GUNA QË MUND PUNËN

nga A. A. B.

Më krijohet përshtypja se është shtuar, në mënyre të ndjeshme këto kohët e fundit, ajo rrymë talljeje të vazhdueshme që shoqëronte shpalosjen e personazhit mediatik të zotit Erion Veliaj. Fushata frenetike publicitare që ka ndjekur këmba-këmbës karrierën e tij politike prej vitit 2013 e këndej ka spikatur që në krye të herës prej njëfarë histerizmi dhe patetizmi tmerrësisht optimist. Tani, politikanëve shqiptarë nuk para ua ha qeni shkopin kur vjen puna tek fushata zgjedhore prej gomerësh shembullorë. Sidoqoftë, toni dhe modulimi i zotit Veliaj, sidomos atij virtualit, ka një prani të atillë shqetësuese të sipërores sa edhe publiku – normalisht shurdh – i Shqipërisë shqoi disa ngjashmëri të parehatshme me ligjërimin totalitar të periudhës së Republikës Popullore. Një rast karakteristik i fenomenit ishte ai i “punës që mund dhunën”, apo edhe një këmbëngulje paksa për të qeshur ndaj himnizimit të punës në të gjitha format, megjithëse zakonisht në diçitura Facebook-u me gabime sintaksore (bash ashtu si Twitter-i i Presidentit Trump, shyqyr Zotit).

Për fat të keq, afrimiteti gjuhësor me një version të botëkuptimit shoqëror socialist nuk është tipari më dallues i diskursit të zotit Veliaj. Thembra e Akilit është pikërisht që kjo dialektikë pseudo-marksiste përbën pjesën më të sofistikuar, ndoshta, të mendimit politik të Mbretit të Mirmidonëve. Pjesa e mbetur, shumica dërrmuese e ligjërimit të tij është – nuk ka mënyrë të sjellshme për t’a thënë – një ndër koleksionet më të pasura të kabasë oratorike në historinë e Shqipërisë pluraliste. Zoti Veliaj e zbërthen gjerdanin e perlave pa kurrëfarë logjike semantike. Fjalia ime e parapëlqyer ishte ajo për fillimin e punimeve të rindërtimit së Sheshit Skënderbej, se: “Shesh pa komb ka, po komb pa shesh qendror ku të mblidhet s’ka!”[i]  Nga t’a kapësh, pyet veten edhe lopa përpara këtij margaritari. Pa hyrë fare në listën e arsyeve që e bejnë këtë deklaratë krejtësisht të rrejshme, le të mjaftohemi me: nuk ka kuptim. Një shesh, që është një tipar fizik i mjedisit urban, mund të këtë vlera sociologjike ex post facto, por nuk mund te jetë kurrë as shkaktar dhe as pasojë direkte e një procesi komb-formues.

I vetmi zgëq prej nga mund të jetë nxjerrë një murtajë e tillë logjike, vdekjeprurës për çdo lloj argumenti serioz, është Adrian Guma. Guma ishte një shkrimtar relativisht i njohur i viteve tridhjetë, goxha i njohur në jetën mundane të kohës për shkak të gjuhës së tij tepër të mprehtë. Fjalia e parafrazuar mësipër thuhet të jetë thënë prej tij pas ceremonisë së përurimit të bulevardit kryesor të Tiranës. Ai vrau veten në fillimnëntor të vitit 1944, pak orë para hyrjes së Ushtrisë Nacional-Çlirimtare në qytet. Ose do t’a kishte bërë diçka të këtillë, sikur Adrian Guma të mos ishte personazhi kryesor i Nëntori i një kryeqyteti të zotit Ismail Kadare, një meta-Dhimitër Pasko. Në atë roman, shkruar për një konkurs letrar me rastin e tridhjetë-vjetorit të Çlirimit, autori ia vesh autorësinë e frazës gazetave të kohës[ii]. Rastësisht, shoh se një gazetar, Alex Crevar, gjatë një interviste me zotin Edi Rama, ia vesh një arkitekti të huaj të pranishëm[iii].  Pak rëndësi ka.

Copëzat e çoroditura të fjalëve, soundbites-at, e zotit Veliaj janë detyrimisht me prejardhje të vjetër dhe të dyshimtë për shkak të qasjes së tij ndaj së ardhmes së Shqipërisë.  Mungesa e një vizioni për qytetin apo për vendin prej tij është po aq e qartë sa nevoja patologjike për të ngjitur shkallët drejt zyrës në katin e dytë të ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Një anti-estet përballë një kryeministri pseudo-estetik, zoti Veliaj nuk e njeh gjuhën pamore dhe atë gojore të shndërrimit. Ai mjaftohet me lyerje-mbjellje-korrje-prashitje në çdo pëllëmbë gjelbërimi të ngelur dhe balline në kryeqytet, në thelb një shumëfishim i planit rinovues të një kryetari njësie bashkiake. Përsa i përket pjesës tjetër, është i lumtur të presë për udhëzime nga lart dhe nga jashtë, prej nga dhe paaftësia dhe pagëdhendja spektakulare e administratës tiranase që pasqyron Dr. Vincent van Gerven Oei[iv]. Kontrasti, mrekullues dhe njëherazi tmerrues, i një vizioni të paqenë afatgjatë dhe një ligjërimi shpeshherë budalla me rrjedhojën një popullaritet të konsiderueshëm, është gati i pabesueshëm. Stafi propagandistik i zotit Veliaj në bashki shfrytëzon maksimalisht këtë komunikim foshnjëror, thjeshtëzues dhe përsëritës për të goditur sa më shumë qendra nervore të publikut që ndjek heroin e tyre me pancir vezullues.

Taktika e kryetarit të Bashkisë së Tiranës konsiston, në thelb, në: copëzimin e një projekti bashkiak të punëve botore në elementët e tij përbërës, e pastaj reklamimin masiv të atyre elementëve individualë. Fjala vjen, një vendim i thjeshtë i Këshillit Bashkiak për riorganizimin e pjesshëm të disa linjave të autobusëve qytetas prodhon një plejadë të tërë fotografish. Thua se njohja e asaj aboneje lumëmadhe do të lehtësojë blerjen për klientët, si në pika hermetike shitjesh apo në çmime gjithnjë në rritje. Thua se, ata tre-katër autobusë të rinj – një rini relative, tipikisht shqiptare, meqë gjithkush blen veçse stokun e vjetër të disa qyteteve europiane – qenkëshin blerë me fonde publike  (ha ha ha!) apo se shoqëritë e transportit urban paskan përftuar ulje taksash dhe shtysa të llojeve të tjera për të modernizuar flotat përkatëse (e padëgjuar ndonjëherë në analet e praktikës shqiptare!). Në këtë mënyrë, po ai manipulim i mjeteve të komunikimit, mundohet të mbulojë me shoshë mungesën e ndryshimit real dhe amullinë e zgjatur të aglomeracionit të Tiranës.

Këtu kthehemi tek çështja fillestare, ajo e talljes me praktikat e lartpërmendura, të cilat mundohen fort të paraqesin një realitet që nuk gjendet askund përveçse në mendjen e autorëve të tij. Kuptimi (realisation), në rastin konkret, nuk do të përkthehet automatikisht në ndëshkim, madje nuk ka asnjë të dhënë që të sugjerojë se zoti Veliaj ka ndonjë pengesë, tani për tani, në monopatin e tij të vetmuar drejt zyrës kryeministrore. Megjithatë, nel mezzo del cammin di sua[sic!] vita, zoti Veliaj është provë e gjallë e kufizimeve të cilitdo aparat propagandistik, edhe atij më të sofistikuarit, në epokën e shpërhapjes digjitale të informacionit. Mjafton të lexosh seksionin e komenteve në cilindo postim në faqjen e zotit Veliaj në Facebook. Qasja dorërëndë ndaj kontrollit mediatik në veprimtarive qeveritare, events, ka shtyrë një pjesë të shtypit drejt demaskimit të photo opportunities të zotit Veliaj.

Së fundmi, ajo çka është absolutisht e pamundur për t’u fshehur në çfarëdo kohe apo vendi, është cilësia aq për të dëshiruar e oratorisë publike të zotit Veliaj në raste disi më formale. Grumbullit të zakonshëm të xhevahireve passive-agresive ndaj opozitës dhe të shkishëruarve të shoqërisë civile , i shtohen shpërthime sikofante të përmasave – sërish –  totalitare, të cilat nuk ka burrë proverbial nëne që t’i redaktojë për t’i sjellë sadopak në vete[v]. Këto janë apolitike, të dëmshme për imazhin e tij tek votuesit potencialë (jo se ky është  shkak kryesor i prishjes së gjizës tek dyqanet e bulmetit të Pazarit të Ri të sapopëruruar) dhe, me gjithë ndershmërinë e mundshme, patetike për një politikan të 2017-s.

Për të parafrazuar: “Kur ke aq pak shije, sinqeriteti bëhet mëkat.”

 


[i] https://goo.gl/i6FzOW

[ii] http://shekulli.com.al/p.php?id=210336

[iii] http://www.mapo.al/2015/08/tirana-e-lire-nga-e-shkuara-komuniste-qytet-i-transformuar/1

[iv] http://www.berfrois.com/tag/vincent-w-j-van-gerven-oei/

[v] http://www.syri.net/politike/47792/nuk-eshte-shaka-veliaj-rames-je-supermen-fluturon-nga-tamara-ne-tirane-nje-zot-e-di-si-ja-ben/

 

3 Komente

  1. Ne dallim nga Rama qe ishte pjelle e A. Franges dhe D. Hoxhes, ky eshte pjelle ojq-je. Andaj disa oq-ra e ojq-ra, amerikane sidomos, i bejne temena ketij. Organizojne gjasme panaire per pune apo shkolla jashte shtetit qe jane faktikisht marketing politik per fushaten e merzitshme te ketij.
    Keto krijesa apolitike perdoren si sfond per interesa oligarkesh, sic edhe i kemi vene re ne punet e tyre.

  2. Para shume vitesh une shkoja ne nje grup njerzish qe benin filma te shkurter. Copa-copa, si i themi shqip, por s.d.q. cdo vit i benin me buxhete shume te vockla dy-tre filma ne vit. Ai qe kish themeluar grupin para disa vjeteve dhe qe drejtonte ato mbledhje te permuajshme, u kritikua rende nga dy-tre te tjere dhe keshtu dha dorheqjen. C’beri i riu me shume? Nje vere ne uje, sic i thone shqip. pra asgje me shume. Keshtu dhe puna e Erjonit. Ky vertet po ben dicka per Tiranen. Mendoj se persosur nuk i ka gjerat, aq me teper me ato pompimet alla mediale qe e ngrene ne stratosfere, por s.d.q., mendoj se mendimi per ta hequr dhe zevendesuar me nje tjeter, mund te sillte me shume dem se dobi per Tiranen.

  3. Për sa i përket komentit të durimpak-ut, mendoj se rasti i kryebashkiakut të kryeqytetit është më tepër simptomatik i evoluimit të paradigmës së pushtetit në Shqipëri. Saktësisht, të varfërimit të burimeve dhe potencialit shtetëror për të zhvilluar kuadro të përshtatshem për ushtrimin e funksioneve të larta publike dhe zëvendësimin e tyre prej këtyre surrogatëve, shpeshherë të mbrujtur në ideologji dhe besime politike jashtë- apo mbi-shtetërore. Të dyja këto të fundit nënkuptojnë një dobësim të rolit të Republikës që, gjithnjê sipas meje, është ndër të fundmet gjëra në dobi të vendit sot për sot.

    Ndërsa përsa i përket asaj që thotë r.th., analogjia nuk qëndron aspak. Nuk ka në esenë time, e nuk do të mund të kishte, asnjë thirrje për dorëheqjen apo zëvendësimin e kryetarit të Bashkisë. Shkrimet e mia nuk janë të shtyra nga konvencionet e politikëbërjes kryeqytetase, por vetëm nga vrojtime dhe besime vetjake, që më rezultojnë të kenë pak ose aspak jehonë në një rreth më të gjerë lexuesish. Edhe sikur t’a kishin patur, vrimat në ujë apo ujërat në verë të mëtuesit të lartpërmendur të postit drejtues në kolektivin (ju lutem të shpërfillni ngjyrimin lokal të fjalës) e filmave me metrazh të shkurtër dhe ato të miat kundrejt zotit Veliaj, vështirë se bashkëndajnë të njëjtin plan.

    Natyrisht, një veprimtari, edhe një e tillë e papërsosur (po parafrazoj r.th.-në këtu) si e zotit Veliaj, është padyshim më mirë se letargjia e viteve të z.Basha. Ky i fundit, sidoqoftë, nuk ka për të pasur kurrëfarë ndikimi afatgjatë në klasën politike sepse nuk përfaqëson as edhe një mendim të vetem origjinal politik. E sikur të mos mjaftonte imitimi i zbehtë e jo-karizmarik i një berishizmi bashkëkohor e pak më të moderuar – që mund të ishte bërë po aq mirë nga zotërinjtë E. Selami, T. Shehu apo G. Pollo kurdoherë mes viteve 1997 dhe 2004 – zoti Basha është toksik si model për shkak të mungesës së suksesit elektoral, po të mos duam t’a quajmë politik.

    Zoti Veliaj është qartazi kandidati kryesor për të formuar një qeveri me shumicë socialiste pas mbylljes së ciklit aktual politik. Jo vetëm aq, por ai është modeli më i dukshëm i një të riu (pothuajse) post-komunist, i formuar jashtê vendit (në SH.B.A.) dhe me angazhim jashtë-partiak (reklamuar si qytetar) gjatë një pjese të konsiderueshme të karrierës së tij politike. Nëse ka një personazh të skenës politike, që ka ngjasë të ndikojë të riun apo të renë e sotme shqiptare, është zoti Veliaj. Kjo është arsyeja (dhe arsyetimi, në vija të trasha) pse mua ai njeri më ngjan aq i rrezikshëm për të afërmen e mesme të vendit.

    Me pak fjalë: mungesë e një nocioni dhe një filozofie të shtetit, kualifikime akademike të diskutuara e të diskutueshme, sjellje të papranueshme me tipare autoritare kundrejt qytetarëve të thjeshtë dhe grupimeve opozitare të shoqërisë civile, si dhe një prostituim i paturp i hapësirës publike dhe pronës publike për interesa klienteliste. Zoti Veliaj nuk mund të pritet të ndryshojë një strukturë të tërë oligarkike vetëm, por nuk mund t’i falet kthimi në një prej mundësuesve kryesorë dhe përjetësuesve të një realiteti që e shpie Shqipërinë drejt një lëngate gjithnjë e më të gjatë.

    Informimi i një pjese sado të kufizuar të publikut, e cila bie dakord ose kundërshton me forcë interpretimin tim subjektiv, është i vetmi qëllim i ndëhyrjes sime në debatin publik.

Lini një Përgjigje te durimpakuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin