MENDIME TË PAKREHURA (XVI)

aforizma nga Stanislaw Lec (*)

Kam parë marioneta që kishin zhinxhirë në vend të fijeve.

Skllavëria ka anët e veta pozitive. Tirani nuk mund të thotë se mbretëron mbi njerëz të lirë.

Çfarë freskie kanë ngjyrat e kujt ka ndenjur në hije!

Kujdes, të paturpshmit mund të skuqen prej gjakut tënd.

Mos kryqëzo shpatën me kë shpatë nuk ka.

Një harabel në një kafaz shqiponjash është i lirë.

Kur të kanë përdorur si vegël, mos prit që të mbarojë kënga.

Burgu nuk të izolon nga historia.

Lëvdohej: “Marshoj me të tjerët drejt synimit – por me ritmin e një melodie tjetër.”

Ka barrikada të zbrazëta nga njëra anë.

Njeriut i pëlqen të qeshë. Me të tjerët.

Kur thërret në mendje kujtimet, mos gabo klishenë.

Një toreador me takt përdor me çdo dem një çarçaf me ngjyrë të ndryshme.

Jam i pabesë, mund ta urrej tiranin pasardhës po aq sa paraprijësin.

Pyetje: kush më thotë cinik? Cinikët. Duan të jenë më të shumtë.

Ana e tretë e medaljes? Gjoksi ku mbështetet.

Gjynah që e gjen dot lumturinë në rrugën që të çon atje.

Imazhi që kemi për njeriun mos është gjë tepër antropomorf?

Për shenjtorët gjithnjë kam frikë se do t’i bëjnë copë-copë, për të nxjerrë reliket.

Kur vjen në pushtet kameleoni, ndryshon ngjyrë ambienti.

Ka shumë që i kanë bërë gropën vetes duke kërkuar ujë.

Edhe peshorja dridhet, kur është në duart e njeriut.

Sa dinakë! Bëjnë aleancë me djallin, që të mos i çojë në ferr.

Politikanë, kërkojuni këshilla astrologëve – për të marrë vesh se çfarë mund të gëlltitin akoma njerëzit.

Duhen trajtuar të gjithë si qenie njerëzore! Me të njëjtën mizori?

Kush e ka lëkurën të trashë, irritohet me aluzionin më të vogël.

Ki kujdes edhe nga vetja; tek e fundit, je qytetar besnik i shtetit.

Kam frikë nga simpatia e mazohistëve, i bën të kënaqen, kur më torturojnë.

Sa e vështirë është ta fshehësh ekzistencën tënde.

Sa shumë fjalë të fundit luftojnë mes tyre për përparësi!

Kush u dogj më kot, e spërkat kokën me hi.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: