MËSIM NGA NJË ISH

në homazh të Predrag Matvejevicit

Përpara pak ditësh vdiq një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të rëndësishëm të Ballkanit dhe Europës, Predrag Matvejevici. Vitin e kaluar ishte propozuar midis 60 intelektualëve për çmimin Nobel për letërsinë për veprën e tij të famshme “Libër dore për Mesdheun” (botuar në shqip nga IDK, në 2013, me përkthim të Arben Leskajt).

Kam pasur fatin e madh ta njoh personalisht në një konferencë të organizuar nga Art Kontakt në Venecia në vitin 2004, të titulluar “Ura dhe Kufij”, në të cilën Predrag ishte relator i temës “Ura dhe kufij – Për një arkitekturë të re të kufijve”.

Në një kohë kur çështja e vjetër, por gjithmonë aktuale e kufijve po ringjallet në një moment kritik për historinë e Europës, krahas rizgjimit të ndjenjave nacionaliste a lokaliste, apo tendencave të tjera irracionale që manifestohen me arrogancë, paradoksalisht, edhe në vendet e Europës Lindore, ose pikërisht aty ku u shembën muret e komunizmit përpara 27 vjetësh, Predrag Matvejevici mbeti një rojtar intelektual i vëmendshëm, i cili bënte thirrje për një etikë të re të kufijve.

Me baba rus dhe nënë kroate-boshnjake, lindur në Mostar të Bosnjë-Hercegovinës, qytet që përjetoi shkatërrimin e urës së Mostarit, Predrag Matvejevici ishte një europian i bindur, por pesimist për të ardhmen e kontinentit. Si një orkestër pa dirigjent ku secili i bie veglës sipas qejfit, i dukej Europa e sotme Matvejevicit. “Europa është shumë e fragmentarizuar nga Veriu në Mesdhe, nuk lidhen bashkë dhe kjo krijon padyshim frustracion, fantazma lufte, gjak, dhe demokratura [term i krijuar nga Predragu, ku kombinohen fjalët demokraci dhe diktaturë A.T.] me regjime formalisht demokratike por në të vërtetë oligarkike”. U referohej kryesisht vendeve ish-socialiste, edhe pse gjurmë të ngjashme gjen edhe tek Europa liberale dhe socialdemokrate. Në vendet ish-komuniste nuk ndodhi ndonjë transformim, por veç pati një tranzicion të realizuar në mënyrë groteske, gjatë të cilit u transplantua demokracia perëndimore.

Si njeri i kulturës, Matvejevici u kujton teoricienëve të globalizmit se kultura europiane ka njohur që në kohët e vjetra lëvizje dhe prirje universale, si kozmopolitizmi në sferën laike, ekumenizmi në fushën fetare dhe internacionalizmi në atë politike, i deformuar më pas nga komunistët e tipit stalinist. E gjithë kultura, sipas Predragut, është kthyer tani në ish-kulturë, pasi ndihet e pafuqishme përpara risive teknologjike. E ashtuquajtura epokë post-moderne i imponohet modernizmit të kritikueshëm, të nxjerrë jashtë mode, por padyshim jo pa vlera. Kurse Letërsia e madhe, gjeneruese simbolesh, duket e ezauruar.

Predrag Matvejevici ka qenë një mbrojtës i madh i të drejtave të njeriut, gjithmonë në krah të kundërshtarëve politikë të regjimeve komuniste, si Havel, Kundera etj. Ai vetë ka rënë viktimë e marrëzisë nacionaliste, i persekutuar nga autoritet kroate, dhe i dënuar me burg nga një gjykatë e Zagrebit në 2005. Kishte guxuar të nxirrte sheshit hipokrizinë e regjimit, duke shkruar një ese në të cilën tregonte me gisht shkrimtarët luftënxitës, gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi.

Predrag Matvejevici mendonte se bota që na përket, në kuptimin politik dhe social, është një “Ish”. Jo vetëm ajo që konsiderohej Europa e Lindjes në kuptimin politik, por edhe ish-e majta është shndërruar në të djathtë, ish-e djathta në neo-liberale, një ish-socialdemokraci e bastarduar, një ish-socializëm që ka tradhtuar rrënjët e veta, ish-komunistë të ricikluar në demokratë, kundërshtarët e djeshëm që nuk gjejnë dot një rol në ditët e sotme, kulturat kombëtare që kanë degjeneruar në nacionalizma ideologjikë.

Predrag Matvejevici i dha një mesazh edhe Europës së bashkuar që përpara se të lindte, pasi edhe kjo rrezikon të bëhet një “Ish”. Matvejevici ushtroi ndikim të konsiderueshëm në qarqet intelektuale dhe politike, sidomos gjatë qeverisjes së kryeministrit Italian Romano Prodi, për rikthimin e Mesdheut – i cili pas zbulimit të Amerikës nga Kolombi e humbi interesin e dikurshëm për fuqitë e mëdha – në një rajon të rëndësishëm ekonomiko-kulturor.

Predrag Matvejevici e konsideronte veten një emigrant nomad. Ka udhëtuar gjithnjë, ka shkruar për ish-vende, për ish-popuj, me një ndjenjë humori dhe ironie, që mund ta karakterizojë një intelektual të staturës së tij. Mesazhi i tij intelektual, në një botë që tenton të mbyllet gjithnjë e më shumë në vetvete, merr vlerë akoma dhe më domethënëse, në kohë si e sotmja, kur në vend që të ndërtohen ura për forcimin e dialogut ndërkulturor dhe të integrimit, ngrihen mure dhe kufij.


Shënim: Në atë konferencë në Venecia, ai u shpreh se, nëse një ditë do të propozoheshin ai dhe Kadare për Nobel, do t’ia linte titullin Kadaresë. Për Predragun, Kadare ishte shkrimtari më i madh i gjallë. Do të doja që ky shkrim të na nxiste të flisnim më shumë për veprën e Predrag Matvejevicit.

[Imazhi i zgjedhur: riprodhim i një vepre nga Artan Shabani, Ponte al tramonto, 2002.]

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin