TË ZBATOSH A TË MOS ZBATOSH

Këto ditë është kthyer vëmendja e opinionit për përgjegjësinë morale të shkrimtares Diana Çuli ndaj dënimit me vdekje të Genc Lekës; dhe pikërisht ngaqë Çuli ka bërë, me kërkesë të hetuesit të Degës së Punëve të Brendshme në Librazhd, ekspertimin letrar të poezive dorëshkrim të Lekës; duke hartuar një akt-ekspertim që pastaj rezulton të jetë përdorur dhe cituar në gjyqin kundër Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit në 1977.

Veçanërisht i ashpër po tregohet këto ditë shkrimtari Agron Tufa, sipas të cilit “Diana Çuli ka luajtur një rol fatal në pushkatimin e poetit Genc Leka.”

Mua ky përqendrim i akuzave te Çuli, për një proces gjyqësor dhe ekzekutim të bujshëm të orkestruar nga regjimi i Hoxhës në vite ashpërsimi maksimal të luftës së klasave, më duket të paktën i ekzagjeruar; aq më tepër që Genc Leka dhe vëllezërit Blloshmi u dënuan për pjesëmarrje në një grup armiqësor që synonte sabotimin ekonomik dhe përmbysjen e “pushtetit popullor” (pjesë nga vendimi i gjyqit gjenden këtu).

Ekspertiza e Çulit e shumta mund të ketë ndihmuar për të konfirmuar disidencën politike të Lekës, çfarë nuk do të mjaftonte, në vetvete, për dhënien e dënimit me vdekje.

Këtë sqarim mund ta bënte më mirë një jurist, me njohuri profesionale për sistemin penal të shtetit totalitar.

Nuk do shumë mend që një gjyq i kësaj natyre ishte menduar që të shërbente si gjyq shembullor, ose për të ilustruar kapacitetin e organeve të “diktaturës së proletariatit” për dhunë kundër armikut të klasës; fatet e të pandehurve ishin vendosur tashmë – meqë vrasja e tyre do të shërbente edhe si ndëshkim edhe si sinjal për të tjerët.

Në këtë mes, kërkesa e hetuesisë për ekspertizë të poezive dorëshkrim që i janë gjetur Lekës duket sikur provon natyrën teatrale të këtij gjyqi, i cili shndërrohet tashmë edhe në mishërimin skenik të nivelit të lartë dhe të regjisuar me kujdes të parimit të luftës së klasave në praktikë. Organet e pushtetit nuk kishin nevojë për interpretimin e poezive dorëshkrim, që të jepnin dënimin maksimal; por e kishin përfshirë analizën letrare për konsum të publikut, ose për terror.

Prandaj akt-ekspertimi i poezive nuk mund të gjykohet si diçka që kontribuoi sado pak në vrasjen e paralajmëruar të Lekës dhe të Blloshmit, nga ana e organeve të diktaturës; por vetëm si pjesë e koreografisë dhe spektaklit politik, juridik dhe ideologjik.

Në fakt, po të nisej nga mënyra si procedohej në raste të tilla, Çuli vështirë të ketë dalë vullnetare, ose të jetë ofruar për ta kryer ekspertizën: thjesht ia kërkuan ose “propozuan” zyrtarisht. Dhe meqenëse kjo ishte një redaktore që sapo kish filluar punën në gazetën “Drita”, ata që e zgjodhën, nuk është se u udhëhoqën nga ndonjë kriter mirëfilli profesional. Vendimin se kujt do t’i ngarkohej ekspertimi do ta ketë marrë ndoshta një organ i rangut të Kryesisë së LSHA-së, por gjithnjë sipas urdhrit, porosisë ose orientimit nga Organizata-Bazë e Partisë në LSHA dhe në ndonjë organ partiak edhe më lart, si Komiteti i Partisë i rrethit të Tiranës. Redaktores së re vetëm sa ia kanë kaluar këtë “patate të nxehtë”, me bindjen se ajo nuk do ta refuzonte dot.

E kam të vështirë të përfytyroj drejtues të lartë të LSHA-së, si Dritëro Agolli ose Ismail Kadareja që të merrnin përsipër ekspertiza të tilla për llogari të një gjyqi politik.

Një punonjëse e re, si Çuli (për më tepër grua në një mjedis të dominuar nga burrat, si ai i letërsisë dhe i arteve), së cilës i ngarkuan një detyrë kaq delikate, është gjendur në krye para dilemës nëse duhej ta pranonte apo jo këtë detyrë “nga lart”; dhe më pas, para dilemës tjetër se çfarë të vinte në këtë akt-ekspertizë.

Ne që e gjykojmë sot këtë punë, jo gjithnjë bëjmë dallim midis aktit (e bëj/nuk e bëj) dhe përmbajtjes së ekspertizës (rënduese/lehtësuese); por pa këtë dallim, edhe përgjegjësia morale e palëve nuk do të kuptohet dot.

Për të gjykuar drejt sa hapësirë lirie individuale kishte realisht Çuli përballë kësaj kërkese për t’u bërë pjesë e një hetimi dhe gjykimi penal por në thelb politik, na duhet të kujtojmë se, brenda sistemit të atëhershëm, pranimi i një kërkese zyrtare nuk kish të njëjtën peshë me refuzimin; meqë prej Çulit, si prej kujtdo tjetër, pritej që kërkesa të tilla t’i pranonte, ndërsa refuzimi do të duhej shpjeguar me hollësi, meqë perceptimi i tij i pandërmjetëm do të ishte si akt armiqësor ndaj regjimit vetë.

Kjo do të thotë se pranimi riprodhonte raportin e qytetarit me pushtetin, në trajtë rituali: autoriteti të kërkon diçka dhe ti e pranon këtë, duke u konformuar: përgjegjësia morale këtu kufizohet me detyrimin politik për të zbatuar urdhrin, brenda një regjimi policor.

Një krahasim me votën dhe votimin në totalitarizëm mund të ndihmojë: të gjithë ne që kemi votuar për deputetët e asaj kohe, nuk e bënim me vetëdijen se po merrnim pjesë në riprodhimin e demokracisë “popullore”, por ngaqë pritej që të votonim, ose ngaqë nuk kishim alternativë të arsyeshme; nëse vota vetë kishte natyrë rituale, refuzimi për të votuar merrte menjëherë valencë politike katastrofike, madje do të ndëshkohej edhe më rëndë se vota “kundër”, meqë do të interpretohej si refuzim jo i kandidatit, por i vetë sistemit.

Çfarë do të thotë se Çuli, si çdo qytetar tjetër, nuk ishte e lirë për ta refuzuar kërkesën delikate që i erdhi nga një autoritet; dhe kjo mungesë lirie e kufizon vetvetiu edhe përgjegjësinë e saj morale.

Aq më tepër që kjo ekspertizë iu kërkua dikujt që nuk ishte asesi ekspert për analiza të tilla, po të kemi parasysh që Çuli atë kohë sa kish nisur punën si redaktore te një gazetë letrare; prandaj , edhe sikur të gjente aq kurajë në vete sa ta refuzonte këtë detyrë, ekspertiza do t’i kërkohej dikujt tjetër; dhe refuzuesja vetëm sa do të merrte ndëshkimin përkatës.

Madje jo vetëm kaq: refuzimi i Çulit mund t’i shërbente integritetit të saj vetjak, por nuk do të ishte sinjal as shembull i ndonjë disidence a vetë-martirizimi, meqë gjithçka do të konsumohej larg syve të publikut, në dhomat e mbledhjeve të organizatës-bazë dhe në zyrat me hekura burgu të Kuadrit.

Pasi e pranoi këtë detyrë, Çuli do të jetë përballur me një dilemë tjetër: çfarë të shkruante në analizën e saj? Gjasat janë që t’ia kenë diktuar në vija të trasha përmbajtjen, ose çfarë priste “Partia” prej saj, si eksperte e improvizuar që të shprehte në dokument. Mbase do t’i kenë thënë edhe që autori i këtyre vjershave është armik, kulak, etj.; dhe se pikëpamjet e tij armiqësore i ka shprehur ose më mirë “kamufluar” në vargje; prandaj ekspertiza do të ishte test edhe për vetë “eksperten.”

Një zgjidhje alternative do të ishte, në këtë situatë, që Çuli të thoshte se nuk gjente asgjë subversive ose armiqësore në poezitë e Lekës; çfarë do të shkaktonte edhe fundin e karrierës së saj si punonjëse te “Drita”, por edhe të ëndrrave të saj për t’u bërë dikur shkrimtare. Por një ekspertizë e tillë në favor të poetit nuk do të arrinte kurrë deri në sallën e gjyqit: Partia do ta kish gati një ekspert tjetër, për të zënë vendin e lënë bosh nga Çuli; ndërsa ekspertiza “e butë” do të zhdukej pa lënë gjurmë dhe ne sot nuk do të diskutonim për të, sepse as që do ta dinim se ishte bërë.

Kjo do të thotë se sido që të vepronte Çuli, vendimi i saj objektivisht nuk do të kish ndonjë ndikim në fatin e poetit Leka dhe në dënimin e tij si “armik i popullit”; meqë ky fat ishte vendosur tjetërkund; e shumta do të kish ndikim në ndërgjegjen e saj morale.[1]

Ekspertizën për të cilën flas do ta gjeni të riprodhuar këtu; duke e lexuar, më shkoi në mendje se gjuhë shumë më e ashpër, me terma ku e ku më të rënda, është përdorur kundër një numri të madh shkrimtarësh dhe artistësh të asaj kohe, të cilët pastaj kanë shpëtuar me ndonjë vërejtje ose masë administrative; por pa rrezikuar kurrë plumbin. Enver Hoxha shkoi deri atje sa ta akuzonte, publikisht, Xhevahir Spahiun si ndjekës të ekzistencializmit të Sartre-it në poezitë e tij; e megjithatë, Spahiu nuk besoj se u kërcënua ndonjëherë me burg e aq më pak me pushkatim. Ma merr mendja edhe se “ekspertiza” të tilla bëheshin shpesh aso kohe; LSHA-ja njihej si fole nepërkash dhe akrepësh; ku kurrë nuk mungonin provokatorët dhe të provokuarit, spiunët dhe të spiunuarit, denonciatorët dhe të denoncuarit, akuzuesit dhe të akuzuarit; shpesh po ata.

Krimi i regjimit totalitar me Lekën dhe Blloshmin, si edhe me të gjithë të tjerët të dënuar me vdekje ose me burg për arsye politike dhe ideologjike, nuk duhet përfshirë, gjithsesi, në një kategori me shkeljen e të drejtave dhe të lirive qytetare nga ky regjim, përfshi këtu edhe lirinë e fjalës dhe të mendimit, ku hyn edhe liria e krijimtarisë; madje edhe në rrethanat kur shkrimtarët dhe artistët kanë qenë nga ata që janë goditur përpjesëtimisht më ashpër se të tjerët, nga dhuna dhe terrori totalitar.

Tufa dhe të gjithë ata që duan t’ia gjejnë rrënjët këtij terrori, ndoshta do të bënin mirë të përqendroheshin në rolin dhe përgjegjësinë e Organizatës-Bazë të Partisë së LSHA-së, të Komitetit të Partisë të rrethit të Tiranës, të Komiteteve të Partisë të rretheve dhe të KQ të PPSh-së, në përndjekjen politike dhe ideologjike të shkrimtarëve dhe të artistëve të Shqipërisë të asaj kohe. Ta përqendrosh zjarrin te një qytetare e përdorur nga sistemi, si Diana Çuli, nuk do të japë asnjë rezultat, madje mund ta diskreditojë vetë besueshmërinë e këtyre përpjekjeve dhe të vërë në diskutim motivet e akuzuesve të tanishëm.

 

(c) Peizazhe të Fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.


[1] Përfytyroj sikur një kërkesë të tillë kaq alarmuese të ma kishin bërë dikur mua, edhe pse unë i përkas një brezi të mëvonshëm, që e nisi karrierën në një kohë relativisht të ndryshme nga vitet 1970; e vetmja përgjigje që mendoj, është se nuk do të lija gur pa lëvizur, mik të familjes e të njohur në pushtet, për ta shmangur; por tek e fundit, ky toksicitet që nuk i ndahej letërsisë dhe arteve në Shqipëri dhe ky rrezik për t’u komprometuar moralisht në çdo hap, ish një nga faktorët që më mbajti larg letërsisë dhe më shtyu drejt gjuhësisë, në vitet e fundit të studimeve. Nga ana tjetër, ngaqë Çulin nuk e njoh personalisht, nuk mund të përjashtoj a priori edhe mundësinë që ajo ta ketë pranuar këtë detyrë me bindjen se po i bënte një shërbim “Partisë dhe pushtetit të popullit”. Por nuk gjej ndonjë zell denoncues tek ekspertiza në fjalë, përtej atij minimumi të nevojshëm që e ka sjellë atë tekst dikur në vëmendjen e gjyqit dhe sot në vëmendjen tonë. Edhe përfundimi i ekspertes, se autori i vjershave “ka një çoroditje të theksuar ideologjike” tingëllon artificial, në mos i diktuar, në gojën e një redaktoreje të re letrare; meqë ekspertët e çoroditjes ideologjike në atë kohë i gjeje tjetërkund.

26 Komente

  1. Interesant, parë që nuk është vrarë njeri, “Dueli” intelektual i A. Tufës me mullinjtë e D. Çulit.

    Meqenëse me të parin jam “allnuar”, nuk ka shumë, – natyrisht për fajin tim, porse me të njeriu edhe mund të grindet lehtë ose ai me njeriun, vështirë të ftillohet kjo; sidoqoftë nuk është ky subjekti i këtij komenti – nuk mund ta verifikoj dot faqen e tij këtu, në FB., pasi kur “allnohem”, unë nuk të hedh më as sytë e kjo është etika ime; porse edhe kjo nuk ka të bëjë me këtë koment.
    Citoj pra nga burime të pasigurta si gazeta “Panorama”, që nuk dihet të ketë as kjo, nga ana e saj, ndonjë status besueshmërie, citoj pra, (siç edhe z. Tufa për z. Çuli vetëm citon ca dosje), citoj vetëm atë që gjej të shkruar, parë që aty nuk paskam qenë, si kur paskësh ndodhur ky mini-cunami i Tufës, ashtu edhe… nga ana e Çulit nuk shoh as edhe një reagim e kjo më pëlqen goxha.

    Ja pra citimi: “… U kënaqëm shumë dhe u dhamë një mësim etik në distancë të gjithë atyre…” etj.

    Nëse kjo qëndron dhe Tufa e paskësh cilësuar Çulin madje edhe “vrasëse”, atëherë pyetja që më lind mua në këtë rast është: në cilën paradigmë fetare e mbështet Agrona Tufa etikën e tij letrare, pasi ky vetëm që krishterim nuk është, por ndoshta qenka Islam, sipas të cilit Tufa, po të kishte mundur (ndoshta nuk e lë letërsia ta bëjë këtë, etika e saj, po a ka, a mund të ketë letërsia një etikë të sajën, të mëvetshme?!) Tufa pra do t’ia kishte prerë kryet Çulit. Nëse nuk na qenkësh kështu edhe Islami i vërtetë, atëherë mund të vijonim me të tjera fe e besime fetare: ka rreth 5000 besim fetare e sekte në këtë botë. Mbase atëherë do të mund ta ftoja duelantin Tufa në ndonjë dialog të mundshëm për etikën – të pamundur, duhet shënuar këtu, pasi, siç e shënova në krye, jam allnuar me të.

    Ndoshta mund t’i kujtohej z. Tufa këtu që me etikën e tij ka ndihur të tjerë kolegë përkah depresioni e ndoshta edhe kah vetëvrasja, mirëpo këtë unë nuk mund të marr përsipër ta pohoj e do të më vinte turp edhe ta mendoja, pasi etika ime është një tjetër nga ajo e tufës, ndaj dhe nuk mund ta quaj tjetrin thjesht e kot kështu “vrasës” a “Judë”, për gjëra që nuk kam nga t’i di dhe fundja nuk është se më hyjnë as në xhep.

  2. Shkrim i perkryer! Artikulli tregon nje njohje kaq te thelle te asaj kohe te mallkuar, dhe mbi te gjitha e vendos gishtin te vrasesit e vertete, dhe jo te shkrimtarja Diana Culi, sikurse ben z. Tufa me shoke, ne menyre thellesisht te pandershme dhe ziliqare.

    Shoqeria jone duhet te mesoje t’i dalloje qarte “vrasesit e vertete”, dhe te mos perndjeke kot me kot te tjera viktima te atij sistemi vrastar. Respekte per gjykimin tuaj te ftohte dhe racional!

  3. Problemi qendron tek pandeshkueshmeria e krimeve te komunizmit. Zonja perderisa ka vijuar te mbaje nje profil publik duhet te kishte reaguar per ate qe ka ndodhur, pavaresisht nese ka pasur apo jo nje ndikim te drejtperdrejte mbi denimin me vdekje (qe edhe une e gjykoj si Z. Vehbiu ketu ne shkrim, ka qene vetem pjese e dokumentacionit te duhur per te plotesuar dosjen e tyre). Kete reagim e lidh sidomos me figuren e saj femerore dhe memesore, jane gjera te renda per t’u mbajtur ne ndergjegje dhe per te vazhduar rrugetimin tend si individ duhet te pranosh gabimet e pastaj t’u japesh mend te tjereve dhe te perhapesh dije…. Dhe te jem e sinqerte, sa here e shoh emrin e saj si eksperte te ceshtjeve gjinore (!!!!) neper lista projektesh, me vjen habi dhe me kujton zyshen time te marksizem-leninizmit qe pas Marsit te vitit ’97 na u kthye ne zysh sociologjie!!

    Keto jane pasojat e asaj ‘luges me corbe te prishur’, duhet te ishte kuruar me pare, per veten e saj, jo per njerez si Agron Tufa apo te tjere….

    1. Ndëshkimi i krimeve të komunizmit – sa i nevojshëm për ne si shoqëri, por edhe sa i pamundshëm. Kërkon një autoritet moral, që ta frymëzojë dhe ta zbatojë; por mediat dhe politika kanë një çerek shekulli e më shumë që veç shkatërrojnë çdo lloj autoriteti moral që guxon t’i krijojë probleme statu quo-së dhe pikërisht: dy-partitizmit, ose polarizimit. Vetëm duke përdhosur dhe shkatërruar autoritetet morale mund të normalizohet pisllëku që sundon sot politikën. Aq problematike është kjo, sa sot po bëhet e pamundur edhe thjesht të shpjegosh se çfarë është autoriteti moral, si i pavarur nga paraja, pushteti dhe krimi.

      1. Jam me teper se dakord me ju, rrenja e te gjitha atyre qe vuajme sot eshte tek paaftesia qe treguam per te rindertuar shtetin pas komunizmit. Ishim pjese e historise ne vitet e ndryshimit te madh, por nuk mund te them qe duhet t’i njohim vetes ndonje arritje, nuk u beme dot patriote aq te mire sa Rilindasit e mirefillte per te cilet mesuam ne shkolle…

  4. Eshte per te ardhur keq qe nje ngjarje kaq e rende qe duhej te ishte objekt analizash te thella per te nxjerre ne pak monstruozitetin e regjimit te shkuar, eshte katandisur ne kete far soj lufte gjelash. E nisi i ndjeri Zyhdi Morava qe per nja dhjete pesembedhjete vjet foli e i tundi neper tribuna “ekspertizat” ne fjale deri sa nje dite, nuk e di se çfare pa ne enderr, u ngrit dhe doli rrugeve te mbledhe firmat e duhura per ta propozuar Diana Çulin per çmimin Nobel. I mbylli dokumentet e vdiq i qete. Kerkoni se jane ne gazeta keto.
    Tani Agron Tufa eshte djale me mend, e duhej ta kuptoje se keto pune shkojne shume me larg. Madje jane botuar edhe dokumentet ku ka dale qarte se kjo nuk eshte pune Diane,madje as pune hetuesi e bile nuk eshte as faji i gjyqit qe u be. Dihet mire se Sotirt Koçollari, ne mos gaboj quhej sekretari i partise se Librazhdit, thirri perfaqesuesit e deges se brendeshme e te gjyqit e u tha se “ata duhen pushkatuar”, kjo madje qe pa u mbyllur hetimet.
    Qe Koçollari nuk kishte kellqe per urdhera te tilla kjo dihet, pra filli shkon shume lart. Shume shume lart.
    Familja e dy poeteve gezonte emer ne ate zone dhe te paret e saj kishin autoritet mbi njerzit. Dukej, dikujt qe strehohej atyre maleve ne Galigat e gjetiu, gjate operacionit te dimirit te ’43 kjo nuk i kishte pelqyer shume. Pista eshte e qarte.
    Tani t’i qepesh Diana Çulit, me duket edhe si mungese vullneti per te kuptuar te verteten dhe per pasoje si mungese respekti per ata dy djem, ulet shume roli e personaliteti tyre duke i paraqitur si viktima te rendomta te nje recensioni ekstertizues banal.

  5. nuk eshte justifikim qe dikush duhet ta beje.. kjo pune eshte si teoria e kaosit, askush nuk e di nese veprimi i tij eshte shkak apo sesi do te jene pasojat e veprimit te tij… a ka qene e moralshme ne ate kohe? Nuk e di. Por besoj se raporte te tilla jane bere edhe ndryshe kur eshte dashur te mbrohen individe, edhe pse rezultati ka qene i paracaktuar, sikur te tjera deshmi apo analiza qe permendi edhe z. Vehbiu, te cilat kane qene me te ashper.

    Po e shoh nga kendveshtrimi im. A duhet te behem une sebep? Qofte edhe i perceptuar si i tille?

  6. Te thuash se “zbatoi urdherin” eshte justifikim i te keqes , edhe pse ne ate sistem ,bindja dhe nenshtrimi ishin “normalitet” . Problemi duhet analizuar ne termat morale te pergjegjesise individuale, te aftesise per te menduar e gjykuar sipas imperativave kategorike kantiane.
    Qe dy poetet nuk u denuan thjesht si te tille por si “sabotatore” nuk lehteson dhe justifikon “Banalitetin e se keqes” te ” ekspertes”.
    Nuk kishte alternative? Dilema: nje kariere komode me cmimin moral apo nje jete e qete pa brerje te ndergjegjes, ta sugjeron vete alternativen . E gjitha eshte ceshtje zgjedhjeje.Liria eshte pergjegjsi morale.

    1. Arsyetimi juaj mbështetet në premisën se bëhet fjalë për individë, në kuptimin e sotëm të fjalës; në një kohë që kjo duhet diskutuar. Mua më rezulton që, në të shumtën e herëve, individi nën totalitarizëm u nënshtrohej lidhjeve familjare dhe detyrimeve sociale, çfarë shërbente edhe si parakusht për funksionimin e vetë pushtetit. Kur dikush udhëtonte jashtë Shqipërisë dhe instinktivisht tundohej për të qëndruar aty, ishte detyrimi ndaj familjarëve që e bënte të kthehej (përndryshe familja e tij do të paguante). Një individ edhe mund ta merrte në sy dhe të rebelohej kundër regjimit, kur nuk e bënte dot, po ta dinte se kjo do t’i kushtonte shtrenjtë vëllait dhe motrës, fëmijëve të tij të vegjël, gruas së tij, prindërve të tij. Në rrethanat kur përgjegjësia individuale shpërndahej në këtë mënyrë, nuk mund ta trajtojmë tjetrin si individ me agjenci autonome për të marrë vendime “të lira”; sepse nën totalitarizëm individi sillej si dikush që ia kanë marrë banditët peng njerëzit e vet më të dashur. Edhe nga pikëpamja juridike, edhe nga pikëpamja sociale, individi i nënshtrohej kolektivit, familjes dhe të gjitha atyre lidhjeve horizontale dhe vertikale, të cilave ua detyronte pozitën e vet. Kjo bënte që shpesh vendimi që do të merrte dikush të dihej paraprakisht, duke u deduktuar nga “qenia e tij shoqërore” – ndërsa integriteti moral ishte anuluar që në strukturën e marrëdhënieve shoqërore. Aq më tepër, vështirë se mund t’ia mbajmë dikujt si deficit moral ngurrimin për t’u martirizuar në rrethanat e atëhershme.

    2. Qe dy poetet nuk u denuan thjesht si te tille por si “sabotatore” nuk lehteson dhe justifikon “Banalitetin e se keqes” te “ekspertes”.

      E vërtetë, kjo nuk e justifikon as Çulin, as “banalitetin e së keqes” te veprimi i saj. Por kjo nuk justifikon as banalizimin e së keqes, së krimit që u bë ndaj dy poetëve në emër të komunizmit, duke i përqëndruar akuzat vetëm te Çuli, siç bën sot Tufa në emër të anti-komunizmit.
      Duke ia ngarkuar vrasjen Çulit, çfarë ngelet pastaj për tu thënë komunistëve të organizatës bazë, sekretarëve të partisë, hetuesve, prokurorëve dhe gjykatësve dhe maskarenjëve të tjerë të përlyer në këtë krim? Se mos na dalin këta të fundit “viktima naive të sistemit” (apo të Çulit) pastaj…

      Lustracioni po u bë kështu (në u bëftë ndonjëherë në Shqipëri!), ka rrezik që të filloj e të mbaroj me fuksat e lagjes dhe me gardianët e burgut, vrimat e fundit te kavallit.

      http://www.gazetatema.net/web/2017/03/04/agron-tufa-perplaset-me-diana-culin-ke-firmosur-per-vrasjen-e-dy-poeteve-anulohet-aktiviteti/

      1. I ndoqa ne emisionin Top Story dhe ,cfare te thush! Trishtim i madh! Dolen dhe “ekspertiza”te tjera per te cilat nuk flitet. Ndoshta nga qe me te vdekurit nuk flitet.Doli dhe nje goxha liste me ekspertiza per rastin e Trebeshines.Jane 120 “ekpertiza ” tha Tufa.Po sa shkrimtare ,aktore,piktore,muzikante etj. mund te jene me dosje?
        Berisha dicka ka ditur kur tha te famshmen “Te gjithe bashkefajtore,te gjithe viktima” .
        Po edhe hetuesi, dhe prokurori ,dhe gjykatesi punen e tyre kane bere.Kishte cecua bicak dhe te gjithe shkonin si dhente ne shtrunge . Ja keshtu e relativizuam te keqen. Fajtori mbetet ish sigurimsi me rrjetin e bashjepunetoreve te cilet fabrikonin akuzat per te shinjestruarit prej tyre.
        Kohe e veshtire.Sado ta relativizojme te keqen,pergjegjesia personale mbetet.
        Operativi ,hetuesi, prokurori, bashkepunetoret, deshmitaret etj. e rastit ne fjale, ndoshta ngaqe jane terhequr ne jeten private ose jane anonime, jane lene ne heshtje.
        Culi eshte ne aktivitet publik.Kjo e ve para detyrimit per nje mea culpa publike,edhe pse ka qene pjese e nje mekanizmi dhe e perdorur.
        Ekspertiza e dy profesoreve, sipas deklarimeve ne Top story, ishin me te permbajtura.Ja kjo eshte diferenca dhe hapsira teper e ngushte e manovrimit te individit te marre peng nga diktatura.Te beje skifterin apo te ishe i vetpermbajtur, te beje radikalin per qellime kariere apo verberie ose te beje “leshkon” ,kjo ishte ne dore te individit.
        Tufa trimerohet per arsye qe ai i di sepse Culi aty ka qene ,ne politike dhe aktivitete publike si shkrimtare.
        Me shume duket si gjueti “shtrigash ” sesa dicka parimore per katharsis te shoqerise.

  7. Jo, martirizimi eshte forma me ekstreme e manifestimit te integritetit moral.Dhe nuk po bej moral per akte martirizimi.Jam dakort mesa thoni kur nenvizoni se ne nje shtet policor ,individi pushon se qeni agjenci autonome.
    Por ,nese e shtrijme kete premise ne te gjitha kategorite-spiunet,hetuesit,prokuroret,gjykatesit, sigurimsat,gardianet;toga e pushkatareve dhe ofiqaret partiake ne te gjithe hierarkine, atehere te gjithe dalin te justifikuar. Atehere perse do te duhej lustracioni? Dhe raporti xhelat-viktima humbet domethenien dhe i vetmi xhelat,pra pergjegjes mbetet Njeshi,Diktatatori.Dhe , madje, ironikisht; as personi Hoxha,sepse ai ishte ne nje rol,ne rolin e Diktatoret paracaktuar nga doktrina marksiste.
    Edhe pse individi ishte zhveshur nga liria , mendoj se kishte nje marzh pergjegjsie individuale ne qendrime dhe veprime .
    Kur gjykojme ne terma morale, problemi veshtiresohej edhe nga fakti se ne veprimtarine praktike, kategoria e te mires dhe te keqes , ishin te percaktuara politikisht bardhe e zi . Kurse “e mira” dhe e “keqja” ne nje ekspertize letrare ndermjetsoheshin nga kategorite estetike . Pra kishte nje hapsire manovrimi .
    Perse “Kadare dhe Agolli nuk do ta benin nje ekspertize letrare per llogari te nje gjyqi politik” ? Nga qe kishin nje liri me te madhe si individe , per shkak te statusit dhe pozicionit ne shkallet e hierarkise apo nga integriteti larte moral?

    1. Pyesni:

      Perse “Kadare dhe Agolli nuk do ta benin nje ekspertize letrare per llogari te nje gjyqi politik” ?

      Sepse kishin aq pushtet, sa t’ia kalonin (t’ia rrasnin) këtë angari të shpifur dikujt tjetër.

      Sa për lustracionin, tema është shumë komplekse, për t’u trajtuar këtu; por unë mendoj se është i kotë dhe kushedi do të gjej mundësinë për ta argumentuar dikur; sikurse mendoj edhe se lustracioni i vërtetë do të kryhet atëherë kur të dalë brezi përkatës nga skena.

  8. Se pari, ne linkun e ofruar nga ju mungon arsyetimi i vendimit për Genc Leken. Jepet vetem pjesa për Vilson Blloshmit. Keshtu qe nuk eshte e qarte sa ka ndikuar ekspertiza e Diana Çulit.
    Se dyti, Agolli dhe Kadare nuk linden shkrimtare te shquar dhe denimet e artisteve me ekspertiza kolegesh nuk filluan ne vitet ’80.
    Se treti, hipotezat tuaja për rrethanat e implikimit te zonjes Çuli janë krejt pra vend, pasi eshte ajo vete qe e ka sqaruar qendrimin e saj.
    Se fundi, po, ajo kohe ishte e eger dhe e padrejte, por edhe ne ate kohe pati njerez qe i sherbyen diktatures, por pati edhe qe e refuzuan kete bashkepunim, duke paguar çmimin personal.

    1. Kastriot, po të keni të dhëna të tjera, jeni i mirëpritur t’i sillni. Mua më intereson shumë fenomeni në përgjithësi dhe jo rastet specifike, sepse me këto të fundit merren tabloidët dhe gjykatat.

        1. Pyetja ime i referohej këtij pohimi tuaj:

          [N]e linkun e ofruar nga ju mungon arsyetimi i vendimit për Genc Leken. Jepet vetem pjesa për Vilson Blloshmit.

          Kujtova se mos e kishit dokumentin të plotë, ose mos e kishit parë të plotë gjëkundi. Me sa kam parë unë nga vendimi i gjyqit, atje poezitë përmenden në pjesën e “arsyetimit”, por nuk përmenden në pjesën e “vendimit.”

          Vendimin e plotë e pat botuar Shekulli, në vitin 2011, por sot linku përkatës nuk hapet. E kam kërkuar tani gjetiu, por pa sukses.

          Përndryshe, e kam të qartë që pati shumë njerëz, nën diktaturë, që nuk u konformuan, që refuzuan të konformohen; por edhe mendoj se ky nuk mjafton si argument për të dënuar të tjerët që u konformuan.

            1. Vërtet, por kjo thuhej edhe në atë pjesë të dokumentit që ishte riprodhuar te linku i sjellë prej meje. Madje në arsyetimin e vendimit, shpjegohet gjerësisht se ç’ka qenë ky agjitacion dhe propagandë – siç mund të merret me mend: ata kanë shprehur pakënaqësi ndaj jetës në kooperativë, kanë folur kundër regjimit dhe kanë shkruar poezi ideologjikisht të gabuara.

              Krimet e sabotimit dhe përvetësimit të pasurisë socialiste, për të cilat akuzoheshin Leka dhe Blloshmi, ishin të mjaftueshme për t’u dhënë atyre dënimin me vdekje sipas Kodit Penal të kohës. Megjithatë, duke pasur parasysh disa rrethana të procesit hetimor dhe të gjyqit, mundet edhe që prokurori të mos i ketë pasur provat e nevojshme për këtë; prandaj edhe ka ngulur këmbë tek poezitë, sepse poezitë ishin “provë materiale”, ndryshe nga të tjerat, që mund të kenë qenë “hearsay”, ose të tipit “më tha i thashë”.

              Këtë e them kështu në mënyrë hipotetike, sepse përndryshe nuk mund ta shpjegoj nevojën për të analizuar poezitë në një proces kundër një grupi “armiqësor”, që akuzohej se kish sabotuar dhe vjedhur, madje edhe se kish bërë tentativë për të helmuar fshatarët. Kjo do të ishte njëlloj sikur, ta zëmë, Beqir Ballukut ose Kadri Hazbiut t’u analizonin edhe atyre ndonjë poezi që mbase e kishin fshehur edhe ata gjëkundi.

              Aq më tepër, në mjedisin e provincës fshatare, ku jetonin Leka dhe Blloshmi, poezitë lirike nuk është se ngrinin ndonjë peshë – dhe as e mendoj dot se si mund të përdoreshin si “propagandë kundër pushtetit.”

              Në një nga artikujt e botuar këto ditë – por nuk po më kujtohet se ku – kam lexuar edhe që Genci Leka në fund të procesit gjyqësor “e pranoi fajin e sabotimit”, ndoshta me shpresë se ashtu mund të shpëtonte me burgim të rëndë; fakti që pranoi pikërisht fajin e sabotimit, dhe ajo atë tjetrin aq të përfolur të agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit nëpërmjet poezive, tregon edhe peshën relative të akuzave të ndryshme që ishin sjellë kundër tij. Apo jo? Nëse ai ishte i bindur se dënimi me vdekje do t’i vinte prej poezive, vallë nuk do të pranonte atë faj, dhe jo këtë tjetrin?

  9. Sa herë hapet kjo temë, gjej vështirë të flas diçka. Se pas saj asaj historie më vete, fshihet një histori e tërë përndjekjesh e persekutimi sistemik, e shtrirë ndër vite, me shumë pasoja tragjike, e cila ende s’është bërë e njohur plotësisht, pse janë publikuar vetëm një pjesë e provave dokumentare të kësaj historie, edhe ato të përzgjedhura a të cunguara për ta kanalizuar diku tjetër vëmendjen. E meqë ende më mungojnë tërë provat për të rrëfyer siç duhet për të, më mirë po rrëfej diçka tjetër.
    Nuk më kujtohet mirë në kam qenë në klasë të gjashtë a të shtatë kur nisa për herë të parë të punoja. Ka ndodhur muajve të verës, në përfundim të shkollës, ndaj kjo gjithnjë ma ngatërron mendimin. Kur përfundonte shkolla, gjithnjë e kaloja një muaj kohë në Korçë, tek njerëzit e tim eti. Dhe një nga ato vera, xhaxhai i madh më ftoi një ditë të shkoja ta takoja tek vendi i punës. “Boll u vërtite rrugëve. Hajde të kalosh ca kohë edhe andej,” më tha, ashtu thjesht. Mua më pëlqente të lexoja. Por akoma më shumë t’u hipja këmbëve e të shkoja ku të ma kërciste, duke u harruar tërë ditën me të bredhur qosheve të qytetit. Sidomos kur këto të bredhura më shpinin në ndonjë pemë që sapo kishte pjekur. Por e dëgjova dhe shkova. Në fillim për t’i çuar drekën. Një herë. Dy. Punonte tek njëra nga ato që njiheshin si magazinat e italianit. Një ndërtesë me mure gjigande, me një çati aq të lartë sa më vinte çudi si qëndronte atje lart e varur. Plus që më fuste frikën. Ishte pjesërisht e rrënuar dhe përtokë dukeshin fare qartë gjurmët e panumërta ku pikte uji. Gjysma e magazinës ishte në qiell të hapur. Më vonë mësova se ishte prishur qëllimisht, që të hynte dritë brenda, ndërsa gjysma tjetër ishte e pamirëmbajtur prej vitesh. Ishte pjesë e ndërmarrjes së ndërtimit. Aty përgatisnin skeletet e hekurit për kollonat e betonit.
    Bisedat që bënin punëtorët gjatë bukës më zbavisnin pa masë. Shtroheshin rreth një “tryeze” e mbi ca “ndenjëse” të sajuara, në një dhomëz të ngritur apostafat me tulla, fije llamarine e kompensate, mbuluar lart me llamarina e fije plasmasi, që të mos hynte uji që pikonte brenda në magazinë kur binte shi. Të njëjtën përdornin edhe si dhomë ndërrimi. Hanin e bënin muhabet. Por dreka mbaronte shpejt. Kështu që, për të mos iu ngatërruar nëpër këmbë punëtorëve nga mërzia, xhaxhai – që e drejtonte atë brigadë – më gjeti punë. E nisa duke ndihmuar punëtorët të transportonin shufrat dhe helet e hekurit nga njëri vend në tjetrin brenda në magazinë. Por edhe kjo punë mbaronte shpejt. Dhe unë doja të mësoja. Isha kurioz. Kështu punëtorët nisën të më mësonin si matej, pritej e kthehej hekuri, cila shufra përdoreshin për çfarë e cilat për një punë tjetër.
    Tri vera kam kaluar kështu. Aq më hyri në qejf ajo punë, sa verën e dytë, me të mbërritur në Korçë, shkoja vetë që me mëngjes tek magazinat e italianit. Po ia merrja dorën mirë punës. Helet që prisja, ktheja e përgatisja, ndryshe nga ato të ditëve të para që punëtorët përpiqeshin t’i rregullonin apo i hidhnin fare në plehra, tani montoheshin njësoj si ato që përgatisnin punëtorët e tjerë. Por xhaxhai ma kish ndaluar saldimin. “Të prish sytë,” thoshte. E megjithatë, unë përfitoja nga largimi i tij, kur shkonte në kantieret e ndërtimit për të ndihmuar në montimin e skeleteve të përgatitura, për t’iu lutur punëtorëve të ma mësonin edhe saldimin. Dhe kundërshtimit të tyre ia gjeta anën duke i parë vetë tek saldonin dhe duke provuar ta bëja vetë atë punë, kur punëtorët merreshin me të tjera gjëra. Por, pa një usta mbi kokë, isha i ngathët në atë punë dhe shpesh punoja pa vizore. Kur një ditë më kapi xhaxhai duke salduar, më shau rëndë, mua dhe punëtorët. Dëmi ishte bërë, ama. Jo shumë kohë më vonë u vizitova prapë nga sytë. Problemet e lehta që kisha pasur që fëmijë, tani rezultuan fort të rënduara. E, megjithë mungesën totale të dëshirës dhe kundërshtimin tim asokohe, pas dy-tre vizitave mjekësore, prej gjimnazit vura syze, që s’i kam hequr as sot e kësaj dite.
    Prapëseprapë, ato vera fëminie mbeten nga më të bukurat e jetës sime. Megjithatë, në këtë pikë s’dua ta teproj, se kam përshtypjen se çdokush do të thoshte njësoj për verat e fëminisë së vet. Ende nuk di të them çfarë më pëlqente më shumë, puna me hekurat apo bisedat që bëheshin në kohën e drekës. Ishin njerëz të thjeshtë e të ndershëm. Hanin ngeshëm, cysnin sho-shoqin, shkëmbenin të rejat e fundit, tregonin ndonjë histori tek përtypnin bukë me djathë, domate e qepujka e kthenin nga një faqore rakie, e rastiste edhe t’i qanin hallin ndokujt, i pranishëm aty ose jo. Ndonjëherë qëllonte që brigadës së hekurkthyesve i bashkohej në kohë dreke, “për vizitë”, edhe një pjesë e një brigade tjetër terreni. Në këto raste, edhe pse shtoheshin njerëzit, bisedat bëheshin si më të heshtura. Nuk ishin ato të zakonshmet. Dhe për çudi, hekurkthyesit, që gjenin shkas e thumbonin kur punonim bashkë, në sy të të huajve më lavdëronin sa mirë ia kisha marrë dorën punës. “Pse s’thua, qenka bërë usta!” tha njëherë njëri prej të ardhurve. “Po mirë, pa më thuaj, ç’do të bëhesh kur të rritesh?” m’u drejtua mua. Pa hapur unë gojë, foli xhaxhai: “Ç’të dojë të bëhet,” tha me një zë të thellë, të mbytur e heshti një çast. “Mjaft të mos vjedhë,” tha, duke kthyer kokën lehtë më një anë, “e të mos spiunojë,” shtoi, duke kthyer prapë lehtë kokën më anë tjetër. Ato të thëna m’u ngulën në mendje. Ç’ishte kjo punë kështu? Përse i tha ato fjalë xhaxhai?! Kujtoja se po më fliste mua.
    Më vonë mora vesh se ajo punë s’kish lidhje me ne. Ish një nga ato historitë e shumta të kësaj bote, këtë herë për një njeri që, pasi kishte vjedhur, u kishte vënë gishtin e kishte përfshirë e fajësuar të tjerë, të afërm e të largët, me faj e pa faj, në përllapje pa shfrenim, mjaft që të lehtësonte pozitën e vet. Por kjo është tjetër histori e s’do ta rrëfej tani.

  10. Analiza e zotit Vehbiu eshte shume e mire ne vetvete,por nis nga nje premise e gabuar.
    Premisa e drejte eshte qendrimi i sotem i zonjes Culi ndaj ngjarjes.Kam pershtypjen,se edhe ata qe e sulmojne zonjen Culi,gjithe marazin e kane me qendrimin e sotem te saj (pas renies se diktatures,qe kur doli si ceshtje).
    Kam pershtypjen se qendrimi i sotem i zonjes Culi nuk eshte i drejte.
    Ka bere ate qe ka bere,rrethanat e se ciles zoteri Vehbiu i shpjegon shume drejte dhe shume bukur,megjithate,pavaresisht kontekstit te kohes,DUHEJ kerkuar falje,GJITHSESI.
    Kete nuk e ben zonja Culi.Jo vetem qe s’e ben,por edhe kembengul.Dhe kjo acaron.
    Ky eshte thelbi.Kjo eshte premisa,te cilen zoteri Vehbiu e kupton shume mire,por e injoron.
    Gjithashtu,nuk jam aspak dakord me zoteri Vehbiun, kur flet per dilemat qe na paskesh patur zonja Culi,kur ia paskeshin kerkuar recencen.
    Bile me duket e cudtishme,lehtesia me te cilen flet per kete dileme hipotetike.
    Fakti qe zonja Culi,jo vetem qe nuk ka kerkuar falje,por edhe mundohet te justifikohet,mjafton per te rrezuar poshte argumentin e dilemes.
    Zonja Culi nuk ka patur dilema.Keshtu eshte, zoteri Vehbiu.
    Flm per mirekuptimin.

  11. Mua me duket qe te analizosh fakte e ngjarje te se kaluares me moralin e sotem eshte o nje gabim o nje tentative per mashtrim. Ku e kane moralin gladiatoret, gijotinat, bombardimet e qyteteve ne luften e fundit ?Ne ate kohe te cmendur ishin gati normal ligjet e kohes. Nuk kishte mundesi krahasimi. Kush u rrit ne ate kohe e di shume mire qe analizat e Culit kishin vleren zero. Diktatura per nevoje e per te mbajtur tensionin te larte shkaterronte jete njerezish e familje te tera me lehtesi. Ishte kohe lufte me ligjet e veta te luftes. Ne shkonim ne pune e thoshim “luftojme per ndertimin e socializmit”.

    1. mirafile,nuk eshte ky thelbi i debatit.
      Thelbi i tij,eshte qendrimi qe duhet mbajtur sot,ndaj asaj qe ke bere dikur,pavaresisht kontekstit dhe rrethanave te kohes.
      Une,bie fjala,e kam menduar kete qe thoni ju.E kam menduar veten time,ne ate kohe,ne pozicionin e zonjes Culi.Dhe,po ta ma kishin kerkuar,do ta kisha bere edhe une.Dhe,perkunder asaj qe thote zoteri Vehbiu,pas as me te voglen dileme madje.
      Dhe e dini se pse?! Kam qene adoleshent kur u rrezua regjimi.Familje aspak e persekutuar.Ne te njejtin raport qe kane pasur me regjimin,edhe familjet e zonjes Culi dhe zoteri Vehbiut dhe e mijera e mijera te tjereve.
      Mu desh jo pak kohe,te ndergjegjesohesha per te keqen e regjimit komunist.Dhe keshtu besoj ka ndodhur edhe per shume e shume te tjere si une.
      Analiza e ngjarjeve te djeshme me moralin e sotem,qe thoni ju, eshte tipike bash per ata qe nuk pranojne mekatet e tyre.
      Ja ku e keni shembullin me te qarte,zoteri Vehbiun,i cili flet per dilemat e zonjushes Culi ate kohe.E besoni ju,qe zonja Culi te kete pasur dilema ate kohe?!
      E qe arrin kulmin,kur thote sesi (s)do te kishte vepruar,po t’ia kishin kerkuar vete atij ate ekspertimin letrar!
      Me shume se c’kane bere ne te kaluaren,eshte qendrimi i sotem,qe acaron.
      Qendrimi i sotem,i shume te tjereve,jo vetem i zonjes Culi,eshte i pasinqerte;shpeshhere,tejet fyes ne pasinqeritetin e tyre.

  12. Fjale, akuza, sabotime! Gjithshka si ne kohene atehershme! Duket se Gorbacovi erdhi perpara kohe!
    Materialin kryesor ne kete amulli, recensionin e Diana Culit, e lexova. Ta komentosh, duhet nje carcaf. Jo-po mund ta kish bere edhe pak me te lehte, jo-po nuk i ka renduar shume! Diskutimi nuk ka fund!
    Mendoj se kur flasim per ngjarjen e Genc Lekes dhe Vilson Blloshmit, e para duhet te kemi parasysh se kjo ngjarje eshte mbajtur e fshehte gjate kohes se “socializmit”, sa qe vetem pak njerez nga mileti kishin dijeni permes “pesh-pesh-pesheve”. Shumica e njerezve, perfshi -padiskutim- edhe Agron Tufen, e kane degjuar kete histori ne kohen e sotme te “demokracise”. E dyta, kjo ngjarje ka ndodhur ne vitet e errta, ato ’70 dhe ne province; cfar do te thote se te tilla ngjarje neper provinca trajtoheshin shume-shume-shume here me egersisht, se sa po te ndodhnin ne Tirane. Kjo kohe justifikon deri diku edhe kerkesen e nje hetuesi tek redaktorja e re, pasi nese do te flisnim per kuadrin e viteve ’80, (sidomos pas vrasjes se M. Shehut), kjo redaktore dhe kushdo tjeter nga L.Sh. do i thosh hetuesit qe kerkesa e tij duhej te ish me shkrim. Dhe e treta, kjo ngjarje duhet te kete patur specifiken e saj te vecante, sepse per vargje dhe degjim kengesh te huaja nuk denohej njeri nga populli me vdekje; kjo specifike permendet jo vetem ketu me lart tek ndonje koment, por dyshoj (duke u bazuar tek vargjet qe permend Diana Culi ne recensionin e saj), se mos autori i vargjeve eshte akuzuar per kontakte me diversante, (panvarsisht se keta kane qene ne shume raste njerez te sigurimit, por ne lojra diversantesh), dhe ketu ne kete ngjarje nuk eshte cudi te kemi nje nga ato te shumta ngjarje te kohes se atehershme, ku nje njeri akuzohej rende, merrte denimin me vdekje, dhe se fundi perfundonte jashte si agjent i shtetit shqiptar. Dicka me shume se sa ne pamje te pare ka kjo ngjarje, se me vdekje nuk denohej njeri per poezi dhe kenge te huaja, por se cfare, -kjo veshtire te mesohet!
    Persa i perket Agron Tufes dhe te tjerve si ai, qe sot bertasin per krimet e asaj kohe dhe per lirite e sotme, ky person edhe sot ne “demokraci” shkruante tek gazeta Start me aludime kundra njerezve te thjeshte, pa i njohur fare keta, njerez qe nuk jane pajtuar as me ate sistem te kaluar e as me kete sistem te sotem shkaterrues. Pse? Sepse keshtu i merrte deirektivat nga klani i “komunistit” te kamuflluar, Sal Berishes. Kjo lloj bande e sotme ka zene prona e ka bere pasuri me ane te kesaj demagogjie.
    Persa i perket shkrimit te Adrianit, do thoja se nuk do ishte keq te permendeshin edhe fakte kur njerez te ndryshem asaj kohe nuk jane pajtuar fare me ate sistem; sa per shembull, nje familje andej nga Puka, e cila nuk votonte asnjehere. Ka raste dhe shembuj plot, ndonese sporadike ne pamje te pare, por mendoj se pozita e Ardianit nuk e ka lejuar te njihet me ato raste qe ne llapaqente dhe alabaket e “poshtem” njiheshim. Nejse, e gjithe kjo gjurulldi me duket nje akt i zakonshem ne skenen e komedi-tragjedise se pa fundme shqiptare.

  13. Përshëndetje,

    ashtu siç e vë re autori me të drejtë, procesi i lustracionit në Shqipëri nuk ka gjasa të kryhet dot ndonjëherë me objektivitetin e nevojshëm, për sa kohë që jeton ende brezi i implikuar në diktaturë. Unë nuk kam shumë besim, nëse edhe një brez më vonë, apo edhe dy të tjera do të kenë kurajën civile t’i qasen fenomenit me objektivitetin dhe etiken e nevojshme. Shoqëria shqiptare është në strukturat sociale të saj shumë hermetike dhe unë nuk besoj, se në të ardhmen e afërt do të zhvillohet dot në atë formë, që të lejojë ndriçimin pa kufizime të asaj që ka ndodhur.

    Edhe nëse studiues të vetëm apo institucione të specializuara do të tentonin t’i qaseshin fenomenit me kompetencën e nevojshme shkencore, vëmendja e opinionit publik është po aq e përqendruar edhe në revoltën populiste, e cila nuk ka për qëllim sqarimin e të vërtetës, por thjeshtë shkaktimin e incidentit publik.

    Dhe meqë jemi tek kompetenca shkencore e nevojshme, besoj se pakkush i cili është esëll i ka shpëtuar bindjes, se shkenca shqiptare e institucionalizuar nuk e ka objektivitetin historik në prioritetet e veta.

    Proceset e ilustrimit kërkojnë në përgjithësi një emancipim shoqëror të një niveli të caktuar, kërkojnë një kulturë dialogu tejet të zhvilluar, kërkojnë një përvojë të analizës kolektive të fenomeneve historike, pra kërkojnë ato miliona hapa të vockla të hedhura kronologjikisht sipas radhës dhe në kohën e duhur, për të arritur në atë gjendje të relaksimit, ku pa ngërçe të mund të pohohet publikisht: ja këta paskemi qenë. Shqiptarët nuk kanë ecur ndonjëherë në këtë rrugë dhe mua në duket se nuk janë të interesuar as edhe ta njohin këtë rrugë si opsion.

    Dhe meqë jemi tek rruga shqiptare e të bërit të gjërave, ashtu siç e vë re shumë mirë edhe autori, dhuna potenciale politike në Shqipëri ishte aq kërcënuese, saqë individi nuk kishte mundësi tjetër, veçse t’i nënshtrohej, po të merrte parasysh faktin, se sanksionet nuk do të ndëshkonin mizorisht vetëm një person, por edhe një rreth të madh familjar, madje edhe fëmijë, apo edhe ata të palindur, ende, madje edhe ata fëmijë të palindur të fëmijëve të palindur. Ka njeri dyshime për këtë?

    Personalisht do të respektoja sinqerisht gjithnjë individin që do të ngrihej kundër tiranit, do të gjeja tek gjesti i tij burimin e forcës dhe busullën time morale dhe etike, por në rastin specifik shqiptar, kur rebeli tërhiqte me vete në gropë edhe shumë të tjerë të pafajshëm – të paktën teorikisht – ky rebel nuk ndryshim shumë nga ai që me një jelek-dinamit hedh veten në erë në mes të një turme qyqarësh të pafajshëm. Spekulim ky; ka për qëllim vetëm vizualizimin e shpërndarjes ose zbatimin hidraulik të dhunës nga një një person tek shumë të tjerë.

    Dhe meqë jemi tek dhuna politike e aplikuar në Shqipëri, ajo është e njëhreshme në lindjen ideologjike të gjysmëshekullit XX. Këtu ndoshta do të duhej reflektuar për të analizuar, se pse ishte kaq intensive dhe ekstensive tek shqiptarët, si dhe pse ishte aq e lehtë për ta zbatuar? Unë besoj se kjo nuk ka të bëjë me ideologjinë apo stalinizmin në vetvete, por më veçoritë specifike orientale, patriarkale dhe provinciale shqiptare. Pra atë dhunë nuk e pruri E. Hoxha, por e gjeti ndër shqiptarët vetë. E mori dhe e përdori për nevojat e veta. Në këtë kuptim, intensiteti dhe ekstensiteti i dhunës politike shqiptare të asaj periudhe, nuk lipset të jetë shumë objekt i ilustracionit por i studimeve analitike të përgjithshme sociologjike, të cilat shtrihen në një periudhë epokëpërfshirëse, pra duke ja kërkuar burimin shumë më herët, të paktën që në mesjetën osmane të shqiptarëve, ose pjesë e studimeve sociologjike të orientalistikës shqiptare mesjetare, e shtrirë kjo deri në shekullin XXI.

    Sidoqoftë. Në fund doja të kapja një aspekt të këtij diskutimi, i cili në dukje është me një domethënie sipërfaqësore, por që në të vërtetë ka një rëndësi thelbësore dhe tregon se sa spontanisht dhe shpesh sa të pavëmendshëm ju qasemi ndonjëherë detajeve historikë, për të tërhequr konkluzione historikisht të gabuara me një peshë fatale edhe për gjykimin objektiv të fakteve.

    Diana Culi, të cilën as unë nuk e njoh, akuzohet, gjykohet dhe dënohet publikisht si fajtore për pushkatimin e dy viktimave të diktaturës komuniste. Një koleg i referohet për këtë qëllim akuzës për agjitacion e propagandë, e cila mbështetej në ekspertizën fatale të asaj shkrimtareje të re dhe naive në fundvitet 70 dhe bie si provë edhe një link për këtë. Në kodin penal të vitit 1977 agjitacioni dhe propaganda ishin parashikuar si krime në nenin 55 dhe dënoheshin me heqje lirie në kohë paqeje nga 3 – 10 vjet. Nëse ekspertiza e Çulit është marrë për bazë për të vërtetuar këtë vepër penale, sido që t’i qasesh asaj vrasjeje, nuk rezulton një lidhje e drejtpërdrejtë midis këtyre dy fakteve. Për t’ju kursyer keqinformimin nuk do t’ju këshilloja të klikoni në këtë link, ku Wiki shqip trajton nenin 55, me përjashtim të faktit nëse doni të krijoni një përshtypje, se në çfarë burimesh mizerje shkencore shpesh ndikojnë dijet dhe bindjet shkencore në diskutimin shqip.

    Më poshtë, nëse kam sukses, po dërgoj një fotografi të nxjerrë nga Kodi Penal. Shënimet janë bërë në një kohë më vonë.

Lini një Përgjigje te lyssAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin