PËRDORIMI PRAKTIK I INKOHERENCËS

Disa proverba – ndoshta shumë proverba – mund t’i kombinosh në çifte, brenda të cilave të kenë kuptime të kundërta.

Për shembull: Me të pyetur shkon në Stamboll dhe Pyet njëqind vetë, bëj si di vetë; ose Fillimi i mbarë është gjysma e punës dhe Qesh mirë kush qesh i fundit. Lista mund të zgjatet: ja një lojë për të ngeshmit.

Kjo lloj “antonimie” e proverbave nuk mund të trajtohet njëlloj si antonimia në përgjithësi (mes fjalëve, mes morfemave, mes shprehjeve); sepse prej proverbave pritet të përcjellin një lloj urtësie të kondensuar, që shpreh një të vërtetë të konfirmuar brez pas brezi.

Si vegël ligjërimore (diskursive) proverbi u përket mekanizmave të ligjërimit të folur – oralitetit; ku dija e akumuluar sillet në vështrim jo nëpërmjet referimit ose citatit eksplicit (të tipit “shih Einstein, A.,: Zur allgemeinen Relativitätstheorie, Preussische Akademie der Wissenschaften Sitzungsberichte, 1915”), por duke u përcjellë nga një ligjërim në tjetrin në formë kompakte dhe shpesh metaforike.

Që të funksionojë si e tillë, si dije; dhe aq më tepër kur është akumuluar në mënyrë empirike – siç është ajo e popullit – dhe e verifikuar/e verifikueshme në çdo instancë kur përdoret proverbi, dija ka nevojë edhe për koherencë.

E megjithatë, proverbat me kuptime të kundërta e shkelin këtë lloj koherence, prandaj kërkojnë vëmendje.

Për shembull, nga njëra anë kemi Më mirë të daltë syri, se nami dhe nga ana tjetër Çudia më e madhe zgjat tre ditë; thënia e parë nënkupton se njollën e namit të keq nuk e heq dot më – çfarë përgënjeshtrohet nga proverbi i dytë, që i mëshon karakterit kalimtar të çdo “çudie”, ose çdo informacioni me natyrë “skandaloze”.

Ose edhe Trimi i mirë me shokë shumë, por I zoti e nxjerr gomarin nga balta (i pari promovon nevojën e bashkëpunimit, i dyti iniciativën personale); dhe më tej akoma: Peshku qelbet nga koka, ama Ujët nga lart buron i kulluar, por turbullohet rrugës (të dyja këto konstituohen si dy teori të skajshme për rolin dhe statusin etik të leadership-it); dhe po ashtu: Jo çdo gjë që shkëqen është flori por Çdo kalë i kuq e ka një huq.

Të vërtetat empirike që përcjellin thënie të tilla janë gjithnjë të pjesshme dhe kundërtia, në këtë rast, mund të merret edhe si pasqyrim i kundërtive të vetë realitetit.

Për shembull, Atë që mbjell, korr bie vërtet ndesh me Bëje të mirën dhe hidhe në det; njëlloj sikurse ato situata ku të ardhmen duhet ta përgatitim vetë nuk është se na pengojnë që të mos presim gjithnjë shpërblim, për një akt bujarie ose një gjest mirësie.

Nga ana tjetër, Mos i shiko gunën, por punën bie vërtet ndesh me veshja kopileshja, por marrëdhënia mes këtyre dy proverbave është e tillë që veshja kopileshja të vërë në pah një të vërtetë (rëndësinë e dukjes në marrëdhëniet sociale) të cilën duhet ta kemi parasysh kur vlerësojmë njerëzit (jo sipas gunës, por sipas punës).

Jean-Claude Anscombre dhe Silvia Palma e diskutojnë këtë dukuri[1]; dhe në veçanti Silvia Palma, duke bërë një dallim për mua tejet të rëndësishëm mes proverbave “doksale” dhe atyre “paradoksale”, provon se jo të gjitha proverbat ndjekin të njëjtën tipologji të qasjes ndaj së vërtetës – disa syresh shprehin një rregull me natyrë të përgjithshme ose tautologjike (nuk ka tym pa zjarr, ku tymi është njëfarësoj pjesë e përkufizimit stereotipik të zjarrit), ndërsa të tjera fokusohen në përjashtimin ndaj një rregulli të përgjithshëm (nuk vjen pranvera me një lule)[2].

Nëse është kështu, proverbat doksale i afrohen më shumë së vërtetës klasike (dijes, urtësisë), por ato paradoksale sjellin më shumë informacion të dobishëm në ligjërim, sa kohë që e para ka edhe natyrë intuitive, ndërsa i dyti do të jetë shpesh kundërintuitiv.

Unë këtu do të shtoja vetëm se mundësia, qoftë edhe vetëm teorike, për t’i bashkëlidhur një proverbi doksal “të kundërtën”, ose proverbin paradoksal, hap vend për hipotezën se me proverba mund të mbështetësh, të konfirmosh ose alternativisht të hedhësh poshtë gjithçka; dhe se roli i proverbit, në ligjërim, nuk është aq të udhëzojë pjesëmarrësit duke cituar dijen e akumuluar, sesa ta normalizojë tensionin ligjërimor, duke i dhënë argumentit një “mbyllje” (jo vetëm si closing por edhe si closure).

Çfarë do të thotë se narrativat e ndryshme, që sillen në vështrim gjatë bisedës ose që lypin për një shqiptim të llojit etik, normalizohen duke u bashkëlidhur me formulën e gatshme të proverbit. Për shembull, në qoftë se ka ndodhur që vajzën e dikujt ta kenë kapur në flagrancë me një burrë të martuar, proverbin më mirë të daltë syri se nami mund ta sjellë nëna e vajzës, e shqetësuar se si do të ndikojë ky incident në reputacionin e të bijës; ndërsa proverbin tjetër, çudia më e madhe zgjat tre ditë, mund të sjellë një grua tjetër, për të ngushëlluar nënën.

Çfarë ka rëndësi, për ligjërimin, është që këto proverba të jenë në dispozicion dhe të “njihen” si të tilla nga pjesëmarrësit; përndryshe, roli i tyre terapeutik ka shpesh, në mos gjithnjë përparësi, ndaj funksionit të tyre si rele dhe amplifikatorë të urtësisë popullore.


[1]La parole exemplaire: introduction à une étude linguistique des proverbes, Armand Colin, 2012.

[2] E vërteta e përgjithshme këtu do të ishte se “lulet tregojnë se erdhi pranvera.”

9 Komente

  1. Mund te dallojme edhe rastet kur i perdor folesi vete qe te perforcoje nje ide te veten qe i duket e dobet (ose se eshte natyre, qe ka nevoje t’u referohet sloganeve, proverbave e citateve para se te thote te veten), dhe rasti kur proverbat ushqehen prej bashkebiseduesit. Ne kete rastin e dyte ndoshta ka dy qellime: i pari eshte perforcues, mbeshtetes (accommodating), pra terapeutik; dhe rasti tjeter kur eshte njefaresoj qortues, ose terheq vemendjen ne dicka qe kundershton bindjen e folesit tregimtar/ themelor, ose i kujton folesit dicka qe s’e ka vene re mire ose e ka harruar. (Mos i shiko punen,…) Ne kete rastin e dyte mund te konsiderohet gati nje strategji politese, shume me indirekte, e bute dhe e fisme, se kundershtimi (pa proverb) ndaj thenies a idese se folesit kryesor.

  2. Z. Vehbi ajo qe te ngaterron ty me duket se eshte percaktimi socialist i folklorit si “urtesi popullore”, urtesi e cila duhet te jete se s’ben nje drejtimshe, e pa kontestueshme dhe padyshim e morality me te larte. Nderkohe une mendoj se proverb at nuk jane tjeter vec aforizma njerezish te zgjuar theme ne situata te veshtira a te paqarta, qe jane ngulur ne kujtesen popullore si shprehje keshilluese apo ngushelluese ne situata te tilla te perseritura. Kjo e lehteson shume barren si te proverbethenesit ashtu edhe te proverbemarresit.

    1. Nuk besoj se ka ndonjë përcaktim “socialist” të folklorit. Kjo që sjell ti, e urtësisë popullore, është përcaktimi romantik.

      Ti këtë e kundërshton në fillim, por pastaj i referohesh prapë në rreshtat që vijojnë. Megjithatë, origjina e proverbit është një gjë, funksioni i tij në komunikim një gjë tjetër.

      Edhe unë e kundërshtoj këtë koncept romantik, kur them se “me proverba mund të mbështetësh, të konfirmosh ose alternativisht të hedhësh poshtë gjithçka;”

      dhe se

      “roli i proverbit, në ligjërim, nuk është aq të udhëzojë pjesëmarrësit duke cituar dijen e akumuluar, sesa ta normalizojë tensionin ligjërimor.”

      Mos qofsha i gabuar, por këtu i jam larguar shekullit XIX.

      1. Shume e drejte kjo qe thua ne analize dhe ne koment per dyanshmerine morale te proverbave. Pikerisht kete desha te nenvizoj edhe une, qe folklori nuk eshte nje sistem pedagogjik por thjesht nje lloj urtesie dhe argetimi pre-Hollywoodian, mdryshe nga varianti i diturise me te larte popullore qe na servirte Partia.

  3. Prania e inkoherences ne bashkesine e proverbave, a fjaleve te urta, s’eshte gje tjeter vecse reflektim i drejtperdretje i inkoherences si element i i qenesishem i jetes shoqerore ne pergjithesi. Keshtu i njejti individ i ndodhur ne nje situate te caktuar do te mbaje nje qendrim qe i perkon interesit te tij te castit, kur po ky individ ne nje situate tjeter mund te ndryshoje qendrim deri ne te kundert me qendrimin e meparshem ne se kjo i konvenon interesit te tij. Per te mos folur pastaj per grupet shoqerore, komunitetet e sidomos partite politike qe shpesh inkoherencen e kane nje nga mjetet kryesore ne kutine e veglave te punes.

    Per ta ilustruar idene po sjell shembullin e kundeshtise “Qingji i mire pi dy nena” dhe “Po nuk qau femija nuk i japin te pije”. Me shume se sa kundershti midis proverbash, kjo reflekton kundershti midis dy situatash qe mund te egzistojne ne realitet, dhe me shume se sa inkoherence eshte qendrim praktik qe duhet te jete i ndryshem ne SITUATA TE NDRYSHME dhe jo si dy qendrime te mundshme qe mund te mbahen nga persona te ndryshem ne te njejten situate. Keshtu “Qingji i urte pi dy nena” ka me shume kuptim kur ka nena me bollek dhe qumesht sa te duash keshtu qe i bie me mire te rrish urte se sido qofte ke per te pire qumesht, se sa te gerthasesh e t’i besh te tjeret te thone po ky idiot cfare ka qe bertet kot. Ndryshe eshte puna kur ka mungese qumeshti, atehere ndoshta kush gerthet me shume mbase rrit shanset e veta per te pire. Megjithese mesa me kujtohet kur duhet te ngriheshe ne 2 te mengjesit per nje shishe qumesht nuk eshte se edhe gerthitja mund te te siguronte qumesht me shume, sido qofte mbase e ngritura me heret se te tjeret mund te perkthehet si e gerthitur me fort se te tjeret.

    Duke e lene qumeshtin menjane tashti po dua te them dy fjale rreth “Me mire syri se nami” dhe “Cudia me e madhe zgjat tre dite”. Mua ketu nuk me duket se ka inkoherence dhe keto dy proverba nuk me duket se çoç kundeshtojne njera tjetren. Perkundrazi keto nuk me duket se kane ndonje lidhje te ngushte me njera tjetren. Eshte e vertete qe cudia me e madhe zgjat vetem tre dite, ama nqs dikushi prodhon te njejten cudi vazhdimisht atehere tre diteshi nuk mjafton dhe cudia shnderrohet ne NAM, dhe nami nuk harrohet. Si shembull mund te marrim namin qe u ka dale ballisteve qe i hane shume pulat. Aq i tmerrshem eshte ky nam sa qe edhe ballistet e rinj, megjithese nuk ma ha mendja se u pelqejne pulat ta zeme me shume se sa socialisteve, ende perqeshen si qejflinj-ngrenes pulash.

  4. Kjo lloj “kundertie” apo “dualiteti”, apo sido ta quajme (njehere per njehere ne thonjza) e mjaft fjaleve te urta popullore haset shpesh tek ato “shqiptare”, aq sa shume njerez i perdorin nganjehere per shaka te dy llojet e kunderta. Pyetja kryesore ketu eshte: si dhe pse ekzistojne keto kunderti? Sepse duket sikur filozofija popullore hedh poshte filozofine popullore! Jam i sigurte, se shume njerez do e kene vrare mendjen per kete lloj dualiteti filozofik popullor. Dhe eshte nje problem qe kerkon nje ngulitje te thelle e te gjate. Shkrimi i mesiperm i Adrianit vetem sa e ka cekur kete problem. Mjafton vetem trajtimi i kesaj kundertie: “pashku qelbet nga koka” dhe ” atje lart uji buron i paster, por poshte turbullohet…”, (qe s’ngelte njeri pa i perdorur ne kohen e “socializmit”), dhe ne zbulojme jo vetem anen klasore te shoqerise, por edhe shume kategori, aspekte, nocione, qendrime, etj. te tjera te individite dhe shoqerise. Lere pastaj te merresh me te gjithe arsenalin e proverbave ne gjuhen shqipe! Duhet nje pune kolosale!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin