnë njerëzit zgjidhjen: analizë logjike, intuitë, parashikim i lëvizjeve apo tjetërçka. Në fakt, ende nuk dihet se si e luan shahun njeriu, në një kohë që njihet mirë, deri në hollësi, se si e “luan” shahun kompjuteri.

Me një titull bombastik, gazeta britanike The Telegraph, që e botoi këtë lajm, thotë për problemin në fjalë se “holds the key to human consciousness.”

Megjithatë, nuk është rastësi që këtë sfidë e prezanton instituti i Roger Penrose-it, i cili njihet, mes të tjerash, edhe për një teori të mendjes dhe të vetëdijes, e cila u kushton vëmendje efekteve të gravitetit kuantik në funksionimin e neuroneve.

Nga ana e tyre, specialistët e shahut dhe të motorëve që luajnë shah shpjegojnë se problemi është artificial, meqë prania e tri filave të zinj – diçka e pazakonshme për një lojë shahu normale, edhe pse jo doemos e pamundshme – i detyron motorët të humbasin pafundësisht kohë në llogaritjen e variacioneve dhe të degëzimeve.

Me fjalë të tjera, problemi shfrytëzon një dobësi të mirënjohur të motorëve të shahut, duke e vënë këtë qartazi në dukje; por pa ndihmuar për të zbuluar gjë të vlefshme për mënyrën si punon mendja e njeriut.

E vërteta është, sikurse e vunë në dukje disa komentues në chessbase.com, se motorët e shahut nuk e gjejnë dot zgjidhjen për këtë lloj pozicioni thjesht ngaqë programuesit e tyre nuk e konsiderojnë pozicionin si me gjasë për t’u shfaqur ndonjëherë.

Këtu njëri prej tyre madje solli një citat nga Jon Von Neumann: “Ti ngul këmbë se ka diçka që makina nuk e bën dot. Nëse ma thua se çfarë është kjo tamam, unë gjithnjë mund të ndërtoj një makinë që ta bëjë!”

Kjo deri sa të vijë dita kur motorët e shahut të mund të “mësojnë” nga gabimet ose dështimet e tyre.

Për kuriozitet: mua m’u deshën rreth 10 sekonda për ta kuptuar se “ku flinte lepuri”; duke e lënë mënjanë zgjedhjen e lëvizjes së të bardhit dhe duke analizuar, përkundrazi, lëvizjet e mundshme të së ziut.

17 Komente

  1. I ziu është i bllokuar. I bardhi mjafton ta hedhë mbretin në të bardhat gjithnjë; në këtë kuptim ndeshja ka dalë qysh tani remi. Shtoj këtu se nuk marr vesh fare nga shahu – di vetëm rregullat e kam luajtur ca herë në rini. M’u deshën sidoqoftë vetëm ndoshta nja 30 sek. për këtë.

  2. Se ç’kanë një lloj simplifikimi (nuk po shënoj qëllimisht: thjeshtëzimi) thuajse idiot këto gjërat që vijnë këtej nga Amerika – më korrigjo nëse nuk qenkësh kështu, se ti e di më mirë – këto vezët e Kolombit që na vijnë q’andej, ose më dukërka mua tani se qenkësh kështu. Që duket qartë, kur ky lloj tipi kinse optimist e milioner në të njëjtën kohë, (tip Sorosi i shkartisur me Dale Carnegie, fut edhe shumë Trump këtu), normalisht evangjelist, me parësitë te libri më idiot i Biblës: zbulesa e Gjonit, me kravata pa shije, që shtron pyetje, përgjigja e të cilave është aq afërmendsh, sa mbetet vetëm të thuash: po ose jo, por edhe këtë, përgjigjen pra e pyetjes idiote retorike e ruajnë këta faqekuqë e të qeshur për vete, për të përfunduar me optimizëm: yes, we can!

    Ngjan paradoksale, por ndoshta pikërisht një dritëshkurtësi e tillë do të na duhej për momentin – dhe vetëm për momentin – për Shqipërinë tonë për ca kohë, sa për të mbaruar ca punë. Pasi te ne mbizotëron simptoma e përkundërt: ajo e gjithologjisë: tipa që bëjnë edhe politikën, edhe modën, edhe filozofinë, edhe mbarështrimin e gjedhit, edhe, edhe…

    Por me siguri gabohem, pasi, po ta mendosh deri në fund, nuk ke fare nga ta dish as se si është Amerika e as Shqipëria në të vërtetë; nuk ka njeri në botë ta rrokë dot këtë. Në këtë kuptim, as ti nuk e di më mirë se unë këtej se ç’bëhet në Amerikë e as unë këtu më mirë se ti se ç’bëhet këtu, për të mos folur për Shqipërinë, parë që as e as ti nuk gjendemi atje, por edhe nuk do të kishim as pse, pasi edhe atje do i merrnim mbresat vetëm nga media e interneti. Ndërsa simptoma e Thomait, ajo e të parit me sy e të të dëgjuarit me veshë, nuk është se do të na ndihte shumë.

      1. Jo, nuk e kam fjalën për këtë, pasi nuk e njoh. E kisha fjalën më tepër për “teorinë e mendjes dhe të vetëdijes” që përmendje ti dhe titullin bombastik të Telegraf-it.

        1. Po asnjë nga këto nuk është “nga Amerika”: Roger Penrose është tipik britanik, madje më kujton Bertrand Russell-in në shumë gjëra. Edhe gazeta The Telegraph është britanike. Për teorinë e mendjes dhe të vetëdijes ka interes të madh jo vetëm në akademi (ose në abstrakt), por edhe në industri, meqë lidhet me inteligjencën artificiale.

          1. Po, gabimi im, por nuk e kisha aq te vendndodhja se sa te një si mënyrë mekanike të menduari për njeriun e që është – ose më ngjan mua – tipike amerikane. A thua se nuk paskësh ekzistuar filozofia asnjëherë.

            1. Edhe kjo teori e “njeriut makinë” në Europë e ka origjinën. Me aq sa kuptoj unë, në debatin Penrose/Minsky unë anoj nga i pari – por edhe teoritë e Minsky-t janë tejet komplekse për t’u skartuar kështu. E vetmja frikë që kam unë, instinktivisht, nga hulumtime të tilla në SHBA është se ato, në analizë të fundit, gjithnjë përfundojnë të financuara nga Pentagoni; dhe Inteligjenca Artificiale është ajo e një ushtari të përkryer. Por Penrose nuk besoj se ka lidhje me këtë…

            2. E kam fjalën, qysh në krye në fakt, te koncepti i çuditshëm që kanë këta tipa për “vetëdijen”, jo për mendjen. Mendja si e tillë është materiale; këtë e thoshte deri edhe Lenini. Dhe inteligjencën artificiale do e zbulojnë shumë shpejt, kjo nuk është problemi.

              Por enigma e madhe është vetëdija. Dhe më duket absurde që njerëz të tillë – deri edhe Russell-i po të duash, sado i madh qoftë – që janë kaq të zotë (e them pa ironi fare këtë) në fushat e tyre, në fizikë, janë kaq naivë në filozofitë e tyre.

              Që të kujtojnë kohën e revolucionit industrial në Europë – se nuk është bërë ndonjë filozofi për të qenë ndonjëherë në Amerikë (korrigjomë në më paskësh shpëtuar gjë) – nga edhe vijnë koncepte të tilla, kohët e Njutonit këtej dhe atij automatit të shahut, ku rrinte njëri galiç brenda.

              Dhe natyrisht që vetëdija nuk mund të jetë “fizike”, në kuptimin fizikal të fjalës. Të pohosh se vetëdija do të mund të zbulohej kësisoj, do të thotë që të hedhësh me një të rënë të dorës fortesa të tëra të idealizmit e nuk më bëhet se kjo mund të ndodhte kësisoj.

              Kur them “Amerika” kam parasysh këtu edhe nahinë tonë: këtu nuk merret më vesh se ku po jeton njeriu: në ekran ke vetëm Hollywood, radioja vetëm këngë anglisht, ndërsa prania fizike, vendndodhja, – siç shënova në komentin e parë – nuk luan më asnjë rol. thonë: globalizëm, por është në të vërtetë “amerikanizim”.

              Dhe natyrisht që e kam të qartë që nuk është kjo – ose më mirë: vetëm kjo – Amerika, është vetëm kjo e këtyre tipave tip Zuckerberg, Trump, Justin Timberlake: të sukseshëm me para dhe femra, me atlete e kravata, të qeshur, të zotë në fushat e tyre, por vetëm kaq, këtu mbaron: thellësia 0.

  3. E kisha fjalën, pasi u hodha një sy, më tepër për thagma të tilla:

    ” Minsky’s position is exactly the opposite – he believes that humans are, in fact, machines, whose functioning, although complex, is fully explainable by current physics. Minsky maintains that “one can carry that quest [for scientific explanation] too far by only seeking new basic principles instead of attacking the real detail. This is what I see in Penrose’s quest for a new basic principle of physics that will account for consciousness.”

  4. Vertet me duket ca hutuese kjo prania e tre filave. Si perligjet prania e te tretit? Ne veshtrim strategjik nuk ka asnje interes qe kjo te behet ne kurriz te nje kali a te torres. Ngel ushtari. Nje ushtar me pak e nje oficer me shume. Mund te pranojme se makina nuk do te gjeje asnje konfuzion ne rreshtim. Problemi del te levizja e veçante e filit qe vetem pjeserisht i ngjan asaj te vartesit te tij. Per motorrin ka nje konfuzion total qe ne fillim dhe vertet qe nuk e kuptoj se si ndeshja ka ardhur deri ne ate pike.
    Tani eshte edhe problemii gjuhes qe eshte perdorur, por si rregull, cilado gjuhe qe te jete perdorur, ajo vete dekompozohet ne nenelemente, nga te cilen njeri njeh atributet e çgo guri. Keshtu, qe ne nje fushe, motorri te pranoje t’u jape te njejtin atribut tre filave, duket pak e hatashme.
    Duhet nje volum kolosal kalkulimesh e variantesh te mundeshme per çdo gur. Ne kete kuptim, ata qe kane bere nje pune te tille titanike, te kene harruar e te mos i kene thene makines qe ne fillim se nje atribut te tille levizjeje e kene vetem dy elemente dhe jo tre, kjo eshte pak shqetesuese, po qe se nuk eshte shqetesues arsyetimi im.

    1. Pozicioni është legal (*) – në kuptimin që mund të përfytyrohet një lojë shahu, sado e pagjasë, që të çojë në atë pozicion.

      Megjithatë, tre filat tërheqin vëmendjen; sepse janë të tre të kutive të zeza (normalisht do të kish vetëm një të tillë, për secilën palë); çfarë provon se i ziu ka graduar dy herë ushtarin në fil. Sërish një veprim i pagjasë, por sërish legal.

      Motori i shahut nuk e “kupton” këtë; por prania e filave e detyron t’i marrë këta parasysh në llogaritjet e veta: sa më shumë figura në fushë, aq më shumë kalkulime; sa më shumë kalkulime, aq më pak “thellësi” në kalkulime (ose numër lëvizjesh që parashikon motori).

      Nga pikëpamja e softuerit që luan shah, problemi është pa interes – sepse dihet çfarë e ngatërron motorin dhe ky i fundit mund edhe të programohet që ta shmangë këtë pengesë. Instituti Penrose është i interesuar, përkundrazi, të dijë se SI arrin njeriu ta gjejë zgjidhjen pa bërë ndonjë kalkulim kushedi çfarë.

      Ideja e tyre është se kjo diferencë kaq themelore, midis mënyrës si i zgjidhim problemet ne njerëzit dhe mënyrës si procedon një kompjuter dixhital do të ndihmojë për të kuptuar më mirë mendjen e njeriut.

      Pra, një problem që e ngatërron kompjuterin, mund të ndriçojë disa aspekte pak të njohura të mendjes.

      Ndërkohë, nga pikëpamja thjesht shahistike, autorët e këtij “problemi” nuk kanë pasur mundësi tjetër, përveçse të shtojnë fila; çdo figurë e ndryshme nga fili mund të lëvizë dhe në kutitë e bardha dhe ashtu të sjellë ndryshime radikale në pozicion. Karakteristikë e filit është që ai është “i dënuar” të lëvizë vetëm në kutitë e një ngjyre të caktuar; çfarë do të thotë se është “color blind”, ose nuk i sheh fare kutitë e tjera dhe figurat ose ushtarët në to.

      Prandaj edhe, brenda gurëve të njërës palë – për shembull të bardhit – dy filat mund të dallohen lehtë nga njëri-tjetri (njëri si kuti-bardhë dhe tjetri si kuti-zi), ndërsa gurët e tjerë jo – sepse dy torret mund të mbulojnë çdo kuti të fushës, po ashtu edhe dy kuajt. Madje edhe ushtarët, disi më të kufizuar në lëvizjet e tyre, mund të mbulojnë kuti me ngjyra të ndryshme. Për shembull, ja një diagram i kutive ku mund të lëvizë, teorikisht, ushtari që e fillon lojën në e2:

      (*) Përkundrazi, pozicioni i mëposhtëm është ilegal – sepse nuk ka asnjë mundësi që fili i bardhë të ketë përfunduar në a1, pa lëvizur më parë ushtari në b2; por ushtari në b2 nuk ka lëvizur, sepse përndryshe nuk do të kthehej dot më në b2. Nga ana e vet, torra mund të shkojë në c1, me kusht që të gjendet ndonjë mënyrë për t’i liruar rrugën, duke lëvizur kalin dhe filin përkatës.

      Prandaj edhe pozicioni më poshtë është legal, sepse fili ka manovruar nëpërmjet boshllëkut në b2 dhe kali po ashtu ka lëvizur sipas dëshirës dhe pastaj është kthyer në b1, pasi të jetë zhvendosur torra.

      Ndërkohë mund të mendohet se i ziu ka lëvizur vetëm me kalë, madje po me kalë ka ngrënë edhe ushtarin b të së bardhit, dhe pastaj kali i zi është kthyer në pozicionin nistor.

      Për të njëjtën arsye, edhe pozicioni i mëposhtëm është legal, sepse kuajt dhe torrat mund t’i ndërrojnë vendet pa problem.

      Edhe ky pozicion është legal: kush ka nge, le të zbavitet duke gjetur një sekuencë lëvizjesh, që nga pozicioni fillestar standard, që sjellin këtu.

      Këto lloj analizash, kur duhet gjetur një sekuencë lëvizjesh që kanë rezultuar në një pozicion të caktuar, njihen edhe si analiza retrograde.

      Ja edhe një problem më i vështirë, që kërkon analizë retrograde (autori: Raymond Smullyan, një logjicien, filozof dhe matematicien amerikan, që vdiq para pak ditësh). Në këtë pozicion, ku radhën e lëvizjes e ka i bardhi, duhen gjetur dy lëvizjet paraprijëse (duke ecur së prapthi, cila ishte lëvizja e të ziut, dhe pastaj cila ishte lëvizja e të bardhit para lëvizjes së të ziut).

  5. Po futem dhe një herë jo si fil, por si zhol, te kjo, temë, pasi, njëlloj si ty Ardian, më kanë interesuar gjithnjë, si fëmijë, e më interesojnë edhe tani tema të tilla, jo kjo e shahut, por ajo e inteligjencës artificiale dhe e “vetëdijes”, aq më tepër që mendoj e besoj se ndryshimi i paradigmave shoqërore, që do të sjellë inteligjenca artificiale do të na katapultojë në një rend të të ri shoqëror, në mos në një erë të re.

    Mirëpo, pa çka se nuk do të habitesha sikur të ndodhte javën që vjen kjo dhe shkenca të na habiste sërish me robotë e më the e të thashë – pa çka pra se edhe vetë jam një “freak”, si të thuash, për të tilla gjëra e mezi po pres të kem një roboteshë që të marrë pak pluhurat në banesë e shoh çdo science-fiktion të ri që del në kinema, më vjen gjithnjë për të vënë buzën në gaz kur bie fjala për robotë me vetëdije, me vullnet e kësisoj temash tip terminatorësh.

    Mirëpo këtu do të na duhej ta linim fizikën e t’i futeshim metafizikës, apo? Ti beson vërtet se vetëdija, ndërgjegja, qenia, shpirti, etj. qenkëshin fizikale; materiale pra – në kuptimin që i jepte kësaj fjale Demokriti? Beson vërtet se metafizika qenkësh vetëm përrallë aristoteliane pa lidhje, që e ka zhvlerësuar koha dhe zhvillimet?

    Nuk ke pse më përgjgjesh e nuk po dua as të diskutoj – vetëm nëse të vjen vetë për mbarë; po doja thjesht ta përsiatnim së bashku këtë temë, aq më tepër që më bëhet të jetë edhe trajtuar prej teje në ca faqe të “Bolero”-s, në më kujtohet mirë.

    Ç’të merremi me “këta” aman, me metë e ramë e berishë, me një tufë horrash pra, kur mund ta kalonim kohën më bukur me të tilla tema e të tjera si këto?

    1. Meqë më pyete: besoj se jo vetëm as që i jemi afruar të kuptuarit të vetëdijes si self-awareness (çfarë është tamam?), por as edhe nuk e kemi idenë si funksionon mendja. Po ashtu, besoj se kompjuteri – ashtu siç e kemi sot – nuk ka shumë lidhje me mënyrën si funksionon mendja, madje pa e sjellë fare vetëdijen në vështrim; prandaj edhe me kompjuterët e sotëm nuk mundemi as ta simulojmë mendjen – pavarësisht nga testi i Turing-ut. Megjithatë, ideja se një ditë mund të krijohet një inteligjencë artificiale e tillë që të simulojë në mënyrë pak a shumë të besueshme mendjen nuk më duket fare pa meritë (sërish, pavarësisht nga testi i Turing-ut). Madje dija ende nuk i ka dhënë ndonjë përgjigje pyetjes së thjeshtë se pse na DUHET vetëdija dhe çfarë është tamam: kur mundohem gjysmë me shaka t’i jap kësaj pyetjeje një përgjigje “për vete”, shpesh më tundon hipoteza e vetëdijes si parazit të mendjes; aq më tepër që është treguar në mënyrë eksperimentale se vetëdija nuk merr pjesë në ndërveprimet tona të vullnetshme me botën, edhe pse ne mund të na DUKET ashtu (iluzioni i të qenit të lirë, ose i free will). Gjithsesi, dhe pavarësisht nga ngjashmëria me mizën në atë fabulën ku i thoshte kalit se “na doli shpirti sot”, ky do të ishte parazit jo biologjik.

      1. Ndërsa unë besoj se jo vetëm që nuk mund të kuptojmë vetëdijen, por vetë ideja: që me anë të mendjes të mund ta rrokim atë është absurde. Por besoj, nga ana tjetër, se shpejt do e rrokim këtë të dytën: mendjen pra e kjo nuk do të jetë ndonjë “big deal”, pa çka se truri është aq kompleks.

        Pyetjes së thjeshtë: pse na DUHET vetëdija, ndoshta do t’isha përgjigjur (pa bërë më të mirëditurin këtu, kuptohet, ose, ruajna Zot, gurun) se ç’i duhet një ene brendia, me një kundërpyetje pra.

        Kam një model timin sidoqoftë – pak a shumë si ai modeli i qytetit ideal të Rilindjes – për këto çështje, por nuk do e hidhja këtu, se fundja njeriu mbaj ca gjëra edhe për vete e gjithsesi nuk është se do t’i interesonte fort kujt, parë që bashkëatdhetarët janë për momentin të mbifilozofizuar, të mbingopur pra nga bisedat abstrakte dhe ne na duhen zanatçinj, marangozë e hamallë e elektricista, më shumë se teoricienë.

        Ndërsa kjo tema e determinizmit dhe e vullnetit të lirë është bërë aq e biseduar, u bënë ca kohë, saqë as nuk ia vlen ta shkoqitim. Sidoqoftë: se si do të mund të matej vullneti, nëse ky do të ishte kategori e vetëdijes dhe jo e mëndjes, këtë vetëm “këta” e dinë dhe mbase ndonjë rilexim i këtij ballgjërit tonë, Shopenhauerit, nuk do u bënte keq.

        P.S.: Faleminderit për përgjigjen.

        1. Dhe, se po ndërmendem tani: fjala “vetëdije” ose “self-awareness” është, për mendimin tim si profan – se ti je gjuhëtar dhe e di më mirë, natyrisht – nuk puqet fare dhe asgjëkundi me ç’nënkuptonin të vjetrit me atë që dikur jepej te ne me “ndërgjegje”, për të mos folur këtu me ç’nënkuptohet me fjalën Geist këtej nga ne e që nuk mund të jepet asnjëherë me “ndërgjegje” dhe këtë e shënoj jo se gjendem unë këtej, por se gjysmën e filozofisë nga Kanti e këtej e kanë bërë gjermanët, e kështu me radhë: fjala “spirit” andej nga ju ka një semantikë fare tjetër nga fjalët me të cilën përkthehet kjo, për arsye pragmatike natyrisht, në gjuhë të tjera siç p.sh. “frymë” te ne, apo “spirito” e kështu me radhë: soul-Seele-shpirt nuk janë asnjëherë e njëjta gjë – dhe më këtë më sipër po dua të them që:

          qasja ndaj kësaj diçkaje kaq misterioze sa ç’qenkësh – le ta quajmë “fryma”, meqë unë të paktën “vetëdije”-n e llogaris te mendja, parë që kur flemë e na pushon truri edhe kjo që nënkuptohet me vetëdije- që kuptoj unë nga fjala- turbullohet, domethënë se ka të bëjë me trurin –

          qasja ndaj kësaj diçkaje është jo vetëm kulturalisht e historikisht e fetarisht e kushtëzuar, por edhe gjuhësisht.

          E këtu më mbaron latinishtja mua dhe e keni radhën ju të flisni, gjuhëtarët njëherë, pa të dalim pastaj te filozofia e te qenia.

          Sidoqoftë, këto kurset fundjavore të jogës, – seminare e workshope pafund përndritjeje që mbahen nga sharlatanë e tipa që kanë dëgjuar Bitëllsat, në kohën kur këta shkuan te Mahariji, ky i fundit e shumë e shumë profetë, gjysmë të tillë, ezoterikë e katastrofistë, profesorë katedrash që nuk i merr vesh as dreqi e këtu llogaris edhe tipa si Hajdegeri, që shpik gjuhë të vetën për t’u shprehur e që me siguri askush nuk e ka lexuar të tërin, jo më kuptuar, tipa si Coelho apo dekonstruktivistë e Zhizhekë – gjithë këto pra e kanë mjegulluar aq shumë konceptin e “frymës”, “vetëdijes” apo “ndërgjegjes”, sa nuk ma do mendja se kemi folur tani – edhe ne të dy këtu – për të njëjtën gjë.

  6. Ideja per te kuptuar menyren se si i zgjidhin problemet kompjuterat mund te ndihmoje per te kuptuar njeriun eshte mjaft interesante dhe pa dyshim qe ndihmon, por nuk e di se deri ne çfare shkalle. Se kam pershtypjen qe ne stadin e asaj qe quhet inteligjence emocionale, qe shpesh here merr trajten e verifikimit te fundit, kompjuteri nuk besoj se ka shume gjera per te thene. Them ne teresi, se ne shah inteligjenca emocionale nuk duket te kete asnje rol. Po ketu jane; besoj, edhe kufizimet e asaj qe mund te perfitoje njeriu nga makina, nje akumulim informacioni dhe deklinimi i tij sipas kendit te ngacmimit.

  7. Ne fakt makinat tashme e kalojne pa problem njeriun ne lojen a vet, a.k.a. lojen intuitive dhe bile kane kohe qe mesojne nga gabimet e tyre. Nje shembull shume i mire i kesaj loje intuitive nga makinat eshte fitorja ndaj kampjonit aktual to botes ne AlphaGo para gati nje viti, Loje kjo qe kerkon intuite te madhe e nuk mund te fitohet duke bere llogaritje me te shpejta, por duke kuptuar “patterns”. Fitorja ne AlphaGO ishte fair e kompjuterat nuk fituan me ndonje program qe thjesht “llogarit” me shpejt.

    Ne baze te kesaj fitoreje eshte nje process i quajtuar Deep Learning i perftuar nga te ashtuquajturat Rrjetet Neuronale Artificiale. Keto rrjete nuk punojne sic punon truri pavaresisht se kane marre disa metafora nga menyra si mendojme ne se llogarit truri dhe funksionojne neuronet. Ama, cfare eshte shume e ndryshme tek Rrjetet Neuronale Artificiale nga algoritme te tjera te A.I.-se eshte qe keto algoritme kuptojne “patterns” ne menyre hierarkike, dhe gjenerojne zgjidhje/pergjigje origjinale ne baze te ketyre patterns. Deep learning eshte zhvillim i ri dhe sidomos ne 4 vitet a fundit po shkakton nje revolucion sa te shumepritur e parashikuar aq edhe eluziv per dekada e dekada te tera ne A.I. e po perfshin mbare industrine ne silicon valley si falange e pare teknologjike.

    Per mua cfare eshte e habitshme eshte sa shpejt kjo teknologji eshte futur ne jeten e perditshme. Nga nje publikim akademik obskur, ne 2012-ten, i cili mbahet me konsensus si katapultimi i teknologjise ne vemendjen e specialisteve, rrjetet neuronale jane tashme ne qender to algoritmeve qe mundesojne nga makinat qe ngiten automatikisht (Tesola, Volvo, BMW), kuptimin e imazheve e videove ne rrjetet sociale dhe assistenteve inteligjent te afte te kuptojne gjuhen e folur me saktesi te habitshme (Alexa, Google Assistant). Eshte nje perparim i mirefillte teknologjik mbase po aq, ose edhe me i madh, sesa vete lindja e Internetit i cili do te filloje te ndjehet nga effektet e shumeanshme qe do te kete ne shoqeri dhe ekonomi. Kreu i divizionit kerkimor i Facebook (Yann Lecun) ishte nje specialist rrjetesh neuronale dhe “machine vision” deri para pak vitesh qe vetem nje rreth i ngushte doktorantesh e njhte por vetem nje gjysem dekade me vone merr vendime dhe supervizon mbase korpusin e te dhenave me te madh ne historine e njerezimit. Jo vetem kaq por mjetet dhe librarite qe mundesojne perdorimin e kesaj teknologjie po demokratizohen dhe zhvillohen me shpejtesi te madhe. Sot nje programues cfaredo, mund te zhvilloje nje program inteligjent per kerkimin e imazheve i cili ishte kutia e pandores e A.I.-se deri ne 2010-ten.

    Kjo nuk do te thote qe ky permiresim e ben A.I.-ne menjehere me te afte se njeriun apo te rrezikshme. Algoritmet qe zhvillohen ne AI jane gjithmone tejet te specializuara. Fjala vjen, ne si specialiste mund te krijojme me lehtesi algoritme qe kuptojne imazhet e qenve, apo kuptojne emocionet nga nje fytyre njerezore, me saktesi me te madhe se njerezit bile, por algoritmi nuk e kupton dallimin midis lart/poshte, nuk kupton fizike etj. etj. pasi eshte zhvilluar dhe eshte ushqyer me te dhena vetem per te zgjidhur nje problem shume te caktuar (a eshte fotoja e nje qeni, apo jo) me vlere ne aplikime reale. Ne fakt edhe me kete zhvillim te fundit, A.I. mund te zhvilloje vetem programe idiote qe dine te bejne vetem nje gje dhe kaq. Nese ka ndonje rrezik eshte nga idiotizmi dhe jo nga inteligjenca e A.I-se.

Lini një Përgjigje te Arb EloAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin