KULTURA QË NUK DI TË FLASË PËR VETEN

Pa i ndjekur me hollësi fjalët e pafund që u thanë për Dritero Agollin tani që ndërroi jetë në moshë të thyer, m’u krijua megjithatë bindja se ne, si kulturë, nuk dimë të flasim për vlerat që kemi, në mënyrën që t’u përshtatet; dhe për Agollin, poet i mirënjohur shqip i shekullit XX por edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në periudhën më të errët të Shqipërisë kulturore dhe anëtar i Komitetit Qendror të PPSh e në përgjithësi një nga fytyrat përfaqësuese të diktaturës së proletariatit në letërsi dhe në art, nuk kemi ditur të flasim gjatë kohës që ai ishte ende gjallë dhe as t’ia kornizojmë veprën, të djeshmen dhe të sotmen në histori. Prandaj edhe ndodhi kështu, që shumë nga ato që u thanë në publik, edhe nga lëvduesit e Agollit edhe nga detraktorët e tij, tingëlluan të shtirura, të sherbetuara; plot spiritualitet kallp, si të marra hua nga ndonjë ceremoni lumturimi dhe të përshtatura për një publik të infantilizuar.

Si edhe herë të tjera, një pjesë e madhe e atyre që u angazhuan të flasin në publik për Agollin menjëherë pas vdekjes, nuk arritën as ta ndajnë veprimtarinë e tij politike nga vepra që ai ka lënë, por as t’i analizojnë këto të dyja, jetën politike dhe veprën letrare, në lidhjet e duhura organike mes tyre; nga të dy palët, ithtarët dhe detraktorët, u mor si e mirëqenë që suksesi letrar i Agollit poet dhe prozator dhe roli i tij si zbatues i politikës së PPSh-së në fushën e letërsisë dhe të arteve janë dy anë të së njëjtës medalje; dhe kjo i bëri disa nga të parët që ta shfrytëzojnë profilin e lartë të Agollit shkrimtar për të rehabilituar edhe pak më tej nga periudha totalitare, ose për t’i neutralizuar edhe pak më tej aspektet thjesht brutale dhe kriminale të regjimit të Hoxhës; ndërsa të dytët të shprazin kundër Agollit gjithë mllefin e mbledhur kundër represionit komunist, në përgjithësi dhe në kulturë në veçanti.

Këto analiza, të marrëdhënieve midis Agollit anëtar të nomenklaturës partiake dhe udhëheqës të establishmentit kulturor totalitar dhe Agollit shkrimtar, por edhe politikan reformator brenda PS-së pas 1990-ës nuk mund të bëheshin doemos në eulogjitë dhe të tjera tekste që u folën dhe u shkruan menjëherë pas vdekjes të tij; duhej të ishin bërë me kohë, për hir edhe të konsolidimit të trashëgimisë së Agollit dhe të krejt kulturës së djeshme në vetëdijen e sotme kombëtare. Por si edhe herë të tjera, establishmenti i sotëm kulturor në Shqipëri u soll me kapacitetin e një agjencie shërbimesh nekrologjike, duke treguar edhe një herë gatishmërinë për të shpenzuar llafe pa hesap.

Që prej fillimviteve 1960, Agolli ka qenë pranuar në Olimpin e letrave shqip, dhe jo vetëm a thjesht për meritat e tij politike ose për shërbimet që i ofronte regjimit; nga ana tjetër, atij si shkrimtar i shquar gjithnjë i është dashur ta ndajë suksesin dhe lavdinë me rivalin dhe mikun e ndonjëherë edhe kundërshtarin e tij Ismail Kadarenë. Me temperament të butë, i qeshur dhe i dashur dhe i matur, i gatshëm për të ndihmuar dhe për t’u ndenjur larg teprimeve dhe ekstremeve, Agolli kish krijuar një emër si shkrimtar “i popullit”; dhe më tej akoma, si zëri i fshatit shqiptar; ndryshe nga Kadareja që u specializua si zëri i qytetit dhe vrojtuesi i Europës dhe Perëndimit. Sërish në dallim nga Kadareja, pozita politike e Agollit nuk u vu ndonjëherë në rrezik, edhe pse romani i tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” do gjykuar vepër mirëfilli subversive dhe ndonjë tjetri mund t’i kish kushtuar shtrenjtë.

Ky rivalitet, herë i mirëfilltë herë i sajuar, herë meskin dhe herë i domosdoshëm, mes këtyre dy autorëve kryesorë të Realizmit Socialist në Shqipëri praktikisht mori fund, me largimin e Kadaresë nga Shqipëria, në vitin 1990. Që nga ajo kohë, Kadareja filloi të pozicionohej si anti-komunist dhe veçanërisht anti-enverist i vendosur, në një kohë që Agolli nuk u largua nga PS-ja trashëgimtare e aparatit dhe e vlerave njerëzore të PPSh-së, por u tregua nga më të vendosurit për reformimin e saj. Në përgjithësi, duket sikur publiku në Shqipëri ka vlerësuar më shumë “konsistencën” e Agollit dhe faktin që ai nuk e mohoi kurrë angazhimin e vet komunist dhe me regjimin Hoxha, sesa qëndrimin e kundërt të Kadaresë; dhe kjo kryesisht ngaqë ne e kemi të vështirë të respektojmë dikë që ndërron bindje politike dhe ideologjike dhe ndaj këtij parapëlqejmë një armik që e njohim. Përndryshe, me ndershmërinë e vet njerëzore, simpatinë që kishte te njerëzit, fjalën e vet letrare dhe aftësinë për të komunikuar thjesht, Agolli mund të ketë luajtur rol të madh në ripërtëritjen e Partisë Socialiste dhe rinegocimin e marrëdhënieve të saj me trashëgiminë enveriste. Nga kjo pikëpamje, PS-ja e sotme i detyrohet Agollit politikan ndoshta edhe më shumë se ç’i detyrohet Shqipëria kulturore Agollit shkrimtar, siç edhe e pamë nga angazhimi politik menjëherë pas vdekjes së tij.

Nuk më duket se “konsistenca” e Agollit si njeri politik dhe si qytetar do trajtuar detyrimisht si vlerë; madje edhe duke i mbajtur parasysh kritikat e tij ndonjëherë të ashpra ndaj enverizmit. Megjithatë, vështirë ta gjykojmë njeriun dhe shkrimtarin, të vënë përballë dilemash kaq të vështira; sidomos në rrethanat kur ne si shoqëri i jemi shmangur gjithnjë përballjes me dilema të tilla, duke preferuar rreshtimin në dy kampe në luftë të përhershme mes tyre ndaj dialogut dhe përpjekjeve për të kuptuar njëri-tjetrin. Vetë Driteroi zgjodhi të mos fliste as të shkruante në publik për vitet e errëta 1973-1985, kur në emër të luftës kundër liberalizmit iu dha kulturës shqiptare një goditje tjetër vdekjeprurëse, pas asaj që kish marrë me instalimin e regjimit monist në 1945-ën. Nuk ishte i vetmi që vendosi kështu dhe sërish nuk e gjykojmë dot; ndoshta vetëm duke heshtur, do të gjente fuqi për t’iu kushtuar poezisë dhe për të krijuar, pas 1990-ës, vargje nga më të mirat që janë shkruar ndonjëherë në shqip dhe që do të mbeten në antologjitë edhe për shumë kohë. Dhimbjen dhe poshtërimin prej disfatës së tij politike, fiaskos së kredos së tij komuniste dhe të gjakimit të tij politik, ndoshta parapëlqeu ta përballonte në heshtje ose tërthorazi, duke kërkuar ngushëllim te njerëzorja brenda vetes, që gjithnjë e kish pasur me bollëk.

Edhe në “konsistencën” e tij, ose në besnikërinë ndaj zgjedhjeve të jetës, Agolli parapëlqeu heshtjen, i vetëdijshëm se kjo do t’ia mbronte respektueshmërinë nga një shumicë njerëzish e sidomos lexuesish; dhe ndoshta edhe me qëllim që të mos interferonte, me persona-n e tij post-totalitare, në leximin e veprës së tij, të vjetër dhe të re. Paradoksalisht, edhe pse formalisht i përfshirë në politikë si eksponent i PS-së, prania e tij si zë në diskursin e angazhuar publik ka qenë e papërfillshme, në krahasim me atë të Kadaresë, i cili zgjodhi të angazhohej shumë më fort, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Brenda kësaj dinamike, që nuk është pa paradokset e veta, Kadareja u kritikua më rëndë dhe më fort, edhe pse ose ndoshta pikërisht pse pat vendosur të distancohej në mënyrë dramatike nga e shkuara e tij. Ka një aspekt folklorik te ky qëndrim i opinionit tonë publik ndaj besnikërisë dhe së drejtës për të ndërruar mendje; shumë prej nesh ende e marrin më seriozisht se ç’e lejon bonsensi proverbin muri lu burri s’lu.

Fati e deshi që Agollin ta përcjellë në varr, më parë edhe se lexuesit e tij të shumtë dhe të gjithë ata që e kanë dashur dhe e duan si shkrimtar, establishmenti politik i PS-së që ka sot pushtetin, i mishëruar edhe në personin e kryeministrit Edi Rama. Ka një vijë që e bashkon denoncimin e haptë të enverizmit, nga Agolli, gjatë kongresit të 10-të të PPSh-së me ardhjen në krye të kësaj partie të një outsider-i si Rama, dhe jo vetëm ngaqë ky është, në shumë drejtime, e kundërta e një personaliteti politik “partiak”, por edhe ngaqë Rama u përfshi në politikë edhe ai duke denoncuar me forcë të jashtëzakonshme enverizmin dhe krejt establishmentin e kalbur ish-totalitar që parazitonte mbi Shqipërinë kulturore edhe në fillimvitet 1990, qoftë edhe duke ndërruar dramatikisht qimen. Provë për këtë është libri “Refleksione”, që ai ka shkruar së bashku me Klosin; artikujt e tij publicistikë të botuara në shtypin e Tiranës në vitet 1990; por edhe eseja e tij “Rron or rron nuk vdes shqiptari” (hat tip to Arjan Gjikola), e botuar në revistën Përpjekja 5 (dhjetor 1995), ku mes të tjerash lexojmë se:

Shqipëria jeton dhe mund të jetohet edhe ndryshe nga ç´thuhet e jepet si e Vërtetë Përfundimtare në Shkrimet e Shenjta të Profetëve të Gjirokastrës. Ungjilli i Kuq i Enver Hoxhës dhe Ungjilli Apokrif i Ismail Kadaresë nuk janë dy mundësitë e vetme të jetesës shqiptare, as prapashtesa Mustafaj dhe as e gjithë Çeta Plakë e Rilindjes së Re nuk janë korniza ku ndryhet Shqipëria. Ka Shqipëri edhe matanë asaj kornize, ka Shqipëri edhe matanë «Imperializmit dhe Revolucionit», edhe matanë Njeriut me top dhe me tapë, edhe matanë Urës me Tri Harqe, edhe matanë të vdekurve të dalë nga Morgu i Historisë e të hipur nëpër tezgat e panairit të kulturës kombëtare, edhe matanë tufave me kafka të mbjella nëpër telajo pikture. Edhe nën akullin e Dimrit të Madh të komunizmit apo nën gjethet e kalbura të Vjeshtës së Gjatë të postkomunizmit ka pasur, ka, dhe do të ketë prapëseprapë një Shqipëri të vogël që kërkon të marrë frymë. [theksimi im, AV]

Ky paragraf i përket së njëjtës dorë që pat shkruar “Refleksionet” pak më parë; Edi Ramës, për të cilin Ismail Kadareja dhe Dritero Agolli aso kohe ishin pjesë e të njëjtit rreshtim autoritar e autoritarist me Enver Hoxhën, ose bashkëpunëtorë në të njëjtën përpjekje për të mbajtur nën zgjedhë mendjet e shqiptarëve; Ramës rebel, antikonformist dhe ikonoklastik – nga i cili pak ka mbetur te ky i sotmi, i asfiksuar, siç e pranon ndonjëherë vetë, nga koncesionet që duhet t’ia bëjë rolit të tij zyrtar si kryeministër, burrë shteti dhe si politikani më i fuqishëm në Shqipëri; një siklet që i duket edhe kur thotë për Agollin se:

E gjithnjë ajo qenia e tij e largët, që jetonte brenda personazhit qendror në jetën tonë publike dhe shfaqej hera-herës përmes vargjesh rrëqethëse, më është dukur mua më e afërt se personazhi që nderohet sot.

Kur vetë Rama paraqitet kështu i dyzuar në eulogjinë e vet – një eulogji që nuk dua ta lexoj thjesht si të detyruar nga shqetësime të votës – dhe e shndërron ceremoninë mortore të Agollit në një reflektim për vdekjen në përgjithësi, edhe pse shkrimtarët, ndryshe nga shumë të tjerë, nuk vdesin sa kohë që librat u mbeten në raftet, libraritë dhe bibliotekat; kur edhe vetë Rama, pra, nuk arrin të bëjë paqe me Ramën e djeshëm dhe të pajtojë natyrën e tij rebele të viteve 1990 me kitsch-in ceremonial që tani ia imponon protokolli dhe posti që ka, atëherë do ta kuptojmë se çfarë dëmi i është shkaktuar kulturës, nga burracakëria jonë institucionale, ose nga mos-dëshira, më shumë edhe se paaftësia, për të folur haptazi dhe me sinqeritet rreth trashëgimisë totalitare.

Në një Shqipëri ku sot e kësaj dite njerëzit shijojnë në televizor filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe dëgjojnë me afsh e përdëllim muzikën e krijuar dhe të interpretuar në vitet e totalitarizmit, edhe një poet i kalibrit të Agollit nuk do të mund të varrosej, veçse sikur të ishte akoma kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të kohës së Enver Hoxhës; megjithëse ai vetë, si pakkush tjetër, arriti t’i mbijetoi ndërrimit të epokave pa ndërruar bindjet e veta të thella, prej komunisti.

Madje atje ku Agolli, me mënyrën e vet, u mundua t’u përshtatej kohëve të reja dhe e la pas, edhe pse pa ia kthyer krejt shpinën, të kaluarën prej patriarku jo vetëm të letrave shqipe, por edhe të politikës kulturore të regjimit të Hoxhës; diskursi ynë publik, tejet i politizuar dhe rregullisht i shtirë, nuk ka arritur të shkëputet nga kornizat, modalitetet dhe teknikat e periudhës totalitare; të cilat i japin përparësi njeriut ndaj veprës dhe vetë njeriun e shohin bardhezi, sipas parimit “o me ne o kundra nesh”; madje jo vetëm nuk ka arritur, por as ka dashur të shkëputet prej diskursit totalitar, pavarësisht idhujtarisë, përkatësisht përçmimit dhe makiavelizmit, që ky lloj diskursi i ka në kodin e vet gjenetik.

Edhe pse e kapur peng në elukubracione nekrologjike gjithfarësh, kultura zyrtare në Shqipërinë e sotme nuk arrin dot ta perceptojë veten në histori dinamike, as në transformim; por vazhdon të promovojë klishetë si parime të politikave, muzeifikimin si përvetësim të së shkuarës dhe kitsch-in si formë sublime të elitarizmit. E kotë të shtoj që Agolli nuk do t’i kish gëlltitur kurrë këto, edhe po t’ua kish pasur ngenë.


(c) Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.

17 Komente

  1. Ne kohe te ndryshme kam patur mendim te ndryshem, por nese do ta permblidhja me dy fjale çka mendoj pergjithesisht per njerez te tille te talentuar qe krijuan nen diktature eshte kjo; personalitete tragjike, pa dashur ta deklinoj e te them se ishin te vetedijshem edhe kur luanin tragjedine e tyre, por prape nuk pranonin te dilnin nga skena.
    Kjo vetem se i ben dyfish tragjike.
    Ne jete ka gjithmone nje çmim qe paguhet, heret a vone.

  2. Më ka rënë rasti të jem në një ceremoni mortore për një person i cili në gjallje të tij kishte vrarë e prerë dhe njerzit e pranishëm në bisedat e tyre sillnin grimca të mirësisë së tij në marrëdhëniet ndërpersonale me miq, të njohur dhe komunitetin ku jetonte. Edhe ceremonia mortore shtetërore për Dritëro Agollin u zhvillua brënda klishesë dhe tabusë së kodeve zakonore shqiptare: për të vdekurin nuk flitet keq.
    Pati disa shkrime dhe reagime -ashtu sikurse thotë z.Vehbiu-plot mllef e madje me një gjuhë skizofrenike dhe baltosëse , a thua se nga jeta u largua një kriminel ordiner!
    Kush do të ishte qasja më e mirë dhe më konsesuale, që të kënaqte të gjitha palët, admiruesit dhe detraktorët e Dritëro Agollit? Ndoshta duke folur krahas Moikom Zeqos , si komplementare e së vërtetës komplekse të Agollit, personazh publik dhe krijues, edhe Edison Ypi, me logorenë e tij skizofrenike? Dhe kështu, për të thënë të vertetën e plotë, duke shqiptuar shkoqur mu përpara arkivolit të tij se ” si drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Aristëve të Shqipërisë totalitare, kishte qënë pjesë e mekanizmit ideologjik të shplarjes së truve të shqiptarëve” dhe se si krijues në atë sistem, përmes librave të tij, në prozë e poezi, “bukën” e artit për ushqimin e shpirtrave të uritur, e kishte sherbetosur dhe sheqerosur me ideologjinë komuniste, si “ndihmës besnik i Partisë për edukimin e masave dhe fabrikimin e Njeriut të Ri”.? Dhe duke vazhduar më tej me gjysmën tjetër të vërtetës, për rolin e tij si zë reformator në transformimin e PP në PS, si patriarku i PS-së por asnjëherë partiaku i verbër militant, përkundrazi, një nga zërat më kritikë të “shkërdhatokracisë” .Me tej duke vijuar me vlerat e tij si krijues, i asaj pjese të pandotur ideologjikisht që mbetet nga krijimtaria në komunizëm dhe krijimtarisë pas viteve 90-të, ku reflektohet zhgënjimi i një pelegrini të vonuar ?
    Edhe pse një qasje e tillë , e cila evidenton “anët e errta” të personalitetit të tij, duket si hermeuntika më e saktë e jetës dhe veprës së tij, deontologjikisht do të ishte jo përcjellja me dinjitet e një krijuesi dhe peresonazhi publik, me gjithë dritëhijet dhe kontradiktat e mishëruara në personën e tij, por një përdhosje publike, një kënaqsi sadomazokiste e tipit: ja , ja thashë të gjithë të vertetën në sy!
    Personalisht e gjykoj krej të natyrshme qasjen e folësve në ceremoninë mortore. U fol për Agollin si krijues, si politikan, si shkrimtar, si mik, si njeri që ka bërë të mira edhe atëhere kur “e keqja vraponte çmëndurisht”.
    Mund të kishte një artikulim më të saktë, më të strukturuar të risive dhe vlerave , për profilin e tij si krijues në të dy kohët, komunizëm dhe demokraci, Por ceremoniali mortor nuk është simpozium shkencor.
    Vdiq njeriu dhe qasja ishte ndaj tij në të gjitha rolet dhe funksionet ku u shpërfaq personaliteti tij.
    Kritika letrare do gjykojë nën perspektivën e “vdekjes së autorit”, ku jeta, personi, biografia politike mbetet një kuriozitet dhe në fokus vendoset vepra letrare, ajo që është letërsi mirëfilli, përtej pragmatizmit dhe shërbesave ideologjike.
    Studiuesit e letërsisë krijimtarinë e Agollit e kanë bërë tashmë objekt të hulumtimeve të tyre dhe brënda horizontit të sotëm të pritshmërive, kanë evidentuar vëndin e tij në sistemin letrar.Por një pjesë e studiuesve të sotëm janë jo vetëm bashkëkohësit e tij por edhe miqtë, të njohurit e tij dhe të ardhur nga e njëjta kulturë dhe i njëjti format kulturor, e si të tillë, e kanë të vështirë të gjykojnë objektivisht krijimtarinë e tij.
    Nesër, pas njëzet apo tridhjet vjetësh, në një horizont tjetër pritshmërish, studiuesit do të “rilexojnë” Agollin dhe rivlerësojnë krijimtarinë e tij në një distancë më të volitshme kohore.
    Koha është gjykatsia më e mirë.

    * * *
    Mbrëmë po shikoja ritransmentimin e intervistës së Agollit të vitit 2006 në Opinion. Një nga gjërat që më bëri përshtypje është pikërisht ajo që konstaton z. Vebiu kur thotë se Agolli u distancua nga e kaluara por pa ja kthyer shpinën asaj plotësisht”. Aty u shpërfaq Agolli i cili pohoi se kishte qënë komunist, se “kishte besuar në utopinë komuniste të krijimit të një bote të re pa shtypje dhe shfrytëzim” etj. Në fjalët e tij vihet re reflektimi kur thotë “se ashtu mendonim atëhere”, ” se unë kam bërë reflektimet e mija por jo metamorfoza..se dashi nuk mund të bëhet dele” etj. A duhet gjykuar keq njeriu shkrimtar i cili , përtej rrënojave të komunizmit dhe viktimave të tij, beson në një vizion humanist dhe shpreson se fantazma e një sistemi të varrosur, ndoshta do të rimëshirohet në një të ardhme në trajtën më të mirë të saj? A duhet privuar njeriu nga shpresat dhe utopitë, qofshin ato religjioze apo laike?

    Një moment tjetër në intervistën e të ndjerit Agolli ishte pohimi se ” po për çfarë elite flisni…në këtë Shqipëri ku elita ha fasule?!” Mjaft interesante kjo dhe meriton një ese nga Vehbiu 🙂
    Sa për vete po kuturisem të them se në pohimin e mësipërm të Agollit shikoj zgjatimet e qasjes enveriste për elitën intelektuale dhe rolin e intelektualit në shoqërinë (komuniste). Dritëroi është quajtur nga kritika dhe lexuesit si autor popullor, si krijues që ka ditur të përcjelli më mirë në kohrat moderne “shpirtin e popullit” ,”mençurinë popullore” , se ka ushqyer poezinë e tij me frymën dhe frazeologjinë e krijimtarisë popullore, se ka ngjizur një poezi ” të thjeshtë në formë dhe të thellë në përmbajtje” etj. Por cilësimi “poet popullor” ka nënkuptuar edhe intelektualin e lidhur me popullin, atë që ulet “gju më gju me popullin”, që pi raki e këndon me njerzit e thjeshtë.
    Në psikologjinë antropologjike të shqiptarëve “njeriu kënduar” e sidomos shkrimtari dhe poeti janë perceptuar si njerëz pak të rrjedhur, pak të lajthitur e jashtë realitetit, një tip Koçi si ai personazhi tek komedia “Zonja nga qyteti”
    Jo vetëm për shkak të presioneve të ardhura prej fatit historik i shqiptarëve ( sundimi osman dhe çështja kombëtare në sfondin e një shoqërie të pa alfabetizuar, izolimi komunist dhe vija e masave ) por edhe si rrjedhojë e këtij perceptimi për intelektualin, letërsia tradicionale shqipe përshkohet nga një lloj provincializmi , si frymë dhe formë.Për pasojë , zhvillimi saj ka ecur në një shtrat larg rrjedhave bashkëkohore letrare dhe në shpërputhje me rrymat e saj kryesore. Në këtë kontekst historik dhe kulturor, shkrimtari dhe poeti është (vetë)konceptuar si profet, prijës dhe këto role kanë kërkuar si gjegjës të tyre të qënurit popullor,intelektualin e lidhur me popullin në frymë (krijimtari) dhe fizikisht (gju më gju, raki dhe fasule)
    Në rrethana të tilla historike dhe mentale, elitat , me pak përjashtime, prodhimin e tyre intelektual e kanë parë si shërbim imediat ndaj kombit, popullit , pa mundur të krijojnë një art elitar , të mëvetësishëm , të çliruar nga pragmatika dhe tundimet instrumentalizuese të politikës së ditës.
    Dritëro Agolli është shëmbëlltyra më e mirë e këtij konteksti historik dhe kulturor.

    1. I vetmi sugjerim imi, dhe ky jo aq për ceremoninë mortore sa për gjithë tallavanë zyrtare që shoqëroi përcjelljen e Driteroit, do të ishte që politika të mos dilte në plan të parë, të mos rrëmbente kryet e vendit dhe establishmenti politik t’u linte radhë shkrimtarëve, artistëve dhe miqve të shkrimtarit. Përndryshe, kurrsesi nuk do ta kërkoja një par conditio në ceremoninë mortore 🙂

      1. Politika në plan të parë-tha.! Politika nuk ka event social apo kulturor ku të mos fus hundët dhe përfitojë-që nga Dita e verës e deri tek festat fetare. Jo më në këtë rast, kur i ndjeri ishte edhe politikan, deputet. Prania e tepruar e politikës në foltoren e ceremonialit është dhe pasojë e një mazhorance me “dy koka” dhe secila kokë kërkon përfitimet e veta. Sa për Ramën, duhet ta themi se ishte më shumë artisti që foli nën kostumin e kryeministrit. Gjithsesi “vdekja u bë një organizatore e madhe komuniste” 🙂

      2. Sa për tallavanë zyrtare, në parim ti ke të drejtë, por kam përshtypjen se, i shkëputur prej vitesh siç je, e ke harruar Shqipërinë dhe zakonet e saj të mira. Ke harruar se Shqipëria, nga njëra anë, është një vend i vogël ku nuk vdesin poetë çdo ditë, nga ana tjetër është edhe një fshat i madh ku zakoni e do që kur vdes bejtexhiu apo rapsodi, kryeplakut i takon t’i thotë dy fjalë në varrim.

        Fundja se mos kanë punë tjetër politikanët tanë! Edi Rama më mirë që shkoi në varrim të Dritëroit, sesa të rrinte në zyrë e të bënte hazërxhevapin me popullin në facebook.

  3. Qe politika te mos merrte kryet e vendit, do te duhej qe familja te deklaronte ceremoni private. Por jo qe nuk e beri kete, por cuditerisht nuk munguan as intervistat, deklaratat diten e mortit, dicka shume e ngeshme kjo pas heshtjes se nje jete. Heshtje kjo ndoshta e detyruar ngaqe ne te gjalle Agolli fliste vete.

  4. Për veprimtarinë politike të Dritëroit dhe pozicionin e tij në raport me diktaturën ishte ajo që ishte, nuk ke ç’thua. Se paku pati ndershmërinë dhe koherencën të mos i binte mohit së shkuarës së tij, sikurse kanë bënë shumë “shën Pjetra mbi mangallë” sot.

    Sa i përket veprës letrare, ajo mbetet thuajse e gjitha e ndrysur brenda kontekstit historik kur u shkrua dhe vetëm në funksion të tij; nuk arrin t’i kapërcejë kufijtë e asaj kohe e të marrë përmasa universale. Dritëroi nuk ka për t’u bërë kurrë një klasik i letërsisë shqipe. I përfytyroni ju shqiptarët e ardhshëm, nipërit dhe stërnipërit tanë, të lexojnë me kënaqësi poemën “Nënë Shqipëri” ose romanet “Njeriu me top”, “Komisari Memo”, “Trëndafil në gotë” apo qoftë edhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”?

    Ky është dallimi i vërtetë mes Dritëroit dhe kolegëve të tij socrealistë nga njëra anë dhe Kadaresë nga ana tjetër.

    1. Mbesa ime hap librat e mija
      me krisma topi
      e aroma nga toka ku avull lëshon plisi i ngrohtë
      rruth buzët me rimelin lyer
      dhe me sytë e picëruar, më thotë:
      O gjysh
      e kujt dreqin do i duhet letërsia për luftën,
      me komisarë e me Rapo Tabanin,

      me hallet dhe shqetsimet e njeriut të punës?
      sot shqetsime janë monologët e vaginës
      dhe dikriminimi që po i bëhet sumës?
      unë hesht
      si fija e barit anës së livadhit
      hesh për kohën që erdh e për kohët që do vinë

      dhe tymi cigares ngjitet drejt tavanit
      i mërzitur me eks e rrëkëllej rakinë.
      D.Agolli 2010

      1. Hoho, edhe vete Driteroi e kishte kuptuar qe ish kethyer ne fosile qysh ne te gjalle. Dhe me arkaizmin e vet evident vazhdonte te tymoste dhe te pinte trute me raki. a thua se kjo do t’ia ndreqte punet si ne kohen kur u fliste proletareve e fshatareve. Per Zotin, shijet jane shije, edhe konformizmi eshte konformizem, edhe eshte e zorshme ndonje here te shash ate qe ke lavderuar, por me falni, une (doemos nje individ nga me te parendesishmit dhe anonimet ne kete Dhe) nuk shof ndonje lidhje midis katunarit-bejtexhi-komi Dritero dhe kultures.

        1. Po, bota eshte shije shije.Opera eshte nje art i larte por ja qe njerzit ne shumice degjojne e kane nevoje per kenget ritmike,ato qe i shoqerojne ne perditshneri dhe u flasin per boten e tyre imediate.
          Driteroi asgje nuk kishte kuptuar nga keto qe supozon ti sepse vargjet me lart i sajova une si replike ironike me Relapso.

          1. Urime! Ne fakt vargjet tingellojne krejt autentike. Ironi apo jo, niveli tend nuk eshte poshte nivelit te Driteroit, apo mos duhet te them niveli i Driteroit nuk eshte me lart se niveli tend.Gjithesesi une vazhdoj te mos shoh ndonje lidhje midis katunarit-bejtexhi-komi Dritero dhe kultures. Sa per ty me kaq sa kam ne dispozicion nuk te lidh dot as me kulturen, as me sportin.

            1. Se ku më lidh ti Dule, nuk ka pikën e rëndësisë. Përtej përpjekjeve personalizuese, po vazhdoj pak dialogun, jo për t’u bërë i besdishëm por për të qënë, shpresoj, më i dobishëm.
              Pikë së pari, ajo vjersha që sajova më lart, ishte “gracka ku kapet laraska”. Sepse një lexues i vëmëndshëm i krijimtarisë së Dritëroit (nuk po theem studiues i tij) do ta pikaste sajesën. Ky fakt na dëften qartazi se si ti i nderuar dhe një lukuni jo e pakët, që kanë lexuar ca nëpër të nga krijimtariae Dritëroit, më shumë ecin pas berihajt mediatik, detraktorëve të tij ose, dhe ka shumë gjasa, për shkak të njeriut politik,, angazhimit të tij politik por, ta themi, edhe shërbeës së tij ideologjike në komunizëm, skualifikojnë krejt autorin dhe shumzojnë me zero krijimtarinë e tij në bllok.
              Unë, pa qënë specialist, por jo pa qënë lexues i Agollit, ja blatoj besimin tim jo Dules apo Dambubandunit anonim të hapsirës virtuale, por vlerësimeve të Rexhep Qosjes, bie fjala, si studiues dhe kritik kopetent i letërsisë.Megjithë njëanësitë e tij! Ose Vehbiut i cili ka kredencialet për të folur në rrafshin ligjërimor për krijimtarinë e Agollit.
              Për të qënë i drejtë, të jap deri diku të drejtë kur thua se kush e ka lexuar e lëvduar, pra brënda atij sistemi që iku, vështirë të bësh një gjykim të drejtpeshuar.

              Ka ndër lexues apo komentues, jo vetëm në këtë hapsirë, të cilët me cilësi orakulli parashikojnë se Agolli nuk do ti mbijetojë kohëve që vijnë. Ky është një bast . Askush nuk e di çfarë do të ndodh me krijimtarinë e tij pas 40 vjetësh.
              Ka shkrimtarë që humbasin përfundimisht. Psh në antalogjitë e letërsisë në komunizëm se ç ishte një Kristaq Kapa a Papa që zinte goxha hapsirë. Dhe në kohën e tij ka qënë goxha i njohur. Po ku është tani??
              Sikurse ndodh dhe e kundërta.Ka krijues të tjerë që “rizbulohen” e rivlerësohen pas shumë vitesh. Për Agollin psh, disa indicie i kemi, për të parashikuar se prej krijimtarisë së tij të begatë (si sasi) do ketë ca mbijetoja.
              Kjo puna e gjykimit të x apo y krijuesi në Shqipëri ka një histori interesante. Konica psh e shikonte Naimin më shumë si patriot sesa poet. Nexhat Hakiu, në mos gaboj , dallonte tek vjershërimi Naimit proliksitet. Cabej bëri një vlerësim më të drejtpeshuar. Pastaj, pas viteve 60-të, u bë Naimi që njohim sot. Dmth “sistemi” atëhershëm e futi në sistemin letrar duke i dhënë kryet e vendit, e propagandoi deri në pafundësi dhe nuk ka çoban e bukpjekës që nuk e njef Naimin sot.
              Ose për Lasgushin, janë të njohura vlerësimet pro e kundër për të nga Kuteli dhe Kris Maloki. Maloki e vinte në dyshim si poet i klasit të lart.
              Pra dua të them se gjithë çështja e mbijetesës së një krijuesi, në këtë rast e Agollit, nuk varet vetëm nga gjëja që bie erë mirëfilli letërsi, por edhe nga sistemi.Me sistem nënkuptoj studiuesit, pastaj median e cila qarkullon vlerat dhe SIDOMOS, nëse përfshihet apo jo në sistemin shkollor. Aty njihet letërsia me baza, aty gdhenden emrat e letërsisë. Pas shkolle, leximi Agollit apo Koliqit, I fishtës apo Zorbës, është punë rastësie dhe shijesh individuale.
              Psh Camaj ka një poezi elegante dhe me shumë filozofi e mendim brënda por duke qpnë se ishte jashtë sistemit të letrave, deri n fillim t viteve 90,as nuk njihet i plotë nga brezi i rritur në komunizëm. Sot, në këtë vërshim botimesh dhe në këtë derexhe ku ka rënë leximi letrës së shkruar, vështirë të kapi “trenin e humbur të kohës”.
              Ose Fishta, Për një pjesë vlerësohet si kolos, si poeti kombëtar. Të tjerë thonë se është një bejtexhi i mirë geg, ka sëlluar sa pjesë me nur rëzëllitës kurse pjesa më e madhe është shto fjalë e shto ujë.
              Por rivlerësimi i tij më së shumti ka ardhur nga fakti se ishte i mohuar në komunizëm. Një lloj ballancimi por kush na thotë, me cilat krijtere?? Duart që sot e kanë vënë në piedestal , personaliteti tij ( meshtar, mesues, publicist, patriot, firmëtar në disa evente historike) apo vlerat mirëfilli letrare? Apo si hakmarrje ndaj standadit të gjuhës prej të cilit gegnishtia u sakrifikua??(këto që po them unë , nuk janë dyshime mirëfilli të mijat por i dëgjojmë të artikuluara , edhe pse sistemi sot këto zëra i gjykon si reaksionare , në mos antikombëtarë.
              Kshu kshu zotni i nderum.

            2. Per Zotin, oj ti Zoja Pika S. un s’un e mor dot seriozisht ket muhabet qi bo tina, jo per gjo, po zotnia jote ke mor onen e Dritorit, ne mire bo, po pastaj po vet do me na mush menjen qi e gjith kjo pun me Dritor, e me Fisht, e me Noim e me tjer e tjer nuk bohet dot sak, se secili e lidh njashu si i do menerja. Shum falimnerit se m’ke hap syt e m’ke msu i gjo qi nuk e disha. Rrofsh o Zoje e Nerume.

  5. Unë Dritëroin nuk e kam njohur, por kam përshtypjen se imazhi i tij si fshatar i bukës, kripës dhe qepës ka qenë EDHE i kultivuar me kujdes, për arsye EDHE politike. Ishte vërtet fshatar me origjinë, por le të mos harrojmë se Dritëroi u bë poet dhe më tej shkrimtar pasi studioi në Bashkimin Sovjetik – prandaj imazhi i tij publik është sa autentik, aq i importuar. Një pjesë e madhe e vargjeve të Dritëroit ndjekin strukturën metrike të poezisë ruse romantike (nëntërrokëshin, shtatërrokëshin ose të kombinuara; gjithsesi vargje jambike, që janë të huaja për folklorin shqip, i bazuar ky në trokeun); ndërsa një pjesë tjetër sidomos në vitet 1980 përqafon amfibrahun (një rrokje e theksuar mes dy rrokjeve të patheksuara) – sërish një metër themelor në poezinë ruse. Edhe Kadareja e përdori shpesh metrin jambik në poezinë e vet me varg të rregullt (të tipit “ca pika shiu ranë mbi qelq”), por vargu i rregullt i Kadaresë është më i afërt me vargun popullor shqip se ai i Agollit. Agolli për mua është poet romantik rus, i kapur peng brenda shqipes; dhe këtë e them jo vetëm nga konsiderata metrike, por edhe për nga orientimi estetik.

    1. Zoti Vehbiu, Driteroi nuk ishte thjesht fshatar me origjine, Driteroi lindi ne fshat dhe u rrit ne fshat, pra Driteroi e filloi jeten si FSHATAR. Nga kjo pikpmaje ishte gjysem gati dhe nuk kishe cfare t’i kultivoje, mjafton te kujdeseshe qe te mos humbiste eren e baltes dhe te bajgave. Sic e pohon edhe vete ai e kishte per gje te madhe qe balten e Devollit e solli ne Lidhjen e Shkrimtareve. Ne kultivoi gje, a i kultivuan gje, per qellime extra-letrare, ishte persona prej mendimtari a poeti babaxhan te preokupuar per fatet e njerzimit, qe ndonjehere i lejohej te merrte nden sqetull ndonje te deklasuar te talentuar, apo te talentuar te deklasuar, per ta bere edhe me babaxhane figuren e tij.
      Megjithate, fakti qe ishte fshatar autentik, nuk e ben budalla automatikisht. Keshtuqe kur iu dha mundesia te studionte ne Bashkimin Sovjetik, sigurisht qe mesoi, sic ne pergjithesi mesojne njerezit kur shkojne ne shkolle, pavaresisht nga prejardhja. Dhe s’ka edhe ndonje gje per t’u cuditur qe poezia e tij, tingellon si poezi sovjetike-ruse. Ate mesoi, ate shkroi, vetem se, sic thoni ju, i kapur peng brenda shqipes.

  6. Driteroi ishte aq i qarte ne shkrimet dhe poezite e tij, ne fjalet e tij, ne veprimet e tij, ne tranformimet dhe koshiencen e tij, ne transparencen e tij, ne heshtjen e tij, ne modestine e tij, ne karrieren e tij, ne gjithshka, sa mendoj se nuk ishte e nevojshme nga Ardiani nje shkrim kaq i stergjate, shkrim i cili dukej sikur po dredhonte drejt shprehjes “as mish e as peshk”! Mendoj se me nje shkrim me te shkurter do i bente nder me te madh poetit te talentuar shqiptar!
    Driteroi do te mbetet i perjetshem si poeti me i mire popullor shqiptar. Por edhe si njeri, edhe ne mos nuk ka qene engjell, ka qene nje njeri me vlera te pakten; aq me teper ne ate shoqeri tonen, ku eshte veshtire te ruash vlerat e njeriut. Vete fakti qe ai “u mbyll” ne dy dekadat e fundit dhe nuk ekspozohej, e tregon kete! Ai nuk kish per cfare te justifikohej, sic bejne shume te tjere, sot e kesaj dite!

Lini një Përgjigje te duledupicardAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin