GAZETARJA E KULTURËS VETËVRITET

Pjesë nga “Gazetarja e kulturës vetëvritet, shpirti i saj në drejtim të paditur”, Idlir Azizaj, Zenit, 2011

Dhe kështu Shqipëria ishte bërë me vite modeli tipik i vendit ku natyrorja rrinte baraz dhe njëvlershëm me politiken. Ku politikja, që akuzohej çdo ditë e çdo çast prej shqiptarëve për korrupsion masiv, kishte arritur gjendjen e normales organike në rang popullsie, e ku askush nuk besonte më asgjë realisht. – Në këtë asgjë të plotë e të veçantë të Shqipërisë, unë, thoshte, fillimisht nuk zgjodha dot asgjë, e për këtë kisha arritur në një urrejtje dhe bezdi plot brengë, por që s’kishte më pikë kuptimi tashmë, në këtë asgjë kaq të plotë ku ishte futur me kohë Shqipëria e sotme. Në këtë asgjë, Shqipëria jo vetëm që jetonte deziluzionimin e plotë, gjë që dukej fare normale dhe duhet të ishte fare normale për një popullsi që dilte nga një komunizëm i mangët e fallco, e që tani kritikohej vulgarisht nga shkrimtarë deputetë ose kandidatë konstantë për deputetë, të një demokracie rastësore. Kjo asgjë e plotë e Shqipërisë së sotme, kishte arritur një krrupë boshe në argument ndaj termit apo nocionit të ideales, le më pastaj të idealizmit, duke akuzuar en bloc për budalla e për të çmendur çdo njeri, çdo grup që nuk merrte pjesë në liberalizmin dhe lopërinë e tretjes së boshllëkut që ripërtyp Shqipëria e sotme, prej dekadash. Duke hyrë gati në dekadën e tretë të asgjësë së saj, Shqipëria ishte vendi më tipik në kontinent që te termi ‘Ideal’ apo ‘idealiste’ shihte vetëm një budallallëk e një çmenduri, ndërkohë që vendi po kalonte me hapa të ngadalshëm, por ama gjigandë, nga kooperativë e tipit të lartë socialist në një fermë të tipit pastoral kapitalist. Asgjëja tashmë normale dhe specifike e Shqipërisë po e groposte çdo lloj besimi në ndonjë realitet tjetër, sepse Asgjëja e saj më reale se gjithçkaja tjetër, po e fuste, prej vitesh, në rehatin e virtualitetit të demokracisë së gjerë pjesëmarrëse. Dhe kjo ishte po aq normale, në një vend aq servil, servil e hipokrit ripërtypës e të panginjur si Shqipëria, që prej vitesh po hynte në rrugën e izolimit fantastik mu brenda shoqërisë së hapur. Domethënë se kështu Shqipëria po bëhej gazi i botës dhe po pillte shkrimtarë e artistë e kineastë servilë e hipokritë të sistemit të ri, që vetëm sa po e shisnin Shqipërinë si material për librat e filmat e tyre servilë e korrektë. Kjo sepse vetë shqiptarët, jo vetëm që tashmë çdo idealizëm e shihnin si një njollë në biografi, por nuk kishin asnjë prodhim mendor që ta shihte atë të paktën si burim idesh. Shqipëria ishtë bërë tashmë vendi, si përherë specifik, i Europës, ku “ideale dhe idealiste” ishte një njollë në biografinë e personit, dhe nuk e shihte aspak sesi “ideal apo idealiste” do të thoshte po ashtu të kesh ide, të rrethohesh me ide, të punosh me ide. – Sepse në fakt më shumë ide kishin patur biznesmenët sesa artistët e intelektualët në Shqipërinë e sotme, ku asgjëja shtrihej përditë e masivisht, ku Shqipëria po hapte çdo ditë varre masive të asgjësë, natë e ditë. Në këtë mënyrë Shqipëria po kryente genocidin më specifik në Europë: Shqipëria po genocidohej nga popullsia e saj vetë, le më pastaj nga artistët e intelektualët e saj, që jo vetëm prej vitesh nuk besonin më asgjë, në asgjë, por as që ndjenin më asgjë, sepse ndryshe do ta tregonin në art apo në të menduar. Popullsia e Shqipërisë kishte arritur, në këto dekada, të fitonte një krrupë ndaj vetë emrit “popull”. Termi popull tashmë përbënte një version të tmerrshëm për popullsinë shqiptare. Vetë fillimi i termit ‘popull’, i të vendosurit si popull në rang të mirëfillë, i shkakonte krejt popullsisë shqiptare një bezdi të tmerrshme. Popullsia shqiptare kishte arritur në rangun e neverisë për vetë popullin shqiptar. Dhe kjo s’ishte asgjë në krahasim me atë racizmin specifik që gjithë popullsia shqiptare kishte drejtpërdrejt për popullin shqiptar në përgjithësi, dhe kjo prej vitesh tashmë, në këto vitet e fundit. Të mësuar me frymën false të vetmohimit gjoja komunist, një bastardim i individualitetit të shkrirë, dhe nën hyqmin e shkrimtarëve e intelektualëve lindorë tejembanë Europës sot, edhe Shqipëria sidomos kishte arritur ta hiqte qafe nocionin popull, ose emrin jo-shtetëror të popullit, ku e linin gjithë ditën artistët e intelektualët e gjithë këtyre viteve të fundit. – Asnjë nga shkrimtarët ish-lindorë nëpër Europë sot nuk bënin më dy lekë para asgjësë e boshllëkut që kishte prodhuar dhe bënte të jetonte Shqipëria e sotme në këto vite, aq sa ajo po izolohej dhe më shumë nën qesëndinë e Europës; edhe asaj ish Lindore madje, sot në ditët e lirisë së mendimit. Një asgjë aq e plotë, aq reale, sa Shqipëria, jo vetëm që nuk po prodhonte dot më filma, apo libra, por as që i shkonte ndërmend ta bënte më një gjë të tillë, përderisa në këtë asgjë Shqipëria kishte arritur një tejdukshmëri, para vetes e para botës. Dhe asgjë e tejdukshme s’mund të kapet nga kamera, e me atë tejdukshmëri autorët s’mund të mbushnin libra e s’mund t’i shisnin nëpër Europë si këndellje të ekzotizmit perëndimor ndaj bastioneve të fundit koloniale në Kontinent. Edhe në Shqipëri, njerëzit kishin vendosur me pahir të mbeteshin votues e zgjedhës, e telespektatorë, duke u ankuar po aq se shqiptarët s’bëheshin kurrë njerëz. Fraza shqiptare “Ne shqiptarët s’bëhemi kurrë njerëz” kishte zënë vend si autofshikullim fallco në popullsinë shqiptare, ndërkohë që vetë shqiptarët urrenin tani termin popull, ndërkohë që e gjithë popullsia shqiptare po kryente kulakëzimin e vetvetes. Një peshk tashmë pa ujë, e gjithë popullsia shqiptare sot e urrente për vdekje nocionin e popullit dhe vetëm sa kulakëzonte veten, duke qenë thjesht një peshk pa ujë. Të qenit popull kishte filluar tashmë ta bezdiste pa masë popullsinë shqiptare, gjoja si bezdi kundër homogjenitetit të dikurshëm komunist e me pretendimin sot gjoja si individë, në një shkëmbim virtual. – Në fund të fundit, asgjë s’e pengonte tani, prej vitesh, Shqipërinë, thoshte, të mos ishte asgjë. Që të ishte një asgjë reale e madhe. Dhe me këtë akt të paktën ajo po i priste pa dashje rrugën e karrierën shkrimtarëve e intelektualëve të fundit që po përfitonin nga Shqipëria përrallore e dikurshme, domethënë të demokracisë lehonë. Në demokracinë e sotme shtazore, të paktën asgjëja e krijuar realisht nga Shqipëria, po e shteronte deri në maksimum terrenin e përrallave për shkrimtarët e regjizorët demokratë të të gjitha partive shqiptare, dhe se kjo gropë thithëse do të hiqte qafe të paktën xeherorët e eksportit të Shqipërisë kanunore ekzotike.


Fotot në vijim janë nga shfaqja teatrale «Gazetarja e kulturës vetëvritet … », bazuar në romanin e Idlir Azizaj dhe vënë në skenë në Teatrin Kombëtar të Kosovës me regjinë e Alban Beqiraj në dhjetor 2016.

 

Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.

1 Koment

  1. E forte, e paripertyepshme, e pakaperdishme! Fjale qe sikur mi ka marre edhe mua nga shpirti, pse jo dhe perplasur -si shume te tjerve- mbrapsh fytyres! Shkrim qe prek plaget mjaft qarte! Shkrim i hidhur briliand! Sidomos ne mendje me ngeli ajo shprehja qe thote, se me shume ide kane patur biznesmenet se sa artistet e intelektualet! Hem! Ide-Ali-zem!

Lini një Përgjigje te r. th.Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin