TRI SIMPTOMA, NJË SËMUNDJE

Kur analizon të menduarit mitik, Claude Levi-Strauss përmend kalimthi tre aspekte patologjike të komunikimit – harresën, keqkuptimin dhe indiskrecionin (në anglisht: forgetfulness, misunderstanding dhe indiscretion), të cilat i sheh si forma të ndryshme të dështimit në komunikim: dështimi për të komunikuar me veten (harresa); dështimi për të komunikuar me tjetrin (keqkuptimi) dhe dështimi për të ruajtur masën në komunikim (indiskrecioni, ose komunikimi i tepërt).[1]

Të treja këto patologji i ndesh në komunikimin e sotëm publik, dhe veçanërisht në marrëdhëniet e mass mediave me autoritetin publik (politikanët, etj.) nga njëra anë dhe publikun vetë nga ana tjetër.

Harresa do të ishte, në këtë kontekst, efekt i dobësimit deri në zhdukje i lidhjeve të vijueshmërisë me të djeshmen – ose në ndrydhjen e komunikimit brenda kafazit “këtu dhe tani”, të modeluar sipas televizionit; dhe që karakterizohet, në mënyrë metaforike por edhe të mirëfilltë, nga zhdukja e arkivit, ose e përmasës kronologjike (historike) në komunikim; por jo vetëm – sepse e njëjta përmasë dhe i njëjti arkiv përjashtohen edhe nga vetë jeta institucionale.

Keqkuptimi do të ishte interpretim “i lirë” i citimeve dhe copëzave të komunikimit publik që përndryshe do të ish e pamundur të falsifikoheshin; por që mund të manipulohen lehtë – dhe në fakt manipulohen – nëpërmjet dekontekstualizimit, gjymtimit dhe marifeteve të tjera të rrobaqepësisë editoriale; por tek ne është edhe provë se palët dhe institucionet ende nuk e kanë, madje as që duan të kenë, një gjuhë të përbashkët, që ta përdorin mes tyre; dhe as një kod etik të përbashkët.

Indiskrecioni, ose komunikimi në “ekses”, sot quhet edhe rrjedhje ose leak; dhe i kundërvihet, në mënyrën e vet, censurës ose detyrimit për heshtje ose ruajtjes së sekretit institucional; edhe pse shpesh – kur është i mirëfilltë – tregon se autori ka dështuar të komunikojë, brenda grupit të vet, atë që tani detyrohet ta komunikojë jashtë grupit.

Sikurse do ta kenë vënë re të gjithë ata që ndjekin komedinë e komunikimit publik tek ne, të trija këto patologji i shërbejnë, secila me mënyrën e vet, largimit të përgjegjësisë dhe të përgjegjshmërisë nga fajtorët përkatës, ose larjes së duarve: harresa duke i çliruar protagonistët nga nevoja për t’u ballafaquar me premtimet dhe në përgjithësi nga detyrimi moral për vijueshmëri; keqkuptimi duke e zëvendësuar shkëmbimin e mendimeve dhe të argumenteve me rrethin vicioz të “nuk kisha parasysh këtë, por këtë tjetrën”, ose të shpjegimeve dhe të interpretimeve; indiskrecioni duke mundësuar kërcënime dhe skandale gjithfarësh, por pa e cenuar të drejtën për mohueshmëri (deniability).

Sa më lart, ka vlerë me kusht që patologjitë në fjalë t’i detyrohen paaftësisë së palëve për të ndërtuar një komunikim të shëndetshëm mes tyre; përndryshe, siç ndodh rëndom mes nesh, edhe sëmundjet do të shfrytëzohen menjëherë për avantazhet që sjellin, njëlloj siç shfrytëzohet gripi nga kalamajtë, për të mos shkuar në shkollë.

Prandaj edhe mungesa e kujtesës komunikative ose institucionale, e mishëruar siç është në fshirjen e gjurmëve të së djeshmes, u intereson të gjithë atyre që nuk kanë ç’të përfitojnë nga e shkuara; madje përkundrazi. Kështu do të interpretohet edhe zelli me të cilin janë shkatërruar arkivat e mediave dhe të institucioneve publike, deri në atë pikë sa dikush e ka më të lehtë të gjejë një artikull në revistën “Hylli i dritës”, se një artikull të ngjashëm në revistën “Klan”; dhe ku historia e institucioneve duket sikur fillon datën kur ka ardhur në fuqi drejtuesi i tanishëm.

Keqkuptimi është pjesë e çdo komunikimi, edhe atij publik, i cili si rregull ofron edhe kanalet e nevojshme për ta korrigjuar; por kur ishte hera e fundit, që ne si lexues, kemi ndeshur në një kërkim të faluri nga ana e shtrembëruesve, herë amatorë herë profesionistë, të fakteve dhe të kuptimeve? Përkundrazi, rregullisht ndodh që çdo keqkuptim, edhe më banali, të gjykohet si i qëllimshëm dhe të konsiderohet si armë e luftës politike; sepse në fakt edhe përdoret për atë qëllim. Këtu keqkuptimit i vjen në ndihmë harresa, dhe jo sepse “çudia më e madhe zgjat tre ditë”, por sepse është fat i mirë i keqkuptimit të djeshëm që t’ia zërë vendin një i sotëm, edhe më i habitshëm.

Indiskrecioni, nga ana e vet, është kazani i madh i çorbës ku hanë, me lugë mense, të gjitha palët në komunikimin publik – që nga mediat që kanë akses të privilegjiuar te protagonistët e jetës publike, te publiku vetë, që e amplifikon informacionin ekzistues nëpërmjet thashethemit të lirshëm. Pushtetet gjithnjë i kanë përdorur leaks për të përcjellë çfarë nuk do ta deklaronin dot haptazi pa u lagur; por sot këto leaks po shërbejnë si alibi për gjithfarë lajmesh të rreme, aq sa vetë informacioni publik merr forma orakullare, ose të tilla që nuk mund të funksionojnë veçse pasi të shkoqiten nga ekspertët.

Natyrisht, secila nga këto tre patologji ka kundërfigurën e vet komike; sepse harresa vërtet mund të shërbejë për të mbuluar gjurmët dhe për ta rilindur veten çdo mëngjes – pa çka se kjo nuk e përjashton hiç, madje paradoksalisht e presupozon mbizotërimin dhe deri suksesin e argumentit të tipit “a nuk ishe ti që dje thoje…”, ose zëvendësimin e historisë dhe të arkivit nga një gazetë muri ose kolazh kalamajsh që mban erë vinovil; dhe keqkuptimi i qëllimshëm mund të jetë motori që mban gjallë edhe debatin televiziv edhe Parlamentin, ose vendet (në kuptimin e locus-it) ku riprodhohet diskursi publik sot mes nesh; dhe indiskrecioni nuk është veçse një emër politikisht korrekt për gënjeshtrën.

[1] Levi-Strauss, Claude, “Myth and forgetfulness,” në The view from Afar, Basic Books, 1985, f. 186; ku ai vetë i referohet veprës së vet të mëparshme, Structural Anthropology, Volume 2, University of Chicago Press, 1983, f. 189-191.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin