AMERIKA E PAFAJSHME 

Pas atyre që kemi parë në artikujt e kaluar, një tjetër ide themelore e pranishme në ndërgjegjen kombëtare amerikane sidomos prej fillimit të shekullit XX, është ajo e konceptimit të Amerikës si një “shtet i pafajshëm”, apo vullnetmirë. Ashtu si për idetë e mëparshme, dhe në mbrujtjen e idesë së pafajësisë besimi kristian ka qenë një faktor i dorës së parë.

Duhet thënë para së gjithash se çdo popull zakonisht e mendon veten dhe vendin e tij si të pafajshëm në raste konfliktesh dhe mundohet të justifikojë veprimet e drejtuesve të vet si të detyruara nga rrethanat. Por e veçanta e Shteteve të Bashkuara është se kemi të bëjmë me një sens të thellë, e të argumentuar mirë, të pafajësisë, që vjen nga fillimet e historisë së tyre si pjesë e pandarë e vetë përvojës amerikane, e që u bë i dukshëm sidomos gjatë shekullit XX.

Arsyet e këtij konceptimi janë të ndryshme, por ndërmjet të tjerash idetë e përmendura më parë dhanë ndihmesë të madhe në konsolidimin e tij. Kështu ideja e “shtetit kristian” mbetej ende e fuqishme në fillim të shekullit XX dhe në opinionin e përgjithshëm Amerika ishte në analizë të fundit një qytetërim posaçërisht kristian, e mjaftueshme kjo në vetvete për të ushqyer një ndjenjë të thellë pafajësie. Po ashtu ideja e “shtetit natyror” duke hedhur vështrimin te parahistoria, te bota e përsosur e kopshtit biblik të Edenit, pati ndikimin e saj në shkëputjen e ndjenjës së pafajësisë nga referencat historike. Fakti që Shtetet e Bashkuara ishin një komb e shtet i ri, dhe paralelizmat me historinë e popullit hebre, e bënin të lehtë që Amerika të mendohej si rikrijim virtual i asaj epoke në fillimet e botës, jashtë historisë njerëzore dhe e panjollosur prej saj. Ky vizion u shpreh qartë edhe nga presidenti Reagan në fjalimin e tij për gjendjen e vendit në janar1987, ku ai theksoi se “Amerika nuk matet me kalendar, sepse destinimi ynë është një eksperimentim i pafund i lirisë, pa limite në atë çka mund të arrijmë, pa kufizime në atë çka mund të bëjmë, dhe me shpresa të pambarueshme”.

Kjo ndjenjë ka qenë e pranishme qysh prej fundit të shekullit XIX, por ishte hyrja në Luftën I Botërore dhe roli vendimtar amerikan në fitoren e Antantës që përcaktuan modelin e shprehjes së pafajësisë gjatë gjithë shekullit XX. Rol të madh luajti këtu idealizmi i presidentit Wilson, për të cilin qëllimi i luftës ishte arritja e një “bote të sigurtë për përhapjen e demokracisë”, ndërsa kauza amerikane ishte e drejtë, e pafajshme dhe pa asnjë interes personal. Amerika po luftonte për paqen e sigurinë e tërë botës, dhe për të mbrojtur ato të drejta e parime që ishin, në fjalët e presidentit, “po aq të shtrenjta për ne sa edhe për njerëzit e lirë kudo në botë.” Pjesëmarrja në Luftën I Botërore ishte një faktor kryesor në ngulitjen e idesë së pafajësisë, dhe të vetë pozicionit të natyrshëm të Amerikës si udhëheqëse e botës në rrugën drejt epokës së lumtur të lirisë dhe drejtësisë për të gjithë.

Por ajo që e forcoi dhe përhapi këtë ndjenjë në mënyrë vendimtare ishte shpërthimi i konfliktit të dytë ndërkombëtar, në të cilin amerikanët u përfshinë pas sulmit japonez në Pearl Harbor më 7 dhjetor 1941. Përballja me Japoninë militariste e me Gjermaninë naziste, dhe njohja graduale e publikut me mizoritë kundër hebrenjve, krijuan tek amerikanët bindjen se armiqtë që kishin përballë mishëronin të keqen absolute si kurrë më parë. Misioni i Amerikës, të cilin shumë në atë kohë e mendonin si hyjnor, bëhej kështu çrrënjosja e së keqes, dhe përhapja e lirisë, e demokracisë dhe e tregut të lirë, të gjitha bashkë tipare themelore të mënyrës amerikane të jetesës. Në përputhje të plotë me idenë e “popullit të zgjedhur” ishte pra e qartë se Zoti s’mund ta kishte zgjedhur Amerikën nëse kjo s’do të ishte e virtytshme dhe e pafajshme.

Këtij interpretimi të konfliktit si luftë klasike midis së mirës dhe së keqes i mëshoi edhe presidenti Roosevelt në mesazhin drejtuar Kongresit një muaj pas sulmit mbi Pearl Harbor. Ai deklaroi se forcat e Boshtit ishin në thelb demonike dhe udhëhiqeshin nga një përbuzje e thellë për racën njerëzore, ndërsa Amerika frymëzohej nga besimi që fillonte në kapitullin e parë të librit të Zanafillës ku thuhet se “Zoti e krijoi njeriun në shëmbëllimin e tij”, dhe se ajo po përpiqej t’i qëndronte besnike trashëgimisë hyjnore të barazisë së të gjithë njerëzve para Zotit. Bazuar tek “shteti natyror”, presidenti theksoi se “ne luftojmë jo vetëm për veten tonë, po për të gjithë njerëzimin, jo vetëm për një brez, po për të gjithë brezat e ardhshëm”. Edhe ideja e “shtetit kristian” ishte gjithashtu e pranishme në fjalët e tij se “bota është tepër e vogël për të pasur vend të mjaftueshëm edhe për Hitlerin edhe për Zotin”.

Nga ky shikim si kundërvënie e së mirës ndaj së keqes mund të kalohej lehtë në kuptimin e luftës si konflikt ndërmjet Krishtit e Satanit, dhe kjo u theksua në fakt nga fundamentalistët, sidomos në fushatat e shpeshta të zgjimit shpirtëror. Qysh atëherë ideja e Amerikës kristiane u identifikua gradualisht me besimtarët fundamentalistë, dhe vendin e nazizmit gjerman si mishërim i së keqes absolute e zuri shpejt komunizmi sovjetik. Gjallërimi i besimit fetar u barazua me patriotizmin, me amerikanizmin e me antikomunizmin e flaktë, duke ngjallur kështu një ndjenjë të thellë të virtytit e të pafajësisë amerikane. Një zhvillim i veçantë në këtë kontekst ishin predikimet e pastorit të ri Billy Graham, në të cilat ai rimori në vazhdimësi temën e besëlidhjes, duke e kushtëzuar ruajtjen e mënyrës amerikane të jetesës dhe shmangien e rrezikut komunist me rikthimin te besimi në Jezu Krishtin. Me prekjen e kësaj teme në predikimet e tij çdo të diel për shumë vite rresht, Billy Graham dha ndihmesë të pakrahasueshme në shikimin e botës si fushë beteje ndërmjet së mirës e së keqes në sytë e amerikanëve të thjeshtë.

Por nëse kjo ishte mbizotëruese për Amerikën e bardhë, pakica zezake paraqiste një tablo të ndryshme, për shkak të vazhdimit të diskriminimit racial, edhe pas një shekulli prej Luftës Civile. Në këtë kontekst lëvizja e zezakëve për të drejtat e tyre në vitet ’60 dëshmoi se pakica me ngjyrë nuk ndante me të bardhët idenë e pafajësisë në fjalë, ndërsa gërshetimi i saj me kundërshtimin ndaj luftës së Vietnamit, krijoi kuadrin e përshtatshëm për të vënë në dukje kontradiktat e kësaj ideje.

Në mesin e kritikave të ashpra nga radhët e popullsisë me ngjyrë, vëmendje të veçantë meriton sidomos pozicioni i drejtuesit të fushatës për të drejtat civile, Martin Luther King, dhe rezistenca e tij paqësore, si elementi kryesor i asaj fushate. Ajo që bie në sy në veprimtarinë e tij publike është se King nuk drejtoi kurrë ndonjë kritikë dashakeqëse ndaj Amerikës apo sistemit amerikan, duke mbetur i identifikuar gjatë gjithë jetës me vendin e tij e me kredon famëmadhe amerikane. Por ai mendonte gjithashtu se vitet e gjata të skllavërisë e të diskriminimit racial e kishin futur Amerikën në rrugë të shtrembër, kundër aspiratave të shpallura botërisht në themelimin e saj dhe të mishëruara në kredon në fjalë. Sipas tij të bardhët ose nuk e kishin të qartë kuptimin e Amerikës, ose e injoronin atë haptazi, e prandaj qëllimi i tij i vetëm u bë ndërgjegjësimi i kombit për t’u kthyer tek idealet fisnike të fillimeve të tij. Këtë ai e shprehu më së miri në gusht 1963 në fjalimin e famshëm “Kam një ëndërr”, ku deklaroi se themeluesit e republikës amerikane, me fjalët madhështore të Deklaratës së Pavarësisë e të Kushtetutës, kishin nënshkruar në fakt një premtim solemn për të gjithë amerikanët, të bardhë apo me ngjyrë, por këtyre të fundit Amerika s’ua kishte plotësuar ende atë premtim për thesaret e lirisë e të drejtësisë. Kjo ëndërr e tij ishte vetë ëndrra amerikane, ëndrra që “një ditë ky vend do të ngrihet dhe do të verë në jetë kuptimin e vërtetë të kredos së tij – që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë”, duke nënkuptuar kësisoj integrimin racial në çdo nivel të jetës. Në këtë mënyrë, lëvizja e rezistencës paqësore e udhëhequr nga M.L. King, me mbështetjen konsistente tek morali i Jezu Krishtit, bënë që një brez i tërë të rinjsh të vinin në pikëpyetje ato çka u ishin mësuar deri atëherë rreth vetë eksperimentit amerikan. Kjo nga ana e saj ndikoi ndjeshëm në kundërshtimin e luftës së Vietnamit dhe në krejt atmosferën shpërthyese të viteve ’60.

Edhe konflikti vietnamez pati rol kryesor në evoluimin e konceptit të pafajësisë që kish mbizotëruar deri atëherë. Në fakt, me rritjen e angazhimit në Vietnam, përkatësisht shtimin e humbjeve në radhët amerikane, u bë gradualisht e qartë se administrata Johnson s’kishte strategji të përcaktuar për ta përfunduar atë konflikt. Kjo çoi në kthimin e opinionit publik kundër luftës, në mes të debateve të zjarrta rreth implikimeve të saj morale, sidomos lidhur me atë se qeveria proamerikane e Vietnamit të Jugut dukej po aq e korruptuar e shtypëse sa edhe regjimi komunist i Veriut. Kjo shtronte pyetjen nëse Amerika mund ta përkrahte një qeveri të tillë pa tradhtuar idealet e saj më fisnike, e po ashtu vazhdimi i luftës në Azinë Juglindore lidhej fort me lëvizjen për të drejtat civile në vetë Shtetet e Bashkuara, sepse pasojat më të rënda të konfliktit binin mbi popullsinë e varfër zezake.

Këto dilema morale u trajtuan ballazi nga M.L. King në një fjalim të vitit 1967, ku ai deklaroi publikisht se përkatësia e tij kristiane dhe besimi te Jezu Krishti bënin të domosdoshme shpalljen e qëndrimit të tij ndaj luftës. Fokusi i tij kryesor mbetej arritja e të drejtave të barabarta për popullsinë zezake, por ai theksoi se, për shtresat e varfra të asaj popullsie, lufta kishte të njëjtat efekte tragjike si edhe racizmi. Të rinjtë zezakë, deklaroi King, të dërrmuar e të sakatuar prej racizmit, shkonin mijëra milje larg për të mbrojtur në Azinë Juglindore ato liri që ata s’i kishin në Georgia apo në Harlem. Edhe përdorimi masiv i forcës shkatërruese shtronte dilema po aq të vështira, sepse nëse Amerika përdorte forcën për të zgjidhur problemet e saj, ishte e logjikshme që zezakët të përdornin po atë mjet për të zgjidhur të tyret. Prandaj King në mënyrë konsistente deklaroi disa herë se ai ishte prerazi kundër përdorimit të dhunës, qoftë nga ushtria amerikane në Vietnam, qoftë nga popullsia zezake në Shtetet e Bashkuara. Këtë qëndrim ai e mbështeste në besimin e tij kristian dhe në mësimet e Jezu Krishtit për moskundërshtimin e së keqes me dhunë.

Lëvizja e të drejtave civile dhe kundërshtimi ndaj luftës së Vietnamit bënë që shumë amerikanë të vinin në dyshim idenë e pafajësisë e vullnetit të mirë të vendit të tyre, dhe të kuptonin se në botën ku jetojmë s’mund të ekzistojë dallim i prerë ndërmjet së mirës dhe së keqes. Përkundrazi, të gjithë kombet e popujt ndajnë edhe të mira edhe të këqija, dhe përpjekjet për t’u orientuar në zonën e gjerë gri ndërmjet të dyjave përbëjnë në fund të fundit tërë dramën e historisë njerëzore. Megjithatë vështrimi i botës si fushë beteje ndërmjet së mirës e së keqes doli përsëri në pah pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, kur presidenti Bush përcaktoi regjimet e Irakut, Iranit e Koresë së Veriut si “boshtin e së keqes”. Ai përcaktim pati pastaj ndikimin e vet në qëndrimin e opinionit publik ndaj luftës së Irakut, dhe në debatet rreth angazhimit amerikan në Lindjen e Mesme që vazhdojnë edhe sot.

Pamë kështu se e veçanta e idesë së pafajësisë për amerikanët qëndron në lidhjen dhe kushtëzimin e saj nga idetë e tjera të mëparshme, përkatësisht nga besimi kristian. Kjo ka bërë që edhe praktikisht në shumicën e  rasteve politika e jashtme amerikane të ketë qenë në anën e lirisë e demokracisë, siç dëshmohet më së miri nga mbrojtja e Europës Perëndimore nga rreziku komunist gjatë Luftës së Ftohtë. Ndërsa ne shqiptarët s’mund të harrojmë kurrë rolin vendimtar të Amerikës në momente kyçe të historisë sonë, ku së pari shënohet përkrahja e presidentit Wilson për të drejtat e popujve të vegjël që mundësoi ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë pas konfliktit të parë botëror. Dhe tetë dekada më pas ishte ndërhyrja e NATO-s më 1999 nën shtysën e drejtimin e Shteteve të Bashkuara e të presidentit Clinton, që çoi në realizimin e aspiratës sonë kombëtare shekullore për Kosovën e lirë e demokratike.

 


Titulli origjinal: Besimi kristian dhe ideja e pafajësisë në politikën e jashtme amerikane

1 Koment

  1. Te gjithe njerezit, grupet, shoqerite, shtetet, fete, etj., thone se jane te mire e te pafajshem! Keshtu ka qene, eshte e do te jete! Te gjitha vrasjet jane bere gjithnje ne emer te se mires! Kjo eshte historia e kafshes njeri!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin