GJINIA E BRAKTISUR

PISA 2015, Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, tregoi edhe njëherë se në sistemin tonë arsimor meshkujt po lihen pas dore dhe nuk përfitojnë nga përmirësimi i sistemit të shkollimit. Problemet me shkollimin e tyre nisin në arsimin fillor dhe vazhdojnë deri në arsimin e lartë.

Sipas një studimi të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve (AKP, Tetor 2015 “Vlerësimi i Arritjeve të Nxënësve të Klasës së 3-të dhe të 5-të”) mbi arritjet e nxënësve në klasën e tretë dhe të pestë femrat kishin mesatarisht 3 pikë më shumë se djemtë.

Për vitin 2014 në shkollën e mesme dallimi në mesatare ishte një notë në favor të vajzave (AKP, Raport Publik mbi Arritjet e Nxënësve – Matura Shtetërore 2014). Në provimin e Maturës Shtetërore dallimi gjinor ishte më i vogël (rreth gjysmë note), dhe kjo është një tregues që kërkon analiza të mëtejshme. Meshkujt ndoshta diskriminohen në sistemin arsimor.

Ndërsa në PISA 2015 që teston nxënësit 15-16 vjeçar dallimet ndërmjet meshkujve dhe femrave janë në favor të femrave për të tre fushat: në matematikë (+9 pikë për femrat), shkencë (+24) dhe lexim (+59). Këto diferenca janë veçanërisht të mëdha ndër nxënësit që arrijnë rezultate të ulëta. Në shkencë dallimi ndërmjet vajzave dhe djemve nën nivelin e dytë është +27 pikë, por ky dallim zvogëlohet me +12 për nivelin e katërt e sipër. Po ashtu edhe në lexim këto dallime janë respektivisht +60 deri në nivelin e dytë dhe +46 mbi nivelin e dytë. Shqetësuese është që këto dallime janë thelluar prej vitit 2012 në lexim, matematikë dhe shkencë, sidomos në nxënësit me arritje nën nivelin e dytë. Ndërkohë që vajzat kanë përmirësuar arritjet në të tre testet prej 2012, djemtë janë rritur më pak dhe janë përkeqësuar në lexim. Kjo tregon se përmirësimi i arritjeve prej vitit 2012 është si pasojë edhe i përmirësimit të arsimimit të femrave, një proces që ka lënë pas djemtë. Nga një model statistikor për rezultatet e leximit në PISA 2015 rezulton se femrat janë rreth 2 vite përpara djemve në aftësitë e tyre. Rezultate te ngjashme vërehen edhe në arritjet mbi shkencën, por në nivel individual efekti i gjinisë është më i vogël.

Dallimet gjinore vazhdojnë më tej në arsimin e lartë. Sipas INSTAT (shih edhe INSTAT 2015, Femrat dhe Meshkuj në Shqipëri, ff. 40) prej viteve 2000 janë më shumë femra të regjistruar në arsimin e lartë (58% e studentëve në 2016), pjesëmarrja e tyre në arsimin e lartë është më e madhe se e djemve dhe suksesi në diplomim më i madh. P.sh. përqindja e diplomimit brenda një periudhe 5 vjeçare është mesatarisht rreth 37% e tek femrat dhe 28% tek meshkujt.

Shpjegimet janë gjithfarësoj në nivel sistemi apo individi. Sistemi ynë arsimor mund ti ketë braktisur ata. Familjet nuk investojnë shumë se e dinë se pas shkollës fillon bota e meshkujve, e maskilizmit dhe diskriminimit në vendin e punës. Vetë meshkujt duan të ikin në emigrim dhe nuk shohin të ardhme në Shqipëri (rreth 60%, sipas një sondazhi të Fondacioni Friedrich Ebert (2015, Rinia Shqiptare, nuk i publikojnë të dhënat bruto).

Në sistemin arsimor duhet analizuar nëse djemtë po diskriminohen nga feminizimi i mëtejshëm i profesionit të mësuesit, çfarë sjell mangësi në identifikimin me rolin mashkullor të nxënësve (një shqetësim i ngritur në vendet e zhvilluara dhe përflitet në qarqet konservatore). Në European Social Survey (2012, të publikuara të dhënat bruto) meshkujt janë më të pakënaqur me sistemin e arsimit. Ndërsa djemtë në shkolla kanë një qëndrim negativ ndaj shkollës dhe të nxënit (PISA 2012).

Një tjetër aspekt, që vërehet edhe nga diferencat e mëdha në lexim të PISA 2015, është se meshkujt lexojnë më pak dhe kanë rrjedhimisht vështirësi në të nxënit (psikoanalistët e lidhin me rolin e nënës mbi femrat, i cili zbehet tek meshkujt për shkak të interesave të tyre me natyrë mashkullore). Sipas një sondazhi vetëm 18% e meshkujve raportojnë se lexojnë rregullisht dhe 30% e tyre nuk lexojnë asnjëherë, ndërsa 22% nuk lexojnë ndonjëherë (Fondacioni Friedrich Ebert, 2015, Rinia Shqiptare).

Sido të jetë, tanimë duhet folur për “gender mainstreaming”, një strategji për barazi gjinore që duhet ti japë përparësi politikave që mbështesin meshkujt, sidomos në sistemin e arsimit.

4 Komente

  1. Nje tragjedi qe po e perjetojme prej gati dy dekadash! Sot tek nxenesit meshkuj (10 deri 15 vjecare) hyn me pare se tek nxeneset-femra celulari (tac), ku vizualiteti dominon tekstueshmerine(?), SMS-et dhe mesazhet e ndryshme jepen me shkurtime dhe jane gati te gatshme, e sa e sa aspekte te tjera. Ky fenomen eshte sot fakeqesi jo vetem shqiptare, por (me perjashtime te vecanta) edhe mbare-boterore. Mendoj se strategji per barazimin e meshkujve me femrat ne arsim nuk ka pse te kete, pasi ai barazim ekziston, ne mos 100% te pakten 90%, por duhet shtuar kerkese-llogaria ne mesimdhenie dhe pasuria e leksioneve dhe bazes materiale (laboratore, etj).

    1. r. th. jam shume dakord me pergjigjen tuaj. Mangesite neper shkolla jane te shumta, duke filluar nga ato materiale, tek mos-perkushtimi nga ana e mesuesit. Por, do te doja te shtoja, se me teper ndikon vete individi ne kerkesen qe ka per veten e vete. Ne moshat e vogla, nuk duhet harruar se pervec mesuesve, prindrit kane ne dore te ndikojne per mire tek femijet e tyre duke I “shtyre” per te lexuar sa me shume. Por ne ditet e sotme, arritjet ne teknologji, edhe pse kane shume te mira, kane edhe mjaft te keqija sepse nuk na lene ta perdorim trurin aq shume sa duhet. Persa I perket shkurtimeve te fjaleve, shtesat e ë-ve te panevojshme ne fund te fjaleve dhe shume gjera te tjera qe shoh sot, ne rastin tim te pakten, me duhet kohe te deshifroj mesazhin.

  2. Jo, problemi nuk eshte “feminizimi i profesionit te arsimitarit”! Gjithashtu, ne ka sot nje “gjini te braktisur” ajo eshte gjinia femerore. Dhe problemi me i madh nuk eshte pse meshkujt arsimohen me pak por fakti qe femrat edhe pse jane me te arsimuara kane me pak shanse ne jete! Ky eshte nje artikull qe aplikon te njejten logjike te white supremacists (i paketuar me kujdes nga shifrat) – pra eshte nje lloj helmi i mbeshtjelle nga cokollate e tipit “barazi”.

    1. Nese meshkujt do edukoheshin mire, mendon se do te kishte pabarazi ne tregun e punes dhe forma te ashpra te drejtimit? Kjo braktisje u kthehet femrave gjithsesi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin